Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

GOGOLI I “TËRMETIT TË DURRËSIT”
A MUND TË KETË NJË TËRMET TË TRETË?
ÇFARË NDODHI NË 28 DHE 29 NËNTOR 1945
PRILL 1944, QEVERIA E REXHEP MITROVICËS KËRKON NGA NAZIGJERMANËT NJË FURNIZIM TË MADH USHTARAK PËR TË LUFTUAR LËVIZJEN NACIONAL-ÇLIRIMTARE
1977, RADIOTELEVIZIONI ITALIAN BOTON ANTOLOGJINË E POEZISË SHQIPE, POR NË PROMOVIM A DO TË VIJNË TË DËRGUAR NGA TIRANA?
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

ISMAIL KADARE, KY ÇLIRONJËS I KOSOVËS


Pjesa e parë

(Botuar në “Illyria” në 1 nëntor 2019)

Fundshtatori 1998, duke mbartur dhe tërhequr pas vetes, si një gjyle e rëndë lidhur në këmbë, vrasjen brenda një dyzine ditesh, të deputetit të Partisë Demokratike Azem Hajdari dhe të komandantit të FARK, Forcave të Armatosure të Kosovës, Ahmet Krasniqi, armatë kjo e prirë nga njerëzit pranë Ibrahim Rugovës, ndërkohë në mes tyre një sulm djegieje dhe më pas pushtimi i selisë së Kryeministrisë, të Radiotelevizionit Shqiptar po ashtu, përfunduar e tëra kjo me dorëheqjen e pakthyeshme të socialistit Fatos Nano, do ta shkaktonte plot sukses të hidhur shvendosjen e vëmendjes ndërkombëtare të ngjarjeve nga Kosova në Shqipëri.
Ndoshta kjo shkapërderdhje do t’i shkonte deri në fund ligësisë së saj sikur të mos kishte një këmbëngulje kokëfortë të administratës së Shtëpisë së Bardhë për ta rikthyer vëmendjen e aksionit politik, diplomatik e mbi të gjitha ushtarak, tek çështja e Kosovës, çlirimi i saj nga grushti brutal me të cilin e godiste Sllobodan Millosheviçi si edhe e tërë struktura mbështetëse e tij arrogante e shovene serbe.
Gjer në fundmars 1999, kur NATO do të niste sulmet e saj ajrore ndaj aparatit përdhunës millosheviçian, për ta devijuar sërish e sëridh këtë kahje do të kishte edhe ndërhyrje të tjera, për opinionin publik italian do të shpikeshin gjithfarë ngjarjesh, deri edhe grupe diversioniste banditësh shqiptarë që do të destabilizonin vendin fqinj, por këto ne do t’i anashkalojmë.
Do të ndjekim një shteg tjetër të rrëfimit të luftës, kryer dy dekada më parë, për çlirimin e Kosovës.
Kjo udhë tjetër është e mundësuar prej një dëshmie mjaft të veçantë, të cilën do t’ja paraqisim lexuesit të plotësuar me mjaft hollësi që tek autori i këtyre rradhëve kanë lënë mbresë, madje herë pas here edhe të jashtzakonshme.
Sepse në qendër është shkrimtari Ismail Kadare.
Në Romë, ku ato vite bashkë me kolegë të mi po kryeja detyrën e diplomatit në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë pranë shtetit italian, Kadare jo vetëm do të qe një protagonist i hovshëm me artikujt dhe intervistat e tij vetëtitëse, gjëmimtare, rrufelëshuese, por edhe me praninë fizike.
Në maj 1999 ai do të ndodhej në Romë, për të marrë një çmim letrar, plot gjashtë ditë.
Gjithnjë sipas autorit të këtyre rradhëve, ato nuk qenë gjashtë ditë rutinë, thjesht ceremoniale, me efekt ndonjë lajm të shpërndarë, siç është rregull në të shumtën e këtyre rasteve, nëpër gjymtyrët kulturore të gazetave, por drejt për së drejti në faqet e para.
Kjo ndodhi sepse qenë gjashtë ditë historike.
E meritojnë këtë status, ja edhe përse po e rikujtoj për lexuesin në një cikël të posaçëm.
Nuk ua jepte vlerën historike, këtë cilësi shkëlqimtare për t’i rezistuar brerjes së kohës dhe forcës së saj përbindëshe fikëse ndaj shumicës së bëmave shoqërore dhe të emrave të individëve, lufta e shenjtë e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës, por edhe vetë fuqia titanike e fjalës dhe e mendimit polemist të Ismail Kadaresë.
