Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Dashuri Kastriotase

Revista “Shqip”, nentor 2006

Gjergj Kastriot Skenderbeu nuk ka lënë pas nëpër kronika apo të paktën në gojëdhëna ndonjë gjurmë të dukshme të jetës së tij intime. Përshembëll shqiptarët e këtij shekulli dhe me sa duket edhe të njëqindvjeçarëve pasardhës nuk do të dinë asgjë rreth prirjeve dhe opinioneve të tij ndaj femrës. Kurrë nuk kanë për të marrë vesh nëse e adhuronte ai “seksin e dobët”, jepej pas saj apo e anashkalonte atë me indiferencë. Nuk do të dinë asnjëherë ata që do të jenë (përshembëll) shqiptarët e vitit tremijë apo katërmijë nëse princit kastriotas jeta e shtratit dhe zbavitjet në të i pëlqenin apo fare jo. Mosdija ka ndodhur për shumë arsye. Shumica e kronikave të shkruara janë zhdukur nga hakmarrja që ra mbi Shqipëri prej pushtuesve osmanë. Në dokumentat që mbetën nëpër arkivat e Republikës së Venedikut, Mbretërisë së Napolit, Vatikanit apo Raguzës nuk shkruheshin gjëra të tilla, por raporte politike e diplomatike mbi situata, marrëveshje apo kërkesa, shifra ndihmash financiare apo furnizimi me barot, kripë e drithë. Kështu ne nuk dimë pak nga të gjithë punët e brendshme të principatave, perandorive e shteteve të kohës, deri edhe sa ushtarë u vranë apo sa qypa me vaj u groposën për të përballuar këtë apo atë rrethim kështjelle, veç jemi të shurdhët për të ndjerë një trishtim të Gjergj Kastriotit, një të qeshur apo përlotje të tij, një psherëtimë dashurie apo një puthje.
Edhe morali i viseve tona ka bërë punën e vet të çensurës. Në vise të tjera të kontinentit, veçanërisht në zemër dhe në veri të tij, nuk shterrin arkivat e mbushura plot me letra dashurie si edhe rrëfenjat e pafund për verën e kuqe të derdhur mbi tryeza apo sallone orgjish. Me pak fjalë në rast se kuturisim, si në këtë shkrim, të hedhim dritë e të shbirojmë mbi jetën intime e dashurore të Gjergj Kastriot Skenderbeut, patjetër do të dalim pa asgjë spektakolare. Për aq sa dihet ajo ka qënë një jetë beqari të vonë. Kryeprinci që u bë edhe heroi ynë kombëtar, u martua kur e kapërxeu gjysmën e shekullit jetë dhe të gjithë këta pesëdhjetë vite i kaloi me regjimin asket të një ushtaraku model. Nuk duhet harruar se edhe martesa e tij me Donikën, bijën e princit të famshëm Gjergj Arianiti, më së shumti u bë për arsye politike. Ishte kryesisht ky i fundit që i bëri presion Skenderbeut ta konfirmonte raportin e tij të bashkëpunimit dhe të besës së qendrueshme nëpërmjet asaj martese. Prej kësaj lidhjeje Gjergj Kastrioti nuk fitoi thjesht prikë në toka apo deri edhe Manastirin e Ardenicës, ku u bë edhe dasma, por edhe një shoqe të vërtetë jete. Donika përfaqësoi një bashkëshorte shumë të mirë e mbi të gjitha në punët e ushtrimit të qeverisjes në Arbëri edhe një mëkembëse mjaft të kualifikuar. Pas vdekjes së Skenderbeut ajo bashkë me djalin e vetëm, Gjonin, kapërxeu detin e shkoi në oborrin e Mbretit Ferdinand në Napoli, ku edhe ishte e mbeti deri sa mbylli sytë, shtylla e fortë në të cilën u mbështetën Kastriotët e emigruar.
