Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Skenderbeu me motorrçiklete

Korrieri 23 (24) qershor 2005

Në një bisedë me një nga mjeshtrat më të spikatur të prodhimeve artistike me motive kombëtare, Astrit Pajo, shumë shpejt rezultoi se blerjet e “Skenderbeut” dhe të “Shqiponjave” kanë rënë ndjeshëm. Progresivisht nga viti në vit. Pa tentuar të bëjnë ndonjë rimëkembje, siç përshembëll në këtë 2005, Viti i Përkujtimit të Gjergj Kastriot Skenderbeut. Pajo është njeri i mençur, me mjaft shije të të kohës, një lloj intelektuali i lindur. Ai këtë dukuri nuk e lidh shumë me një “luftë tregëtare” që aktualisht po zhvillohet, në fushën e produkteve utilitare artistike, mes prodhimit artizanal shqiptar dhe atij industrial kinez. “Arabeskat” e këtyre të fundit, produkte masive dhe relativisht të lira, kembëngul Astrit Pajo, po zënë gjithnjë e më tepër vend në apartamentet e rikonstruktuara “modernisht” të bashkëkombasve tanë. Duke qënë një nga gdhendësit dhe prodhuesit më të apasionuar të motiveve të shqiponjës së flamurit tonë kombëtar apo të armëve arbërore, Pajo ndihet i merakosur përse po ndodh i njëjti rënim me minibustet e Skenderbeut.
Shqetësimi mos ky fenomen paralajmëron degradimin e ndjenjës patriotike tek shqiptarët as që na shkon ndër mend të dyve. E kërkojmë defektin tek mënyra se si ne, shqiptarët, i rifreskojmë imazhet e heronjve tanë kombëtarë për tua përshtatur kohëve të reja. Bisedojmë se si mund të aktualizohen ata edhe për një shoqëri që një të tretën e pjesëtarëve të saj etnikë e ka të shpërndarë në të gjithë botën, sidomos në vendet më të zhvilluara të globit. Imazhi i Gjergj Kastriotit tani më shumë se kurrë ka nevojë të rrijë pranë një shqiptari që udhëton me avion e punon në kompjuter. Minibusti tip apo stampa tjetër, Skenderbeu mbi kalë, u janë mërzitur njerëzve. Ky model tashmë i konsumuar është blerë e riblerë pothuaj nga çdo bashkëkombas brenda dhe jashtë vendit. Nuk mund të riblihet më.
I njëjti ngërç ka zënë edhe kulturën profesioniste. Pak muaj më parë një juri konkursi pikturash me temë “Gjergj Kastriot Skënderbeu, strateg dhe diplomat” i dha çmimin e parë një krijimi të një piktori me emër dhe të talentuar. Arsyeja më e parë për këtë vlerësim: autori kishte thyer rutinën. Kjo prishje rutine kishte të bënte vetëm me faktin se Gjergj Kastrioti në atë pikturë shihej dhe interpretohej si mbret, ç’ka (u tha në kaq shumë intervista), nuk lejohej të kenvështrohej gjatë regjimit totalitar. Në të vërtetë puna fituese nuk përbënte ndonjë novitet e ca më pak origjinalitet. Gjykohej si e tillë nga që ne kemi shumë pak fantazi e traditë artistike që të mund t’i heqim njëherë nga dora shpatën Skenderbeut dhe ta vizatojmë, përshembëll, si dashuronte Donikën e tij, si ngashërente para të rënëve në betejë, fliste me Papën apo gjuante gjah në bregdetin tonë të Mesies apo në rrethinat e Napolit.
Për më shumë se kaq, çka është mjaft e domosdoshme për të mos e lënë të ngurrosur këtë emër e shembëll të jashtzakonshëm në historinë tonë, as që mund të flitet.
E megjithatë çka na mungon këtej detit, nuk ndihet e munguar përtej tij, tek arbëreshët, bashkëkombasit tanë të më shumë se pesë shekujve më parë.

