Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NË RRUGËN KU ISHTE THEMELUAR PARTIA KOMUNISTE SHQIPTARE PLUMBA MBI MINISTRIN KOSOVAR AHMET KRASNIQI
NË TIRANË NUK BIE QETËSI: NË 21 SHTATOR 1998 DINAMIT NË BANESËN E POLITIKANIT MINORITAR GREK VASIL MELO
“KOKËKRISJE”: SULMOJ MEDIAN ITALIANE PËR SHTRËMBËRIME TË IMAZHIT TË SHQIPËRISË DHE JA DAL
RADIO TIRANA NË FESTËN E 28 NËNTORIT 1938
PËRSE ITALIANËT NUK SHPREHNIN SIMPATI PËR FATOS NANON
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“KOKËKRISJE”: SULMOJ MEDIAN ITALIANE PËR SHTRËMBËRIME TË IMAZHIT TË SHQIPËRISË DHE JA DAL


Azem Hajdari, vrasja e gabuar, pjesa e tetë

Ylli Polovina
Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Shkrimi i tridhjetë e nëntë e ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

(Botuar në “Illyria” në 3 tetor 2019)

Herën e shkuar u përpoqëm të shpjegonim sadopak përse në Itali, mes politikanëve të saj kryesisht, por jo pak edhe nëpër njerëzit e medias, qenë përhapur dy “mite”. I pari, që ngulte këmbë se kryeministri Fatos Nano ishte njeri afër interesave greke dhe, i dyti, se personi kryesor i Tiranës që mbështeste dhe nxiste Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nëpërmjet simpatizantëve të tij në Shqipërinë e Veriut qe ish-presidenti Sali Berisha.
Të dyja këto pikëpamje nuk qenë tërësisht të sakta, lypej të korigjoheshin, por kjo sipërmarrje afrimi me të vërtetën në një territor dhe opinion vend tjetër, ishte utopike për t’u realizuar jo vetëm nga një ambasadë të vendosur në Romë ,me më pak se dhjetë punonjës, por edhe prej tërë elitës kulturore të Tiranës, po të qe e mundur.
Këto dy pikëpamje e teza ishin shndërruar në klishe, qenë shtretër të vjetër paragjykimesh që i mbanin ngrohtë, madje përtej Luftës së Parë Botërore.
Sidoqoftë media italiane e kish përqendruar të gjitha forcat kryesore në Tiranë, tek turbullira politike e saj që dukej sikur ishte afër shpërthimit të një lufte civile klasike ose të paktën po zhvillohej e ngjashme me simotrat e saj përleshëse kroato-serbe dhe boshnjako-serbe të ndodhura pak më parë në Ballkan. Kjo medie e ndiqte nga shumë afër zhvillimin e asaj kataklizme të ndodhur pas vrasjes së Azem Hajdarit.
Mes të tjerash ajo besoi se Fatos Nano, i cili i kish kapërcyer njëzetë e katër orët e mosdukjes publike, tërë kohën ndodhej në Tiranë, në një banesë sekrete të miqve të vet. Në fakt kryeministri shqiptar e pati kapërcyer kufirin, i mbrojtur nga eskorta e tij, dhe kishte shkuar në Shkup, tek zyra e amerikanit Kris Hill. Por Hill në ato çaste nuk qe një ambasador i thjeshtë. Ai po kryente një rol të rëndësishëm gjeostrategjik: shpëtimin e shqiptarëve të Kosovës nga dhuna e Sllobodan Millosheviçit dhe frenimin e revanshit të këtij të fundit.
Në orën 11.00 të 15 shtatorit, hipur në një veturë “Volvo” të blinduar të ambasadorit shqiptar në Shkup, me perde të mbyllura dhe duke ardhur nga brendësia e tokës maqedonase, Fatos Nano u shfaq në Qafë të Thanës.
Ndërsa hynte në territorin e Shqipërisë, ai u shoqërua nga dy makina të komisariatit të Librazhdit, të cilat nuk dinin asgjë se cili njeri i rëndësishëm ishte brenda Volvos së blinduar. Me këtë skortë në hyrje të qytetit të vogël u bashkua edhe një makinë e tretë e vetë shefit të komisariatit të tij. Kur kolona mbërriti në Qafën e Krrabës, përtej Elbasanit, kreu i qeverisë shqiptare u prit nga një grup tjetër shoqërimi i ardhur posaçërisht nga Tirana.