Kjo ishte në pak rreshta informacioni më kryesor mbi jetën intime të Skenderbeut, pothuaj e gjithë dashuria e tij. Të dhëna të thara nga intimiteti janë edhe ato ku thuhet se çifti jetën bashkëshortore më së shumti e kalonte në Kalanë e Prezës dhe pushimet në bregdetin e Lezhës. Atëhere as që mund të mendoheshin të bëje “plazh” jo vetëm se ky koncept nuk ekzistonte, por në kushtet e rrethimit të përhershëm osman, siç kaloi për një çerek shekulli Shqipëria, stina e verës ishte ajo e luftës.
Kështu pasardhësve të vet Gjergj Kastriot Skenderbeu u la pikë referimi një model jete bashkëshortore që ndryshonte jo pak nga ajo e viseve ku tashmë do të vijonin trashëgiminë e gjakut të tyre fisnik si edhe jehonën kontinentale të veprës së tij.

ooooooooooooooo

I papërfolur për imoralitet apo tradhëti bashkëshortore imazhi i Skenderbeut nuk mund të ishte veç një shëmbull i mirë që mund të ndiqej nga pasardhësit e tij. Por edhe mbase jo. Ndoshta për disa prej tyre ajo ishte tepër askete, shumë refuzuese ndaj kënaqësive fizike. Gjergj Kastrioti në ato pak dokumenta që kanë mbërritur deri në ditët tona nuk regjistrohet përshembëll as si pijetar. Në një farë mënyre ai ka qënë një spartan, mënyrë jetese që, e përsërisim, nuk pëlqehej fort nëpër oborret mbretërore, në kështjellat e princërve, dukëve, kontëve të kohës, sidomos në thellësi të eurokontinentit. Në Itali i biri i tij i vetëm Xhovani (Gjoni) thirrej më shumë princ se dukë, e jëma, Donika, përherë emërtohej dukeshë. Mirëpo e veja e Skenderbeut nuk bëri jetë aq të qetë në emigrimin e saj të dhimbshëm me djalin e vetëm dhe më pas me nipat e mbesat. Njëri nga nipat e saj, vetëm njëzetëvjeçar peshkop i qytetit të Izernias, i vdiq kur sapo kishte mbushur njëzetë e tre vite jetë. Varri bashkë me një bazoreliev madhështor e gjyshja ia ka ngritur në një nga kishat më me emër të Napolit, “Santa Maria la Nova”. Historianët shënojnë se dukesha-gjyshe i ka bërë edhe një varr madhështor një nipi tjetër, sipas tyre të quajtur Alfons. Ky gjendet në Manastirin Real San Trinidad në Spanjë.
Ja përse, në rast se duhet të bëjmë një vizatim sado të thjeshtë të jetës dashurore të Kastriotëve në të gjithë shekujt pasardhës na duhet të vëmë në qendër të analizës jo vetëm Gjergjin, por mbi të gjitha Donikën. Në Itali për të gjithë pasardhësit e saj ajo ishte dhe mbeti modeli më ndikues. Jeta e saj në oborrin e mbretit Ferdinand i Aragonës ka qënë e panjollosur nga asnjë përqarje, grindavecllëk, bjerrje shpirti, shpërdorim apo shthurrjeje morale. Në Napoli kryesisht dhe në Valencia, Spanjë, ku jetoi, ajo u bë e njohur si një vejushë dinjitoze. Donika bënte pjesë në “tri princeshat e trishtuara”. Rrinin bashkë dy Xhovana, të cilat ishin bashkshortet e dy mbretërve të Napolit, atë e bir, dhe e treta ishte Donika. Dy Xhovanat e thërritnin mikeshën e tyre të ngushtë me emrin Skanalibeka. Në shqiptimin tingullor pak të deformuar kjo donte të thoshte Skenderbesha, e shoqja e Skenderbeut.
