Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Kastriotet e Italise çfare mendojne per ne, shqiptaret

Ballkan, 18 qershor 2005, dy faqe speciale

1.

Që prej çastit kur gjykatësi Xhulio Kastriota i kishte thënë të vëllait, mjekut Alesandro, se në Shqipëri e kishte tronditur varfëria e jo pak njerëzve, na u bë preokupim se me çfarë imazhi për Shqipërinë do ta mbyllnin vizitën e tyre të 26-28 nentorit 2004 të tre trashëgimtarët në vijë mashkullore të heroit tonë kombëtar, Skenderbeut. Ndërkohë dinim që motra e tyre, Paola, avokate, e kishte prekur Shqipërinë dy herë rradhazi, në fillim më 1989 dhe të dytën herë më 1990, kur diktatura po hepohej të binte. Duke parë një vend të mbyllur që priste të hapej Paola Kastriota në të dy herët ishte larguar me përshtypjen e varfërisë së rendë të shumicës së shqiptarëve. Por këtë mbresë, me të mbërritur në Itali, e kishte larguar shpejt e shpejt nga kujtesa e saj e sidomos nga ndërgjegjia. Kjo varfëri që kishte parë tek populli i gjakut të saj të hershëm, i peshonte rendë dhe nuk donte ta linte t’i shtypte gjoksin si një mbresë e helmët. Nuk dëshironte aspak Paola Kastriota që kjo varfëri e pranishme dukshëm t’i fashiste a shuante mallin e madh që kishte për vendin e të parëve. Pastaj atëhere, në fillimin e viteve nentëdhjetë, varfëria nuk përbënte ndonjë mëkat për shqiptarët. Mjerimi nuk kishte qënë pjellë e përtacisë së tyre apo e nivelit të ulët të qytetërimit, ishte frut i hidhur i sistemit dogmatik e të shformuar realkomunist. Kështu që Paola, duke ja falur këtë defekt të imazhit shqiptarëve, me të zbritur në Bari nuk ja nënvizoi këtë hollësi as babait të vet, Xhorxhos dhe as vëllait të tyre të madh, Alesandros. Ajo u foli me ngjyra të ndezura për Shqipërinë. Paola Kastriota ishte e para prej familjes së tyre që kishte shkelur tokën e të parëve që prej fillimit të shekullit të shkuar.
Por kur Xhulio e përsëriti gjestin e së motrës, duke ardhur në Tiranë e Krujë në vitin 2003, në vizatimin e Shqipërisë së porsaparë nuk mëngoi të theksonte se në vendin e të parëve kishte parë gjëra të bukura e prekëse, por po ashtu kishte dalluar edhe varfëri. Pas kësaj panorame të trazuar të vendit të të parëve Alesandro Kastriota, tashmë i vetmi që mes tre fëmijëve të avokatit Xhorxho Kastriota nuk e kishte parë Shqipërinë, e nguliti në kujtesë edhe detajin e varfërisë. Këtë hollësi do ta fiksonim edhe ne, organizatorët privatë të kësaj vizite, poeti Visar Zhiti dhe unë. Meraku se mos, nën përshtypjen e parë e të shpejtë, djali i madh i degës së Kastriotëve të Leçes dhe personi i parë në familje që trashëgonte të drejtën simbolike të vazhdimësisë së mbiemrit gjashtëqindvjeçar, do të përftonte si më të dukshmen në Shqipëri këtë pështypje, nisi që pa ardhur çasti i zbarkimit të tyre në portin e trageteve në Durrës. Ishte mëngjezi i 26 nentorit 2004.
Ardhësit nuk ishin të kamur, por në mirëqënie të plotë patjetër. Për shkak të profesioneve të zgjedhur jetës së tyre private nuk i mungonte pa realizuar asnjë nevojë. Që në fillim hoteli, të cilin e zgjodhën sipas sugjerimeve të zyrave turistike përtej Adriatikut, ishte Rogner. Përballonin po ashtu çdo shumë të ligjshme për të gjitha mjetet me të cilat, gjatë tre ditëve të qendrimit në Shqipëri, do të udhëtonin brenda dhe jashtë Tiranës.