Prijësi popullor arbëresh Kostandino Alesi

Ishte mars i vitit 1999 kur në një nga libraritë e rrugës Kavur, në qëndër të Romës, njoha nga afër shkrimtarin arbëresh Karmine Abate (Carmine Abate). Në katin e dytë të kompleksit librar Melbooks ai prezantonte botimin e tij më të ri, romanin “Motorçikleta e Skenderbeut” (\\\"La Moto di Scanderbeg\\\"). Pa demtuar aspak thelbin e titullit të librit një përkthim më i pështatshëm do të ishte në formën “Skenderbeu me motorçikletë”.
Në të vërtetë në atë veprimtari shkoja duke shoqëruar poetin Visar Zhiti, i cili jo vetëm gëzonte një emër të mirë artistik në Itali, por atëkohë mbulonte edhe zyrën e kulturës pranë Ambasadës shqiptare në Romë. Ca më tepër si të mos shkoje në atë takim, ndërsa në ftesë thuhej se libri i porsadalë në treg mbante në kopertinë emrin e Gjergj Kastriot Skenderbeut. Madje intrigimi për të mos munguar kurrsesi në ngjarje bëhej edhe më i madh, kur bëhej fjalë edhe për një motorçikletë të Heroit tonë kombëtar. Që prej atij çasti ndjekja e fatit të librit \\\"La Moto di Scanderbeg” si edhe prosperiteti i emrit të shkrimtarit arbëresh Karmine Abate u bënë një nga temat që individualisht më jepnin kënaqësi befasuese. Tashmë gjashtë vite nga publikimi i parë i librit e bëjnë ngjarjen të risjellë një kumt të ri. Një motiv për të na shkundur nga rutina.
Suksesi i \\\"La Moto di Scanderbeg” ishte menjëherë i madh. Nga shtypi italian ai u cilësua si “zbulimi letrar i vitit” . Pas botimit të tij të parë në 1 shkurt 1999, ai u ribotua në fillim të qershorit të po atij viti. Reçensionet pozitive për të nuk pushuan për mjaft kohë dhe autorët e tyre nuk ishin aspak përfaqësues të periferisë së kritikës letrare. Mes shumëve Xhuzepe Bonura do të botonte një shkrim me titullin “I dashur Skenderbe, ti je prijësi ynë”. “Siç dihet” shkruante autori “Skenderbeu është një hero legjendar i Shqipërisë, ai në shekullin e pesëmbëdhjetë iu kundërvu me guximin dhe qendrueshmërinë e rreptë të tij pushtimit turk. Për shqiptarët Skenderbeu është një lloj perëndie që e mban të bashkuar kombin e vet, emër e simbol që i thërret për të ruajtur rrënjët e tyre historike, kulturore dhe fetare”.
Në të përditshmen e madhe “Il Mattino” Annamaria Guadagni do të botonte analizën letrare “Skënderbeu, udhëheqësi me motorçikletë”, në të cilën do të gdhendëte fjalët “i përkthyer në gjuhë të ndryshme ky libër e ka evidentuar Carmine Abate si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj italianë të dhjetëvjeçarit të fundit”. Kur në Katanxaro, në Bibliotekën Bashkiake “Filippo De Nobili”, u bë prezantimi i librit “Skenderbeu me motorçikletë” një nga diskutantët tha se “ritmi i rrëfimit është mpleksje e një historie të shkruar në italisht dhe në arbërisht, kengët e traditës shqiptare që citon autori i japin librit muzikalitet”.
Por risitë që sillte Karmine Abate kishin të bënin me një thelb tjetër. Skenderbeu i tij nuk ishte Gjergj Kastrioti i vërtetë, heroi ynë kombëtar, por një arbëresh me emrin Kostandino Alesi (në traditën popullore arbëreshe Kostandini është stërgjyshi i Skenderbeut, kurse Alesi mund të përkthehet Lezhë). Kostandini ishte i vetmi që në të gjithë qytezën e tij fshatare kishte një motorçikletë. Ajo ishte e markës “Guzzi Dondolino”, markë që pas lufte e kemi parë tek-tuk të përdoret edhe në Shqipëri. “Guzzi” janë motorrë trupmëdhenj, të ngjashëm me një kalë, krahasim që në mënyrë figurative përdoret nga autori për të rikrijuar në një formë moderne imazhin e njohur të Skenderbeut mbi kalë. Nisur nga ky përfytyrim kritiku letrar Xhuzepe Bonura do të shkruante se “Këtu Skenderbeu nuk është një figurë historike e historizuar, por fantasma e një shpirti dhe e një psike që udhëheq çdo hap dhe aventurë të protagonistit kryesor”.
Arbëreshi Kostandino Alesi është një udhëheqës popullor, ai prin aksionin e “pushtimit të tokave”, fenomen social dhe politik që ndodhi në Italinë e pas Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1943 deri më 1950. Ajo ishte një lëvizje e nxitur nga ide të majta komuniste apo anarkiste dhe synonte ta zgjidhte varfërinë e fshatarëve italianë, duke ua marrë pjesërisht tokën e punueshme latifondistëve vendas. Në disa raste këto ngjarje përfunduan në përleshje me karabinierinë si edhe me protestuesë të vrarë. Mes tyre edhe jo pak arbëreshë.
Dhe për t’i mbyllur këto rradhë të një shembulli se si mund të rifreskohet dhe aktualizohet figura madhore e Gjergj Kastriot Skenderbeut, e informojmë lexuesin se në roman djali i arbëreshit udhëheqës, emigrant në Germani, quhet Xhovani (Gjon). Kurse për ta ndjerë sa më plotërisht që Karmen Abate, fitues i shumë çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, ka shpirt të ndezur shqiptar, po citojmë këtë fragment nga një intervistë e tij: “Arbereshët janë të ndryshëm nga kosovarët dhe shqiptarët, për pesë shekuj kanë jetuar në një kontekst krejt tjetër. Ne jemi njerëz të Italisë së Jugut. E megjithatë, edhe pse e di që mund të ngjajë retorike, i shoh shqiptarët dhe kosovarët si të jemi vëllezër të ndarë. Të rritur në familje të ndryshme. Por gjaku mbetet i njejtë. Dhe kur them gjak kam parasysh kujtesën historike. Mitet që qëndrojnë në themel të identitetit”.
Përfshi edhe Gjergj Kastriot Skenderbeun, do të shtonim ne.


Ylli Polovina








Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com