Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

1949-1953, ENVER HOXHA PËRDOR SKËNDERBEUN PËR T’IU KUNDËRVËNË OPERACIONIT ANGLO-AMERIKAN “VALUABLE”
TETOR 1940, MUSOLINI PËRDOR SKËNDERBEUN PËR TË SULMUAR GREQINË
PLANI I MUSOLINIT: NË PRILL 1939 BASHKË ME PUSHTIMIN EDHE NGRITJA E MONUMENTIT TË SKËNDERBEUT NË QENDËR TË TIRANËS
VRASJA E BAHRI OMARIT SI SHKALLË PUSHTETI PËR ENVER HOXHËN
Historia e Shqipërisë kalon edhe nga Butka
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

SI NË 2012 U REALIZUA SJELLJA E ARMËVE TË SKËNDERBEUT NË SHQIPËRI


Dhe në Tiranë, në Muzeun Kombëtar, u bë pelegrinazhi më i madh i shqiptarëve në historinë e tyre: 1.7 milion vizitorë.

(Botuar në “Shqiptarja.com” në 17 shkurt 2018)

Në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme ndodhet edhe një lajm i shkëputur, i prerë, prej të përditshmes franceze, shumë energjike me lexuesit e saj edhe sot, “Le Telegramme”. Është shkëputur prej edicionit të saj të datës 9 janar 1934, çfarë qe ditë e martë. I ishte dërguar Tiranës prej Legatës Mbretërore të Shqipërisë në Paris.
Që në titull dhe më pas thuhej rrjedhshëm se “Kaska e heroit kombëtar të Shqipërisë, Skënderbeut, e cila aktualisht ndodhet në Vjenë si ndër pjesët më kurioze dhe më të çmuara të Muzeut të Artit të saj, është kurora e Skënderbeut. Kjo kurorë është një lloj kaske dhe është vendosur në Muze bashkë me një shpatë të madhe që e përdorte heroi shqiptar”.
Më tej, sipas vijimit të shkrimit, në të shkruhet se opinioni për fatin e ekzistencës së këtyre armëve nuk është i prerë. Meritë për këtë prani thonë se e kanë vetë austriakët, të cilët i mbrojtën dhe i sollën për t’i ruajtur në Vjenë. Ka, ngulet këmbë në lajmin e “Le Telegramme”, që këtë kontribut ia japin Napoleonit.
“Në kaskë (përkrenare-shënimi ynë), thekson e përditshmja franceze, është aplikuar hekur i rahur. Sipër ajo ka një kokë dhie. Edhe ajo është punuar me çekiç”.
Duke e vazhduar përshkrimin e vet e përditshmja franceze e tërheq vëmendjen e lexuesit të saj në një hollësi tepër të rëndësishme, sidomos për kohët e sotme, ku një zell i çuditshëm i ka mbërthyer disa bashkëkombës me pasion protagonist që ta çmitizojnë Gjergj Kastriotin, duke ia shkurtuar sa më shumë shtatin. “Le Telegramme” vë në dukje se “përmasat e kaskës dhe të shpatës dëshmojnë lartësinë e tij, japin një ide të saktë për fizikun e Skënderbeut, një nga krerët dhe prijësit ushtarakë që ka lënë emër shumë të shquar në histori”.
Lajmi më pas vëren se për formën e të shkruarit të emrit të heroit shqiptar janë përdorur disa mënyra ortografike, ndërsa më tej, duke rrëfyer shkurt për jetën e tij, jo pa gabime, thotë se ai pati lindur në 1403 (në fakt ka qenë moti 1405), se edhe tre vëllezërit u morën që të rinj në Kostandinopojë si pengje dhe se pikërisht këtu ai u formua dhe u farkëtua duke u quajtur Skënderbej. “Ishte një kohë favorit i sulltanit Murat II, shkruhet në lajmin e “Le Telegramme”, dhe luftoi në ushtrinë otomane, por në 1432 (në të vërtetë në fundnëntor 1443), kur pa se tre vëllezërit e tij u helmuan me urdhër të sulltanit, ai u kthye në i krishterë dhe nisi kryengritjen. Kështu filloi një epope e pakrahasueshme në analet e historisë. Atëherë Murati i dërgoi disa herë ushtri të mëdha, por Skënderbeu i tërhequr në male me kalorësit e tij i godiste vazhdimisht, duke u shkaktuar dëme shumë të mëdha”.