Kështu në orën tetë të mëngjezit të 26 nentorit 2004 në dalje të sheshit të portit të trageteve në Durrës rrinin, mes një shiu të imtë, që sapo kishte filluar, botuesi i librit “Scanderbeg-un eroe moderno”, Kostanco D’Agostino, Alesandro Kastriota dhe bashkshortja e tij, belgia Karolinë Tulkens. Mes baltës së madhe të mjedisit në hyrje të sheshit të tragetete, të ngarkuar me valixhet e udhëtimit, që të tre kishin gjetur një kurriz dheu pak më të lagët se gjithçka e qullur përreth. Kjo baltë, por edhe shiu i bezdisshëm, ishin pritësit e parë të miqve nga dera e njohur e Kastriotëve. Në fakt një ulje e tyre nëpërmjet aeroportit të Rinasit, siç edhe e kishin dëshiruar, do të ishte më “kembëmbarë” për “imazhin” kombëtar, por kisha qënë unë ngulëkembësi për variantin e udhëtimit me traget. Ata do të rrinin në Shqipëri vetëm tre ditë dhe përzgjedhja e vajtje-ardhjes me avion rrëmbente gjysmën e kohës së pakët në dispozicion. Ndërkohë që pas disa veprimtarive e takimeve në Tiranë duhej të vizitonin Krujën dhe Beratin. Me traget ardhja dhe largimi bëheshin nëpër natë dhe që të tre ditët e vizitës mbeteshin të lira maksimalisht.
Ndërsa të tre të porsaardhurit i futëm menjëherë në makinë, rrugës për në Tiranë Alesandro konfirmoi se pjesa tjetër e familjes, Paola dhe Xhulio, do të vinin të nesërmen. Në mëngjezin e 27 nentorit të dy Kastriotët e tjerë të porsazbarkuar, do të gjendeshin sërish mes baltës së hyrjes para sheshit të trageteve në Durrës.


2.

Gazetarët në një konferencë shtypi, institucionet e Muzeut Kombëtar, Arkivave të Shtetit, Institutit Kombëtar të Diasporës, Bashkitë e Krujës dhe të Beratit do t’i pritnin me kaq dashuri Kastriotët saqë meraku “dogmatik” se mos mes të metave të shoqërisë sonë në tranzitim e sipër, do t’u mbeste pashlyeshëm ajo çështja e varfërisë, u harrua krejtësisht. Jo për mirësjellje, por sepse panë e mësuan diçka më shumë nga sa dinin gjer atëhere për historinë e vendit tonë, të tre Kastriotët si edhe belgia Karolinë nuk e hapën kurrë këtë temë. U duk se e kuptuan që varfëria prezente mes një pjese të shqiptarëve, zhdukja e së cilës mbetet mision dhe detyrim kombëtar i qeverisësve tanë, përgjithësisht nuk ishte krijuar tani. Ajo vinte nga e kaluara e një sistemi ideologjik dhe ekonomik të falimentuar.
Ndërkohë gjatë qendrimit në Shqipëri dhe veçanërisht në një bisedë me ta në fund të shkurtit të këtij viti, në Leçe, si edhe në disa mesazhe të shkembyera ndërsjelltas në ditët e para të qershorit, shkembyem mendime se si u dukej vendi ynë dhe vetë bashkëkombasit.
