Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
PRILL 1944, DIPLOMATI SPECIAL DHIMITËR BERATI I SHKRUAN MINISTRIT TË JASHTËM BAHRI OMARI: QEVERIA JONË E KA HARRUAR KOSOVËN


(Publikuar në 15 nëntor 2019 në yllipolovina.com)

Udhëtim me mision kombëtar i Beratit në Prishtinë, në Mitrovicë dhe pastaj në Beograd. Disa shqiptarë të Kosovës po i dëbojnë familjet serbe duke i futur nëpër vagona trenash për kafshë. Po bëhet kontrabandë e madhe në kufi dhe po dëmtohen financat e shtetit tonë.

Vitet dhe dekadat e Shqipërisë tonë të shpallur të pavarur në 28 nëntor 1912 përbëjnë një histori mjaft origjinale, veç që ajo akoma nuk është rindërtuar e tërë, e lexueshme plotësisht prej vetë bashkëkombësve dhe të huajve. Kalimet e njëpasnjëshme të grupeve të ndryshme të pushtetit, të cilët e kanë kryer me duf personal ndërhyrjen politike në këtë histori, jo vetëm e kanë shtrembëruar pasqyrimin e saj real, por ajo që është më e kobshmja: kanë hapur gropa në të.
Mbase fjala më e afërt për ta shprehur këtë dukuri do të ishte “varre”.
Në një farë mënyre buzë këtyre gropave kanë vendosur ngjarje dhe individë që nuk përputheshin me të fuqishmit e kësaj apo asaj kohe, dhe këta monstra sundimi i kanë pushkatuar.
Mbase bëhet pasion i ndonjë kolegu krahasimi i pasqyrimit të pushkatuarve fizikë të shqiptarëve dhe ajo e “të vrarëve” nëpërmjet likujdimit historik, harrimit ose shpifjes mbi ta. Mund të dalë ky numër i fundit më i lartë.
Për të dëshmuar sadopak këtë ves dhe sa dëm është krijuar për vlerat tona, do të paraqesim para lexuesit të “Shqiptarja.com” një hollësi nga jeta e Dhimitër Beratit.
Fillimisht të mos harrojmë: Dhimitër Berati qe një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë si edhe drejtor i gazetës së qeverisë me në krye Ismail Qemalin: “Përlindja e Shqipniës”.
Ia kujtojmë këto virtute kombëtare sepse pas disa ditësh do ta gëzojmë këtë festë të shënuar, më të madhen që kemi.
Por ndërkohë këtë vit, 2019, po shkojmë edhe drejt 29 nëntorit, 75 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit fashistë italianë dhe nazigjermanët, ditë që kurorëzoi një luftë heroike për ruajtjen e sovranitetit territorial, por që për fat të keq më pas u shpërdor prej grupit të pushtetit me në rresht të parë Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, si edhe disa të tjerë komunistë stalinistë, për ta futur vendin në diktaturën tjetër, atë të “proletariatit”.
Për një gjysmë shekulli jeta dhe vepra e Dhimitër Beratit u çensurua dhe u nëm, u dëbua nga kontakti me opinionin publik dhe bresat e rinj të shqiptarëve. Pas rënies së këtij gjysmë shekulli shumë pamje të saj më në fund janë bërë publike, të gjykueshme, por në jo pak raste sërish veshur me mjegull propagande antikomuniste. Kjo e fundit nuk po krijon më pak se e shkuara bolshevike gropa në kujtesën kombëtare si edhe “të pushkatuar” të tjerë buzë saj që pastaj t’i mbulojë me baltë e dhe.

Nuk ishte vetëm politikan dhe gazetar, autor librash dhe me kulturë historiani, por edhe mjeshtër marrëdhëniesh ndërkombëtare

