Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

\"QYTETI PRANE QIELLIT\": Midis Kalasë dhe malit të Goricës ka qenë një ujvarë


(Fragmenti 5 i librit, vijon nga dje)

Duhej të ishin vitet 1957 apo 1958 kur një pasdite të ngrohtë vjeshte në parkun e madh të lagjes tonë popullore me emrin historik Murat Çelebi, u shfaq një çadër. Kjo ishte ngjarje e papritur dhe krejtësisht e çuditshme. E kishin ngritur dy gjeologë sovjetikë dhe kjo e shtonte edhe më shumë shtangien e përgjithshme të banorëve përreth.
Me dy gjeologët rusë ishte edhe një përkthyes shqiptar dhe kjo e shumonte akoma më tepër habinë.
Po jetonin atje, në mes të parkut, ku kurrkush nuk mund ta bënte të njëjtin gjest, sepse nuk lejohej rreptësisht. Çadrën e kishin si banesë të përkohshme, thoshin njerëzit, por shpejt do të largoheshin për t’iu ngjitur maleve, Shpiragut, krahinës së Tërpanit dhe lartësive të Tomorrit.
Kërkonin naftë.
Autori i këtyre rradhëve, për shkak se shtëpinë prindërore e kishte fare afër, qe ndër të parët që mbërriti në vendngjarjen e rrallë, e cila do t’i ngulitej në mendje për tërë jetën.
Çadra e madhe qe lartuar poshtë fushës së tenisit, në hyrjen veriore të parkut, e cila mund të quhej edhe kryesorja, sepse shihte në drejtim të shtrirjes së lagjes.
Kur unë, nëntë apo dhjetëvjeçari, mbërrita, bashkë me fëmijë të tjerë kuriozë u bëmë gjithsej shtatë apo tetë. Që në fillim na mbetën sytë tek një si aparat me ekran, kabllot e të cilit futeshin në brendësi të çadrës. Nuk kishim parë televizorë dhe as tani nuk e di çfarë qe ajo pajisje. Në ekran dukej një pamje mali plot borë e shkembinj, pak a shumë si një pjesë filmi.
Me sytë ngulitur në këtë vegël teknologjike të paparë dy rusët nuk dëshmuan se me kërshëritë tona fëminore po i bezdisnim dhe filluan të sileshin mjaft miqësorë. Qenë në moshë sa baballarët tanë dhe me siguri u kujtonim bijtë e tyre lënë për ca kohë larg. Ne, që e hamendësuam këtë mallim, na përfshiu admirimi për ta. Filluam t’u bënim çpengueshëm pyetje gjithfarëlloj, në rrëmujë, pothuaj pa i lënë shumë kohë e rradhë njëri-tjetrit.
Të ulur përdhe para çadrës nomade dy rusët na thanë se Berati ishte krijuar në vendin e një liqeni të madh uji, i cili qindra mijra vite më parë e mbulonte tërë hapësirën, deri në muret e kalasë. Një ditë ai liqen ishte mpakur dhe ulur nivelin e ujrave, duke zbuluar cipën e tokës, e cila pak nga pak u mbush me jetë bimore dhe njerës.
Ky, mesa kuptuam nga ai shpjegim i duruar i dy gjeologëve sovjetikë dhe përkthyesit të tyre, mund të quhej një liqen i mirë.
Por ndërkaq mësuam se Berati kishte edhe një liqen tjetër, të keq, i cili ndodhej në të kundërt të të parit, jo mbi tokë, por nën të, shumë thellë kores së saj. Sipas dy rusëve, ai vazhdonte të ekzistonte edhe ato çaste dhe herë pas here, prej shkëputjes dhe rënies në të të masave të mëdha të brendshme të dheut, krijonte dallgë të mëdha, kështu edhe tronditje të forta të tokës.
Kjo shkaktonte tërmete dhe askush prej nesh, fëmijëve të asaj dite të ngrohtë vjeshte 1957 apo 1958, nuk mundi dot t’i shpëtonte një frike të tmerrshme: mos tërë qyteti binte poshtë, zhytej e mbytej në këtë liqen grackë.
Këtë panik e kam pasur për vite e vite të tëra, deri sa një ditë, rreth të dyzetave, kërkova dhe mësova disa të dhëna më të sakta. Këtë histori e kam shkruar në librin e dytë të trilogjisë për Beratin, ende të pabotuar, atë me titullin “Në fillim ishte Bardha”.
Qe moti 1988 kur bleva librin e porsadalë nga shtypi, “Berati, historia dhe arkitektura” të autorëve Apollon Baçe, Aleksandër Meksi dhe Emin Riza. Atje shkruhej se “Rreth dy milionë vjet më parë Osumi arriti të shpërthejë pengesën e fundit të zonës malore, një kurriz të lartë gëlqeror, e të dalë lirshëm në fushën e gjerë të Myzeqesë”.
Në një fragment tjetër në librin e tyre ata, duke këmbëngulur në këtë tezë, spikatnin se më herët nga shpërthimi i parë i ujrave të liqenit, të krijuar prej lumit i cili më pas u quajt Osum, kodra e Kalasë (kështjellës) dhe ajo e Goricës përbënin një vargmal të pandërprerë.
Gjithçka tjetër veç mund ta përfytyroje dhe plotësoje detaje në përputhje të thjeshtë me logjikën. Pa fantazuar pamje ëndërre, por realitet të mundshëm, atë kohë të largët me mbi dy milionë mote, lartësia që iu desh të kapërcente uji ka qenë jo më pak se një qind e nëntëdhjetë metra (Kalaja sot është 187 m).
Prej kësaj maje aspak të vogël dhe jo të butë e të pjerrët, por pothuaj përpendikulare, ujrat janë lëshuar nga lart poshtë tamam si në një “Niagarë”.
Pas këtij shkumëzimi ato kanë bërë një bërryl të shpejtë djathtas dhe janë derdhur drejt fushës gjigande, shumë më vonë të quajtur Myzeqe. Patjetër kjo ujvarë ka qenë një pamje marramëndëse, por dëshmitarë njerëzorë nuk kishte. “Homo sapiens” e nisi jetën mbi glob mjaft e mjaft më vonë.
Atëherë jo vetëm shtrati i sotëm i qytetit antik dhe atij mesjetar e të ri, nëpër kodrat e përrethta dhe përgjatë luginës së Osumit, ishte nën ujë, por edhe vetë Kalaja dhe mali i Goricës qenë vetëm një trup shkembi dhe dheu.
Mund të quhej Mal i Thatë, sepse nga trupi i vet nuk dilte asnjë pikë uji.
Këtë masiv gëlqeror të paujë goditi furishëm lumi dhe krijoi kushtet për një vendbanim nga më të bukurit e më të shendetshmit, shumë magjik e energjipërtëritës.
Këtë mirësi të madhe e kreu Mali i Tomorrit, perëndia e gjithë territorit dhe e vetë Beratit. Tomorri është hyjnia kryesore e qytetit dhe e gjithë një hapësire disa dhjetra fish më të madhe se sa e kësaj qendre urbane, magnet demografik që grumbullonte lëndë njerëzore prej kufijsh shumë të gjerë, të paktën sa çereku i trojeve të shqiptarëve.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com