Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

VJESHTË 1978, FRANCË: 4000 KOPJE “DIMRI I MADH” U SHITËN, PO SHTYPEN EDHE 3000 TË TJERA.


(Nga Lidhja e Shkrimtarëve asnjë qindarkë për shpenzimet e qëndrimit në Paris të Ismail Kadaresë)

Pjesa e njëmbëdhjetë e ciklit

(Botuar në “Illyria” në 14 shkurt 2020)

Në muajin gusht të vitit 1978 në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë ndodhet edhe në letër drejtuesin e saj, Nesti Nasen. Ka për autor Ismail Kadarenë.
Me shkrim dore në të thuhet: “Shoku ministër, po ju dërgoj një informacion për çështjet për të cilat shkova me shërbim në Francë.
Nëqoftëse do të dëshironi jam i gatshëm t’ju jap shpjegime më të hollësishme,
Me respekt
Ismail Kadare”.
Letra e bashkëngjitur, me titullin “Informacion”, e vinte në dijeni Nesti Nasen për sa më poshtë: “Në muajin korrik 1978 shkova në Francë për dy probleme:
1. Çështjen e shënimeve shoqëruese (teksti në kopertinën e prapme) të romanit “Dimri i madh”;
2. Çështjen e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Më poshtë: “Shtëpia botuese “Fayard” e kishte bërë gati kopertinën e librit bashkë me tekstin e kopertinës së prapme.
Gjysma e tekstit ishte e mirë dhe e prezantonte drejt romanin, por, ashtu siç parashikohej, gjysma tjetër nuk ishte e mirë. Ajo kishte fraza sensacionale, sipas stilit komerçial dhe ndonjëherë jepte gjëra pa asnjë bazë për realitetin tonë.
Në takime të shumta e të njëpasnjëshme në Shtëpinë Botuese, në mënyrë graduale unë arrita që, në fillim ata të hiqnin nga teksti pjesën jo të mirë dhe ta zëvendësonin atë me tekst tjetër. Pastaj, duke e parë se kjo punë doli me sukses shkova më tej, duke influencuar që të rishikohej krejt teksti. Kështu që, si përfundim, teksti u bë krejt i ri (gjithmonë nga ata vetë). Ky tekst i ri përfundimtar, është nga çdo pikëpamje, shumë më i mirë se teksti i mëparshëm. Atje inkuadrohet shumë mirë historikisht vepra, duke u përmendur tre shtetet e mëdhenj, me të cilët vendi ynë është ndeshur gjatë historisë së tij; Perandorisë otomane, BRSS dhe së fundi Kina; evidentohet personazhi i shokut Enver, (gjë që është bërë edhe në tekstin e parë prej vetë atyre), jepen vlerësime të drejta për ngjarjen për romanin”.
Pasi informon se, të paktën për çështjen e botimit të librit “Dimri i madh”, i ka përballuar me vendosmëri e qetësi të gjitha rrethanat e papërshtatshme, duke i zgjidhur në një harmoni përputhjeje të qëllimeve të tij letrare dhe të interesave të partisë së vetme në pushtet si edhe të persoinazhit e politikanit Enver Hoxha, Kadare shkon më tej në pohimin e vet.
Shkruan: “Romani do të dalë në ditët e fundit të shtatorit-ditët e para të tetorit. Shtëpia botuese “Fayard” ka ndërmend të organizojë me këtë rast një drekë recepsion me shkrimtarë, kritikë, gazetarë, punonjës të Radio TV. Në qoftë se kjo do të bëhet vërtet, është një gjë e rëndësishme, sepse tregon që romani konsiderohet prej tyre si ngjarje e shënuar e vitit letrar. (Zakonisht shtëpitë botuese bëjnë 5-6 recepsione të tilla në vit)”.
Në vijim: “Ashtu siç është shprehur shoku ministër i jashtëm, do të ishte mirë që edhe Ambasada jonë të organizonte nga ana e saj një recepsion të tillë. Këto recepsione janë jo vetëm të domosdoshme për lancimin e librit (sidomos ai i shtëpisë botuese franceze), por në situatën aktuale ato marrin një tingëllim të veçantë politik”.