Po bëhet rregull i pashkruar që Dhimitër Berati të paraqitet në historinë tonë kombëtare si politikan dhe gazetar (“Academic Dictionaries and Encyclopedias”). Asnjë profil e dhunti tjetër mënçurie nuk ia spikatin.
Por kSKorçari Dhimitër Berati është një ndër diplomatët më të zotë e profesionistë shqiptarë.
Fare lehtë emri i tij mund të emërtonte një sallë apo mjedis tjetër pune apo ceremonish në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ose nën kujdesin e këtij institucioni për vlerën diplomatike të këtij misionari marrëdhëniesh ndërkombëtare të prodhohej një dokumentar e ai të shpërndahej i paketuar në DVD nëpër ambasada të huaja kolege në Tiranë apo në kryeqytete të shteteve të tjera, .
Sidoqoftë hyjmë në thelb të temës tonë. Me pak fjalë çfarë raportesh ka Dhimitër Berati me Shërbimin e Jashtëm Shqiptar?
Ai, i lindur në Korçë më 15 tetor 1886, studimet e larta i përfundoi në Bukuresht, në Fakultetin e Shkencave Politiko-Administrative si edhe në Fakultetin e Drejtësisë të Bukureshtit. Pas vitit 1907 u kthye në atdheun e vet dhe këtu punoi si mësues i gjuhës shqipe, madje deri edhe drejtor i shkollës së natës.
Roli i tij si diplomat nisi me qeverinë kombëtare të Ismail Qemalit, ku 26 vjeç u bë sekretar i dërgatës së tij diplomatik. Enciklopeditë e huaja por edhe mjediset e dijetarëve në Shqipëri, ia nxjerrin në reliev praninë dhe rolin në delegacionin tonë në Konferencën e Paqes në Paris, 1919. Në motet 1921 - 1922 nisi punën si këshilltar legate në Paris. Më 1922 qe sekretar i parë i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Më pas, deri më 1924, ishte në krye të Drejtorisë Politike të kësaj ministrie. Në periudhën 1924 - 1925 u caktua kryekonsull në Sofie dhe në 1926 iu rikthye detyrës së sekretarit të legatës. Në biografinë e tij të paraqitur nga enciklopedia online Wikipedia thuhet se Dhimitër Berati në vitet 1929 - 1932 u rikthye në krye të Drejtorisë Politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme, po ashtu më 1932-34 u sekretar i përgjithshëm i saj. Pasi në periudhën 1934 - 1936 u emërua ministër i Ekonomisë Kombëtare dhe zëvendësisht ministër i Arsimit, në motet 1936-37 u rikthye në postin e sekretarit të përgjithshëm i MPJ-së. Në vitet 1937 deri më 1939 qe ministër (drejtues diplomatik) i legatës së Shqipërisë në Romë.
Me qeverinë bashkëpunuese të fashistëve italianë ai fillimisht, duke nisur që nga viti 1940 punoi si anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, kurse në kabinetin e qeverisë së Mustafa Krujës u caktua ministër i Kulturës Popullore.
Me ardhjen e nazigjermanëve, pas një periudhe pezull më në fund u rikthye në profesionin e tij themelor: në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Këtu kreu detyra speciale, porosi dhe direktiva të vetë ministrit, kryesisht në Itali, mjedis që e njihte mjaft mirë. Këtë kohë edhe Shtabi i Përgjithshëm i Lëvizjes Nacionalçlirimtare pati ngritur në qytetin e Barit, pranë Shtabit Aleat, një përfaqësi të misionit të vet ushtarak dhe mes Kadri Hoxhës, që ishte drejtues i dërguar i nacionalçlirimtarëve dhe Dhimitër Beratit u përshkëndijuan ndonjëherë deri edhe tensione të forta kundërshtimi. Megjithatë përgjithësisht me misionin e caktuar prej komunistëve ai shkoi mirë. Një pjesë të parave që i kish dhënë Ministria e Jashtme dhe qeveria në Tiranë për të ndihmuar në Itali emigrantët shqiptarë shumë të vobektë, ai ia dorëzoi Kadri Hoxhës.
Ky i përdori për të propaganduar Enver Hoxhën dhe qeverinë e tij të dalë nga kongresi i Përmetit.
Dhimitër Berati sigurisht qe një nga ata që nuk e besoi se po të rikthehej në Tiranën e PKSH-së do të kishte punë e fat profesional. Nuk gaboi. Qëndroi në Romë dhe atje deri sa ndërroi jetë e gjen kudo, sidomos tek arbëreshët. Plot dinjitet e ka lënë gjurmën e tij, dy vite para ikjes nga kjo jetë, në ceremonitë e mëdha të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut.

