Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

VJESHTË 1978, FRANCË: 4000 KOPJE “DIMRI I MADH” U SHITËN, PO SHTYPEN EDHE 3000 TË TJERA.
1967, MEHMET SHEHU KANCELARIT AUSTRIAK JOSEF KLAUS: NA JEPNI PËRGJITHNJË PËRKRENAREN DHE DY SHPATAT E SKËNDERBEUT!
ALARM NË TIRANË, NË FRANCË PO SABOTOHET XHIRIMI I FILMIT “GJENERALI I USHTRISË SË VDEKUR”
NEXHMIJE HOXHA NUK IA DEL DOT TA BËJË AGJENT TË HUAJ MEHMET SHEHUN
MISIONI I MADH KOMBËTAR I PRODHIMIT NË PERËNDIM TË FILMIT “GJENERALI I USHTRISË SË VDEKUR”
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

MIKE E PAHARRUAR E SHQIPËRISË, XHOJS LUSU SALVADORI, A MOS JE EDHE ARBËRESHE?


Pjesa e pestë e ciklit

(Botuar në “Illyria” në 18 dhjetor 2019)

Në 3 nëntor 1977, siç ju rrëfyem në shkrimin e herës së shkuar, në një nga libraritë e mëdha të Italisë u zhvillua debati mbi poezinë shqiptare. Ai ishte njëkohësisht promovim i librit të dytë të Xhojs Lusu (Joyce Lussu) për këtë poezi.
Botimin e parë Lusu e pati kryer në 1969. Titulli i tij qe “Tre poetë në Shqipërinë e sotme: Migjeni, Siliqi, Kadare”.
Ballinën e këtij libri ua paraqitëm javën që kaloi. Këtë herë do t’ju prezantojmë ballinën e botimit të motit 1977, i cili nuk ka të cituar në të ndonjë prej emrave të 8 poetëve shqiptarë të përfshirë, që të gjithë përfaqësues të realizmit socialist.
Për ta bërë të qartë për çdo lexues këtë karaktetistikë në ballinë hapësirën masive të saj e zë silueta e një shqiponje me mbi dy kokat të yllit të kuq të pushtetit që erdhi në Tiranë pas Luftës së Dytë Botërore.
Në atë debat, siç thotë ambasada, të mbajtur në një nga libraritë më të mëdha italiane, por pa e saktësuar vendndodhjen (ajo mund të jetë në qytetin e Torinos) pati folur anëtari i Partisë Komuniste Italiane Xhuliano Manakorda (Giuliano Manacorda), vëllai i të cilit, raporton ambasada, “qe anëtar i KQ të kësaj partie”.
Po ashtu, përveç Lusu, ishte i pranishëm edhe Arturo Foski, drejtues i Shoqatës Itali-Shqipëri. Ky pati marrë me vete edhe afro dhjetë anëtarë të kësaj shoqate.
Nga ambasada shqiptare në Romë në këtë ngjarje të madhe, siç shefi i saj Pirro Koçi njoftonte Tiranën, shënohej se asnjë punonjës nuk kishte marrë pjesë. Këtë e shpjegonin me logjikën: “Nuk kishim dijeni për aktivitetin”.
Ndërkohë e sqaronin qendrën se “debati ishte zhvilluar normalisht dhe në mënyrë pozitive për letërsinë shqiptare”.
Mbetet e nevojshme të qëndrojmë disi më shumë në këtë ngjarje të fillim nëntorit 1977, sepse tërë aksioni i përgatitjes dhe i botimit të kësaj antologjie me tetë autorë, mes të cilëve edhe Kadare e Agolli, është kryer prej miqsh ideologjikë të ambasadës sonë të asaj kohe.
Apo organizuesit e publikimit dhe të promovimit të saj qenë më së pari miq të Shqipërisë, dashamirë të saj dhe të popullit tonë, i cili në Itali, ndryshe nga Franca apo Gjermania, Britania e Madhe apo Spanja, kishin të bashkëjetuar në historinë e tyre kombëtare edhe kontributin e arbëreshëve.
