Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
”REPUBLIKA E SHTATË”


Libri më i ri i Ylli Polovinës

226 faqe, 125 kapituj.

Regjimenti “Kosova”

Sipas Abaz Alizotit, nipit të Fejzi Alizotit, në afërsi të Hotel Dajtit në Tiranë, në bulevard, ndodhej një barakë me ngjyrë jeshile.
Prej andej rreth mesditës së 3 shkurtit 1944 u dëgjuan disa krisma.
Pas pak ranë të tjera.
Banesa e Alizotëve ishte afër, në krahun tjetër, diçka më tutje nga vendi ku sot janë tre bustet e vëllezërve Frashëri. E tërë familja, përfshi edhe vetë Fejziun mbi shtatëdhjetë vjeçar, ndodheshin në shtëpi.
Dritaret kryesore shihnin nga të dy krahët, sidomos në kahun e bulevardit, pikërisht andej ku ndodhej edhe kasollja e blertë.
Prapa banesës Alizoti qe shtëpia e kryetarit të Partisë Fashiste, Tefik Mborjes.
Përballë gjendej ajo e kolonelit Bilal Nivica.
Kadri Cakrani, i cili banonte në Pallatet Moskate, vend që ishte skaj i Tiranës dhe prej aty niste fusha e hapët, po kalonte ato çaste në bulevard, hipur në një “Fiat”.
Në krah kishte ndihmësin e vet, një të afërm, i cili qe veshur me tesha të Kadriut.
Persona që ndodheshin tek kasollja jeshile, numri i të cilëve fillimisht për fëmijën e vogël Abaz nuk kuptohej dot, shtinë mbi makinë.
Cakranin nuk e kapi asnjë plumb.
“Bashkimi” i 6 fruer, e martë, me germa shumë të mëdha në krye të faqes së parë boton titullin “Fjala e Gjeneral Leitenant Koçi Xoxe në meetingun e madh të kryeqytetit. I
tërë Populli kujton 4 Shkurtin me Demostrata të mbëdha në të gjitha qytetet e Shqipërisë”.
Nëntitulli kumton: “Populli kërkon me këmbëngulje dënimin e kriminelëve të luftës-Kërkon nga Aleatët dorëzimin e kriminelëve të arratisur në Itali”.
Pas një farë kohe nga kasollja e blertë qëlluan sërish.
Në shenjë këtë herë vunë të nipin e Xhafer Devës, një njëzetë vjeçar.
E plagosën rëndë dhe i riu, këmbadoras, i përgjakur, mezi mbërriti tek dera e shtëpisë së Xhaferr Devës, e cila ishte aty ku sot pothuaj është shtëpia e dikurshme e Enver Hoxhës.
Tek dera ra në komë, por jetë ndërroi në spital.
Pas kësaj, siç në familjen Alizoti e morën vesh pak më vonë, Deva telefonoi kolonelin Bajazit Boletini, të birin e Isa Boletinit, dhe e urdhëroi që bashkë me mbi njëmijë të armatosurit që kishte, regjimentin “Kosova”, të bënte “piaca pulita”, pra siç i tha konkretisht: “Bëje tym për çfarë të të dalë përpara!”
Ndërkohë me rrëmujë të madhe dhe rendur me një frymë, në qendër të Tiranës mbërritën një masë e madhe kosovarësh të regjimentit dhe iu drejtuan kasolles jeshile. Ata që ndodheshin fshehur atje dolën prej andej dhe tashmë u pa se qenë katër persona.
Që të katër mbanin pardesy ngjyrë qumështi.
Duke vrapuar për t’iu larguar furisë së ardhësve, ata u futën pas një pirgu gurësh që ndodheshin atje ku sot janë dy kullat.
Ky vend gjendej në krahun tjetër të shtëpisë së Alizotëve dhe Abazi i vogël vrapoi tek dritaret e asaj ane.
Prej këtej grumbulli i gurëve qe afër, pesëdhjetë metra e shumta, dhe pamja ishte si në pëllëmbë të dorës. Ata me pardesytë karakteristike shiheshin qartë.

Që të katër qenë të rinj.
Ndërkaq kosovarët e shumtë po u afroheshin me shpejtësi. Nuk i mbanin pushkët krahaqafë, por rripat i patën hedhur mbi zverk dhe të dy krahët vendosur sipër armëve.
Ata bënin ulërima të çuditshme, bërtitje të mëdha, vikama të vërteta.
Në këtë moment doli nga banesa e tij me pistoletë në dorë koloneli Bilal Nivica, duket për të vënë qetësi, por konkretisht kur pa rrëmujën mbeti pa ditur çfarë të bënte. Në të njëjtën kohë ia behu një oficer shqiptar nga të ushtrisë qeveritare.
Ai menjëherë shkoi tek dera e banesës së Alizotëve dhe trokiti.
U tha të zotëve se do të dërgonte dy vetë për të vendosur në tarracën mbi garazhin e shtëpisë së tyre një mitraloz me dy këmbë.
Prej andej sheshi përballë, drejtimi i Hotel Dajtit, shihej krejtësisht.
Të dy ushtarakët e tjerë erdhën menjëherë dhe e instaluan armën e rëndë, por nuk qëlluan.
Në këtë kohë shoferi i të atit të Abazit, prefektit Hasan Alizoti, i cili e kishte emrin Nasi, pati shkuar në furrë të merrte një tepsi me byrek, dhe me të në dorë, tashmë po kthehej.
Oficeri shqiptar sapo e pa iu hodh mbi shpinë, e shtriu përtokë dhe i vuri revolverin në kokë.
“Kush je, çfarë je!”, i klithte.
Ky edhe pse i tha se shofer i kujt qe, u desh të dilte nga shtëpia vetë Hasani për ta bindur oficerin ta lëshonte.
Këto momente në derën e shtëpisë Alizoti pati trokitur një vajzë e re dhe kishte kërkuar ndihmë të fshihej.
Kishte me vete një trastë me bomba dore dhe ata e futën në bodrum.

Ndërkaq kosovarët patën mbërritur tek pirgu i gurëve dhe nisën vrasjen e katër atentatorëve të rinj.
Nuk i qëlluan me plumba, por me kondakë, shkelma dhe grushte, duke ja hedhur secilin njëri-tjetrit që ta vazhdonin masakrimin.
I godisnin dhe i shanin, deri sa më në fund të katër personat e veshur me pardesy ngjyrë qumështi dhanë shpirt.
Pas kësaj përreth ra qetësi.
Alizotët i thanë vajzës që kishin fshehur në bodrum, se tashmë mund të largohej pa asnjë rrezik. Iku duke i falënderuar të zotët e shtëpisë.
Asnjëherë ajo vajzë, edhe pas çlirimit nga nazigjermanët, nuk u ndje.
Ishte gjallë apo jo, sepse kohë lufte qe?
Apo heshti sepse mbi familjen Alizoti ra e rëndë akuza për bashkëpunim me pushtuesit dhe tradhti kombëtare?
Por as Alizotët nuk e kërkuan për të lehtësuar sadopak gjendjen e tyre

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com