Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ZOGU SI “NIP-STËRNIP I SKËNDERBEUT” Pjesa e dytë
AHMET ZOGU E FSHEH IMAZHIN E SKËNDERBEUT, ENVER HOXHA E NXJERR NË PAH, Pjesa e parë
SHFAQJE TË ANTIKOMUNIZMIT NAZIST
Libri më i ri i Ylli Polovinës i dobishëm për polemikën partizanë-ballistë
BERATI, “KRYEQYTETI” SHQIPTAR I SHPËTIMIT TË HEBRENJVE
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

44 PRETENDUES PËR TË QENË MBRET I SHQIPËRISË


Shkrimi i njëzetë e dy i ciklit për Vitin e Skënderbeut

(Botuar në Illyria në 6 mars 2018)

Studiuesit e historisë tonë kanë bërë një listë të mundshme me emrat e pretendentëve të huaj për fronin e mbretit të Shqipërisë, stina e të cilëve qe lulëzuese prej dekadës së fundit të shekullit të nëntëmbëdhjetë deri në përfundim të njëzetë viteve të parë të atij pasardhës. Kongresi i Lushnjës dhe qeveritë normale shqiptare e ndërprenë këtë anomali dhe çudia e mëparshme do të zëvendësohej me një habi tjetër, edhe më të madhe: mbreti do të vinte nga brenda Shqipërisë. Me këtë status të tij ai do të vetëshpallej dhe njihej nga bashkësia ndërkombëtare.
Ky do të qe Ahmet Zogu, mbreti i parë dhe i fundit i shqiptarëve.
Sepse as Skënderbeu nuk qe mbret. Ishte vetëm princ.
Që ekzistonte një “kurorë” e tij ishte shpikje e fashistit Benito Musolini dhe gënjeshtër fort e pëlqyer prej monarkut italian Viktor Emanueli. Me pushtimin e Shqipërisë në 7-8 prill 1939 qe ky i fundit që përveç kurorës së dinastisë së tij shtoi për veten edhe atë të Skënderbeut.
Kështu, edhe pse nuk e përfillim këtë fakt, pra që Viktor Emanueli mbante edhe statusin e “mbretit” tonë, nuk qe historikisht Zogu, por ky i fundit monarku ynë i fundit. Pra, kemi pasur dy mbretër.
Rikthehemi tek ideja që vumë nën theks në rreshtat e parë të këtij shkrimi: hartimi i një liste me emrat e pretenduesve për “fronin” e Shqipërisë.
Sipas atyre që janë marrë me këtë çështje, këta kanë qenë, të bujshëm apo fare periferikë, plot 44 persona.
Vetëm një e dhjeta e tyre e kanë paraqitur veten se ridhnin prej Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kaq pak vërteton se për t’u paraqitur me këtë pretendim nuk qe aq fort e domosdoshme të vije në dukje këtë lidhje gjaku e biografie, ndërkohë që ishte një bela më vete të sajoje “prova” për këtë origjinë.
Ishte si një bombë e futur në xhep, e cila mund të plaste nga çasti në çast.
Gjithsesi Ahmet Zogu këtë e tentoi dhe për këtë hollësi të jetës dhe trukut të tij politik do të kemi rastin t’ja paraqitim lexuesit, me dokumentim të ri, kur të vijë rradha gjatë ciklit.
Ne prej disa herësh po merremi me “skënderbegasin” e shtirë Don Aladro Kastrioti, sepse ky na ka dhënë, mes shumë bezdive, jo vetëm financime për përhapjen e çështjes shqiptare, por edhe vetë flamurin kombëtar që u ngrit në Vlorë prej Ismail Qemalit.
Siç kemi pasur mundësi të shkëmbejmë mendim me njeri-tjetrin, Ismail bej Vlora, edhe pse e pranonte që Aladro ishte një aventurier, i mbetur ngushtë prej mungesës në Vlorë të një flamuri, pranoi hë për hë atë që i kishte dhuruar pasardhësi fals i Skënderbeut Eqerem bej Vlorës dhe nuk kujtimet e tij mbajti heshtje të plotë. E kapërceu vështirësinë e paparashikuar që i doli përpara, me një formulim dinak si “ngritëm flamurin e Skënderbeut”.