E shumë përforcuar autokolona nxitoi për në kryeqytet.
Pa e ditur fare këtë zhvillim, pasi u këshillova me të Ngarkuarin me Punë Shpëtim Çuçka, pra kur ishte ende paradite e 15 shtatorit, me cilësinë e përgjegjësit të Zyrës së Shtypit të Ambasadës së Shqipërisë në Romë, bëra një deklaratë (notë) për median italiane. Gjeta si arsye bindëse çfarë pasaktësisht po botonte për ngjarjet në vendin tonë veçanërisht gazeta më e madhe italiane, “Corriere della Sera”.
Po qëlloja tepër lart qëllimisht.
Edhe pse dukesha pa asnjë lloj fuqie për të ndërhyrë e korigjuar opinionin që përhapej nga një medie e pavarur edhe nga qeveria e vet, guximi çuditërisht m’u shpërblye në mënyrë aq të bollshme sa as e kisha menduar ndonjëherë.
Ishte agjencia e lajmeve Adnkronos, e cila reagoi ndër të parat. Qe e dyta e Italisë pas asaj historike të saj, ANSA. Ajo publikoi njoftimin “Shqipëria: Thirrje medias nga Ambasada e Tiranës në Romë”. Në vijim: “Ambasada Shqiptare në Romë i ka bërë thirrje medias italiane për një kujdes më të madh në saktësinë e dhënies së informacionit për gjendjen aktuale në Tiranë, duke i ftuar veçanërisht televizionet “që të mos përdorin pamje të vitit të shkuar dhe simbole të vjetra të regjimit komunist”.
“Vëmë në dukje, lexohet në këtë notë të Ambasadës, se lajmet e gazetave dhe të televizioneve duke folur për një luftë civile në Shqipëri, krijojnë një përshtypje të gabuar dhe në kundërshtim me realitetin”.
Por gjurma më e fortë e kësaj ndërhyrjeje korregjuese u shfaq të nesërmen në gazetën “La Stampa”. Këtu patjetër më ndihmoi një rrethanë: prania në këtë të përditshme e gazetarit për marrëdhëniet ndërkombëtare Mauricio Molinari (sot drejtor i kësaj gazete), me të cilin që në javët e para të mbërritjes me punë në Romë, kisha vendosur lidhje shumë të ngushta. Krijimtarinë publicistike të tij e kisha njohur fort mirë, nëpërmjet pasqyrës së shtypit italian në televizionin RAIUNO, që në Shqipëri. Shënuar madje hollësishëm në ditarin tim.
Por duket pati vepruar edhe një rrethanë tjetër, as e shkuar qëllimshëm ndërmend nga unë: qe shfrytëzimi i rivalitetit të “La Stampa” me “Corriere della Sera”.
Por çfarë ndodhi konkretisht me efektin e notës së Zyrës së Shtypit të Ambasadës do ta shpjegoj më poshtë në momentin e informimit të lexuesit se çfarë ndodhi në 16 shtator.
Duke vazhduan rrjedhën e rrëfimit të episodit të rikthimit të Fatos Nanos nga Shkupi për në Tiranë, në mesditë të 15 shtatorit 1998, spikatim se eskorta e tij gjatë rrugëtimit për në Tiranë do të bëhej edhe më e madhe. Do të shumohej me bodigardë, policë, agjentë të krimeve, agjentë të SHIK-ut. Ishte një ushtri e vërtetë, e cila niste nga rojet e instaluara pak metra larg silhuetës së tij e deri tek ata që punonin larg kryeministrit e që merreshin me informacionet operative.
Ndërsa Fatos Nano tashmë kishte hyrë në kryeqytet dhe po merrte masat e para për një mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit të tij qeveritar, në orën 14.00 përpara selisë së PD-së qëndronin vetëm rojet, kurse pjesa më e madhe e njerëzve të armatosur ishin shpërndarë e rrinin nëpër baret përpara saj. Të lutur nga përkrahësit e thjeshtë të partisë që mos largoheshin nga mbrojtja e selisë së tyre, ata sapo kishin ngrenë ushqime të sjella nga simpatizantë të Partisë Demokratike të Tiranës.
