Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

TA SHPËTOJMË BALLISTIN MORINA APO.... Të shpëtojmë prej tij?
PROVOKUESIT SHQIPTARË TË HISTORISË KOMBËTARE DHE KROATI MILAN SHUFLAJ
PARTIZAN-KOMUNIZMI I JAUP LILËS: LUFTËTAR DHE QYTETAR I PËRRUNJUR I ATDHEUT
SKËNDERBEU ME LIDHJE TË SHUMËFISHTA ME SLLAVËT
KUJTESA KOMBËTARE NËN AGRESION
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Vjen ne Tirane Alessandro Castriota Scanderbeg, sternip i heroit tone kombetar

Dita, 25 nentor 2004

Në fillim “Rikthimi i Skenderbeut në Romë, por jo në Tiranë”

Historia e kontakteve me princin Alesandro Kastriota Skanderbeg (Alessandro Castriota Skanderbeg0 kishte nisur në janar të vitit 2003, kur publikova në një nga të përditshmet tona shkrimin “Rikthimi i Skenderbeut, por në Romë, jo në Tiranë”. Në të bëhej fjalë për publikimin e pritshëm të librit “Skenderbeu-një hero multimedial”, me autor shkrimtarin dhe gjyqtarin e njohur nga Roma, Xhenaro Françone (Gennaro Francione). Në të vërtetë puna për përgatitjen e këtij libri kishte nisur në gjysmën e dytë të një viti më parë, kur në Ambasadën tonë në Itali përkrahën nismën e autorit dhe e mbështetën me adresarin e disa të dhënave e librave rreth Gjergj Kastriotit. Xhenaro Françone është autor i mjaft botimeve dhe çmimeve kombëtare e ndërkombëtare, po ashtu edhe edhe president i Shoqatës së Shkrimtarëve Gjykatës të Bashkimit Evropian.
Ndodhi që shkrimin “Rikthimi i Skenderbeut, por në Romë, jo në Tiranë” në Institutin e Studimeve Shqiptare pranë Universitetit “La Sapienza” në Romë e përkthyen në italisht dhe menjëherë e shpërndanë në internet. Ndër ata që reaguan, pasi e lexuan, ishte edhe Alesandro Kastriota Skanderbeg. Në bisedën telefonike me botuesin D’Agostino ai kishte qënë mjaft i emocionuar dhe i gëzuar nga libri për stërgjyshin e tij të famshëm.
Më në fund, në pranverë 2003 libri “Skenderbeu-një hero multimedial”, i shoqëruar me një parathënie nga vëllezërit Alesandro e Xhulio Kastriota (Giulio Castriota), u botua dhe që në kopjet e tij të para disa prej tyre iu dërguan në Shqipëri personaliteteve kryesore të Shtetit, të politikës, medias dhe botës shkencore. Po ashtu edhe ambasadës shqiptare në Romë. Atë kohë Alesandro Kastriota Skanderbeg punonte përkohësisht në kryeqytetin italian, në Institutin Kurues Shkencor Santa Luçia dhe kishte bërë vizitën e parë në Ambasadë. Më pas ishte ftuar nga kjo Ambasadë në festimet e Ditës së Flamurit, më 28 nentor. Po ashtu ambasadori, i shoqëruar prej tij, kishte realizuar edhe vizitën e takimin e parë me drejtorin e Institutit Santa Luçia, Dr. Luixhi Amadi (Luigi Amadi), për të siguruar bashkëpunim dhe ndihma për sistemin shendetësor shqiptar.