Avokatja Paola Kastriota Skanderbeg, bashkshorti i së cilës është një ndër studjuesit më të njohur në krahinën e Puljes për periudhën e mesjetës së Italisë së Jugut, kishte konstatuar se që prej 1989-1990-tës, kur ajo vizitoi dy herë vendin tonë, “në pesëmbëdhjetë vite Shqipërinë e kam parë vetëm të rritej”. Ajo kishte vënë re se në ndryshim nga dy ardhjet e mëparshme vendi ynë kishte “më shumë siguri të brendshme” dhe veçanërisht “më shumë vendosmëri për t’i përkitur Evropës”. Paola ishte e prekur “nga mikritja e jashtzakonshme” dhe se menjëherë kishte kuptuar që “Shqipëria shihte vetëm përpara dhe jo prapa”. Prirjen tonë për të parë gjithmonë përpara (dhe sigurisht këtë përshtypje e kishte nga kontakti me njerëzit e thjeshtë dhe jo më përfaqësues së klasës politike, sepse të tillë nuk takoi) ajo e provonte me disa detaje. Një nga to ishte lëvizja e madhe e njerëzve në Tiranë. Për Paolën një popull që vrapon nuk ka ndërmend kurrë të kthehet mbrapsht e të kapet nga sëmundjet e nostalgjive të së shkuarës. Tiranasit që ecnin vazhdimisht, hipnin e zbrisnin autobuzat urbanë apo makinat private, për të ishin përfaqësuesit e “një botë në lëvizje”. Idenë e një lëvizhmërie të madhe të shqiptarëve ajo e kishte konstatuar edhe në portin e Durrësit, e kishte vërejtur në autostradën që shkon drejt jugut apo ajo që bën rrugë drejt veriut. Kjo kuotë e dukshme e “lëvizshmërisë”, tregues që njihet e studjohet në vendet e zhvilluara, nuk ishte aspak më parë e përfytyruar nga të tre Kastriotët. Ata u befasuan kur iu shpjegua se në portin e Durrësit, brenda një nate, mund të ndodhë të nisen tre-katër tragete dhe nga Bari apo Ankona drejt Shqipërisë edhe më shumë anije pasagjerësh. Se tragete me udhëtarë shqiptarë e italianë zbarkonin edhe në Vlorë e Brindisi. Se në aeroportin e Rinasit ka avionë që ulen në mesnatë apo ndaj të gdhirë dhe se gjatë ditës mund të shkarkojnë pasagjerë edhe dy-tre avionë njëherësh.
Paola kishte vënë re po ashtu që “shqiptarët janë krenarë” dhe kjo gjë nuk e bezdiste, madja e ngazëllente. Këtë krenari të dukshme të shqiptarëve asnjëherë në bisedat e saj të qeta dhe fjalëmatura nuk e cilësoi si provincializëm apo si mburrje e një populli të vogël e periferik. Për të krenaria vinte që nga epoka dhe shembulli i Skenderbeut. Madje dhe Kruja, qyteti që e kishte lënë pa mend, e kishte kryelartësinë që në formën e vetë kështjellës. Ai është një shkemb, do të më shkruante ajo në një mesazh, jo një kala. Paola nuk gabonte në këtë përshtypje të saj, ajo vinte nga një vend ku kështjellat janë të panumërta, por që pothuaj të gjitha janë vendosur në shpate e kurrize të buta kodrazh, vendbanime më shumë për të jetuar mirë dhe veçuar princërit, dukët dhe kontët, se sa ushtarët mbrojtës nga sulmet.
Kurse gjykatësi Xhulio Kastriota dëshmon se nga dy udhëtimet e tij në Shqipëri, veçanërisht nga i dyti, i fundnentorit 2004, kishte dalë “me përshtypje të pashlyeshme”. “Takimi me shqiptarët për mua ka qënë një dashuri me shikimin e parë. U ndjeva menjëherë njëri prej tyre”. Atë e kishte mallëngjyer ndjenja e “përkatësisë së përbashkët” dhe prej kësaj gjendjeje, ndryshe nga ai udhëtim i vetmuar dhe inkonjito në verë të vitit 2003, Shqipëria i ishte dukur më e bukur dhe më e begatë. Në fundnentor 2004 sigurisht ai sërish kishte parë fëmijë apo të rritur të ushqyer keq apo të veshur jo mirë, por atë temën e varfërisë nuk e çeli më. Xhulio nuk ja kishte fshehur vetes këtë mangësi të bashkëkombasve të tij të largët, por nuk e vendoste më të metën tonë në rreshtin e parë të qortimeve të tij. Ai disa herë përsëriti “devocionin që treguan për ne si edhe dashurinë e sinqertë të gjithë shqiptarët”, që nga autoritetet shkencore që takuan, gazetarët e deri tek shëtitësit e mbrëmjes së vonë në Tiranë, shoferët me të cilët udhëtuan apo ftuesit e qerasësit e shumtë.