Fatos Nano, duke mbushur plot 36 orë i padalë në masmedian shqiptare, u shfaq në TVSH në orën 15.20. Ishte një thirrje e tij drejtuar popullit shqiptar dhe që niste me fjalët \"Kemi kaluar dje një nga ditët më të vështira të historisë sonë moderne. Si komb kishim provuar gjithçka, copëtimin, diktaturën, anarkinë. Dhe dje u desh të provonim edhe eksperiencën dramatike të një grushti të mirëfilltë shteti të orkestruar nga një grup banditësh antishqiptarë dhe të vënë në jetë nga një konglomerat njerëzish pa asnjë ideal...\"
Në fjalën e tij ai e la të qartë nënkuptimin se si zgjidhje politike të situatës nuk përjashtonte asnjë variant. Pra as dorëheqjen e vet nga posti i kryeministrit.
Në orën 16.00 në drejtim të selisë së Partisë Demokratike u lëshua ultimatumi i qeverisë për dorëzimin e tankeve dhe largimin e njerëzve të armatosur. Por disa minuta para se të shpërndahej në opinion ultimatumi u panë lëvizje të shumta të policisë në postoblloqet e barrikadat e tyre përreth selisë së PD-së. U kuptua menjëherë që po përgatiteshin për një ndërhyrje të armatosur e marrë edhe tanket, po ashtu edhe repartin 324.
Në kundërveprim u rrit numri i njerëzve të armatosur para Partisë Demokratike, midis të cilëve u përhap me shpejtësi dhe gojë më gojë betimi për të mos u dorëzuar.
Njëkohësisht grykat e tankeve të tyre u kthyen në drejtim të Ministrisë së Rendit, nga ku dukeshin edhe lëvizjet e shumta të policëve të armatosur.
Konfrontimit që po afrohej me shpejtësi, nuk i munguan edhe të shtëna sporadike, por kryesisht qëlluan trupat e policisë për të mos lejuar kalimin e qytetarëve përpara apo në afërsi të selisë së PD-së.
Rreth orës 17.00 u pa ish-presidenti Sali Berisha që doli nga shkallët kryesore të godinës së Partisë Demokratike për t\'u ulur më pas në kafenenë brenda saj. Pikërisht në këto çaste njerëzit e armatosur ndezën një furgon të policisë, të cilin e kishin marrë gjatë revoltës në bulevardin kryesor dhe me lëvizje duarsh dhe thirrje zëlarta lajmëruan policinë ta merrte. Pak më vonë u tërhoqën edhe militantët e armatosur që bënin rojen brënda repartit ushtarak 324.
Rreth orës 18.00, ndërsa në godinën e afërt të Parlamentit ishin mbledhur deputetët e koalicionit qeverisës dhe po mbanin një minutë heshtje për Azem Hajdarin, një person që doli nga selia e PD-së, paralajmëroi se Sali Berisha kishte urdhëruar dorëzimin e tankeve, pasi ishte arritur marrëveshja për të mos u arrestuar asnjë nga njerëzit e armatosur. Më pas u kërkua që mbi tanket të mos kryhej asnjë veprim dëmtues dhe ata t\'i dorëzoheshin policisë paqësisht. Kështu tanket u shoqëruan gjer në afërsi të Urës së Lanës, saktësisht te udhëkryqi me rrugën e Elbasanit, duke ja dhënë më pas policisë. Këtë vend dorëzimi e kishte kërkuar vetë kjo e fundit, pasi druheshin të ndërhynin dhe t\'i tërheqnin para selisë së Partisë Demokratike.
Pas këtyre çasteve ish-Presidenti u përpoq të zbuste zemërimin e përkrahësve të vet dhe t\'i siguronte ata se ai nuk kishte për t\'i tradhëtuar. Madje për ta dëshmuar këtë gjë u bëri thirrje për një miting të madh paqësor të nesërmen ora 11.00 në sheshin Skënderbej.
Qysh nga këtij çasti para selisë së PD-së nuk mbeti asnjë i armatosur.
Duke u gdhirë e mërkurë, 16 shtator, shkëmbimet e zjarrit mes selisë së Partisë Demokratike dhe Ministrisë së Rendit Publik mbajtën zgjuar gjithë kryeqytetin. Tensioni më i madh u shfaq në orën dy të natës, kur një telefonatë anonime paralajmëroi sulmin kundër kësaj të fundit.