Këtu sërish një detaj me shumë interes për ata jo të paktë që në fillim të viteve dymijë ia bëjnë shtatin të përgjysmuar: “Trupin e kishte shumë të madh. E pati zakon që krahun e djathtë ta kishte llërëxhveshur dhe për nga forca e pabesueshme që kishte kur godiste, e priste një njeri mes për mes me shpatë”. Duke vënë në pah se Gjergj Kastrioti i përbuzte vuajtjet fizike, shkrimi nënvizonte se “buza e artë e kaskës nga dielli dhe drita shkëlqente dhe kjo bënte që turqit t’i kapte paniku dhe ktheheshin mbrapsht. Kjo famë e tij u përhap në të gjithë Evropën, Mehmeti që pas Muratit, dërgoi sërish një ushtri në Shqipëri, për ta përballuar Skënderbeu vajti në Romë dhe kërkoi ndihma. Papa i dha dhe ai edhe njëherë fitoi mbi ushtrinë e Islamit Kjo fitore ishte veçse e fundit dhe i munduar nga ethet vdiq në 1468 në Lezhë. Me të ikur ai, shqiptarët qenë të pazotë të vazhdonin rezistencën e tij dhe kështu shumë shpejt u pushtuan”.
Të gjithë këtë lëndë të shumtë të përkthyer nga shkrimi i 9 janarit 1934 të së përditshmes franceze “Le Telegramme” e dhamë jo vetëm për t’i kujtuar lexuesit të sotëm sa madhështor përfytyrohej Skënderbeu në zemër të Evropës afro nëntëdhjetë vite më parë, por edhe për ta bërë më kuptueshëm veprimin që këtë kohë kreu Ahmet Zogu.
Ja fragmenti përmbyllës i shkrimit: “Që në vitin 1928 Zogu sapo u ul në fronin e Shqipërisë iu drejtua qeverisë austriake me kërkesën për rikthimin e kurorës së famshme historike. Qeveria austriake e vlerësoi si të pamundur për ta bërë këtë, por i dha lejen për një kopje trofe dhe ia çoi mbretit të ri”.
Kjo histori e fundit, e cila vijon sidomos me dëmtimin që iu shkaktua përkrenares kopje, do të qe lënda e një shkrimi tjetër, siç e tillë, material komunikimi me publikun do të qe një shkrim i ri ku të tregohej si Ahmet Zogu e përsëriti këtë kërkesë të kthimit të përkohshëm në Shqipëri të armëve origjinale të Skënderbeut, përfshi si e kreu këtë veprim dy herë Enver Hoxha, pas vitit nëntëdhjetë po ashtu edhe një qeveri socialiste.
Por më në fund fitimtari i tërë kësaj epopeje për t’i sjellë shenjat e Gjergj Kastriotit në Tiranë dhe parë nga afër prej tërë shqiptarëve, qe Sali Berisha.
Atë e ndihmoi gjithë kjo këmbëngulje pothuaj shekullore, jubileu i pazakonshëm i 100-vjetorit të Pavarësisë, por mes të tjerëve edhe ambasadori i Shqipërisë në Austri, bashkëpunëtori i tij i ngushtë politik, njëkohësisht edhe diplomati i rezultateve, Vili Minarolli.
Mes librave të tij Minarolli këto ditët e fundit ka publikuar edhe një të ri: “Ngjarje që nuk harrohen”. Ka temë jo vetëm jetën e tij si politikan, por edhe si ambasador. Ai ka qenë me një status të tillë të lartë përfaqësimi në Beograd, në Athinë dhe në Vjenë.
Pikërisht në këtë botim ai rrëfen edhe një pjesë të aksionit diplomatik për sjelljen në Tiranë të armëve të Skënderbeut, por për ta plotësuar me hollësitë më të qenësishme, çfarë ka nevojë patjetër një kryengjarje historike, autorit të këtyre rradhëve iu desh edhe një bisedë e gjatë së bashku.

