Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

MISIONI I MADH KOMBËTAR I PRODHIMIT NË PERËNDIM TË FILMIT “GJENERALI I USHTRISË SË VDEKUR”

Pjesa e nëntë e ciklit

(Botuar në “Illyria” në 31 janar 2020)

Në fund të vitit 1979, thamë herës së shkuar, në të gjitha vendet me të cilat Shqipëria kishte marrëdhënie diplomatike, sidomos në Evropën Perëndimore ku liria e shtypit qe, ndryshe nga eurolindja, shumë më favorizuar, Tirana zyrtare i dha hov një mësymjeje të re propogandistike. Në shtypin e huaj ishte shkruar gjerësisht për divorcin politik të Shqipërisë së vogël me supershtetin e madh, Kinën Popullore dhe ky veprim shumë kokëkrisës, i përsëritur për të tretën herë me një fuqi të madhe komuniste, pati ngjallur kërshëri.
Jo pak dëshironin të dinin më shumë hollësi rreth kësaj qëndrese të çuditshme, ndjenje pavarësimi mjaft të theksuar, pse jo edhe aventurore.
Kjo frymë habie, por njëkohësisht respekti për popullin e vogël të shqiptarëve, pati përfshirë edhe opinionin publik italian, madje depërtuar edhe në disa shtresa shoqërore të klasës së mesme, intelektualë po ashtu.
Prandaj edhe Enver Hoxha, mjaft ambicioz për të qenë një udhëheqës botëror, sipërmori përkthimin shumëgjuhësh dhe shpërndarjen masive, me fondet e shtetit, të dy vëllimëshit të tij të porsabotuar: “Shënime për Kinën”.
Si një nga provat për këtë në shkrimin e mëparshëm të ciklit ju informuam se në 2 nëntor 1979 ambasada shqiptare në Romë i përcolli Ministrisë së Jashtme në Tiranë një radiogram në të cilin thuhej se “Gjatë shpërndarjes së vëllimit të dytë, kolegu ynë, Naimi, mori takim me zv.drejtorin e agjencisë ANSA, Akonero, me gazetarë të agjencisë Monteçitore, gazetës Mesaxhero, Avanti dhe Tempo. Të gjithë këta e pritën mirë librin dhe u zotuan se do të bëjnë njoftimin në organet e tyre për vëllimin e dytë të “Shënime për Kinën”, gjatë këtyre ditëve.”
Në 6 nëntor një radiogram tjetër, me numri 1860, e informonte Ministrinë e Punëve të Jashtme: “Liberi Lizandri, kryeredaktor për politikën e jashtme në gazetën “Avanti”, ndër të tjera i tha Naimit se: 1)Kishte filluar leximin e vëllimit të dytë të “Shënime për Kinën”, i cili është shumë interesant dhe nga ky libër del shumë qartë cila paska qenë Kina dhe partia e saj, se atje gjithmonë ka ekzistuar anarshia dhe lufta për pushtet, gjëra për të cilat bota nuk i ka njohur, kështu që Enver Hoxha po jep një kontribut të madh për njohjen e historisë së Kinës...”
Në një radiogram tjetër të ambasadës shqiptare, këtë herë në Bukuresht, me numër çsekretimi 1787, datë 6 dhjetor 1979, vihej në dijeni Ministria se “Një gazetar italian me origjinë rumune i tha Novruzit se dëgjoj vazhdimisht radio Tiranën dhe nëpërmjet saj jam njohur edhe me disa artikuj të rëndësishëm të veprës së fundit të shokut Enver Hoxha “Shënime për Kinën”. Kam njohuri për luftën shekullore të popullit shqiptar për çlirim e pavarësi nën udhëheqjen e Skënderbeut dhe ndjek me vëmendje zhvillimin e situatave të sotme në marrëdhëniet tuaja të jashtme.”
Ndërkaq një javë më pas, në 13 dhjetor, nënkryeministri i Shqipërisë, i cili mbulonte edhe sektorin e kulturës, Manush Myftiu, u dërgonte Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Arsimit dhe të Kulturës, këtë detyrë: “Mbi ndjekjen e problemit të gjyqit në lidhje me kontratën e filmit me një firmë franceze”.