Nis ngjarja kulturore

Këto ditë, ndërsa do të përkujtojmë Ditën e Pavarësisë dhe 60-vjetorin e çlirimit, në Tiranë stërnipi i Skenderbeut do të vijë me bashkëshorten e tij, juristen belge Karolin Tylkens (Caroline Tulkens). Bashkë me ta në kryeqytetin shqiptar do të jetë i pranishëm edhe botuesi i librit “Skenderbeu-një hero multimedial”, Kostanco D’Agostino. Kështu në një farë mënyre pas dy vjetësh do të ketë jo vetëm rikthim të Skenderbeut në Romë, por edhe në Tiranë. Sipas programit të kësaj vizite, e cila do të nisë në mesditë të 25 nentorit, e enjte, në mjediset e Muzeut Kombëtar bëhet prezantimi para medias i librit në gjuhën italiane ”Skenderbeu-një hero multimedial”, vepër e Xhenaro Françones. Kjo ngjarje kulturore, pas takimit me Dr. Moikom Zeqon, do të vijojë me një bisedë në Drejtorinë e Arkivave të Shtetit, me Prof. Shaban Sinanin, për të vijuar po atë ditë me Thimi Nikën, drejtorin e Institutit Kombëtar të Diasporës. Pas një vizite në Berat, ku do ta presë kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi, ditën e dielë, i pritur nga kryetari i bashkisë së Krujës, Ismail Dane, stërnipi i Skenderbeut me bashkëshorten e tij do të kenë rastin të shohin Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” dhe të shmallen me kryeqytetin heroik të stërgjyshit të tyre të famshëm në të gjithë botën. Pastaj do të rikthehet në vendin e tij, Itali. Prania e tij disaditore në Shqipëri mbetet brenda një vizite malli dhe nuk ka asnjë lidhje me interesa të tjera, ca më pak politike.
Lexuesi sigurisht që e di se pasardhësit e ligjshëm të Gjergj Kastriot Skenderbeut ekzistojnë dhe janë që të gjithë në Itali. Ata përbëjnë dy degë, njëra në Napoli dhe tjetra e vendosur në krahinën e Pulias. Për stërnipin skenderbegas, Xhorxhon (Gjergjin) që banon në Napoli, telegazetari Namik Ajazi ka prodhuar një dokumentar, të cilin vite më parë e ka shfaqur TVSH. Ky dokumentar i bukur akoma rishfaqet me sukses edhe sot.
Edhe dega e dytë e heroit tonë kombëtar, si edhe ajo e vendosur në Napoli, mbart me vete historinë gjashtëshekullore të Kastriotëve në Itali. Siç dihet pas vdekjes së Gjergj Kastriotit familja e tij u vendos në Mbretërinë e Napolit, ku Gjoni, djali i Skenderbeut, bashkë me të jëmën, Donikën, jetuan pak kohë në pronat e dhëna nga mbreti Ferdinand i Aragonës. Ato ishin në Pulia feudet San Giovanni Rotondo dhe Monte Sant’Angelo. Pastaj u tranferuan në dukatin San Pietro Galatina dhe në kontenë e Soletos, në Leçe. Vetë Donika, deri sa vdiq, jetoi në Napoli, pranë pallateve mbretërore, duke i mbyllur vitet e zisë bashkë me “mbretëreshat e trishtuara”, gruan dhe vajzën e mbretit Ferrandino. Gjon Kastrioti i martuar me Irena Brankoviç Paleologun, pasardhësen e fundit të familjes peradorake të Bizantit, lindi Pardon. Prej këtij mbijetuan në gjak mashkullor për pothuaj gjashtë shekuj vetëm dy degë të Kastriotëve. Ajo të cilës i përket edhe Alessandro (por edhe vëllai i tij Giulio, gjykatës administrativ në Kalabri, dhe Paola, avokate çështjesh civile në qytetin e Leçes), i ka dhënë Italisë disa përfaqësues të respektuar. Midis tyre është një kryetar bashkie i Leçes, poetesha e njohur Izabela, e cila ka zënë vend edhe në Enciklopedinë italiane të Njerëzve të Shquar, një governator i Rexhos, një Gjykatës i Lartë, avokati Federino, i cili u bëri një mbrojtje të zjarrtë republikanëve garibaldinë të famshëm si Luixhi Setembrini, Filipo Agresti dhe Silvio Spaventa. Po ashtu nga dega që sot përfaqësohet prej Aleksandrit, Giulios, Paolës dhe nënës së tyre, Maria Terezës, ka në biografinë e familjes po ashtu një komandant Garde Mbretërore, një bashkëshorte ministri të Brendshëm. Babai i tyre, Gjergji, i cili ka vdekur më 1996, ka qënë një avokat i shumënjohur në Leçe.

