Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

FESTIME TË 500 VJETORIT TË SKËNDERBEUT NË TIRANË, POR PËRSE U ZEMËRUA AMBASADORI TURK



(Shkrimi pesëdhjetë e tetë i ciklit ekskluziv për “Illyria” kushtuar Vitit të Gjergj Kastriotit)
(Botuar në “Illyria” në 16 nëntor 2018)

Një raport i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme i ditëve të para të shkurtit 1968, gtë titulluar “Nga delegacionet e kollonive shqiptare që kanë ardhur këtu”, ndërsa ka në qendër festimet jubilare të Tiranës për 500 vjetorin e Gjergj Kastriotit, shkruan mes të tjerash se “Me gjithë arbëreshët dhe tre shqiptarët kosovarë nga Turqia që erdhën në datën 16 janar, gjithsejt bëhen 52 veta nga vendet: SHBA, Kanada, Argjentinë, Australi, Francë, Bullgari, Egjypt, Siri, Turqi, Austri dhe Itali”.
Në vijim: “Kanë marrë pjesë në të gjitha manifestimet zyrtare të autorizuara për jubileun e Skënderbeut. Kanë vizituar në Tiranë qendra të ndryshme ekonomike dhe kulturale. Në 18.1.1968 u nisën për në Berat, Fier dhe Vlorë”.
Më tej: “Të gjithë janë entuziastë për ardhjen e tyre në Shqipëri. Shprehen me admirim për sukseset tona. Flasin me shumë dashuri për Partinë e shokun Enver. Shumica e tyre kanë shprehur se kanë shumë dëshirë të takohen me shokun Enver dhe udhëheqësit e tjerë të Partisë dhe Shtetit. Këtë dëshirë e kanë shprehur disa herë veçanërisht...”
Pikërisht në këtë çast raporti informativ i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme veçon një temë kurioze për lexuesin e sotëm, i cili është në prag të festimeve në Shqipëri të 550 vjetorit të Skënderbeut.
Spikaten bashkëkombësit e ardhur nga Turqia.
Konkretisht thuhet: “...nga Turqia janë shprehur se nuk duan të largohen pa u takuar me shokun Enver. Prezenca e shokut Enver dhe udhëheqësve të tjerë në jubileun e Skënderbeut i ka entuziasmuar shumë”.
Duke iu rikthyer në atmosferën e përgjithshme të festimeve jubilare dhe qëndrimit që mbajtën në të 52 të ftuarit e ardhur nga diaspora shqiptare në botë, raporti i KMKMBJ-së thekson: “Në kotkejin që dha Komiteti dhe në drekën në Lezhë përshendetën nga të gjitha kollonitë. Të gjithë folën me shumë emocion dhe gëzim për sukseset e mëdha në Shqipëri veçanërisht me shumë dashuri dhe vlerësim të lartë për Partinë dhe shokun Enver Hoxha. Shumë prej tyre nga emocioni dhe gëzimi qajnë shpesh.
Shefqet Gavoçi nga Siria ka kërkuar disa herë që mundësisht të ketë një përgjigje, para se të largohet, për kërkesën e tij që të vijnë në Shqipëri për studime universitare djali i tij dhe dy djem të tjerë shqiptarë”.
Pastaj: “Shumica e tyre do të largohen më 23 janar dhe 30 janar. Disa kanë kërkuar të qëndrojnë tek njerëzit e tyre, kush 10 ditë, kush dy javë. Kanë kërkuar të qëndrojnë deri në fund të shkurtit 5 vetë, ndërsa dy vetë duan të rrijnë më gjatë (Ollga Gërxhalliu 3 muaj dhe Selim Zverku 2 muaj)”.
Siç mëshuam më sipër shoqëruesit e këtyre të ftuarve kanë vënë re se bashkëkombësit e ardhur nga Turqia qene më të veçantë. Prej këtij vendi në festimet e Tiranës patën mbërritur gjithsej nëntë të ftuar. Këta qenë Dr. Tare Libohova, Dr. Shezai Çomo, Lefter Sava, Koço Zoto, Mehmet Drenica, Adem Ali Pozhari, Sadik Vokshi, Riza Gjyler dhe Hysen Lapi.