Do të përpiqemi ta provojmë këtë që po themi, nëpër pjesët në vijim të dy dyzinave të pritshme me shkrime, të cilët do të kenë nevojë të shtrihen edhe nëpër disa nga muajt e parë të vitit 2020.
Qenë ditë shungulluese ato të gjashta, e përsëris dhe këmbëngul. Për mua, njëri prej atyre që i përjetoi ato nga afër dhe ua raportoi eprorëve të vet jo vetëm në Ambasadë, por sidomos atyre në Tiranë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, madje herë pas here edhe vetë Kryeministrisë, ato ditë gjëmuan në tokë dhe në qiell jo më pak se bombardimet e avionëve të NATO-s.
Jo vetëm në ato gjashtë njëzetë e katër orëshe të motit 1999, por edhe për shumë vite më parë Kadare mbi çështjen e ndalimit të dhunës serbe mbi popullin kosovar qe shprehur vendosmërisht në shtypin italian me tema dhe subjekte të fortë. I pari i regjistruar në kujtesën e shkruar të gadishullit Apenin daton 24 prill 1987, kryer në gazetën “La Stampa”. Kjo e përditshme me tirazhin e lartë ditor të mbi një gjysmë milioni kopjesh, ka qenë streha e përhershme e palëkundshme e promovimit të veprës dhe ideve të tij.
Në 24 prill kjo e përditshme e famshme botoi një shkrim të gjatë, ku fillimisht i bënte një pasqyrë rrezëllitëse botimeve kaderiane. Ishte “reklama” më e plotë e veprës së tij letrare kryer deri ato çaste për vendasit, popull mjaft i apasionuar pas kulturës. Thoshte konkretisht artikulli: “Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është tashmë i njohur në Itali, ku kanë dalë tre nga librat e tij, ndërsa në Francë ka botuar një dhjetëshe të tyre...I lidhur thellësisht me historinë e vendit të vet, Kadare, i cili ka evokuar shumë herë periudhat më kyçe - bëmat e Skënderbeut tek “Daullet e shiut” (Shtëpia Botuese Longanesi), lufta kundër fashistëve dhe nazistëve “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (Longanesi) dhe po ashtu “Kronikë e qytetit të gurtë”, më pas shkëputjen e Shqipërisë prej Bashkimit Sovjetik tek “Dimri i madh”. Ai ka botuar në Francë edhe “Muzgu i perëndive të stepës”, i cili libër ka po të njëjtën temë të prishjes shqiptaro-sovjetike...”
Pasi shkrimi i 24 prillit 1987 në “La Stampa” do të merrej me promovimin e botimit të ri të Kadaresë publikuar së fundi në Paris “Viti i zi” (“L\'année noire”), në pjesën përmbyllëse të tij, me sa duket duke iu referuar novelës “Koha e Shkrimeve”, theksonte se edhe kjo vepër kaderiane “qe frymëzuar prej një teme historike” dhe se në të bëhej fjalë për “kryengritjet irredentiste të shpërthyera në Kosovë në pranverën e vitit 1981”.
Sipas artikullit promovues, “në këtë libër shpaloset hapët tensioni shumë i lartë i konfliktit midis shqiptarëve që kërkojnë statusin e republikës dhe komunistëve jugosllavë. Këta të fundit mendojnë se kjo kërkesë përbën një kundërrevolucion me pasoja katastrofike për Jugosllavinë. Slogani “Kosova-Republikë” nuk paraqet gjë tjetër veç shkëputjen e kësaj province dhe bashkimin e saj me Shqipërinë. Mbretëron një klimë dyshimi gjatë tërë kohës kur funksionarë shtetërorë pyetin pambarimisht kryekirurgen Teuta Shkreli se si ishte e mundur që në repartin e saj qenë shtuar shtretërit pikërisht në 1 prill, pak çaste para se të nisnin demonstratat. Funksionarët donin të dinin se cili prej punonjësve të saj kishte thirrur ambulancat e ku qe zhdukur më pas. Pyetnin po ashtu me mjaft këmbëngulje ku qe fshehur fletorja e regjistrimeve të të shtruarve në atë repart kirurgjie të spitalit të Prishtinës.