Informacioni i qartë dhe i plotë për çështjen e “Dimrit të madh” këtu mbyllet, për t’u hapur ai që lidhet me prodhimin e filmit kinematografik mbi subjektin e romanit tjetër të tij, “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”.
Për këtë problem Ismail Kadare e informon udhëheqjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme me fare pak fjalë: “Për çështjen e filmit puna qëndron kështu: filmin ka marrë angazhim ta financojë shoqëria më e madhe kinematografike e Francës SFP (Societte de Productions Francaise). Projekti i kontratës është bërë, por kontrata prej tyre akoma nuk është nënshkruar, sepse, sipas SFP, presidenti ishte me pushime. Pritet dërgimi i kontratës në Shqipëri për nënshkrim nga autori.
Ismail Kadare
Tiranë, gusht 1978”.
Siç shihet, informacioni që synon rënien në dorë të Nesti Nases, nuk ka një ditë të caktuar të hartimit. Në një rast të dytë të tij, në fillim dhjetor të po këtij viti, 1978, Kadare e ka shënuar ditën e saktë.
Gjithsesi shkojmë më tej.
Në 6 shtator (1978) rrugën Paris Tiranë dhe anasjelltas e kanë bërë dy radiograme të koduara dhe një shkresë me përmbajtje të hapët. Radiogrami i parë i drejtohet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe është i firmosur prej ambasadorit Dhimiter Lamani. Ky i komunikon Tiranës: “Sekretaria e drejtorit të “Fayard” na njoftoi se libri i Kadaresë është botuar në 4000 kopje dhe është shpërndarë në libraritë kryesore”.
Pastaj: “U është dërguar edhe rreth 100 gazetarëve e shkrimtarëve dhe ka ngjallur mjaft interes”.
Teksti vazhdon: “Lutemi na njoftoni në se Ismaili do t’u dërgojë shokëve udhëheqës aty nga sasia që ju dërguam apo duhet të marrim këtu edhe ca kopje”.
Duke shkuar më tej: “Në shitje është vënë 69 franga”.
Në mbyllje të radiogramit të shifruar fjalët janë këto: “Po ashtu na njoftoni në se Ismaili do t’i dërgojë vetë ndonjërit këtu apo t’i dërgojmë neve si psh Eskarpitit, Boskes, Siprian etj”.
Dokumenti i dytë i nisur në 6 shtator është një shkresë nga Parisi, me numër protokolli 304, e cila i drejtohet nënministrit të Jashtëm Reis Malile.
Thotë: “Po ju dërgoj katër kopje të projektkontratës lidhur me realizimin e filmit “Mbi gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, përgatitur nga “Société Française de Production...”, të cilat lutemi t’i dorëzohen Kadaresë. Në rast se është dakord t’i nënshkruajë dhe të kthejë dy prej tyre”.
Pas këtij njoftimi ambasadori Dhimitër Lamani sqaron se “Duke lexuar kontratën unë pata dy vërejtje për të cilat dua të tërheq edhe vëmendjen e shokut Ismail”.
Vërejtjet e tij janë dy dhe ai i furmulon kështu:
“1).Në kontratë apo në aneks nuk përmendet fare çështja e kalimit të të drejtave të Lëbrand-Kyperbergut Shoqatës Franceze të Prodhimit, ndërsa në faqen 3, neni 3, paragrafi 2 thotë se “Autori deklaron se nuk ka kontratuar asnjë angazhim tjetër...
2).Në faqen 9 po ashtu thuhet se “Shoqata Franceze i ka derdhur autorit 18000 franga”, gjë që nuk është e vërtetë, (se me sa di unë këto janë paguar jo nga Shoqata, por nga Lëbrand-Kyperbergu)”.
Dhimitër Lamani shpjegon në vijim: “Për këto dy vëretje (por Kadareja mund të ketë edhe të tjera) unë fola me zonjën Fantom (që zëvendëson gjatë pushimeve zonjën Blavier të Albin Michel) dhe ajo më tha se kini të drejtë dhe ne do të kërkojmë nga Shoqata Franceze që të bëjë një aneks lidhur me Lëbrand-Kyperbergun dhe të na e dërgojë më vonë”.
Në mbyllje të shkresës me përmbajtje të hapët rreshtohen fjalët: “Kontratat po i dërgojmë me qëllim që të ketë kohë të studjohen aty dhe mund të nënshkruhen këtu kur të vijë Kadareja në tetor”.
