Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nje keqkuptim ne 600-vjetorin e Skenderbeut

“Balllkan”, 24 dhjetor 2005


Sipari i Vitit të Skënderbeut po bie, i kanë mbetur krologjikisht vetëm pak ditë. Koha ikën, ndonjëherë edhe për hesap të vet, por gjatë vitit 2005 shqiptarët, bashkë me punë të mira e të tjera jo të nevojshme e fort të shmangshme, bënë edhe veprën e bukur të përkujtimit të 600-vjetorit të lindjes së heroit të tyre më të madh. Deri ku shkoi në sipërmarrjen e saj fisnike shoqëria, bota akademike, media, shteti apo elita politike është mjaft interesante të analizohet siç edhe dihet që studimet dhe revokimi i figurës e veprës së Gjergj Kastriotit do të vijojë edhe tej këtij përvjetori. Skënderbeun e ka rithirrur tani në skenë jo vetëm admirimi i përhershëm e i përgjithshëm kombëtar, por edhe vetë proçesi progresiv i eurointegrimit.
Pikërisht se ai mbart vlera të mëdha integrimit në Evropën e Bashkuar të “ngacmon” edhe një temë, ke edhe një merak, me të cilin ndihesh më mirë kur e ndan me lexuesin.
Sapo mbaroi këto ditë në Tiranë, në Hotel International, një konferencë shkencore për këtë 600-vjetor dhe mes studjuesve shqiptarë në kuvend nuk munguan edhe jo pak të huaj. Gjergj Kastrioti është një figurë kontinentale dhe duke qënë i pranishëm me veprën e vet në të gjitha vendet e Evropës ai patjetër do të vëzhgohet e studjohet përherë nga shkencëtarë të këtyre popujve. Prej gati një shekulli nuk përbën asnjë çudi që studjues shqiptarë dhe europianë mblidhen gjithnjë bashkë kur bie fjala për të hedhur dritë të re mbi figurën e Skënderbeut. Eshtë dëshmuar se monumenti i tij i lartë nuk mund të ndriçohet vetëm nga rezëllimi që i vjen pandërprerë prej trojeve të shqiptarëve, por bëhet ca më i mirë dhe më i plotë kur mbi të drejtohen të gjithë projektorët nga çdo kend i kontinentit.
Mirëpo në konferencën e porsapërfunduar të Tiranës mungonin studjuesit nga Turqia. Kjo u la të kuptohej qartë nga shkrimet që informuan opinionin për zhvillimin, temat e kumtesave dhe pjesëmarrësit e kësaj konference. Turkologët nuk ishin të pranishëm edhe në një konferencë tjetër, por kjo e mbajtur para dy javësh në Napoli të Italisë, në Universitetin e Studimeve Orientale të këtij qyteti. L’Orientale siç shkurtimisht thirret ky universitet shumë i njohur për këtë profil jo vetëm në vendin e vet, por edhe në Evropë, kishte mbledhur në kuvend përveç studjuesve italianë, arbëreshë dhe shqiptarë nga Tirana, Prishtina e Shkupi, edhe helenistë e sllavistë të ndryshëm. Në një intervistë për një të përditshme njëri nga studjuesit shqiptarë, i cili në Napoli kishte marrë pjesë në këtë konferencë shkencore për 600 vjetorin e Gjergj Kastriotit, vinte në dukje se në të nuk kishte të pranishëm asnjë studjues nga Turqia ose me kombësi të tillë.
Ndërkohë po t’i rikthehesh e shfletosh edhe librat studimorë që Akademia e Shkencave apo Instituti i saj i Historisë kanë botuar këtë gjysmëshekull konstaton të njëjtën mungesë. Mosprania e studjuesve nga Turqia ngjan me një vijë të njësuar qendrimi. Sigurisht jo me një barrikadë apo patjetër me një kundërvënie. E megjithatë përherë e më shumë kjo mungesë sistematike duket se nuk të është një rastësi. Pa u ngutur e kërkuar patjetër fajtorët apo përgjegjësit tek historianët turq apo tek të huaj nga vende të tjera të Evropës, pa identifikuar patjetër edhe ndonjë objekt qortimi mes bashkëkombasve tanë, një gjë shfaqet e sigurtë: mungesa ngulmuese e studjuesve turq ekziston vetëm kur bie fjala për Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Ky raport i ngurtëzuar e që duhet patjetër të shkrifet nga mirëbesimi dhe bashkëpunimi po të shtyhet kështu, thua se nuk prish asnjë punë, mund të sjellë në të ardhmen disa ndërlikime. Jo mes qeverish apo shtetesh, politikanët e shtetarët të dy vendeve vijojnë traditën e lidhjeve të ngushta dhe të një miqësie të gjatë e të patronditur. Nuk mund të cënojë një kumtesë shkencore apo edhe një marrëdhënie formale mes studjuesish atë rregull prioritar, i cili quhet raport e interes e përbashkët gjeostrategjik. E megjithatë kemi patur një rast të veçuar vitin që shkoi kur në një pritje shtetari të nderuar nga Turqia për kohën kur u dha konferenca e tij e shtypit u largua nga sfondi, atëhere një buzë oxhaku dekorativ në selinë e Kryeministrisë, busti i Skënderbeut. Këtë gjë e zbuloi media dhe ajo me këtë rast ngriti disa ditë rresht edhe hipotezat e saj. Nuk është as koha dhe as vendi për t’i kujtuar ato rrethana e detaje konkretisht apo edhe vetë për të hamendësuar apo hetuar çfarë fshihej prapa. Thelbi nuk janë hollësitë dhe kurioziteti për to, por vetë problemi: ka diçka të keqkuptuar mes shqiptarëve dhe turqve kur bëhet fjalë për Gjergj Kastriotin.