Në vend të një nate të qetë, siç mund të pritej pas dorëzimit të dy tankeve, armatimit të rëndë dhe largimit të organizatorëve të personave të armatosur, nga godina shumëkatëshe e porsandërtuar pranë selisë së vjetër të PD-së, u nisën plumbat e snajperave. Ndërkohë të njëjtën përgjigje dhanë edhe specialët që qëndronin në shërbim në tarracën e Ministrisë. Për disa minuta gati u kujtua se policia kishte sulmuar njerëzit e armatosur brenda godinës së PD. Të alarmuara erdhën menjëherë forcat e Briskut, por më pas tensioni, duke u gdhirë dita, u fashit.
Atë ditë të 16 shtatorit 1998, në mëngjes, “Rilindja Demokratike\" botonte në faqen e parë titujt e shkrimeve: \"Nano: t\'i vrasim demokratët\", \"Kryeministri del nga vrima pas tre ditësh dhe paralajmëron gjakderdhje tjetër\", “4 të vrarë dhe mbi 40 të plagosur nga fanatikët e Nanos. Ministri i Brendshëm Teta: Do të pushkatojmë pa paralajmërim. Nisin vrasjet e mesnatës. Policë me maska qëllojnë mbi demokratët dhe u vendosin automatikët në gjoks politikanëve. Bandat hajdute të PS thyejnë dyqanet në qendër të Tiranës\".
Mes të tjerash në faqen e tretë spikaste titulli \"Mbështetje perëndimore për Berishën dhe opozitën\". Në faqen 4 gjendej edhe artikulli \"Makinat e qeverisë plaçkitën institucionet\". Faqja pesë këmbëngulte se \"Mijëra shqiptarë pranë shtëpisë së tyre PD, të gatshëm për të dhënë jetën në mbrojtje të shqiptarizmës\", \"Nga rrethet, për çdo minutë telefonat bien pa pushim. \"Jemi gati. Çfarë doni nga ne. Për një orë na keni të gjithëve aty\". Janë këto telefonatat e panumërta, që mbërrijnë në zyrën e shtypit të PD. Komisariatet e policisë në të gjithë territorin e Republikës, nga vetë qendra janë lënë në duar të PD. Por kreu demokrat, Sali Berisha, duket i qetë. Mesazhet e liderit të PD në këto minuta të vështira të Shqipërisë, të krijuara nga papërgjegjshmëria e një antishqiptari si Fatos Nano, janë të thjeshta. \"Ruani vetpërmbajtjen. Një zgjidhje politike do të vijë\", janë mesazhet e tij\".
Ndërkaq në Itali, në shtypin e saj, për ngjarjet përtej Adriatikut vijonte informacion intensiv, por ndonjëherë edhe konfuzion. Këtë të mërkurë \"La Stampa\\\", ndërsa botonte në faqen e parë shkrimin “Arrestoni Berishën”, kaos në Tiranë”, po ashtu “Një dorë e fshehtë nën hije, misteret e grushtit të dështuar të shtetit”, si edhe në faqen katër artikujt “Andreotti: Tani të hetohet mbi trafikun e armëve midis Kosovës dhe Shqipërisë për lidhjet e mundshme me vdekjen e Hajdarit” apo “Shqipëri, shi kritikash mbi qeverinë” (me nëntitull “Berisha telefonon Dinin”), hapte vend edhe për një i pestë.
Ky titullohej “Ambasada: Mediat italiane përdorin imazhet e 97-tës”.
Atje citohesha unë, me emrin Juli, sepse italianët nuk e kanë as germën Y dhe as atë Ll.
Shkrimi qe ky: “Pas një pune skrupuloze monitorimi të 72 orëve të fundit, ambasada shqiptare në Itali u tërhiqte veshin televizioneve dhe gazetave me një notë formale në të cilin ftohen stacionet televizive “të mos përdorin imazhet e bujshme të vitit të shkuar” për të përshkruar krizën në zhvillim dhe akuzohen disa të përditshme të heqin dorë nga publikimi “i simboleve të vjetra që i përkasin ish-regjimit komunist”, çfarë nuk ka asnjë lidhje me rendin e ri kushtetues në vend. Këshilltari i Shtypit në Ambasadën Shqiptare, Juli Polovina, akuzon veçanërisht rrjetin RAI. “Në mbrëmjen e së dielës, 13 shtator, në edicionet e lajmeve të rrjeteve publike, pohon ai, janë transmentuar imazhe mbi Shqipërinë e vitit të kaluar. Qe e lehtë të dallohej kjo sepse manifestuesit e filmuar bërtitnin “Vlora, Vlora!”, çfarë qe thirrja e revoltës me këtë rast. Për diplomatin “është një gabim i madh të ngatërrosh të dy situatat që nuk kanë asgjë të përbashkët”. Juli Polovina e ngre gishtin pastaj kundër “Corriere della Sera” të 14 shtatorit, duke thënë se “ka botuar një logo grafike në të cilën stema kombëtare ishte ajo e regjimit të vjetër komunist”.