Modeli i kësaj gruaje zonjë ka rrezatuar vazhdimisht në jetën e Kastriotasve që rridhnin drejtpërsëdrejti nga lidhja martesore e Skenderbeut me Donikën, sepse në Itali gjenden shumë Kastriotë që asnjë trashëgimi gjaku nuk kanë nga heroi ynë kombëtar. Kjo nuk do të thotë se përgjatë kaq shumë shekujve që prej vitit 1468, kur lanë përfundimisht Shqipërinë, nuk ka patur pasardhës me parime aspak spartane, madje edhe shumë qejfbërëse. Pak e çuditshme në pamje të parë, por në trungun origjinal të Kastriotëve mund të gjesh edhe lidhje t[ fshehta jashtëmartesore.
Por këto kanë qënë raste të rralla. Në të dy degët e tyre që kanë mbetur e vijojnë tani në Itali, në atë të Napolit dhe të Leçes, dëshmohet tradita më e mirë e jetës dashurore të Kastriotasve. Shembulli i stërgjyshes Donikë ka akoma autoritet të madh. Pothuaj një vit më parë në një letërkembim me Alesandro Kastriotin, një nga pasardhësit e Skenderbeut në degën e Leçes, mjek shkencëtar, ai na rrëfeu një nga planet që kishte bashkë me motrën Paola, avokate dhe vëllanë Xhulio, gjyqtar. Ata kishin ndërmend të blinin bashkarisht një jaht. Do ta përdornin për në fundjava apo për të kaluar pushimet e vitit nëpër Adriatik e Jon. Me këtë rast kishin bërë edhe një listë të shkurtër të emrave që do t’i vinin anijes. Midis tyre ishte edhe fjala Kroja (Kruja) dhe Adronica (Donika). Kur ndërtimi i jahtit të vogël turistik përfundoi dhe u lëshua në det për udhëtimin e tij të parë në bash ishte vendosur emri Adronica.

ooooooooooooooooo

Një nga mënyrat “tinzare” që më është dashur të përdor në verifikimin më të sigurtë të origjin[s shqiptare t[ familjes Kastrioti, dega e Leçes, pra nëse ishte apo jo e vërtetë një lidhje e gjakut atëror nga Skenderbeu, ka qënë edhe ajo e vëzhgimit nga afër të të dhënave më kryesore karakteriale. Për të mos e çelur këtë kendvështrim hetimi nëpërmjet ballafaqimit të dy karaktereve (Alessandro Castriota-mjek në Leçe vitet 2000 dhe Gjergj Kastrioti-strateg ushtarak e shtetar në Krujë mezi i shekullit të pesëmbëdhjetë) por kryesisht e në pak rradhë edhe nëpërmjet parimeve të ndërtimit të një jete bashkëshortore, përputhja e dy modeleve na u duk relativisht i qartë.
Po e shpjegojmë.
Alessandro Castriota, vëllai i tij Giulio si edhe e motra Paola kanë familje shumë të shendosha dhe të qendrueshme. Bashkimet e tyre janë aq fort solide sa i kapërxejnë mjaft standartet mezatare të jetës së një çifti mirëfilli italian. Paola madje ka një burrë jo vetëm të lidhur shumë me familjen dhe rregullat e saj, por të angazhuar mjaft edhe pas të kaluarës historike të Kastriotasve në Shqipëri dhe në Itali. Ai quhet Giancarlo Vallone dhe është profesor në universitetet e Barit dhe të Brindisit. Eshtë po ashtu edhe studjues e autor i disa librave historikë për mesjetën në Napoli dhe në Tokën e Otrantos, siç e thërresin andej jo rrallë krahinën e Pulias.