Paragrafi i parë i saj thotë: “Nga përmbajtja e letrës së Ministrisë së Punëve të Jashtme Nr.3165/1, datë 12.11.1979, nuk del qartë se ku synon avokati që kërkon korrespodencën e zhvilluar midis shokut Ismail Kadare dhe firmës franceze në vitet 1971-1972, kur e gjithë dosja me materialet i është dërguar Ambasadës dhe është parë edhe nga avokati.
Veç asaj, nga letra nuk sqarohet se çfarë do të përmbajë kundërpadija dhe pse nuk e paraqet këtë avokati....”
Këtu do ta ndërpresim përcjelljen tek lexuesi të hollësive të tjera rreth kësaj përplasjeje gjyqësore të Ismail Kadaresë dhe të shtetit shqiptar me një shoqëri kinematografike franceze, rreth projektit të xhirimit, me aktorë të huaj, të filmit me skenar prej romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Do t’i rikthehemi këtij zhvillimi të dhjetorit 1979, por tani, që gjithçka të marrë dritë të plotë, do të bëjmë kronologjikisht mbrapsht për tërë një vit, duke iu drejtuar janarit 1978 dhe pastaj çdo muaji të këtij moti.
Enver Hoxha, siç spikatëm më parë, këtë kohë i mëshon përhapjes maksimale jashtë vendit të librit të tij “Shënime për Kinën”, madje edhe të “Imperializmi e revolucioni”. Ky i dyti shpresonte ta barazonte si filozof me autorë të shumënjohur të kësaj fushe, siç qenë Marksi dhe Lenini.
Për shkak të shumë rrethanave deri këtë çast aksioni më i fuqishëm propagandistik i Tiranës zyrtare, por edhe me mision kulturor e historik qe prodhimi i filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Ndryshe nga “Dimri i madh”, ku në ngjarjet e rrëfyera Enver Hoxha përveç se qe protagonist historik ishte edhe personazh real artistik, po ashtu me rol të dukshëm edhe Partia e Punës e Shqipërisë, tek “Gjenerali...” as nuk qenë në plan të parë as individi kryekomunist Hoxha dhe as partia e tij.
Thjesht ndodhen në sfond.
Kurse në skenë veprojnë njerës të thjeshtë të popullit dhe në çdo rresht të librit buçet ravijëzimi i shpirtit të madh të shqiptarit për liri, duke mos u tutur as para fuqive të mëdha e ushtrive ë armatosura deri në dhembë.
Me pak fjalë përpjekja për të prodhuar një film për një Shqipëri kryelartë dhe të paepur, me autor letrar një shkrimtar të këtij vendi dhe regji e aktorë të Perëndimit, qe një nismë shumë inteligjente dhe me efekt të madh në imazh. Deri atëherë qeveria e Tiranës dhe Enver Hoxha ia patën dalë, në bashkëpunim me Moskfilm, vetëm prodhimit të një filmi për Skënderbeun, i cili qe bërë shumë shpejt i famshëm në hapësirat e gjëra të BRSS-së, por edhe nëpër botë, madje kish fituar në Spanjë edhe një çmim ndërkombëtar.
“Gjenerali i ushtrisë së vdekut” ishte përpjekja e dytë për ta përsëritur madhështinë e paharuar të të parit, madje të kryer jo nga Lindja, “kampi socialisté, por prej Perëndimit, “kapitalizmit”.
Madje pse mos këtë herë të shpresohej edhe më shumë prestigj politik dhe kulturor? Gjithçka varej prej atyre që do të investonin përpjekje në këtë mision, diplomatë shqiptarë dhe qeverisës në Tiranë.
Mbi të gjitha projekti kishte në themel Ismail Kadarenë, letërsinë e tij që pëlqehej në Perëndim.
Në “pushtim” të tij ideologjik ëndërronte edhe Enver Hoxha.