Pak ditë më pas nga raporti i parë prej të ngarkuarit si shoqërues zyrtar, identitetin e të cilit po e japim vetëm me iniciale, A.Y, në 14 shkurt 1968, drejt eprorëve niset një tjetër. Mes të tjerash, pasi informon se Komiteti për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme bëri gjithçka t’i kënaqte të ftuarit, medje edhe nëpërmjet vizitave në qytete të tjera si edhe në qendra industriale dhe bujqësore, nxjerr në pah: “Në rast se të ftuarit do t’i marrim në grupe dhe me koloni nga kishin ardhur, mund të themi se të ardhurit nga Turqia, pjesërisht nga Egjypti dhe Siria ishin më entuziastë dhe ato që u shprehën për sukseset e arritura ishin të sinqerta. Dashuria dhe malli për atdheun shprehej në përshtypjet që ju bënin ndaj gjithë atyre që shikonin dhe dëgjonin. Mjaft prej tyre, sidomos elementë kosovarë dhe shqiptarët e ardhur nga Turqia, entuziamoheshin dhe qanin. Kjo sipas mendimit tonë vjen për atë që ata përgjithësisht janë në moshë të kaluar, për konseguencë njohin vuajtjet dhe prapambetjen e vendit tonë në të kaluarën. Prandaj realiteti që panë i çuditi. Një arsye tjetër është ajo se ata jetojnë në një ambient të gjerë shqiptar në Turqi e për rrjedhim ruajnë të pashuara ndjenjat e dashurisë për vendlindjen, zakonet, gjuhën, etj.
Në dallim nga grupet e tjera kërkesat ishte të merrnin me këtë rast sa të ishte e mundur më shumë literaturë mbi vendin tonë si: historinë e Shqipërisë, të Skënderbeut, vepra të rilindasve, fjalimet e shokut Enver në mbrojtje të integritetit tokësor nga pretendimet e shovinistëve fqinj, albume, harta dhe gjeografi të Shqipërisë, abetare për të mësuar gjuhën shqipe dhe materiale të tjera të këtij karakteri”.
Ja tani si rrjedha e raportimit hyn në një temë të brishtë dhe që ka shkaktuar dhe rritur ndjenjën e vigjilencës tek shoqëruesi zyrtar A. Y.
Shkruhet në raportin e 14 shkurtit: “Shumë prej shqiptarëve të ardhur nga Turqia gjatë bisedave në grupe apo individuale shprehën dëshirën që midis vendit tonë dhe Turqisë të zhvillohej turizmi. Këtë ata e paraqitën si nevojë për t’u njohur me vendin tonë, gjë që sipas të cilëve, do të influencojë në mbajtjen gjallë jo vetëm tani, por edhe në brezat e ardhshëm të ndjenjave të atdhedashurisë. Ndonjëri prej tyre sikundër qe Tare Libohova, mendonte se zhvillimi i turizmit me vendin tonë do të ndihmonte veçanërisht shoqërinë turko-shqiptare për të shkëputur nga influenca e Patriarkanës së Stambollit elementët ortodoksë shqiptarë atje dhe do të krijonte më tepër mundësi për të punuar me këtë element dhe për të organizuar në një komunitet të veçantë me kishën dhe organizimin e tyre të pamvarur nga influenca greke. Për këtë, u shpreh ai, ardhja e tyre në vendin tonë dhe njohja me sukseset e arritura do ta ndihmonte në rritjen e ndjenjave të atdhedashurisë dhe shkëputjen nga influenca greke. Tarja dhe të tjerë duallën dhe me atë për të cilën do që do të vijë në vendin tonë, para se t’i jepet viza nga Ambasada, të pyeten ata për qëndrimin e tyre atje.