Mungesa e Xhenaro Françones

Në këtë ngjarje thjeshtësisht kulturore, që në prag të festave tona kombëtare të fundnentorit do të zgjasë disa ditë, do të mungojë autori i librit “Skenderbeu, një hero multimedial”, gjykatësi Xhenaro Françone. Mosprania e tij ka arsye të ngutshme pune, një seancë gjyqësore në Romë. Por gjykatësi i njohur ishte para një muaji në Shqipëri. Qendroi në Vlorë, në Teatrin “Petro Marko”. Në skenën e tij trupa profesioniste e qytetit dhe Kompania Teatrore “Pirandelo” vunë në skenë një pjesë dramatike të Françones. Ajo quhet “Merimanga” dhe ka për subjekt korrupsionin në sistemin e drejtësisë. Shfaqja e trupës teatrore të Vlorës, në prani edhe të autorit, pati sukses. Deviza e Solonit “drejtësia është si një merimangë ku bien dhe qendrojnë të kapur insektet e vogla, ndërsa të mëdhenjtë prishin rrjetën dhe ikin’, me regjinë e Besnik Aliaj, gjeti interpretuesë të spikatur tek Kristaq Skrami, Astrit Mamaj, Valbona Imami, Ilirjan Ali dhe Vasil Goda.
Sigurisht më 25 nentor, në prezantimin që Dr. Moikom Zeqo do t’i bëjë në mjediset e Muzeut Kombëtar librit të Xhenaro Francones “Skenderbeu-një hero multimedial”, ky i fundit do të kishte dashur të ishte. Françone është një ndër gjykatësit më të njohur italianë. Vendimet e tij në favor të emigrantëve kanë gjetur jo pak hapësirë polemike në gazetat më të mëdha të Italisë, përfshi edhe “Corriere della Sera” me tirazh një milion kopje. Françone është edhe një shkrimtar i dëgjuar, autor i mbi njëqind librave. Duke qënë edhe presidenti i Shkrimtarëve Gjykatës të Bashkimit Evropian, në një farë mënyre ai është edhe mbartës mesazhesh nga BE. Një deklaratë e shkrimtarit bashkimo-evropianas, e thënë në një intervistë për median italiane me rastin e botimit të librit “Skenderbeu-një hero multimedial”, kumton se gjenerali dhe mbreti shqiptar Gjergj Kastrioti, duke qënë një mbrojtës i famshëm dhe i përkushtuar i Evropës, ka të drejtën morale të quhet edhe një nga pionierët e hershëm të Bashkimit Evropian.
Kjo ide e guximshme e Xhenaro Françones përputhet me një aksion të tij si shkrimtar, në të cilën do të plotësohet në Itali kolona e një cikli veprash për promocionuesë të hershëm të BE-së. Në Romë më parë se të publikohej “Skenderbeu, një hero shumëmediatik”, ishte botuar libri tjetër i tij “Domine Dracula”. Në afro gjashtëqind e pesëdhjetë faqet e tij rrëfehet jeta dhe lufta e princit rumun Vlad Tepes, i thirrur nga populli i vet “I Pamposhturi”. Si edhe Skenderbeu prijësi rumun luftoi për të mbrojtur identitetin perëndimor të Evropës nga pushtimi lindor osman.

“Forca Albania”

Ndërsa Alesandro Kastriota Skanderbeg nuk e ka parë Shqipërinë, vëllai i tij, Xhulio, e ka bërë këtë gjë një vit më parë. Ka qënë një vizitë “incognito” në Tiranë dhe në pas në Krujë. Bashkë me disa shokë të tij italianë. Ka dalë nga kjo “aventurë” e fshehtë i përmallur, por edhe duke psherëtirë “shqiptarët janë akoma të varfër”.
Në këtë prag vizite Alesandro ndihet mjaft i emocionuar. Duke qënë një mjek i njohur, radiolog me emër evropian dhe autor i shumë studimeve, pra njeri “i ftohtë“, gjithsesi kësaj rradhe ndihet mjaft i emocionuar. Profesioni mbase e ndihmon në një aftësi tjetër: si shkencëtar që njeh mirë proçesin e rehabilitimit të shpejtë të një njeriu ai beson se kjo ndodh edhe me popujt. Sigurisht edhe me atë të shqiptarëve, stërgjyshërve të tij. Ndihet entuziast kur mëson se aktualisht në Itali studjojnë pothuaj shtatë mijë të rinj shqiptarë dhe se nga porti i Durrësit çdo ditë drejt bregut apeninas nisen jo më pak se dy tragete të mbushur me bashkëkombas. Se çdo ditë një avion zbarkon nga Rinasi në Bari dhe një tjetër fluturonte për në Romë apo Milano. Se tragete drejt Italisë niseshin ndërkaq edhe nga porti i Vlorës. Kur herën e fundit u ndamë në shkallët e Institutit Kurues Santa Lucia, ai shqiptoi fort “Forza Albania!”.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com