Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Shqiptare, jepni per Skenderbeun!

\\\"Korrieri\\\", 20 shtator 2006

SHQIPTARE, JEPNI PER SKENDERBEUN!


Këto ditë ka ndodhur e papritura e ndoshta më e dëshiruara. Po e shpjegojmë menjëherë përse është fjala.
Roma është qyteti perëndimor me më shumë simbole të Gjergj Kastriot Skenderbeut. Në të, në rrugën Aventino, gjendet Piazza Albania me në qendër një permendore të heroit tonë kombëtar hipur mbi kal. Sheshi është i madh dhe jo rrallë një lulishte pranë frekuentohet nga veprimtari politike dhe kulturore. Sheshi Shqipëria pranë ka korpusin e stërmadh të selisë së FAO-s dhe po ashtu në afërsi të tij ndodhet edhe godina e Tg5, zyrat dhe studiot e edicioneve informative të televizionit të shumënjohur Canale 5 të Mediaset. Shtatorja e Skenderbeut po ashtu është mjaft imponuese. Në piedestalin e saj shkruhet me një dedikim germëmadh “Gjergj Kastriot Skenderbeut, Romë” dhe më poshtë “Në kujtim të pesëqindvjetorit të Gjergj Kastriot Skenderbeut, mbrojtësit të pakapërxyeshëm të qytetërimit perëndimor”. Në përmbyllje gdhendet një kryq. Inicialet e republikës së Romës antike S.P.Q.R. dhe viti MCMLXVIII.
Mirëpo në Romë nuk ekziston vetëm një shesh me emrin e Shqipërisë dhe në mes të tij një monument i madh i Gjergj Kastriotit. Kryeqyteti italian ka edhe një hapësirë tjetër të tij që i kushtohet Skenderbeut. Në rast se zona e parë gjendet në një nga pjesët më historike të Romës, pra në “krahërorin” e saj, e dyta ndodhet në zemër, në aortë. Gjendet midis shatërvanit të njohur botërisht Fontana di Trevi dhe kompleksit të pallatit Kuirinale, selisë së Presidencës Italiane. Në vijë të drejtë janë më pak se dyqindmetra. Sapo lë sheshin e madh para Kuirinales dhe poshtë shkallinave të tij zbret në rrugën Dataria, në të djathtë, ku mbaron butaz kompleksi i pallatit, gjendet Ansa, Agjensia Italiane e Lajmeve. Pak hapa më poshtë, vetëm pak çape dhe menjëherë ndesh rrugicën “Vicolo di Scanderbeg”. Merr poshtë saj dhe gjendesh para pallatit Scanderbeg. Sheshi para tij mban po të njëjtin emër.
Brenda kompleksit Scanderbeg rrugica dhe sheshi e kanë burimin e emërtimit të tyre nga pallati. Eshtë kjo godinë, e cila ka bujtur Gjergj Kastriotin në vizitën e dytë dhe të fundit të tij në Romë. Në disa nga shënimet udhërrëfyese turistike të kryeqytetit italian për Vicolo Scanderbeg (“vicolo” saktësisht quhet një rrugë qytetëse e përmasave mezatare, shpesh pa dalje) shkruhet se ajo “e merr emrin nga pallati i vogël, të cilin princi shqiptar Gjergj Kastrioti i quajturi Skenderbe (që do të thotë Aleksandri i Madh) e ndërtoi në sheshin Skenderbe (në numrin 117) atëhere kur erdhi në Romë më 1466 për t’i kërkuar ndihmë Papës Pali II në favor të popullit të krishterë shqiptar në luftë kundër turqve. Mbi portalin e pallatit, të rinovuar tërësisht më 1846, gjendet një portret i princit nën një veshje të ruajtur në mënyrë të përsosur. Gjithnjë sipas këtyre shenimeve turistike Princi e ka lënë në trashëgim pallatin me kushtin që portreti i tij të restaurohej çdo herë që gjykohej e nevojshme. Kjo rrugë ka qënë e para në Romë, e cila ka patur një emër të huaj dhe në fakt emrit, duke qënë i vështirë, menjëherë iu kompromentua shqiptimi në Skanabeki (\\\"Scannabecchi\\\"). Këto guida shenojnë se “Rruga dhe sheshi përbëjnë një ndër vendet më piktoreske të Romës, një lloj parajse…”.
Ndërkohë Profesor Kristo Frashëri në librin e tij “Skenderbeu, jeta dhe vepra”, botuar në Tiranë më 2002, në kapitullin “Skenderbeu në Napoli dhe në Romë”, jep edhe ai një informacion për këtë kompleks. Profesori shkruan se Gjergj Kastrioti në vizitën e tij në Romë u vendos në të quajturën Shtëpia e Epirotit, pra në Shtëpinë e Shqiptarit. Sipas studjuesit të njohur ai pallat i vogël, realisht një bujtinë, nuk ishte pronë e Gjergj Kastriotit, por e një miku të vet. Me sa duket njeriu me emrin Epiroti në Romën e vitit 1466 ka qënë një person shumë i njohur, një hotelier me emër e në mos një i pasur. Historiografia shqiptare më pas nuk ka bërë publike të dhëna se në shekujt pasardhës në duart e kujt pronari përfundoi ky pallat-hotel. Dihet që dy shekujt e fundit atë e kanë zotëruar italianët dhe se prej shumë vitesh ai është edhe Muzeu Kombëtar i Makaronave. Vijon edhe tani të jetë i tillë. Ka mjaft turistë të huaj që vijnë ta vizitojnë pikërisht për këtë origjinalitet, sepse ky është muzeu i vetëm i makaronave në botë dhe madje çdo vit ai jep edhe një Çmim Evropian. Vitin e kaluar ishte edicioni i katërmbëdhjetë. Ky konkurs kombëtar organizohet nën kujdesin e Ministrisë së Arsimit, të Universiteteve dhe të Kërkimit Shkencor, nga Ministria e Politikave Bujqësore dhe nga Ministria e Komunikacionit e Republikës Italiane. Për rivalizuesit e saj vetëm studentë jepen deri në tetëmbëdhjetë çmime të grupuara nga gjashtë gjithsecili profil konkurues. Qëllimi kryesor i këtij kokursi është për të ndihmuar njohjen dhe vlerësimin e makaronave, edukimin e studentëve me mësimin se ky është një ushqim tipik italian dhe ata duhet të përpiqen sa më shumë për përhapjen në botë të kulturës së kuzhinës së vendit të tyre.