Madje në këto kujtime të tij mjaft të vëllimshme, por edhe plot hollësi, nuk përdoret asnjë germë për ekzistencën e Don Aladros. Por ka rreshta të tërë për një pretendent tjetër të fronit të fantazuar mbretëror shqiptar. Shumëve mund t’u kujtohet ky fragment: “Një mbrëmje, andej nga fundi i marsit të 1913 mësuam se një anije me flamur britanik ishte ankoruar në port dhe kishte sjellë lajmin se bllokada detare ishte hequr. Natyrisht, ishim të lumtur nga ky lajm. Të nesërmen në mëngjes më informuan se anija në fjalë ishte jahti i Dukës de Montepensier, vëllait më të vogël të Dukës së Orleanit. Duka më nisi një lajmëtar me një mesazh me anë të të cilit Madhëria e Tij më komunikonte qëllimin e vizitës së tij, që ishte dëshira për të paraqitur kandidaturën e tij për fronin e Shqipërisë. Letra ishte e shoqëruar me një ftesë për drekë në jaht. Unë pranova dhe, pasi hëngrëm, patëm një bisedë të gjatë në të cilën ai më përsëriti qëllimet e tij. E sigurova se do të isha i lumtur qoftë për vete, qoftë për vendin tim që një fisnik nga familja mbretërore franceze të shpresonte për detyrën e vështirë, por të nderuar të mbretërimit në Shqipëri, por isha i detyruar të shtoja se bllokada e gjatë na kishte mbajtur për shumë kohë larg të kuptuarit se cila ishte gjendja jonë e tanishme në raport me fuqitë europiane dhe andaj më vinte keq që nuk do të ishim në gjendje të merrnim një vendim të prerë, qoftë ky edhe në përputhje me dëshirat tona”.
Por para se të përfundojmë me këtë shkrim një pamje të shpejtë mbi Aladron, le të përqendrohemi tek ndonjë e pathënë për të ose burim i ri informacioni.
Studiuesi Fotaq Andrea në punimin e tij shterrues “Retrospektivë radioskopike për një portretizim të Aladro Kastriotit”, mes të tjerash spikat: “Kulmi u arrit kur gazeta spanjolle “La Vangardia” shpalli me bujë fermanin e sulltanit për dënimin të Aladro Kastriotit”. Andrea shpegon se ky botim ishte i datës 29 korrik 1902 dhe e kishte titullin “Sulltani kundër Don Juan Aladros”.
Lajmi ishte një telegram i ardhur nga Kostadinopoja, ku jepej “urdhri i sulltanit për të dënuar me vdekje pretenduesin për fronin e Shqipërisë Juan Aladro Kastriota Scanderbeg po të hyjë në territorin turk apo të futet në Kostandinopojë”.
Fotaq Andrea e plotëson këtë të dhënë me një hollësi tjetër. Në 1 tetor 1903, pra pas katërmbëdhjetë muajsh nga lajmi i “La Vangardia”, Aladro i pati dhënë një intervistë gazetës franceze “L’Echo des Jeunes”, ky pranonte se kjo histori dënimi për kokën e tij qe e vërtetë dhe se sulltani fermandhënës ishte Abdul Hamiti.
Shumën financiare për t’u kapur dhe dorëzuar autoriteteve të Perandorisë Osmane e kishte dhënë 300.000 lira turke.
Ndërkohë ne kemi gjetur një kend tjetër vështrimi të kësaj ndodhie. Kjo është gazeta italiane “La Stampa”, pamjen e artikullit të së cilës po ia bashkëngjitim këtij shkrimi.
Në këtë lajm, në rubrikën e zhvillimeve ndërkombëtare, thuhet se prej një telefonate të marrë nga kryeqyteti francez në 15 gusht 1902 prej Agjencisë së Lajmeve “Paris Nouvelle” qe kryeministri i Perandorisë Osmane, Dervish Pasha, i cili i kishte dërguar tërë ambasadorëve të tij anë e kënd botës, një kopje të fotografisë së pretendentit shqiptar Don Aladro Castriota dhe se këtyre u qe dhënë urdhri i Sulltanit për të refuzuar çdo pasaportë që mund të kërkonte ky Kastriot personalisht apo çdo i dërguar prej tij.