Ambasadori Vili Minarolli nga Athina në Vjenë

Ndërsa ishte ambasador në Athinë një ditë Vili Minarolli vizitoi muzeun e Akropolit dhe në objektet e ekspozuara jashtë qenë edhe gjashtë statuja antike greke. Ndërsa ciceroni po i shpjegonte se ato ishin kopje sepse origjinalet ndodheshin në Muzeun e Londrës, e pyeti “Atëherë përse nuk i merrni?”
“Sepse i kanë blerë”, u përgjigj tjetri.
Atë çast ambasadori shqiptar kuptoi se kur një shtet tjetër i ka blerë disa vepra arti, është krejt e pamundur t’i rikthesh në atdheun e tyre. Do t’i kujtohej me këtë çast detyrimisht historia e armëve të Skënderbeut, të cilat Vjena nuk i lëshonte nga duart as për vetëm pak ditë ekspozimi në Tiranë, madje edhe pse për Shqipërinë ato qenë më shumë se një kryesimbol nacional.
Kur erdhi çasti që kryeministri Sali Berisha e ripropozoi të ishte drejtues i ambasadës në kryeqytetin austriak dhe ndërkaq pritej miratimi i presidentit Bamir Topi, ky i fundit, mirëdashës për këtë emërim, gjithsesi e pyeti përse po shkonte në këtë mision të ri. Minarolli menjëherë shqiptoi fjalinë e shkurtër: “Edhe për të marrë armët e Skënderbeut”. Në fakt kjo ishte ëndërr e të gjithë shqiptarëve, pse jo edhe e vetë Bamir Topit. Ky buzëqeshi, çfarë donte të thoshte “Ok”
Në Vjenë Vili Minarolli mbërriti në 21 qershor 2010 dhe në datën 30, tepër shpejt çfarë dëshmonte simpati për shqiptarët, do të paraqiste kredencialet tek presidenti i vendit, Heinz Fisher. Takimi me të kaloi vërtetë shumë ngrohtë. Mjaft shpejt pas kësaj bisede ambasadori do të niste misionin e tij ekstra: armët e Gjergj Kastriotit. Këtë kohë nënkancelar dhe ministër i Jashtëm qe Michael Spindeleger, një mbështetës i madh i Shqipërisë, politikani i Partisë Popullore, i cili tre muaj më parë, kur Minarolli ende ndodhej me punë në Athinë, i mbërritur urgjentisht në Athinë, bashkë me ministren e Jashtme të qeverisë socialiste greke hartuan një letër të përbashkë drejtuar të gjithë ministrave të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian, me thirrjen për t’i hequr vizat e hyrjes në BE Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
Në Vjenë Muzeun e Artit Minarolli e pati vizituar shumë kohë më parë se të niste punën e ambasadorit, por në korrik 2010 e rivizitoi. E shoqëruan punonjës të tij dhe i shpjeguan gjithçka. Atje ishte tërë një pasuri botërore, ku armët e Skënderbeut, duhet thënë, qenë një vlerë e imtë. Prej një mikeshe të tij politike të fillim viteve nëntëdhjetë, Elisabet Grehrer quhet, nënkryetare ato kohë e Partisë Popullore dhe ministre e Arsimit dhe e Shkencës për 13 vite (duke u bërë gruaja e dytë në Austri me post të lartë kohëgjatë pas perandoreshës Maria Tereza), kishte marrë përgjigjen se armët nuk mund të jepeshin. Me këtë rast thuhej arsyeja e zakonshme: qenë blerë me faturë prej një trashëgimtari të Habsburgëve dhe ishin pronë e shtetit austriak.
Gjithsesi, me ndihmën e bashkëkombësit Aki Nuredini, pronar në Vjenë i restorantit “Sole”, i pëlqyer ky shumë prej elitës së kryeqytetit austriak, në shtator të atij viti ambasadori shqiptar kreu takimin me ministren e kulturë-arsimit, zonjën Claudia Schmied, bashkë me të cilën po realizohej projekti i hapjes së një shkolle austriake në Shkodër. Çështja e dytë qenë armët. “E pamundur” ishte përgjigja e saj në takimin jo protokollar.