Autor i këtij informimi qe gazetari Mauricio Molinari.
Gjithsesi të nesërmen, 17 shtator, edhe pse “La Stampa” e kish bërë problem, \"Corriere della Sera”, vijoi si më parë: mbante flamurin me yllin e kuq në rubrikën me titull \"Shqipëria në flakë\".
Heqja e tyre ndodhi vetëm më 18 shtator, mbase sepse atë ditë kjo e përditshme e madhe italiane nuk kishte faqe speciale për çfarë po ngjante në vendin tonë.
Ndërkohë gazeta e mjedisit të djathtë “Il Giornale\" vijonte si më parë grafikën \"Shqipëria në luftë civile\", ndërsa ajo e rretheve të majta, \"La Repubblica\", e cila deri një ditë më parë përdorte emblemën \"Shqipëria në revoltë\", e kish hequr atë.
Gjithsesi kthesa e ngjarjeve në Shqipëri dhe ajo e mirë informimit në Itali patën ndodhur. Në pasditen e 15 shtatorit ndërsa agjencia e lajmeve Adnkronos thoshte se në Panairin e Barit (Fiera del Levante), ku ishte programuar vizita e Fatos Nanos jo vetëm kjo u anullua, por edhe “Dita e Shqipërisë”, veprimtari e parashikuar me këtë rast.
Ndërsa në të vërtetë kjo e fundit u realizua siç ishte datuar në program: më 16 shtator. Qe shenja e domosdoshme që duhej trasmentuar në Itali, por edhe në vende të tjera të Evropës, se Shqipëria qe rikthyer sadopak në normalitet dhe se raportet mes Romës e Tiranës qenë të pacenueshme nga lakmi të tjera fuqish ballkanike.
Madje ndodhi edhe një e papritur shumë e gezueshme. “colpo” e vërtetë mediadike. Në Bari, në Panair, veprimtaria ishte planifikuar të zhvillohej në pavijonin e caktuar edhe për shtetet e tjera pjesëmarrëse, por u zhvendos prej andej. Arsyeja qe: kishte shumë pjesëmarrës.
Ishte një bum i tyre.
Organizatorët mbetën pa gojë, mes tyre edhe mikja e Shqipërisë, shefja e sektorit të Jashtëm të Fiera del Levantes, Ana Maria Çislagi.
Kështu pavijoni u çel në Pallatin Mezzogiorno. Por edhe ëtu disa mbetën në kembë. Në tribunë brenda afërsisht një ore foli një këshilltar i kryeministrit shqiptar si edhe disa përfaqësues të nivelit të dytë. Po ashtu edhe një grup intelektualësh që dëshironte të paraqiste para opinionit italian imazhin e keqpërdorur të vendit të tyre.
U pa me interes dokumentari \"Trashëgimia kulturore\" e italianit Pereti Bozosu.
Folën edhe sipërmarrës italianë. Këta, edhe pse dukeshin të tronditur, deklaruan se nuk do t\'i ndërprisnin lidhjet me Shqipërinë. Që një ditë më parë, duke ndjekur me ankth ngjarjet e zhvilluara në Tiranë, ata kishin marrë vesh se bankat ishin ruajtur nga policia, se sportelet e tyre ishin tashmë të hapura dhe se kishin mbetur nën kontrollin e plotë të shtetit edhe doganat.
Ndërkohë vëzhgues të vëmendshëm vunë re se në Fiera Del Levante, në ndryshim nga ditët e mëparshme, ishin trefishuar karabinierët dhe në hyrje ishte bërë më i imtë kontrolli i shqiptarëve. Për të ftuarit konsullata italiane në Tiranë kishte lëshuar 146 viza, por në mjediset e Panairit përfunduan vetëm afro njëqind prej tyre.
Po ashtu u konstatua një pjesëmarrje më e madhe se herët e tjera e arbëreshëve, të cilët me etje blenë mallra artizanalë dhe videokaseta nga Shqipëria.

(Vijon)

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com