Dokumenti i tretë i 6 shtatorit 1978 është një radiogram i nisur drejt ambasadës në Paris nga Drejtoria e Dytë e Ministrisë së Punëve të Jashtme, në emër të të cilës pati firmosur Reis Malile. Në të vërtetë ai iu përcoll ambasadorit Dhimitër Lamani më vonë, në datën 11 shtator.
Në të njoftohej se bashkëngjitur po u dërgonin dy kopje, të nënshkruara nga Ismail Kadare, të kontratës me “Societé Française de Production....”, për tia dorëzuar firmës në fjalë.
Në fund të tij ambasada porositej: “Ndiqeni çështjen dhe na mbani në korrent për gjithçka”.
Në 7 shtator nga ambasada në Paris, prej Dhimitër Lamanit, nënministrit Reis Malile iu dërgua ky radiogram i koduar: “1) Lidhur me librin e Kadaresë fola me miqtë tanë Alen Boske, Pier Siprion, Mishel Kote, gjithmonë i lashë një njoftim Robert Eskarpitit, i cili këto ditë kthehet nga pushimet. Të tre të parët janë të gatshëm të shkruajnë rreth librit në organe të ndryshme. Siprion na tha se do të bëjë edhe një emision në radio”.
Në pikën e dytë radiogrami i ambasadorit shqiptar në Paris këshillon që të kihet kujdes për projektkontratën e filmit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, sepse, siç thotë, “kemi disa vërejtje”. Më pas ai vë në dukje se “Kadareja do të vijë në tetor dhe ta ndjekë vetë”. Në fund Dhimitër Lamani ngul këmbë që kontrata të përforcohet.
Të nesërmen, në 8 shtator 1978, kryetari i Komitetit Shqiptar për Marrëdhënie Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, Javer Malo, i shkruante ambasadës në Paris: “Na njoftoni sa kushton me çmim të reduktuar romani i Kadaresë për të thënë më pastaj sa copë të blejmë”.
Dhjetë ditë më vonë, në 18 shtator, nga Dhimitër Lamani Ministrisë së Jashtme i kumtohet: “Thirra në ambasadë përfaqësuesin e SFP për filmin e Kadaresë, Zhan Biron, i dorëzova dy kopjet e firmosura nga Kadareja. I kërkova për të vënë datën në fund të kontratës. Tha se do ta bëjnë menjëherë. Folëm për çështjen e skenaristëve. Tha se me siguri do jenë “Ago dhe Skarpeli” të Italisë. Do t’i njoftojnë këta se kur mund të vijnë në Paris që mundësisht të takohen edhe me Ismailin”.
Më pas radiogrami thekson: “Do njoftojmë Pikolin dhe Mastrojanin. Kadare duhet të dërgojë edhe njërën kopje të kontratës, se këtyre këtu u duhen tre kopje, ndërsa Kadareja e ka mjaft një. Po përpiqemi që çështjet të vihen në rrugë sa më shpejt”.
Në 5 tetor 1978 nga ambasadori Lamani iu dërgua në radiogram i koduar Ksenofon Nushit në MPJ: “Nga bisedimet me shtëpinë botuese Fayard rezulton se libri i Kadaresë në përgjithësi ka ngjallur interes, por me që është botim voluminoz për t’u lexuar, akoma njerëzit nuk kanë shkruar nëpër gazeta. Kjo do të bëhet së shpejti. Përsa i përket ardhjes të Ismailit këtu na thanë se i kanë dërguar një letër direkt Kadaresë dhe mendimi i tyre është të vijë në gjysmën e dytë të tetorit për të marë kontakte me shkrimtarë e gazetarë. Këta mendojnë që kjo të bëhet jo me konferenca shtypi, por me takime të veçanta, se është mirë sipas tyre. Sidoqoftë këtë e shohim edhe këtu. Nga të dhënat që ka Fayardi shiten 30-40 libra në ditë. Ne vetë kemi konstatuar se në disa librari është mbaruar kontigjenti i parë. Sot, 4 tetor, gazeta e përjavshme “Le Kanar Anshenë” (“Le Canard enchainé”-shënimi ynë) botoi një artikull mbi romanin, të cilin po e dërgojmë në adresën tuaj”.