Kastriotët nuk kanë patur në modelin e jetesës së tyre familjare vetëm besnikërinë bashkëshortore dhe respektimin rigoroz të parimeve mbi të cilat ngrihet një familje, por edhe prirjen e hapët për të krijuar lidhje martesore me popuj të tjerë. Të kujtojmë se Vojsava, nëna e Skenderbeut, është gjykuar më e pakta krijesë e një çifti shqiptaro-sllav të kohës. Nuk po qendrojmë këtu në atë mendim që e bën atë tërësisht me gjak jo shqiptar. Si dëshmi krijesash jo vetëm të një lidhjeje shpirtërore, por edhe genetike me sllavë, janë interpretuar edhe disa nga emrat e vëllezërve dhe motrave të Skenderbeut. Në fund të fundit kur ndodhnin këto gjëra nuk kishte kombe dhe një njeri i fuqishëm pushtonte e vinte nën sundim toka pavarësisht nga gjuha që flitnin banorët. Kështu ka ndodhur edhe me të jatin e Gjergj Kastriotit, Gjonin si edhe, thjesht për të përdorur një shembëll, me sundimtarët e Malit të Zi që përfshinin në pronat e tyre edhe shqiptarë. Madje ata kanë patur një lidhje të plotë krushqie me Kastriotët. Djali i vetëm i Skenderbeut emigruar në Itali, Gjoni, këtu u martua me Irenë Brankoviç Paleologa, pasardhësja e fundit e derës së perandorëve të Bizantit. Të dashuruar besnikërisht pas njeri-tjetrit pas vitit 1485 u vendosën të dy në pronën e tyre, qytetin e lulëzuar të San Pietro në Galatina, Toka e Otrantos. Fëmijët që lindën nga kjo martesë krijuan familje me lidhje fisnikësh italianë siç Ferdinando bëri me Adriana Acquaviva, bijën e Dukës së Nardos. Prej dy nga djemve, nga Achille dhe Pardo, mbijetuan në mbi pesë shekuj në linjë mashkullore dega Kastriotase e Napolit dhe ajo e Leçes. Këtu, në Leçe, në vitin 1682 ndodhi martesa e Alessandros, themeluesit të degës Kastriotase në Pulia me Donna Caterina Giustiniani, bijë e markezit Giovambattista.
Por si ndodhi që Alessandro i fundit, mjeku ynë shkencëtar me një libër të suksesshëm në anglisht të shpërndarë në të gjithë botën (“Abnormal Skeletal Phenotypes” ose shqip “Raste Skeletore Jonormale”) ra në dashuri dhe u martua me belgen Caroline Tulkens, po e tregojmë më poshtë.
Në vitin 1997 Alessandro Castriota Scanderbeg ndiqte në qytetin Heidelberg në Gjermani një kurs dymujor specializimi për rezonancën manjetike, pjesë e Programit Erasmus. Ditën që ky specializim përfundonte dhe në mbrëmje do të merrte avionin për t’u kthyer në Itali, ndërsa po kalonte i vetmuar në sheshin Marketplatz, pa dy vajza. Njëra prej tyre e goditi në vend me bukurinë e saj. Jo fizike, sepse Tulkens edhe fizikisht është mjaft e hijshme, por shpirtërore. Shpirti takohet nëpërmjet syve dhe pikërisht në shkembimin e vështrimeve me njëri-tjetrin ndodhi ajo që quhet “dashuria me shikim të parë”. Italianët këtë mënyrë rënieje në dashuri e formulojnë edhe me shprehjen “goditje vetëtime”. I mahnitur nga belgia e re stërnipi ynë i Gjergj Kastriot Skenderbeut i ndoqi nga pas të dy vajzat. Pas pak ato hynë në një bar. Hyri edhe ai. Këtu për jo pak kohë Tulkens dhe Alessandro shkembyen mendime dhe batuta dashamirëse gjersa ky i fundit vendosi të mos ikte nga Heildelbergu atë mbrëmje, por pas dy ditësh. Kështu edhe bëri. Shtyu biletën dhe ato dyzetë e tetë orë i kaloi me Tulkensin e tij. Ishin lidhur me njëri-tjetrin përfundimisht. Duhet të themi se edhe Alessandro Castriota Scanderbeg është një burrë i pashëm. Bashkë me disa shokë e thërresim ndonjëherë edhe Richard Geer.