Kjo dëshirë për mendimin tim prej disave ishte e sinqertë; por megjithatë të tërheq vëmendjen fakti se edhe albanologu Nexhip Allpani, i cili ndodhej shpesh midis tyre, ishte mjaft aktiv në realizimin e kësaj kërkese. Kjo të bën të mendosh se edhe organet turke duhet të jenë të interesuar për zhvillimin e turizmit në vendin tonë. Prandaj ku me porosi speciale e ku nëpër tym nxisin të kërkohet nga vetë shqiptarët dhe nëpërmjet kësaj rruge ata ose padronët e tyre të punojnë kundër vendit tonë”.
Gjykon prerë A. Y.: “Prandaj edhe në rast se do të shikohet për rastin e veçantë në lidhje me shqiptarët e Turqisë është e domosdoshme të tregohet kujdes dhe t’u përmbahemi rregullave të përgjithshme të vendosura për turizmin në vendin tonë”.
Më tej raporti informativ i 14 shkurtit 1968 vë në dukje se “Gjatë bisedave me të mësipërmit karateristikë del edhe ajo që për masat revolucionare të partisë sonë me aq sa kuptonin nga ato që thuesh mbanin qëndrim të drejtë dhe veçanërisht në lidhje me masat kundër fesë dhe zakoneve të këqia. Të këqiat e fesë ata i shikonin në lidhje me rolin përçarës dhe në shërbim të të huajve që ajo ka luajtur gjithmonë gjatë shekujve në vendin tonë. Gjatë bisedave në mënyrë individuale dhe në rastet kur merrnin fjalën në pritjet e dhëna çmonin rolin e Partisë dhe të shokut Enver në arritjen e të gjitha fitoreve si në luftë ashtu edhe në ndërtimin e socialist të vendit”.
Shkruhet në raport: “Përsa i përket gjendjes në vendet ku janë aktualisht në përgjithësi tregoheshin të rezervuar të flisnin. Me gjithatë dhe veçanërisht kur biseda zhvillohej vetëm për vetëm flisnin dhe për krahasim admironin sukseset e arritura në vendin tonë. Tare Libohova duke dashur të tregonte atë që turqit nuk janë objektivë në gjykimin e çështjeve dhe se tek ata predominonte sentimentalizmi. Këtë e lidhi me faktin që Turqija megjithëse shtet i madh në krahasim me neve i është nënshtruar plotësisht diktatit amerikan. Shkaku i këtij nënshtrimi si pas tij, është paaftësia e burrave të shtetit turk për të gjykuar në përputhje me realitetin objektiv dhe interesat kombëtare. Për të ilustruar këtë solli shembullin e tërheqjes nga Qiprua vitin e kaluar dhe këtë vit, si rezultat i presioneve amerikane. Dhe në qoftë se turqit aktualisht flasin për vendin tonë kjo është rezultat i qëndrimit të drejtë ndaj problemit të Qipros e jo se kanë ndonjë simpathi të thellë për neve. Pra edhe me këtë ai deshi të argumentonte atë që tek ata predominon sentimantalizmi oriental dhe jo logjika”.
Ja edhe një e dhënë shumë interesante e shoqëruesit zyrtar A. Y: “Në përbërje të delegacionit parlamentar turk ka mundësi, tha Tarja, të vijë Ahmet Jildis. “Prandaj këtë po të dini ta tërhiqni në biseda dhe trajtoni mirë, do t’u flasi për shumë gjëra. Duke patur parasysh natyrën e turkut në rast se doni të keni rezultate, tha ai, u jepni të hanë mirë, koncerte të zgjedhura, mbasi vetëm këto ju bëjnë përshtypje dhe shumë pak vizitat nëpër objektet industriale etj”.
Nënvizon raporti po ashtu një “pikë të nxehtë”: “Të nxitur nga Nexhip Allpani (midis të tjerave një herë ju tha edhe në prezencën time se do të bënin mirë të merrnin takim me ambasadorin turk) shqiptarët e ardhur nga Turqia deshën të shkonin në Ambasadë, por me qënë se nga ana e jonë ishin të zënë me programin, e lanë për më vonë dhe përfundimisht një ditë para nisjes vendosën të dërgojnë në emër të grupit vetëm dy veta, Tare Libohovën dhe Lefter Savën”.