Arsyetojmë kështu sepse kjo sipërmarrje nuk përbën një faktor të papërfillshëm në miqësimin mes dy popujve dhe vendeve. Aq i rëndësishëm qe ai ato dekada të para të rënies së komunizmit saqë ndihmoi mjaft në popullarizimin dhe mbështetjen e veprës promovuese të Ernest Koliqit.
Ky ishte shtylla kryesore e një grehine tjetër (ideologjike antikomuniste). Saktësisht në të njëjtin mot me “Tre poetë shqiptarë: Migjeni, Siliqi, Kadare”, 1969, Koliqi pati publikuar në Milano “Antologjia e lirikës shqiptare”.
Në krahun marksist, nëpërmjet edhe rolit të ambasadës shqiptare në Romë, tre pjesëmarrësit kryesorë që u shfaqën në debatin pozitiv për letërsinë tonë, veçanërisht të asaj të pas luftës, nuk ishin militantë të thjeshtë dhe as bolxhevikë të rëndomtë.
Qenë të majtë relativisht të moderuar, të eurokomunistizuar. Por edhe sikur radikalë të ishin, ngushtësisht të dogmatizuar nga marksizmi, leninizmi apo stalinizmi, të nxitur edhe prej ndonjë simpatie personale për Enver Hoxhën, me publikimin nga ERI (shtëpia botuese e Radiotelevizionit Italian) kanë kryer një vepër të bukur e të madhe vlerësimi, respektimi dhe dashurie për kulturën shqiptare.
Prandaj edhe duhen fiksuar në kujtesën e letërsisë tonë të botuar jashtë vendit dhe secili autor që ka gëzuar këtë mbështetje të tyre dëshmon mirënjohje në rast se nuk i përvidhet citimit të këtij kontributi.
Me asnjë mëkat nuk përlyhet as pas nëntëdhjeta, periudha që regjistroi në memorien kombëtare rënien e diktaturës realkomuniste dhe fillimin e jetës së shoqërisë së hapur shqiptare drejt Perëndimit.
Atëhere fillojmë me tre prezantimet e para.
Cila qe Xhojs Lusu, personi kryesor që bëri gjithçka për përhapjen në Itali të poezisë tonë, me këtë rast edhe të Ismail Kadaresë, objekt kryesor i këtij cikli shkrimesh për raportet e tij me Kosovën dhe luftën çlirimtare për shkëputjen e saj pa rikthim nga Serbia dhe ish-Jugosllavia?
Lusu kishte qenë partizane, e dekoruar pas lufte me Medaljen e Argjendtë të Rezistencës. Xhojsi nga natyra e saj dhe edukata familjare ishte një çlirimtare popujsh të vegjël e të brishtë.
Nuk e kreu këtë me armë apo me vajtje klandestine në vende të tjera me popuj të shtypur për të organizuar “revolucionin socialist”. Lusu zgjodhi rrugën e bërjes së njohur ndërkombëtarisht të tyre.
Nëpërmjet poezisë, kulturës shpirtërore.
Si mjet për këtë mision ajo gjeti përkthimin dhe botimin e pasurive të tyre letrare. Udhëtoi në pothuaj të gjithë botën, sidomos më shpesh ndodhej në Afrikë dhe Azi.
E thirrur miqësisht me emrin “Xhokonda”, ajo, emri prindëror i të cilës qe Joyce Salvadori, pati lindur në qytetin e Firences prej prindërish progresistë me origjinë anglo-franko-italiane. Këta ishin me prejardhje dere me tituj fisnikërie.
Gjithsesi vetë Lusu pati jetuar modestisht, duke mos ndjekur mënyrën e jetesës së të parëve të saj, të cilët përveç pasurisë së madhe qenë edhe me mendësi radikale konservatore. Ishin për shoqëri autoritare, kurse Xhojs për bashkësi liberale.