Qeveria jonë nuk po mendon më për kosovarët

Pikërisht i kësaj periudhe është ky dokument që po ju paraqitim dhe i cili ndodhet në arkivin e Ministrisë sonë të Jashtme në Tiranë.
Daton 14 prill 1944.
Autor ka Dhimitër Beratin, si vendnisjeje Beogradin.
I drejtohet ministrit të Punëve të Jashtme Bahri Omari.
Në rreshtat e para të saj i thotë shefit të vet, “Shkëlqesës Bahri Omari”, se në 12 prill, dy ditë më përpara, kishte “arritur mirë në Belgrad, së bashku me të gjithë shokët. Kur them mirë kuptoj se arrimë pa dam, por jo pa ndonjë ngjarje të papritun”.
E vijon Dhimitër Berati raportin e tij informativ: “Në rrugën e Shkodrës, hasëm në një çetë t’armatosun, e cila pa dyshim nuk kishte qëllime të mira. Kur panë se kishim një kamjon me gjindarë (se udhëtuam bashkë me Bajazid Buletinin) atëhere në vend t’atakojnë, e gjetën me vend të na sigurojnë se kishin dalë roje. Ndofta nuk bëri mirë Bajaziti që nuk i ngarkoi të gjithë në kamion, t’i çonte në Shkodër dhe atje, në vërtetohej faji, t’u kishin dhënë komitëve apo hajdutëve një dënim shëmbëllor. Vaj hallit po të pritet edhe rruga e Shkodrës, ajo që lidh kryeqytetin me Kosovën. Nuk do t’ishte mirë të kalonte, në dy a tri dit një herë, një kamjon me xhindarë për të kontrolluar rrugën, natën?”
Duke e vazhduar raportimin e tij diplomati i vjetër Berati i thotë shefit të tij se tek udhëtonin midis Rashkës dhe Kraljevës jua mitraluan trenin një apo disa çeta, për pasojë u vra një ushtar që ndodhej në tren, një tjetër u plagos rëndë dhe një tretë lehtë.
Saktëson se treni, me të cilin po udhëtonin, ishte ushtarak. Patjetër nën komandën e gjermanëve.
Qëndruan një ditë në Prishtinë, shkruan më tej Dhimitër Berati, dhe prej andej shkuan në Mitrovicë për ta vizituar këtë qytet.
Mirëpo atje, e informon Bahri Omarin, gjendja për nga pikëpamja kombëtare i kishte gëzuar, sepse patën vënë re që “shkrimet e firmave shqiptare janë të shkruara shqip, ka shoqëri të rinjsh për mirëbërje, autoritetet janë shqiptarë, prefekti dhe kryetari i bashkisë, gjindarët janë shqiptarë për 75 përqind”.
Ja edhe fragmenti më interesant i raportimit të diplomatit profesionist: “Nga ana tjetër konstatova me hidhërim se ata q’ë përfaqësojnë atje shqiptarizmën zyrtarisht, dyken si të mjeruar nga fakti se nuk shohin ndonji interesim inkurajues për fatin e tyre, nga ana e Shqipëris së vjetër. I këputet zemra njeriut kur mendon se ky vend kaq i bukur, po thuaj se krejtësisht shqiptar, jo vetëm se gjendet i veçuar politikisht, nga trupi i Shqipërisë, por edhe i haruar njëfarësoj nga Shteti e nga Qeverija Shqiptare.
Por mund të pyesë ndokush: po ç’mund të bajë Qeverija Shqiptare? Shumë mund ta bajë, them unë, vetëm se duhet ndjenjë e pasion. Kombi asht komb kur të gjithë pjesët e tij të ndihen të lidhura me njëra-tjetrën. Kur njëra pjesë vuan, pjesëpt e tjera duhet ta kuptojnë vuajtjen e asaj dhe kur nuk e kuptojnë domethanë se trupi kombëtar kur e posedon ndërgjegjen e ndjenjës së vetvetes”.
E plotëson më pas kritikën e tij të rreptë Dhimitër Berati: “Mbi këto punë i shkrojta edhe Rexhep Beut një letrë nga Prishtina. E theksoj n’ atë letrë nevojën, sidomos, të interesimit qeveritar për Mitrovicën, nevojën e ndihmës morale ma fort se t’asaj materiale. Se qysh mund të shprehet ky interesim, janë shumë mënyra. N’arkivën e Ministrisë së Kulturës ka një projekt që pata hartuar unë, kur isha në krye të atij dikasteri”.
(Rexhep beu ishte kryeministri Rexhep Mitrovica).
Të mos harrojmë se anëtarët e qeverisë Mitrovica si edhe tërë të tjerët që bashkëpunuan me pushtuesit fashistë italianë dhe nazistët gjermanë e kishin flamur të propagandës së tyre jo vetëm çështjen e çlirimit të Kosovës dhe të bashkimit të trojeve të saj me shtetin amë, por edhe zhvillimin ekonomik të këtij territori kombëtar.
Në fund të fundit, sipas udhëheqjes së Ballit Kombëtar, e cila në kabinetin Mitrovica pati lejuar të merrnin pjesë edhe tre anëtarë të vet, marrëveshja e Mukjes me Lëvizjen Nacionalçlirimtare qe prishur pikërisht sepse, sipas tyre, përfaqësuesit komunistë nuk qenë të dëshiruar për shpëtimin e Kosovës.