Sipas këtij lajmi, këmbëngulej se qeveria duhej të mbahej në korrent prej ambasadorëve të saj për çdo lëvizje që bënte dhe se dënimi për kokën e tij qe 100.000 mijë lira.
Siç e shihni më shumë se një vit më pas, duke e rikthyer në kujtesë të opinionit publik francez këtë ngjarje, pasardhësi fals i Skënderbeut e trefishon shumën monetare të vënë kundër tij nga Abdul Hamiti.
Historishkrimi shqiptar për Aladron dëshmon shumë raste të mbështetjes së tij prej personaliteteve më të spikatura të kohës, mes tyre edhe shkrimtarë arbëreshë si Jeronim De Rada apo dijetarë dhe botues së Anselmo Lorechio. Ky i fundit publikonte \"La Nazione Albanese\", e cila dilte dy herë në muaj. Lorechio botoi gjithçka për ta popullarizuar, duke filluar prej fotografisë së tij ashtu edhe thirrjet me patos pseudopatriotik. “Nën nxitjen e Anselmo Lorechios, shkruhet në analizat e historianëve, \"Madhëria e tij Princi Giovani Aladro Kastrioti\" u shpall më 14 nëntor 1903, me një sesion të jashtëzakonshëm të Këshillit Komunal të Komunës së Pallagoria-s (Provinca Catanzaro) edhe \"Qytetar Nderi\" i Komunës.
Por gazetari i temave historike në televizionin “Scan” në Tiranë, Kreshnik Kuçaj, na ofroi edhe një dokument tjetër, të cilin e pati siguruar prej një rrjeti librar italian (www.internetculturale.it). Kjo është gazeta “Pro-Albania”, edicion i prillit 1904, në të cilën bëhet e ditur se Aladro Kastrioti është zgjedhur edhe president i Shoqërisë Punëtore të Portekanones, vendbanim arbëresh.
Pikërisht kjo Shoqëri ka bërë edhe atë botim të posaçëm për Princin Aladro Castriota dhe në faqen e parë, bashkë me kryeartikullin “Çështja Shqiptare” paraqet edhe një foto të madhe të pseudopasardhësit të Skënderbeut.
Pasi në dy faqe të tëra të gazetës analizohet dinamika e çështjes shqiptare, duke e mbyllur këtë analizë, thuhet se individi që e mishëron më së miri të gjithë këtë çështje është Princi Aladro Kastrioti, i cili, sipas shkruesve, është apostull i saj dhe udhëheqësi i shqiptarëve.
Në faqen pesë të gazetës “Pro-Albania”, pasi paraqitet biografia e tij dhe theksohet një e pavërtetë, sipas të cilës gjesti i Aladros për t’u shfaqur si pasardhës i Skënderbeut nuk qe nxitur prej atij vetë, por nga kërkesa e vazhdueshme e vetë shqiptarëve, bëhet e ditur se titulli si President Nderi i Shoqërisë Punëtore të Portakanons i është dhënë me një vendim unanim të saj në 20 tetor 1903.
Po e mbyllim këtu historinë e njërit prej më të rëndësishmëve të 44 pretenduesve për fronin e Mbretit në Shqipëri. Referuar Fotaq Andreas, Aladro “do të vdiste krejt papritur në Paris...tek i ra damllaja apo plasi si qelqi nga marazi, më 20 shkurt 1914, pikërisht sapo mori vesh lajmin e kobshëm për të që delegacioni i krerëve shqiptarë kishte dhënë pëlqimin për t’u vënë në krye të fronit të Shqipërisë princi Guillaume Wied, i cili një ditë më pas, më 21 shkurt 1914, u vesh me funksionin e Mbretit të shqiptarëve”.
Herën e ardhshme do të merremi (në vetëm një shkrim) me një pretendent tjetër, gjermanin Otto Vitte, i cili ishte klloun cirku.
Ky shkëlqeu në rolin e tij komik më të madh, i cili e futi edhe në histori: ja doli për afërsisht një javë të hynte në trojet tona dhe të luante rolin e mbretit shqiptar.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 5 mars 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com