Në 21 janar 1978, hartuar me shkrim dore, patjetër lëndë për një radiogram të shifruar, me shënimin e orës kur qe bërë gati, 17.42, ambasada shqiptare në Paris njoftonte Tiranën se “Shoku Ismail Kadare arriti mbrëmë në Paris. Të hënën do të fillojmë nga kontaktet në bazë të programit që ka sjellë me vete”.
Një javë më vonë, në 28 janar 1978, me radiogramin nr. 83 vetë ambasadori, Dhimitër Lamani, e njoftonte nga kryeqyteti francez drejtuesin Nesti Nase të Ministrisë së Punëve të Jashtme: “1) Me Ismail Kadarenë, në bazë të udhëzimeve aprovuar nga Komiteti, shoku Javer, kemi organizuar takimin me përfaqësuesin e Hashetit...”.
Për përmbajtjen e këtij radiogrami ju kemi informuar në shkrimet e mëparshme, duke saktësuar të dhënën se njeriu kryesor i Hachette e pati mbajtur librin e sjellë “Dimri i madh”, kishte shtuar se ai qe disi i gjatë, “por që paraprakisht e priti mirë dhe tha se do t’i jepej Fyard”, shtëpi botuese pjesë e Hachette.
Kjo ishte çështja e parë e raportimit të Dhimitër Lamanit tek Nesti Nase.
Çështja e dytë qe kjo: “Njëkohësisht morëm kontakt me Labrandin dhe Kyperbergun për çështjen e filmit. Ata duken optimistë këtë rradhë për realizimin e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, mbase kanë marrë kontaktet me aktorët Mastrojani (për rolin e gjeneralit) dhe Mishel Pikoli për atë të priftit si edhe se skenaristët që do punojnë skenarin e ri. Sipas tyre filmi do të xhirohet në shtator ose mars 1979”.
Çështja e tretë në radiogramin e 28 janarit 1978: “Me Ismailin po organizojmë edhe kontaktet e tjera sipas programit të aprovuar aty, por kryesore kemi çështjen e botimit të romanit”.
Në 1 shkurt Dhimitër Lamani njofton Nesti Nasen se në 30 janar Ismail Kadareja ia kishte dorëzuar romanin “Dimri i madh” drejtorit të përgjithshëm të Fayard, dhe ky pasi e kishte shfletuar i pati thënë se një përgjigje do tia jepte në 13 shkurt. Sipas Lamanit, ky ishte një afat rekordmen për shpejtësi dhe se Ismail Kadare do ta priste në Paris përgjigjen. “Afati më duket rekord për shqyrtimin e dorëshkrimit” shkruante ambasadori shqiptar në Paris. Në vijim saktësonte: “Ismaili i tha se do ta priste përgjigjen në Paris duke patur parasysh se për ndryshe mund të zgjatej e të kishte komplikacione”.
Më pas Dhimitër Lamani e vinte në dijeni Nesti Nasen se “më 6 shkurt bashkë me Ismailin do ta marrim për drekë drejtorin dhe do të përpiqemi ta marrim vesh mendimin e tij. Paraprakisht del nevoja që Ismaili të qëndrojë të paktën deri në 13 shkurt për të marrë përgjigjen dhe për ndonjë gjë që mund të dalë. Ftesën për drekë nga ana ime e priti shumë mirë, por të shohim çdo na thotë pasi t’i ketë hedhur një sy romanit”.
Në një radiogram tjetër, të tre ditëve më pas, thuhet se ftesa për drekë është për në 6 shkurt. Në të shkruhet gjithashtu se nga ambasada po bënin përpjekje me disa nga miqtë e tyre francezë për të ndikuar pozitivisht tek drejtori i “Fayard” në çështjen e miratimit të librit.
Në këtë radiogram vihej në dukje po ashtu se kontrata për filmin mund të bëhej në 7 shkurt.
Në një radiogram pasues, pa mbushur njëzetë e katër orë nga i mëparshmi, Dhimitër Lamani e informonte udhëheqjen e Ministrisë së Jashtme në Tiranë që për nënshkrimin e kontratës së filmit Ismaili do të vepronte vetëm “siç ka qenë udhëzuar para nisjes”.