Shqiptarët e Kosovës po i dëbojnë serbët duke i hipur në trena për transport kafshësh

Në pikën 2 të raportit Dhimitër Berati shkruan këtë mrekulli inteligjence diplomatike, por edhe shpirti demokratik për një Ballkan të patrazuar nga shovinizmi dhe urrejtja etnike, qofshin këta edhe bashkëkombës të tij.
“Një tjetër çështje me rëndësi më duket ajo e ikjes s’elementit serb nga Kosova. Nuk asht dëm se ikin, por mënyra se qysh ikin. Në Lipjan pash me sytë e mij qysh ngarkoheshin në trenin me vagona kafshësh. U informuash pranë Shqiptarëvet të vendit mbi këtë eksod. U çudita kur dëgjova se shumë kush e dezaprovonu duke menduar pasojat që munt të ketë. Asht e vërtetë se këta njerëz, domethënë elementi i huaj, mund të jetë i rrezikshëm nga prapa, në rast konflikti. Por asht akoma ma e sigurt se këta njerëz janë duke u organizuar qysh tash me të gjitha mënyrat, kundër elementit shqipëtar, kudo që ndodhet. Më thosh dikush se çuditet me veprimin e atij që fillon nga ndryshimet e ndërtesës të cilës akoma nuk ia ka marrë tapinë. Nuk duket ky, një mendim i kotë”.
Në vijim: “Këtu në Belgrad ikja e serbëve nga Kosova ka bërë përshtypje të thellë. Shumë nga të ikurit, dërgohen në Mitrovicë, në Vuçitern e në Sanxhak, ku mbajnë një qëndrim fare agresiv kundrejt shqipëtarëve. Mezi presin çastin që të mund të shdëfrojnë. Duhet me e pasë parasysh edhe këtë aspekt të çashtjes. Ata q’e kanë barrën e përgjegjësisë, asht mirë t’i peshojnë e gjykojnë me gjakftohtësi të gjitha aspektet e çashtjes, se nuk asht me doemos gjë e dobishme për nesër çdogja që duket e këshillueshme sot”.

Luftë kundër kontrabandës në kufi, krim i kryer në trojet tona

Në pikën 3 diplomati mjeshtëror Dhimitër Berati i shkruan ministrit Bahri Omari se “Kontrabanda po vlon në kufi të Kosovës, sa fort e ma fort. Sheqer, shkrepsa, duhan, cingare, manifakturë, ç’të duash. Këto ditë arritën katër vagona duhan kontrabandë nga Shqipëria në Bullgari. Për këtë gja më siguruan këtu në Belgrad. Shkrepcat e cingarevet e Bullgarisë të hyrë kontrabandë, po shiten lirisht në tërë Kosovën, tash filloi shitja edhe në Shkodër, dhe natyrisht, do të përhapet edhe nëpër viset e tjera të Shqipëris së vjetër. Dëmi për financën nuk asht i pakët cdhe do të shtohet dita ditës. Por nuk mjaftojnë vetëm sendet e monopolizueme. Në Serbi po hyn mjaft manifakturë nga Shqipërija. Mbi të gjitha këto sende e mbi të tjera desha të flas me ministrin Neubacher. Për fat të keq ai u nis dje e nuk munda t’a pjek. Do të flas me Z. Gestetenbauer. Ky i fundit do të niset për në Shqipëri më 17 të këtij muaji. Si duket, këtej vijnë shumë napolona nga Shqipëria. Ndryshimi i kursit tërheq, sepse napoloni blihet në Shqipëri me 24 a 25 napolona kartë që bajnë 23.000 dinar dhe shitet me 27.000 a 28.000 dinarë. Do të ishte mëkat i madh të na ikin edhe ato të paka napolona që kanë derdhur gjermanët në Shqipëri”.
Ky është momenti kur gjashtë ditë më pas nga çasti kur kërkon të luftohet kontrabanda në kufi dhe për këtë pati kërkuar edhe ndihmën e të Ngarkuarit të Plotfuqishëm të Hitlerit në Ballkanin Jugor, Herman Neubacher, në 20 prill, konsulli i përgjithshëm gjerman në Tiranë, Martin Schliep, i dërgoi Ministrisë së Jashtme në Berlin dhe në Beograd Herman Neubacherit një telegram me numër 241. Që në fjalët e para të tij thoshte: “Tirana dhe qytete të tjera të Shqipërisë së mesme janë pa bukë. Misri dhe rezerva të tjera ushqimore janë harxhuar në të gjithë territorin e Shqipërisë së vjetër. Në Shqipërinë e jugut uria ka marrë përpjestime të mëdha, përveç kësaj pa ushqime janë edhe krahina të çliruara me anën e operacioneve ushtarake, kështu që të ikurit kryesorë shkojnë në qytete të Shqipërisë së mesme, ku edhe atje është e njëjta situatë dhe nuk do të ndihmohen dot”.
Atëherë, duke e mbyllur këtë shkrim, mund ta pyesim lexuesin, duke shpresuar një përgjigje pozitive: A ishte apo jo patriot i sinqertë Dhimitër Berati, edhe pse qe një pjesës e qeverisë nën pushtimin gjerman?

Ylli Polovina

Tiranë, më 7 nëntor 2019


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com