Deri këtu besojmë se çdo gjë është mjaft e qartë dhe sidomos e mirëkuptueshme për lexuesin, sepse ne shqiptarët, duke patur gjellë tradicionale (ta zemë) fasulet, nuk kemi aq shumë konsideratë për makaronat. Nuk ndodh kjo gjë me italianët, të cilët picat dhe makaronat i kanë simbole kombëtare. Janë ushqime që prej tyre janë shpërndarë në të gjithë botën. Pra për ta makarona nuk është fragment nga një kengë me të cilën ne tallnim gjatë Luftës së Dytë Botërore ushtarët pushtuesë italianë. Për popullin fqinj makaronat janë vlerë kulturore, janë edhe ndikim, edhe prani, edhe imazh. Problemi ynë, i shqiptarëve, sot nuk është të përtallim këtë pasion kulinar të italianëve, por ta mirëkuptojmë. Askush nuk është kundër këtij Muzeu të Makaronave. Çështja jonë, dhe kështu rikthehemi tek shpjegimi i të papriturës që ka ndodhur këto ditë, ka të bëjë me një merak shumë të arsyeshëm: Si mund ta “pajtojmë“ heroin tonë kombëtar me Muzeun italian të Makaronave? Në godinën ku ndodhet aktualisht ky muze edhe rruga që zbret drejtpërsëdrejti nga rezidenca e madhe e pushtetit (në Kuirinale para se vendoseshin Presidenca, ka qënë Papati dhe më pas Mbretëria) ka emrin e Skenderbeut. Emrin e tij ka edhe sheshi para Muzeut. Po ashtu vetë godina quhet Pallati Skanderbeg. Në ballë të portës së tij gjendet e pikturuar pamja origjinale e heroit tonë, shkruhet emri i tij si edhe gdhendet cilësimi si Princ i Epirotëve. Me pak fjalë në këtë kompleks të rrallë për kombin tonë në “caput mundi”, në Romë, në qytetin më të madh turistik të botës, shumica e simboleve është i lidhur me Gjergj Kastriotin. Nga që italianët kanë shumë kohë që nuk e dinë se mes shqiptarëve kanë patur një aleat të madh në luftën për mbrojtjen e lirisë dhe të identitetit të tyre, pronari, Fondacioni Anjeze, duke zotëruar godinën, e shndërroi atë në muze të makaronave. Po ta njihnin mirë nga afër jetën dhe veprën e shqiptarit të famshëm si edhe mikut më të madh që prej popujve të Ballkanit italianët kanë patur ndonjëherë, do ta bënin Muzeun e tyre të Makaronave në një godinë tjetër. Ose në pamundësi të një sipërmarrjeje të tillë dhe në pritje të një zgjidhjeje tjetër, hë për hë do të hapnin në të njëjtën ndërtesë edhe dy apo tre dhoma si Muze për Gjergj Kastriotin dhe kontributin e tij si mburojë e pakapërxyeshme për Italinë. Pak e vështirë të bëhej normale kjo bashkëjetese e Skenderbeut me makaronat, por kur shteti ynë me dekada të tëra që pas pavarësimit të tij nuk e ka parë të mundshme ta blejë pallatin, nuk ka përfundim tjetër më “të lumtur” për kryesimbolin tonë atdhetar veç që shpata e tij, siç tha një poet, të rrijë me fijet e makaronave.
Tani së fundi, vetëm pak ditë më parë, ka ndodhur një e papritur që duhet vlerësuar si e gëzueshme ose së paku si “interesante”. Fondacioni Anjeze kërkon ta shesë godinën. I gjithë Pallati Skanderbeg në zemër të Romës së mbushur njëzetë e katër orë për njëzetë e katër me turistë nga i gjithë globi, kushton rreth njëzetë milionë euro. Kjo pikë strategjike e përhapjes dhe e mbrojtjes së identitetit shqiptar e vendosur realisht në zemër të Romës, por në të vërtetë para syve të të gjithë botës, e vlen të blihet nga shqiptarët. Një fushatë e madhe mund të nisë kombëtarisht për grumbullimin e fondeve. Nismëtar mund të bëhen parlamentet e Tiranës apo të Prishtinës, lobe politikanësh, intelektualësh dhe bisnesmenësh nga të gjitha trojet shqipfolëse dhe nga e tërë diaspora.
I pari që ka deklaruar dëshirën se mund të kuntribuojë me pjesën e tij është pasardhësi Alesandro Kastriota Skanderbeg. Ai na shkruan se në rast të mosfunsklionimit të një blerjeje të të gjithë pallatit nga shqiptarët kudo ku gjenden, “familja ime është shumë e interesuar të blejë në porcion të vogël. Na duket një rast historik”.
Dhe vërtet është rast dhe fat historik. A do ta humbasim, si zakonisht?

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com