Nga Wolfang Grosruck tek Barbara Prammer

Në fillim të vitit 2011 Minarolli gjithsesi bëri një hap tjetër: bisedoi me nënkryetarin e Parlamentit të Austrisë, deputetin e vjetër Wolfang Grosruck, person shumë i dashur prej kolegëve dhe nga opinioni publik vendas. Ky menjëherë e çeli një shteg. Propozoi: “T’i bësh një letër Presidentit Fisher”. Pastaj shtoi: “Do ta kem edhe unë rastin ta takoj e t’i them”.
Vili Minarolli e hartoi dhe ia dërgoi letrën Heinz Fisherit, me të cilin tashmë shiheshin në Llozhën e Ambasadorëve të sallës së famshme të Filarmonisë së Vjenës, ku çdo fillim viti bëhen koncertet e ndjekura në televizion nga e tërë bota. Fisher qe amator i muzikës simfonike.
Fare pak ditë nga dërgimi i letrës tek Presidenti, e telefonoi shefi i kabinetit të tij dhe e ftoi të takoheshin. Ky i shpjegoi se kjo çështje nuk ishte në kompetencë të Presidencës dhe duhej ta bisedonte me Ministrinë e Kulturës. Pasi mori përgjigjen e ambasadorit shqiptar se e kishte bërë me kohë këtë gjë, shefi i kabinetit nisi t’i shpjegojë se vendi i tyre merrte shumë kërkesa të tilla prej mjaft vendeve të Ballkanit, të kontinentit dhe të botës, por në asnjë rast dhe për asnjë objekt nuk ishte dhënë leja e nxjerrjes nga kufiri austriak. Ai tregoi se këtë fat kishte pasur në mënyrë të përsëritur edhe Meksika, e cila kërkonte për pak kohë ekspozimi Kurorën e Montezumës, perandorit themelues që populli i tyre e ka si të shenjtë.
Në ditën pasardhëse ambasadori Minarolli i kërkoi një takim në zyrë ministres së Kulturës, por kjo ngarkoi sekretarin e përgjithshëm të institucionit. Nga biseda për shkollën austriake në Shkodër dhe propozimin e tij për të çelur një të tillë edhe në Tiranë, gjuha e Vili Minarollit preku temën e tij sfiduese: armët e Skënderbeut. Përgjigja erdhi si përherë: punë e pamundur.
Atëherë ambasadori shqiptar iu drejtua sërish mikut të tij Grosruck. Ky nuk e pati humbur optimizmin. I propozoi t’i bënte një letër kancelarit përfaqësues të Partisë Popullore dhe nëpërmjet tij dhe nënkancelarit të Partisë Socialdemokrate që të mund të depërtohej deri në një mbështetje të mundshme të kabinetit qeveritar. Letra u bë dhe përgjigja mbërriti nëpërmjet një gjesti të zyrtarit të lartë të Ministrisë së Arsimit, W. Stelzmyler. Vendi ku Minarolli e mori mesazhin ishte si për një film fantashkence: aeroporti i Vjenës, ndërsa po përcillte për një vizitë në Tiranë një dërgatë zyrtare austriake. Stelzmyler i tha se më në fund ishte gjetur “çelsi” që mund ta zgjidhte rrugëtimin e magjishëm të armëve të Skënderbeut për në Tiranë: Kryeministri i Shqipërisë duhej t’i shkruante një letër kancelarit austriak, ku t’i kërkonte që me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Muzeu Kombëtar i Vjenës të hapte në Muzeun Kombëtar të Tiranës një ekspozitë me armët e heroit tonë kombëtar. Letra u bë sipas propozimit “dinak” dhe nga Tirana fluturoi në Vjenë. Në një mbledhje të qeverisë, me këmbënguljen e madhe të nënkancelarit, kërkesa shqiptare u miratua.
Pas këtij lajmi Vili Minarolli doemos u gëzua shumë, por doli se ende ndodheshin larg mundësisë së realizimit. Duhej patjetër një miratim nga Parlamenti vendas. Atëherë ai kuptoi përse kishte qenë vazhdimisht e prerë përgjigja e deriatëhershme. Austriakët e patën kthyer në ligj mosnxjerrjen e asnjë objekti muzeal jashtë vendit.
Këto çaste u rishfaq njeriu i mirë dhe zemërmadh Grosruck. Ai i tha ambasadorit shqiptar që të ndërhynte tek radikalja ekstreme, Partia e Lirë, sepse popullorët dhe socialdemokratët pritej të dakordësoheshin me nxjerrjen e përkoshshme nga Austria të armëve të Skënderbeut, por deputetët e PL mund të bllokonin. Mjaftonte një votë kundër dhe gjithçka rrënohej. Këto çaste Minarolli e habiti Wolfang Grosrucker duke thënë se mund ta merrte mbështetjen e kësaj partie të vështirë. Arsyen nuk ja shpjegoi, por në thelb kishte qenë e thjeshtë. Shefi i Partisë së Lirë pati organizuar kohë më parë në mjediset e Parlamentit një konferencë shkencore për partinë dhe prej gjithë ambasadorëve të ftuar i shkoi vetëm ai shqiptar. Kështu Vili Minarolli u duartrokit fort prej tyre dhe u bë “mik për kokë”. Pas kaq kohësh kjo rrethanë miqësimi iu desh: PL ra dakord të votonte pro.
Në atë pasditë të paharueshme të tetorit 2012 Minarolli ishte në Llozhën e Ambasadorëve dhe kur kryetarja e Parlamentit, dr. Barbara Prammer, hyri, vështroi nga ai dhe e përshendeti. Nga salla, duke ndjekur gjestin e saj, kthyen kokën nga qe ambasadori shqiptar. Ishin momente mjaft emocionuese. Të pranishëm qenë më shumë se gjysma e deputetëve, pra mbi njëqind e pesëdhjetë prej tyre.
Kryetarja çeli seancën dhe Grosruck e mori menjëherë fjalën. Tha se kishin rënë dakord si qeveri të lejonin dërgimin e përkohshëm në Tiranë të armëve të heroit kombëtar shqiptar. Qenë pak fjalë, por shumë të vendosura. U ul. Prammer pyeti nëse kishte të tjerë për të marrë fjalën. Asnjë. Duhej të kishe zemër të fortë që t’i përballonte rrahjet e forta. Atëherë kryetarja e Parlamentit nuk e la gjendjen psikologjike të pjesëmarrësve të binte në ankth të panevojshëm. Propozoi votimin e menjëhershëm.
Këtë çast mbërriti më e paharueshmja: të gjithë deputetët austriakë deklaruan “Po” dhe ky ishte rasti i lumtur i Wolfang Grosruck-ut të rendëte drejt llozhës dhe të përqafonte ambasadorin shqiptar. Ky i fundit nuk humbi kohë, por telefonoi Sali Berishën dhe matanë receptorit zëri i këtij shpërtheu në një thirrje gazmimi dhe habie, “Ashtu!”, me sa duket fjala e parë që gjeti t’i jepte fund dyshimit të gjatë se armët e Skënderbeut qe e pamundur të silleshin në Shqipëri.
Në Vjenë pas disa ditësh Barbara Prammer e shoqëruar nga disa prej bashkëpunëtorëve të vet dhe ambasadori shqiptar prej Aki Nuredinit dhe Hana Këlcyrës, shkuan posaçërisht në Muze dhe panë punimet përgatitore për dërgimin e tyre në Tiranë. Me këtë rast bënë edhe një foto të përbashkët para armëve të Skënderbeut. Drejt kryeqytetit shqiptar për ekspozim të përkohshëm do të niseshin edhe dy piktura të Gjergj Kastriotit, të cilat Muzeu i Artit i kishte pasur në depon e vet.