Në mbyllje të tekstit të shifruar saktësohej: “Ismaili do ta nënshkruajë kontratën ditën e martë”.
Në 7 shkurt nga ambasadori Lamani iu raportua Tiranës se ishte bërë dreka me drejtorin letrar të Fayard, Grall, dhe se librin “ai e ka pëlqyer shumë”, madje kishte biseduar për kushtet e kontratës dhe “Ismaili kërkoi tipin e kontratës më të favorshme që bëhet për shkrimtarë të njohur. Gralli pranoi dhe tha se gjatë kësaj jave do të dërgojë projekt-kontratën. Ai tha se është dakord të bëhet të hënën më 13 shkurt. Tha se dorëshkrimi ka nevojë për një redaktim letrar që do bëhet këtu. Kanë edhe nja dy vërejtje të vogla që do t’i thotë të hënën, të cilat sipas tij janë krejt të parëndësishme. Romani do të botohet brenda vitit, muaji do të caktohet të hënën kur të gjitha këto të marrin formën e prerë. Në bisedë Gralli ishte shumë korrekt e serioz dhe dukej se romani u ka pëlqyer, gjë që e shprehu qysh në fillim dhe ne e shfrytëzuam këtë fakt”.
Fraza e fundit e radiogramit të 7 shkurtit 1978 i bënte të ditur eprorëve në Tiranë: “Gralli është personalitet i njohur. E shoqja e tij, Fransuazë Zhiru, ka qenë ministre dhe njeh shumë njerës politikë. U kënaq nga marrja për drekë. Do mbajmë kontakt me të”.
Në 15 shkurt 1978 një radiogram i nisur nga ambasada shqiptare në Beograd, e njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë se “Nesër në 16 shkurt mbrrin në Tiranë shoku Ismail Kadareja”.
Në Ministri drejtuesve të saj radiogrami u kishte rënë në dorë të nesërmen, më 16 shkurt dhe pasi e kishin rishënuar këtë datë, porositnin: “Njoftoni Lidhjen e Shkrimtarëve”.
Ismail Kadare kishte mbërritur në Paris në mbrëmjen e 20 janarit dhe ishte rikthyer në atdheun e vet në 16 shkurt. Pothuaj një muaj qëndrim pune në të.
Në 12 mars, në një shpjegim më të hollësishëm të misionit kulturor që i qe ngarkuar, mund të kuptojmë jo vetëm rezultatet pozitive të arritura, por edhe sa të ndërlikuara ishin ato sipërmarrje.
Komiteti për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme këtë ditë të 12 marsit hartoi një informacion me numrin protokollar 58. Po e vëmë në dijeni lexuesin me të gjithë tekstin e tij: “Në 1978 dolli në Francë romani i I. Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili siç dihet pati jehonë të gjerë në shtyp. Në këtë mënyrë vepra tërhoqi vëmendjen edhe të njerëzve të kinemasë. Ambasadës tonë në Paris iu drejtuan së pari drejtori i Shtëpisë Botuese “Albin Michel” me një ekip skenaristësh, sidomos me dy prej tyre, Lëbrand dhe Kuperberg, njëri prej të cilëve punonte vetë në shtëpinë botuese. Ata kërkuan që t’u jepej e drejta të bënin një film në bazë të romanit dhe siguruan se për këtë do të merrnin artistë nga më të përmenduerit, midis të cilëve italianin Mastrojani.
Mbas këtyre ambasadës iu drejtua një prodhonjës filmash që kishte mundësitë financiare dhe kërkoi që t’i jepej e drejta për të ekranizuar romanin.
Më në fund, me anë të një miku të Shqipërisë, ambasadës iu drejtua edhe një regjisor i njohur filmash, që edhe ky kërkoi të ekranizonte romanin.
Këto tre oferta i përcollëm në Tiranë dhe u pranua....”.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 29 janar 2020


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com