Në një mesazh të tij Xhulio shkruan saktësisht “Në takimet me publikun, në rrugë dhe kudo, mes nesh dhe tyre kishte një shkembim intensiv vështrimesh. Qytetarët shqiptarë kërkonin në fytyrën tonë diçka që mund t’u kujtonte Heroin e tyre të madh. Ata ngulmonin të gjenin në tiparet dhe sytë tanë, në ballin tonë e gjithkund nëpër tiparet e fytyrave tona një shenjë të paraardhësve të tyre të një kohe të largët, gjashtëqind vite të shkuara”.
“Ajo që dua të theksoj si gjënë më të parë” shkruan Xhulio Kastriota “është se megjithë historinë e një prapambetjeje shekullore, Shqipëria është një vend me ambicie të qarta evropiane. Kjo përshtypje që ne kemi është e ndryshme nga ajo që realisht perceptohet nga shumica e italianëve përtej Adriatikut. Në Itali ka një defekt të informacionit për Shqipërinë, mbi historinë dhe kulturën e saj. Për ta korregjuar këtë imazh jo të drejtë mesa duket nevojitet mjaft punë dhe mundim. Në rast se Evropa është, ashtu siç edhe në të vërtetë ne të gjithë duam të jetë, pra më shumë se një “treg” i thjeshtë i zgjeruar të mishërojë një institucion të themeluar mbi një histori të përbashkët dhe me parime etike dhe kulturore që i mirëpresin të gjithë popujt që e përbëjnë, atëhere hyrja e Shqipërisë në Evropë nuk është vetëm një ngjarje e ligjshme, por edhe një e drejtë e shenjtë e popullit shqiptar”.
Xhulio dhe Karolinë Tulkens do të ishin të një mendjeje me një karakteristikë interesante që kishin konstatuar për shqiptarët dhe vendin e tyre: mosha e re e popullsisë. Sipas tyre ky tipar i Shqipërisë e bënte vendin më vital, më të jetueshëm dhe më solid. Pjesë e një shoqërie të zhvilluar dhe të mirëqënë ekonomikisht,siç është Italia,por që mbetet e përmbytur nga fenomeni i “rritjes zero” apo i “mplakjes së popullsisë”, Karolinë dhe Xhulio e konsiderojnë një pasuri mjaft perspektive moshën e re të shqiptarëve. “Duhet të jesh një popull rinor që të mund ta shohësh të ardhmen me entuziazëm”, shkruan Xhulio. “Vetëm një shoqëri që beson tek e ardhmja investon tek të rinjtë” shprehet Karolinë Tulkens. Ajo mbeti shumë e emicionuar nga një takim që të tre Kastriotët bënë në gjimnazin “Kristaq Capo” të Beratit, ku pothuaj të gjithë nxënësit që mbushnin një sallë të madhe të katit të dytë, flitnin lehtësisht gjuhën italiane. “Studentët shqiptarë, me dhjetra mijra, çdo vit shkojnë e studjojnë në Perëndim” shkruan Xhulio, “dhe nuk do të vonohet dita kur prej tyre do të formohet klasa e re udhëheqëse e vendit. Ajo do të jetë shumë moderne’.