Por këto akuza u hodhën poshtë nga doktoresha, e cila e ndjen veten në një atmosferë armiqësore. Në libër shkruhet për shtetrrethimin, urdhrin që netëve portat e shtëpive nuk duheshin mbajtur mbyllur, urrejtja që zjen në popull, për Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, ku në bulevardin e të cilës mbrëmjeve shqiptarët dhe serbët shëtisin sicili nëpër anën e vet të trotuarit. Në këtë libër ka të tillë si Martin Shkreli, profesor i letërsisë shqiptare të mesjetës, i cili shpreson në një pajtim dhe i bindur se populli më i zhvilluar dhe aspak më i fajshmi duhet të jetë i pari që të falë. Ai shkon sipas një mendimi të epopeve antike se qoftë edhe një martesë midis një serbi edhe një shqiptareje apo e anasjella mund t’i bashkojë ata si popuj. Por një ankth i rëndë rri sipër këtyre bashkimeve familjare: karvani i të fejuarit nuk do ta mbërrijë kurrë shtëpinë e nuses...Zanat sllave apo shqiptare i ngrijnë tërë krushqit...”
Vijon më tej shkrimi i “La Stampa”, 24 prill 1987: “Ndërkaq Martin Shkreli merr vesh se një student i tij shqiptar, i fejuar me një vajzë sërbe, është vrarë nga policia gjatë demostratave...”.
Pastaj, sipas “La Stampa”,: “Kjo provon talentin mjaft tërheqës të Ismail Kadaresë, i cili e ka karakteristikë të dhuntisë së tij letrare pleksjen e legjendave të vjetra me ngjarjet më dramatike të ditës. Urojmë që vepra të tjera të tij të përkthehen...”
Duhet ta vë në dijeni lexuesin se gjurmët e para dokumentare të kontakteve të Kadaresë me lexuesit italianë i kam gjetur në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë të datuara në 1 korrik 1976. Në një radiogram të koduar të ambasadorit shqiptar në Romë, Pirro Koçi, me numrin 815, drejtuar kryetarit të Komitetit Shqiptar për Marrëdhëniet Kulturore me Jashtë, Javer Malo, ai shkruan: “Dallongaro mendon të vijë aty nga mesi i shtatorit. Premtoi se do të shkruajë në mënyrë objektive në revistat “Il settimanale” dhe “Igente” e “Relazioni internazionali” dhe mund të bëjë edhe një koment në programin e dytë “Radio Roma”. Çështjet përse interesohet do të na dorëzojë më parë me shkrim. Me që ka treguar interes për letërsinë tonë, e pyeta në se mund të marrë përsipër botimin e një vepre. Më tha se i ka pëlqyer shumë “Kështjella” e Kadaresë dhe se do të bëjë çmos për t’u botuar nga Ruskani. Shtëpia botonjëse Mondafori ka botuar këto ditë një libër të Rafaelo Ubaldit. Mendojmë që nëpërmjet tij të tentojmë botimin e ndonjë vepre letrare. A mund të na dërgoni një kopje përkthimit romanit “Njeriu me top”.
Ky radiogram për faj të deshifruesit, zakonisht punonjës pa ndonjë arsimim të mjaftueshëm, në tekst përmban disa pasaktësi të rënda në formulimin e emrave të njerësve apo të titujve të revistave e ndonjë shtëpie botuese.
Megjithatë rëndësi ka ajo që duam të spikatim me këtë prove dokumentare: në Itali ngasja për të botuar një vepër të parë të Ismail Kadaresë nuk ka mbërritur fillimisht prej zyrave të Tiranës, siò ngjau, për shembull, në Francë, por prej një miku italian të Shqipërisë. Ishte zgjedhja krejtësisht e tij romani “Kështjella”.
Ndërkohë, pasi bëmë këtë depërtim të shpejtë në thellësinë mbi dy dekatëshe para luftës së Kosovës, do të rikthehemi në një fakt tjetër me shumë rëndësi. Ai daton 29 tetor 1998. Është një intervistë e Kadaresë.
Shtatë muaj para fillimit të bombardimeve të NATO-s qëndrimi i shkrimtarit të njohur, mes shqiptarëve dhe tërë elitës së tyre, qe më i përputhshmi me ato të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. I tillë vazhdoi deri në fund, çfarë ra edhe më fort në sy kur në maj 1999 erdhi në Romë e njëkohësisht në kryeqytetin italian ndodhej presidenti e lideri i Kosovës Ibrahim Rugova.