I jati i saj, Gulielmo Salvadori (Guglielmo Salvadori), i thirrur Vili (Willie), i diplomuar për shkencat sociale në dy universitete, në Itali dhe Gjermani, qe filozof pozitivist-evolucionist. Pedagog i jashtëm në universitetet e Pizës dhe të Romës, Gulielmo në historinë e Italisë kishte fatin të qe përkthyesi i parë në gjuhën e atdheut të tij të veprës së plotë të filozofit pozitivist Herbert Spencer.
E jëma, Xhaçinta Galeti (Giacinta Galletti), ishte bijë e një oficeri të Garibaldit si edhe e një aristokrateje britanike shumë të kultivuar, Margaret Collier. Xhaçinta fliste katër gjuhë dhe qe antifashiste. Musolinin dhe regjimin e tij ajo e pati denoncuar nëpër faqet e gazetave angleze “Manchester Guardian” dhe “New Statesman”, tek të cilat qe korrespodente.
Lusu e kishte pasion marrjen me politikë dhe prej rradhëve të “Drejtësi dhe Liri” të përgjatë luftës dhe në motet e para të Italisë së çliruar, vijoi me pjesëmarrje në Partinë Socialiste.
Kur e hodhi këtë hap ajo ndodhej në kulmim të veprimtarisë së saj kryesore: misioneve ndërkombëtare. Pa nisur dekada e viteve gjashtëdhjetë Xhojs Lusu u shqua në Lëvizjen Botërore të Paqes. Mes moteve 1958-1968 ajo kreu udhëtime në ish-vendet e Kampit Socialist, në Moskë, Berlin, Budapest, Pragë...
Më vonë qe deri edhe në Kurdistan, në Turqi, Mozambik, Angola dhe Kubë.
Në 1976 Xhojs Lusu botoi, siç ju kemi informuar në shkrimet e mëparshme kryelibrin e saj, atë më kushtruesin: “Padre, padrone, padreterno” (“Baba, padron dhe Zot”).
Në Stokolm, në një kongres ndërkombëtar për dhënien e Çmimit të Paqes ajo u njoh me shkrimtarin e turk Nazim Hiqmet, komunist. Kjo njohje bashkëpunuese u kurorëzua me përkthimin dhe botimin në italisht të librit të poezive të tij dashurore si edhe të një libri tjetër për jetën dhe veprën e këtij qendrestari të madh.
Xhojs Lusu do të publikonte edhe një përmbledhje poezish mjaft interesante të Ho shi Minit.
Profili i gjerë intelektual dhe shoqëror i përkthimit dhe i botimeve të dy antologjive për poezinë shqiptare nuk mund të ndihet dot i plotë pa rrëfyer për bashkëshortin e saj, Emilio Lussu.
Emilio qe një antifashist jo komunist.
Ishte nga Sardenja, i diplomuar për ligjshmëri në 1914, gjatë Luftës së Parë Botërore një luftëtar i klasit të parë. Në 1919 qe në krye të themelimit të një partie për pavarësimin e ishullit të Sardenjës nga Italia, duke u zgjedhur në 1921 edhe deputet. Si i tillë iu kundërvu Musolinit dhe përpjekjes së tij për të sjellë diktaturën.
Për pasojë në 1926 u arrestua, më pas edhe pse nuk iu provua fajësia, u internua në ishullin e Liparit. Prej këtu në 1929 u arratis bashkë me dy udhëheqës të socializmit demokratik italian dhe kapërcyen fshehur kufirin. U vendosën në Paris.
Këtu u krijua lëvizja “Drejtësi dhe Liri”, në të cilën Emilio ishte një ndër prijësit e saj kryesor.
Emilio Lusu mori pjesë në Luftën e Spanjës, më pas në rezistencën franceze kundër pushtimit nazigjerman dhe pas rrëzimit të Musolinit dhe të vetë fashizmit italian, luftoi në rradhët e qëndresës së vendit të vet.