Kur Alesandros i është dashur të shpjegojë miqësisht përse i ndodhi kjo “dashuri me shikim të parë” me një belge, si argument të parë ai vendos arsyetimin “sepse jam i hapur ndaj popujve të tjerë, i kam parë gjithnjë ata me simpati”. Më tej ai të thotë se ka vizituar shumë vende e ka njohur nga afër jo pak popuj dhe këtë gjë e ka bërë për të marrë prej tyre kulturë e traditë, çdo vlerë të mirë që kanë. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe i boton librat, ka shkuar disa herë pothuaj me vetëm këtë qëllim, njohjen nga afër dhe përfitimin intelektual e shpirtëror. Sigurisht ai ka durim të të zbulojë edhe një rrethanë tjetër që e bëri të prekshëm nga belgia flaminge Caroline Tulkens. Pak muaj më parë i kishte ndërruar jetë në moshë të parakohshme i jati, Giorgio Castriota, një avokat i njohur i Leçes dhe për pasojë ishte ende mjaft i tronditur. Dukej sikur kërkonte një mbështetje për t’u mbajtur dhe atë e gjeti në çastin fatlum në Marketplatze. “Mbështetjen” e jetës së tij stërnipi i Skenderbeut e kishte gjetur pikërisht tek ajo që përfaqësonte belgia Tulkens. Kjo ngul kembë se të dy ishin të ngjashëm jo vetëm në mënyrën se si e perceptonin jetën, botën, gjërat e deri vetë ndjeshmërinë e njerësve, por edhe sepse zotëronin një tipar të përbashkët: ishin shumë të hapur ndaj popujve të tjerë. Flamingia Caroline argumenton se etnia e saj e ka të theksuar kulturën e hapjes dhe për pasojë ajo ka një fuqi të madhe përthithjeje të vlerave të të tjerëve. “Ne kemi frymë internacionaliste” thekson ajo dhe se “këtë gjë gjeta edhe te Alessandro”. Pastaj shton: “Këtë virtut e pashë edhe në Shqipëri në vizitën që bëra”.
Por Alessandro Castriota e ka trashëguar këtë dhunti të tij jo nga toka ku prej afro gjashtë shekujsh jetojnë e janë qytetarë italianë, por nga brigjet e përtejme, nga “vendi i shqiponjave”. E mbartin këtë kulturë të gjallë hapjeje dhe lidhjeje me popujt e tjerë prej stërgjyshit të tyre, Gjergj Kastriotit. Ky i fundit prej të jatit të tij dhe nënës, Gjonit dhe Vojsavës. Dhe ja një provë se te paasardhësit e heroit tonë kombëtar mund të kenë ndryshuar shumë gjëra, por themeli jo. Alessandro kur e pyet për familjen e prindërve të tij, e vizaton atë që në fillim me këto “penelata”: “Babai ynë Xhorxho ka qënë shumë i vlerësuar për aftësitë profesionale si edhe për figurën morale. Bashkë me nënën tonë Maria Tereza, një grua mjaft e ëmbël, gjithnjë e përkushtuar pas fëmijve dhe familjes, na ka transmentuar ndjenjën e lartë të detyrës dhe rendësinë e traditës familjare nën kultin e të cilës jemi rritur”.
Në ditë të ndryshme që kam qendruar me ta në Shqipëri apo Itali, në Romë apo në Leçe, kam vënë re se e bukura belge Tulkens e do shumë Alessandron e saj. Ka raste kur ajo i lëshon kokën ëngjëllore mbi sup, por kjo zgjat fare pak. Sa i shpreh ndjenjën e ngrohtë që ka. Shoku i saj i jetës asaj koke të vënë ëmbëlsisht mbi sup i përgjigjet me një reagim fare të lehtë mirënjohjeje dhe dashurie. Po të mos jesh i kujdesshëm nuk e vë re dhe të duket “serioz” dhe i pandjeshëm.
Nuk e di pse jam i sigurtë se kështu ndodhte gjashtë shekuj me parë në çastet e lumtura të jetës intime në Kalanë e Prezës edhe me Donikën e Gjergj Kastriotin.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com