Përballë veprimeve pacifiste të këtij të fundit shkrimtari Kadare do të spikaste edhe më shumë si një ndër kushtruesit më aktivë e më të mëdhenj për luftë çlirimtare kundër brutalitetit të qarqeve shoviniste sërbe.
Këto çaste, sç do të shohim më hollësisht shkrim pas shkrimi, ai u shndërrua edhe vetë në një çlironjës të shquar të Kosovës. E realizuar me penë sigurisht, por pikërisht kjo e bënte Rilindas të spikatur të të gjithë shekullit.
Në 29 tetor 1998 \"La Stampa” publikoi një intervistë të gazetarit Aldo Kaxulo (Aldo Cazzullo) me Kadarenë. Titullohej \"Është e drejtë të përdoret forca ndaj tregëtarëve të mishit njerëzor\".
Kaxulo vetë qe edhe ai një shkrimtar temash historike dhe shoqërore. Tani në biografinë e tij krijuese ka njëzetë libra, një pjesë prej tyre ka mbërritur tirazhin e njëqind mijë kopjeve, por kur ndodhi biseda me Ismail Kadarenë pati publikuar vetëm “Dhimbja e Francës” (1996), “Zoti i Lindjes” (1996), “Djemtë e rrugës Po, 1950-1961” (1997) dhe “Djemtë që donin të bënin revolucionin, 1968-1978” (1998).
Në intervistën e 29 tetorit Kaxulo, i shkuar posaçërisht në Paris, i bënte Kadaresë gjashtë pyetje. Do t’ja bëjmë të ditur lexuesit të gjashtë përgjigjet e tij, por po e fillojmë nga e pesta.
Kur Aldo Kaxulo, për të dëgjuar opinionin e shkrimtarit, iu drejtua me fjalët shumë ngulmuese “Dhe Shqipëria? Një vit më parë ju u bëtë thirrje bashkatdhetarëve tuaj nga \"Zëri i Amerikës\" për rindërtimin kombëtar. Ju shqetëson ajo që ndodhi më pas?\", përgjigja që mori për trazirat e dhunshme të shtatorit 1998 ishte kjo: \"Nuk i kursej shigjetat ndaj vendit tim. Ngul këmbë që marrëdhëniet mes qeverisë dhe opozitës të bëhen dialektikisht demokratike dhe jo si kanë qënë deri tani, një luftë pa parime. Tani Tirana është më e qetë. Pres që klasa politike ta bëjë këtë gjë\".
Ndërkohë, duke mbërritur deri tek e pesta pyetje dhe përgjigje, qenë realizuar katër të tjera. Pyetja e parë e Aldo Kaxulos qe: “Ju i keni kushtuar një roman, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, pasojave të sulmit fashist të prillit 1939. Tani trupat italiane i janë rikthyer rrugës për në Shqipëri”.
Përgjigja e Kadaresë: “Rrezik fashist ka edhe tani në Ballkan, por ai nuk udhëton mbi anijet italiane, por me armatën ushtarake të Millosheviçit. Kundër barbarive serbe në Kosovë dhe atyre të tregtisë së mishit njerëzor nëpërmjet trafikut të klandestinëve nëpër Adriatik, është e drejtë të përdoret forca”.
Kaxulo: “Tashmë është flota jonë që ka kapërcyer Adriatikun dhe ka shkuar për t’u vendosur në brigjet dhe portet shqiptare. Me të vërtetë ushtari italian nuk e tremb dhe as e bezdis qytetarin shqiptar?”
Ismail Kadare: “Edhe pse ka një të shkuar historike me zbarkime pushtuese, kjo e sotmja nuk e shqetëson shqiptarin. Madje edhe në kohën e zaptimit fashist populli im nuk ka shprehur kurrë urrejtje dhe mëri ndaj popullit tuaj. Kemi mundur përherë të bëjmë dallimin midis egërsisë së Batalionit Blu, operacioneve ndëshkimre ndaj partizanëve, ndjekësve të tyre për çfarë flas edhe në romanin tim, dhe humanizmin të trupave italiane. Jemi të ndërgjegjshëm që ishim viktima të një mekanizmi shtypës, prej të cilit vuajtët edhe ju. Gjatë pushtimit ndodhën episode egërsie e masakrash, por edhe të tillë që dëshmonin miqësinë mes dy popujve. Këtë pamje të gjërave e kam pasqyruar në librin tim, sidomos kur kam përshkruar gjendjen pas 8 shtatorit (1943), kur shumë shqiptarë kanë marrë në mbrojtje dhe ndihmuar ushtarët tuaj. Misioni juaj Alba ka pasur në Shqipëri një jehonë të madhe shumë të favorshme dhe personalisht mendoj se ai ka kontribuar mjaft për të shpëtuar vendin tonë nga anarkia. Shkoj rregullisht në Shqipëri, ku jetojnë prindërit e mi dhe kam një shtëpi në Tiranë dhe një tjetër në Gjirokastër. Komentet që kam dëgjuar për praninë ushtarake italiane kanë qenë të gjitha pozitive”.