Në 18 tetor 1978 një radiogram i ambasadorit nga Parisi për ministrin e Jashtëm Nesti Nase përmbante këto fjalë-shifër: “Punët me Kadarenë shkojnë mirë. Romani po popullarizohet gjerësisht nga Fayard. Edicioni i parë prej 4 mijë kopjesh pothuaj është shitur i gjithë. Fayard do të ribotojë së shpejti edhe 3 mijë kopje të tjera, gjë që konsiderohet një sukses për një kohë aq të shkurtër. Tek Fayardi në takimin e parë Ismailit i thanë se libri ka ngjallur interes të madh jo vetëm në Francë. Botuesi i madh suedez Bonivers (ky emër nuk lexohet qartë-shënimi ynë) përfundoi kontratën për ta botuar romanin në Suedi, edhe shumë vende të tjera janë interesuar për ta botuar. Kemi folur me Boskenë, i cili do të shkruajë përsëri si dhe me Eskarpitin me të cilin kemi lënë takim të veçantë. Dje Kadareja bëri një bisedë në radio, e cila do të trasmentohet së shpejti. Ky do të jetë emisioni i dytë në radio. Në 30 tetor do të ketë një emision tjetër dhe javën e parë të nëntorit një tjetër në prezantim të gjerë të romanit në radio-televizion”.
Në mbyllje të radiogramit: “Mund të organizohet nga Fayardi një takim me një grup shkrimtarësh të rinj”.
Në 7 nëntor sërish një radiogram i Dhimitër Lamanit për Ksenofon Nushim në Ministrinë e Punëve të Jashtme: “Hoteli ku qëndron Ismail Kadareja i kërkon një dokument që ambasada garanton pagimin e fjetjes. I kemi bërë dy telegrame Lidhjes (së Shkrimtarëve dhe Artistëve-shënimi ynë) për të na dërguar 4500 franga për shpenzimet e hotelit. Nuk na është përgjigjur fare. Lutemi na njoftoni si të veprojmë. Presim përgjigje”.
Dhjetë ditë më pas, në 17 nëntor 1978, MPJ-së në Tiranë i raportohej nga Parisi: “Pierr Siprian na ftoi në shtëpi për darkë me Kadarenë. Biseduam miqësisht. Po përgatit një artikull mbi “Dimrin e madh”. Gjatë bisedës u angazhua të bëjë për gazetën “Le Figaro” edhe një artikull mbi politikën tonë të jashtme. I sugjerova të ketë parasysh fjalimin e shokut Enver me zgjedhësit, të cilin ia dërgova me kartë-postale....“
Në 1 dhjetor 1978 më në fund në arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme ndodhet një relacion i Ismail Kadaresë me shpjegime të hollësishme mbi çfarë po ndodh në Francë me librin e tij “Dimri i madh” dhe filmin mbi subjektin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së Vdekur”.
Ngjarjet kishin ecur me shpejtësi jo të vogël që prej çastit kur në 15 shkurt 1978 drejt Ministrisë së Punëve të Jashtme Dhimitër Lamani pati dërguar radiogramin: “Sot Ismaili nënshkroi kontratën për botimin e romanit “Dimri i madh” me Fayard. Romani del në shitje në shtator-tetor. Botohet pa asnjë shkurtim. Para disa ditësh Ismaili nënshkroi edhe kontratën për filmin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”...”.
Por le të presim numrin tjetër të “Illyria”, ku këtë surprizë suksesi shumë të jashtëzakonshëm artistik jashtë vendit, më të madhin deri atëherë të artit shqiptar jashtë vendit, do të na e rrëfejë në ditën e parë të dhjetorit 1978 vetë Ismail Kadare.
Sigurisht do të na duhet të presim edhe disa edicione të tjera të kësaj të përjavshmeje të njohur të bashkësisë shqiptaro-amerikane, për të mbetur pa gojë kur të lexojmë se si Enver Hoxha, personazh kryesor historik i romanit “Dimri i madh”, me përfitim të dukshëm të imazhit të tij politik, në fundshkurt 1982 jo vetëm është i pakënaqur (sepse kërkon më shumë), por i shkon në mendje edhe një plan i zi.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 12 shkurt 2020


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com