30 milion euro si garanci

Pjesa tjetër e kësaj historie fare të pabesueshme, një mirësi e jashtëzakonshme e Austrisë për vendin tonë, gjest i paçmuar dhe që nuk mund të harrohet kurrë, në mos të bëhet të paktën një film, dihet: udhëtimi me kamion të blinduar nga Vjena nëpër territorin italian, hipja në traget në portin e Barit dhe zbarkimi në Durrës, masat e larta të sigurisë në ndërtesën e Muzeut Kombëtar të Tiranës, ceremonia zyrtare dhe fillimi i peligrinazhit më të madh të shqiptarëve në historinë e tyre: në dy muaj pa dhjetë ditë shkuan para eksponatit të armëve të Skënderbeut dhe bënë foto të panumërta plot 1.7 milionë bashkëkombës.
Dhe me këtë rast nuk duhet të harrojmë një hollësi të tërë kësaj ngjarjeje të pazakonshme. Dërgimin e armëve të Gjergj Kastriotit në Tiranë e mundësoi një shumë monetare e vënë në dispozicion si garanci e domosdoshme.
Kjo nuk ishte pak, por plot 30 milion euro.
E vuri agjencia e asiguracioneve UNIQA.

Ylli Polovina

Tiranë, më 13 shkurt 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com