Pyetja e tretë e gazetarit Aldo Kaxulo qe: “E megjithatë të dy popujt duket sikur janë të dënuar të mos kuptohen mes njeri-tjetrit. Në librin tuaj tregohet për revoltën e banorëve të Gjirokastrës kundër shtëpive publike të hapura në Shqipëri prej italianëve”.
Ismail Kadare iu përgjigj: “Dhe tani janë italianët që po rebelohen kundër invazionit që po ju bëjnë prostitutat shqiptare. Kjo është e vërtetë. Por mua më pëlqen që Roma e merr me zemër mbrojtjen e fatit tonë. Dhe klandestinët shqiptarë janë viktimat e para të trafikantëve të Adriatikut. Duhet goditur dhe prerë mes për mes ngjitja e fortë mes mafies shqiptare dhe asaj italiane. Ndihem mirë kur mësoj se plani i ndërhyrjes i kërkuar nga kryeministri i ri juaji, Masimo D’Alema, do të harmonizohet me kryeministrin e ri shqiptar Pandeli Majko. Sa mirë do të qe sikur edhe Evropa të vepronte me kaq gatishmëri dhe shpejtësi kundër agresionit serb ndaj shqiptarëve në Kosovë”.
E pyet sërish Aldo Kaxulo: “E konsideroni të papërshtatshëm rolin e luajtur nga Roma në Bruksel për Kosovën?”
Përgjigja e Ismail Kadaresë: “U trishtova kur lexova se Italia ka mëdyshuar për një kohë të gjatë në marrjen e vendimit për t’i vënë bazat e saj në dispozicion të bombarduesve të NATO-s, kjo edhe për shkak të lidhjeve tuaja ekonomike me Beogradin. Duhet ta kishit marrë parasysh se pjesa më e madhe e klandestinëve që zbarkojnë në brigjet tuaja vijnë nga Kosova dhe se atje, në këtë vend, jo vetëm janë barazuar por edhe tejkaluar tmerret e kryera në Bosnjë. Pikërisht sot kam lexuar në “Le Monde” për masakra mesjetare, koka të prera, sy të nxjerrë, fëmijë të masakruar. Nuk e di nëse ju përtej Adriatikut e keni vlerësuar plotësisht përmasën e kësaj tragjedie.
Kaxulo: “Po thoni se Evropa ka qenë tepër besuese ndaj Millosheviçit?”
Ismail Kadare: “Jo të gjithë, druaj, janë të vetëdijshëm që ka shpërthyer një kolerë ballkanike. Kjo është një e keqe ngjitëse, një përzjerje midis fashizmit, stalinizmit, fondamentalizmit fetar ortodoks dhe mizori prej shekujsh të errët. Dhe nxitësit e saj ndodhen në Beograd. Një dehje e madhe e ushqyer nga propaganda dhe prej një ushtrie kriminale, të cilën maturia e Perëndimit duket se nuk është e përshtatshme ta kundërshtojë. Tanimë bisedimet dhe kanosjet kanë bërë që serbët të tërhiqen, por do të dëshiroja që kjo të mos shërbente vetëm për të qetësuar ndërgjegjen tuaj. Sukseset diplomatike nuk mjaftojnë. Nuk ka paqtim pa dënim të Millosheviçit. Si mund të bëjmë dialog me një kriminel, mbi të gjitha edhe mashtrues? Serbët përherë kanë gënjyer dhe kanë përfituar prej tyre. Për ta mashtrimi është sinonim i inteligjencës”.
Ja edhe pyetja e fundit e Aldo Kaxulos, e gjashta: “A nuk po mendoni ta lini shtëpinë tuaj në Paris dhe të ktheheni në vendin tuaj?”
Në 29 tetor 1998 Kadareja ktheu këtë përgjigje: “Të shtunën nisem për në vendin tim. Por jeta atje është ende shumë e turbulluar, e paqetë. Këtu shkruhet më mirë”.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 30 tetor 2019



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com