Antifashist, siç e thamë pak më parë jokomunist, bashkëshorti i Xhojs Lusu, ndihej më afër socialistëve. Konsiderohet njëri prej baballarëve të Kushtetutës demokratike të Republikës Italiane dhe ndërkohë në 1945 qe ministër (për Ndihmën e Pasluftës) në qeverinë e Unitetit Kombëtar.
Në kabinetin e mëpasshëm, atë të drejtuar prej demokristianit De Gasperi, Emilio Lusu ishte ministër pa portofol dhe për 23 vite me rradhë deputet. Po ashtu anëtar i Senatit deri në 1968.
Emilio qe po ashtu një shkrimtar me mendje mjaft të kthjellët dhe gjuhë të qartë. Ishte mjaft komunikues me lexuesit. I kishte nisur botimet që në 1931, ndërsa dy mote më pas bëri të njohur librin e tij denoncues për marshimin fashist mbi Romë. Në 1956 Emilio Lusu ishte i admiruar edhe për librin “Diplomacia klandestine”, kurse një botim tjetër, “Zinxhiri”, u përkthye në disa gjuhë të huaja.
Emilio do të ndërronte jetë në Romë në 5 mars 1975. Do të varrosej në një ndër vendet më të shenjtëruara të kryeqytetit italian, atje ku kanë strehën e fundit shumica e artistëve dhe e poetëve. Thirret “Cimitero degli artisti” (“Varreza e artistëve”) ose “Cimitero degli Inglesi” (“Varreza e Anglezëve”. Ndodhet tek Porta San Paolo, tek “Piramida”, siç i thonë sot atij teritori romanët.
Kur Xhojs Lusu botoi antologjinë “Poezia e shqiptarëve”, kishte katër mote që bashkëshorti i pati ndërruar jetë. Kur kishte vetëm një vit prej kësaj ndarjeje të dhimbshme Lusu pati mbajtur në një kuvend shkencor kumtesën “Shqiptarët e Fermanos rreth mezit të viteve 400”.
Prej kësaj lidhjeje shumë të ngushtë shpirtërore të Xhojs Lusu me shqiparët natyrshëm, kur nuk pikas se në rrënjë ndodhen ngjashmëria dhe frymëzimi i njëjtë ideologjik, kërkon për cilën arsye i rreh zemra saj për popullin tonë.
Ndoshta para meje këtë “zbulim” e ka bërë ndonjë tjetër, veç nuk e kam ndeshur të shkruar. Njëkohësisht nuk është i pranishëm në ndonjë radiogram apo informacion rreth Lusu arkivuar në Ministrinë e Evropës dhe të Punëve të Jashtme në Tiranë.
Xhojs Lusu në të shkuarën e saj familjare kishte një stërgjyshe arbëreshe.
Prandaj mund të thuhet se kjo veprimtare e madhe ndërkombëtare, promovuese e poezisë shqiptare në Itali në vitet gjashtëdhjetë-shtatëdhjetë të shekullit të mëparshëm, kur me pasion të zjarrtë luftonte për të promovuar kulturën tonë qe me kombësi anglo-franko-italiano-shqiptare.
Lusu do të ndërronte jetë në 1997 dhe hiri i saj u vendos përkrah varrit të bashkëshortit dhe bashkëluftëtarit idealist për një botë më të mirë, në “Cimitero degli artisti”.
Figura e dytë e spikatur mes pjesëmarrësve të debatit në fillim të nëntorit 1977 rreth botimit nga RAI të “La Poesia deglialbanesi” (“Poezia e shqiptarëve”), qe Arturo Foski.
Ky ishte i shumënjohur dhe i thirrur gjithkund me emrin e tij të dytë: “Partizani i Shqiptarëve”.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 17 dhjetor 2019


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com