Si si patën shkuar punët këtu pamjen e gjërave na e jep informacioni i mëparshëm, ai i fillim shkurtit 1968. Sipas tij, “Në datën 29 janar, Dr. Tare Libohova dhe Lefter Sava nga Turqia, shkuan për një vizitë në ambasadën turke të këtushme. Në fillim i priti sekretari i parë i ambasadës, i cili nuk u tha gjë dhe pastaj i çoi tek ambasadori. Ambasadori, i nevrikosur, u thotë se duhej të kishin shkuar më parë në ambasadë si shtetas turq. Tare Libohovës i tha se deklarata që kishte dhënë në shtyp nuk ishte e mirë (është fjala për përshtypjet që dha në redaksinë e gazetës “Bashkimi”, botuar në 23 janar 1968). Pasi ambasadori i lexoi deklaratën, Tarja i tha atij se disa nga ato fraza nuk i kish thënë dhe në qoftë se gazetari kish shkruar më tepër kjo ish punë e tij dhe se ky do t’i përgënjeshtronte pasi të shikonte gazetën, sepse akoma nuk e kish parë. Pas kundërshtimit të Tares ambasadori i shojti disa fraza nga teksti që lexoi.
Ambasadori i tha edhe këto gjëra: a) Nuk duhej të merrnin pjesë në të gjitha manifestimet e 500 vjetorit të Skënderbeut mbasi kishin ardhur në Shqipëri si albanologë. B) Sipas të dhënave që kish ambasadori, në të gjitha anët e Shqipërisë janë luajtur pjesë dramatike dhe operistike kundër Turqisë dhe se këto e kishin prekur shumë dhe me keqardhje kish vënë në dijeni edhe Ankaranë. Ambasadori kishte shtuar se Skënderbeu ishte gjysmë turk mbasi atje kish marrë edukatën. C) Me sa kuptoj unë, i thotë ambasadori, udhëheqësit shqiptarë janë të zotët, por ata janë më tepër nacionalistë se sa komunistë.
Tare Libohova dhe Lefter Sava i thanë ambasadorit se në Shqipëri bëhej fjalë për kohën e Sulltanëve, të cilën edhe turqit vetë e kanë dënuar ndërsa nuk thuhet asgjë kundër Turqisë së sotme”.
Kaq ka ky raport i parë i Komitetit për Marrëdhënie Kulturore e Miqësore me Botën e Jashtme. Duke shfletuar lëndë tjetër nga arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë del se “nga ky bisedim Tarja tregohej i nevrikosur, kurse Lefteri qe frikësuar”.
Gjithashtu informohesh se ambasadori turk nuk ka rënë dakord me pikëpamjen e Tare Libohovës se Mustafa Qemalit ka hedhur poshtë periudhën shumëshekullore të Perandorisë Osmane, por “ka përmbysur historinë e një grushti njerëzish të degjeneruar nga fundi i jetës së Perandorisë Osmane”.
Madje, ende i paqetësuar dhe me ton nervoz, ambasadori turk qe ankuar për ardhjen e grave turke në Kongresin e V-të të Bashkimit të Grave të Shqipërisë, të zonjave Baha e Betyl Jilmasok, veprim që patën kryer pa e vënë atë në dijeni.
Pastaj, sërish i nevrikosur, u kishte treguar dy albanologëve për gjendjen e keqe në të cilën ndodhej godina e ambasada e tyre. Bile për t’ja dëshmuar këtë pakënaqësi të tij të thellë ndaj autoriteteve shqiptare, qe ngritur nga poltroni dhe kish shkuar pranë dritares.
Aty kish treguar me dorë vendet ku vendas bënin jashtëqitjet e tyre, pa u merakosur se po ndynin mjedisin përreth një përfaqësie diplomatike.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 14 nëntor 2018


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com