Në vendin mik kanë qëndrimin e vet, si edhe dokumentacionin përkatës historik. Në arkivat turke këtë të fundit, dokumentacionin për Skënderbeun, e kanë fare të pakët, sepse vepra e jeta e Gjergj Kastriotit pas shkëputjes së tij nga administrata osmane dhe fillimit të kryengritjes në Arbëri, është ndjekur e regjistruar me vëmendje nga Evropa. Tek studjuesit turq dhe veçanërisht osmanologët mbizotëron një ide tjetër për atë që bëri Gjergj Kastrioti dhe ndërkohë në kontinent kanë një opinion krejt ndryshe. Akoma ikja e Skënderbeut nga ndikimi i sulltanit tek disa historianë turq cilësohet si veprim në shpinë dhe lufta e tij e paepur kundër pushtimit osman emërtohet si kokëfortësi dhe armiqësi fetare apo me prirje të skajshme. Si karakter Gjergj Kastriotin disa studjues të vendit mik e vlerësojnë njeri idhnak dhe hakmarrës. Madhështinë me të cilin ne, shqiptarët, e masim bëmën e tij, e konsiderojnë si pasojë të një zmadhimi propogandistik që Evropa ja ka bërë Skënderbeut për qëllime utilitare politike. Ata kanë merak se mos edhe sot ringritja e vlerës panevropiane e tij mund të shfrytëzohet për të mbajtur gjallë një qendrim mosbesues ndaj shtetit e vendit turk.
Po ashtu një pjesë e studjuesve turq të jetës së Skënderbeut përpiqen ta anashkalojnë apo bojkotojnë ndriçimin e figurës së tij sepse thjesht shohin se në disa tekste historie të shkollave tona, megjithë riplotësimet dhe ribotimet që u janë bërë, vijohet në ndonjë rast edhe përdorimi i fjalëve të ashpra kur përshkruhet periudha e gjatë e sundimit osman në Shqipëri. Ata vënë re se akoma tek-tuk në këta libra masivë flitet me theks për shtypje e zgjedhë turke, për sundim, për përhapje të prapambetjes e kështu me rradhë. Kur përshkruhen betejat e Gjergj Kastriotit me armatat osmane thuhet jo njëherë se heroi ynë kombëtar ato jo vetëm i mundi, por edhe i shpartalloi dhe i bëri fërtele. Po ashtu për të përcaktuar këtë periudhë pushtimi nuk përdoret termi “osman”, por ai “turk”, duke peshuar pa dashje mbi imazhin e vetë Turqisë së sotme moderne. Sondazhet e kanë konstatuar këtë frymë në të gjitha vendet eurolindore ku kanë kryer pushtime osmanët dhe studjuesit turq nuk e kanë vetëm me ne mërzinë e tyre. Madje sipas po këtyre sondazheve rajonalë vendi ku ngarkesa negative është më e zbutur se tek fqinjët është Shqipëria.
Që ka diçka për të koregjuar tek shqiptarët dhe jo pak edhe tek turqit kjo nuk do të thotë se urat e komunikimit të studjuesve për veprën e Gjergj Kastriotit duhet të mbeten ende të gjysmë të mbyllura. Skënderbeu luftoi osmanët e jo Turqinë moderne të rithemeluar nga Qemal Ataturku. Dihet që edhe Atatarku i madh perandorinë osmane vuri poshtë pa mundi të ngrejë mbi të shtetin modern turk. Gjergj Kastrioti dhe Qemal Ataturku, edhe pse në kohë të ndryshme, kanë qënë të një mendjeje. Shqiptarët nuk e kanë zgjedhur Skënderbeun hero të tyre për të sfiduar Turqinë moderne, por për të bërë mrekullisht të dyja: nëpër dekada ata e lartuan Gjergj Kastriotin dhe çimentuan me po aq pasion edhe miqësinë me popullin turk. Skënderbeu nuk është njeri i madh vetëm për veprën e tij liridashëse, por edhe për fisnikërinë e humanizmin e vet. Ai i luftoi me vendosmëri osmanët sepse vinin me ushtri dhe ishin pushtues, por nuk ua nderi shpatën kurrë si popull. Doktrina e Gjergj Kastriotit nuk la pas asnjë mendësi apo “urdhër patriotik” e “orientim gjithëkombëtar” që të urrehet populli turk. Ka lënë mesazh të kundërtën, këtë realitet miqësie që e dinë të gjithë.
Në fund të fundit atëhere Skënderbeu u rreshtua me Evropën dhe kjo mbetet edhe vepra e tij më gjeniale. Sot edhe Turqia edhe Shqipëria kanë marrë rrugën e integrimit me Bashkimin Evropian. Kjo e vërtetë e bukur ka fuqi të sigurojë çdo historian turk se me pjesëmarrje aktive për studimin e Gjergj Kastriot Skënderbeut kryhet një vepër largpamëse.

Ylli Polovina







Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com