Karolinë disa herë, kur i bëmë pyetjen nëse kishte ndjerë të ftohtin e madh e kërcëllitës në sallën e pangrohur të gjimnazit të Beratit, ngriti supet sikur t’i flisje për një gjë të pandodhur kurrë. “Të ftohtit? Çfarë të ftohti?! Me ata të rinj aq shumë të përgatitur unë e ndjeva veten sikur isha në sallën më të ngrohtë e më konforte të një universiteti në mes të Evropës apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Belges Karoline Tulkens, bashkshortes së Alesandro Kastriotit, realisht bijë e një familjeje flaminge me “gjak blu”, i kishte bërë përshtypje nga ajo vizitë treditore në Shqipëri natyra e hapur e shqiptarëve. Me “natyrë të hapur” ajo nuk nënkuptonte vetëm një popull të çiltër, që për shkak të mentalitetit të tij provincial, mund të jetë edhe naiv, por mendësinë e hapur. Ajo kuptonte kulturë të hapur, mendësi të çelur. “Ju keni shumë dëshirë të pranoni e të thithni kultura të tjera, të merrni prej të tjerëve dhe kjo ju bën ndër popujt e pakët në botë,i cili ndihet mirë duke folur anglisht, lexuar frengjisht, parë filma italisht, shkolluar fëmijët në Poloni e Rusi, përgatitur në Njujork apo Londër”. Për Karoline Tulkens ishte pamje e qartë e kësaj mendjeje të hapur të shqiptarëve që në mes të Tiranës mund të gjeje edhe një bar që thirrej Manhatan apo një diskotekë që evokonte emrin e një deti të një populli të largët.
“Unë jam flaminge” kembenguli ajo “ne flamingët jemi shumë të hapët, miqësohemi me të gjitha kulturat. Janë akoma mjaft të mbyllur francezët, akoma më shumë italianët, tepër shumë në enë të mbyllur rrinë grekët”.


3.

Në portin e trageteve të Durrësit në mbrëmjen e 28 nentorit të tre Kastriotët ikën duke kapërxyer sërish pellgjet e sheshit në hyrje, pasi kaluan portën e hekurt, një gërmadhë, dhe përballën rutinën e nevojshme tek sportelet. Në mesnatë kapërxyen Adriatikun.
Në mbrëmjen e vonë të një dite më parë, më 27 nentor, duke ndjerë një zhurrmë të madhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Karoline Tulkens kishte dalë në dritare dhe sytë i kishin parë një mizëri të madhe me ushtarakë dhe mjete lufte. Kishte kujtuar se në zemër të Tiranës po ndodhte një grusht shteti. Ia kishte thënë këtë alarm bashkshortit, Alesandros. Ky, duke qënë një mjek e shkencëtar neurolog, e përballi me qetësi panikun vetëtimtar të së shoqes. Sheshi para hotel Rognerit ishte i mbushur plot me uniforma dhe mjete, por asnjë nga ushtarakët nuk kishte armë. “Duhet të jetë paradë” tha dhe i hodhi dorën mbi supe. Dritaren e mbyllën duke qeshur me gaz.
Po vuanin akoma efektet e imazhit që u shpërndahej nëpër disa media të huaja.
Ndërsa vetë kishin filluar pak nga pak të shkundnin nga kujtesa të gjitha shkulmet e ndotura të saj. Tashmë ata ja njihnin më nga afër të metat bashkëkombasve të tyre të largët, por u kishin dalluar edhe virtutet. Dhe në emër të virtuteve ata shpërfillën jo vetëm baltën në portin e trageteve në Durrës, por edhe një shashkë që disa të panjohur, tek zbrisnin me makinë nga kalaja e Krujës, nëpër errësirë, ua hodhën poshtë veturës. Gjithashtu në emër të dashurisë për shqiptarët dhe virtutet e tyre bënë sikur nuk dëgjuan një tjetër të panjohur, që në mbrëmjen e provës së paradës, të ulur në restorantin e hotel Rogner, ndërsa po pritnin t’u vinte një kamarier për të marrë porosinë, u ul në tryezën e tyre dhe dërdëlliti për fajet e Gjergj Kastriotit. Për provokatorin që nuk u identifikua, Skenderbeu e kishte përgjakur popullin e tij në një luftë të dështuar.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com