Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: NË EVROPË QYTET MBI SHTATË KODRA ËSHTË ROMA, LISBONA DHE BERATI


(Fragmenti 6 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Lumi i Osumit, i cili dy mijë mote më parë quhej Apsus, disa pak shekuj të shkuara Beratino në shtatin mbi kufirin ku sot ndodhet Ura e Goricës dhe Ergent në rrjedhën poshtë saj, vendburimin e ka në Malin e Gramozit.
Kjo është pika gjeografike e lindjes së tij, por gjatë ngarendjes për të shkuar e derdhur në det, i bashkuar me lumin e Devollit matanë vendit të cilit i themi Ura e Kuçit dhe pas kësaj i shndërruar në Seman, vrullin e ujit të shumtë e të paqetë, zemërak jo rrallë sa mbahet mend më shumë i turbullt se i kulluar, forcën goditëse, ndryshuese, e merr prej malit të Tomorrit.
Ia jep ai masiv që e përdor për mirë jo vetëm atë energji ujrash, por gjithçka ka të pashterrur dhe përtëritëse në trupin e tij.
Tomorri është piktor për mjedisin e Beratit dhe arkitekt i përjetshëm i tij.
Dy milionë e kusur mote më herët se këto ditë që kalojmë, ndërsa ajo rrjedhë e pandalur e lumit si një ujvarë kolosale gërryente shkëmbin gëlqeror të dikur malit të thatë Kala-Goricë, për më në fund ndarë atë më dysh, në luginën para u formatua pak nga pak, si në një vepër skulpture të natyrës, një pamje befasuese: relievi i çliruar nga ujrat e liqenit të mëparshëm kishte shtatë kodra.
Mund të qenë edhe pesë apo dhjetë, por jo, i dërguari mjeshtër i Tomorrit, lumi, krijoi vetëm SHTATË.
Madje Franc Babinger, orientalist i shumënjohur gjerman që ndërroi jetë në 1967, pasi i dha njerëzimit kryeveprën e tij të historisë së Perandorisë Otomane të kohës së Sulltan Mehmetit II, ka shkruar se në qytetin e Beratit bashkë me këto kodra qenë edhe shtatë lugina.
Kur në luginën kryesore pas hapjes së plotë të grykëderdhjes midis gjysmëmalit të mbetur të Kalasë dhe pjesës tjetër të Goricës u shfaqën shtatë kodrinat e buta, njeriu nuk ekzistonte. Emrat e objekteve të natyrës ai i vendosi, të paktën në rrethinat e Beratit të sotëm, katër mijë vjet më parë.
Atëherë mali i madh me shpirt të mirë, por edhe talent arkitekti, u quajt pak a shumë me një tingllim zanor të përafërt me të sotmin. Në atë kohë banuesi i atëhershëm u ka dhënë emra edhe shtatë kodrave.
Ndërkaq askush nuk e di si quheshin konkretisht dyzetë shekuj më parë. Dimë vetëm atë që ka mbetur prej kësaj emërtese të lashtë.
Beratologia e pasionuar dhe tepër e saktë Parashqevi Sahatçiu kërkesës së autorit të këtyre rradhëve që t’i dërgonte të shkruar këto shtatë emra, iu përgjigj: Kala, Biftë, Shëndëlli, Breg, Thën Thanas, Baba Kadi, Goricë.
Në këtë nomenklaturë të mbërritur deri sot dallon autorësi të periudhës pagane, asaj të krishterë, myslimane dhe jashtë ndikimeve fetare, por kjo temë është jashtë interesimit tonë për të depërtuar më thellë.
Rëndësi ka numri SHTATË.
Sepse konsiderohet i shenjtë.
Duke qenë se kam jetuar e punuar për disa kohë në Romë, vendbanim i madh historik i ngritur mbi shtatë kodra (Aventino, Campidoglio, Viminale, Palatino, Quirinale, Celio dhe Esquilino), e di fare mirë se sa prestigj shenjtërie, pranie dhe mbrese hyjnore, i jep ky fakt një qyteti me të tillë favor gjeografik.
Numri 7 është numër i lumturisë dhe i fatit, shtatë janë ngjyrat e ylberit, po kaq planetet në astrologjinë antike (Hëna, Mërkuri, Venera, Dielli, Marsi, Juve dhe Saturni). Po ashtu në antikitet shtatë ishin qiejt, shtatë ditët e javës, shtatë yjet më të ndriçuar të Arushës së Madhe dhe asaj të Vogël.
Shtatë janë detet sipas grekëve të lashtë, po kaq virtutet njerëzore (besimi, shpresa, mëshira, drejtësia, kalitja, maturia dhe të qenit i fortë). Shtatë janë edhe veset kryesore të njeriut, mes tyre pangopja dhe kopracllëku.
Shtatë përcaktohen nga Allahu të jenë cilësitë më të mira dhe sipas Kuranit qiejt që krijoi Zoti ishin me këtë numër. Po kaq qenë tokat që ai krijoi, detet, humnerat e ferrit, shtatë ishin edhe portat. Shtatë janë vargjet e strofës së parë të Kuranit, Fatihas. Po ashtu shtatë janë fjalët e betimit të një besimtari mysliman: “Lâ îlâha îlla Âllâh, Muhammad rasûl Âllâh” (“Askujt tjetër hyjni përveç Zotit, Muhametit dhe Profetit të Zotit”). Shtatë janë praktikat e detyrueshme për një pelegrin që shkon në Mekë.
Saktësisht shtatë i kanë të krishterët katolikë ceremonitë e shenjtërimit, shtatë janë edhe dhimbjet e Marisë, nënës së Krishtit.
Shtatë kanë qenë filozofët më të shquar të Greqisë së lashtë, po kaq janë mrekullitë e botës, shtatë janë muajt me 31 ditë. Madje edhe koka ka shtatë vrima. Fëmija në bark të nënës po qe shtatë muajsh mund të lindet e të rrojë. Macja gjithashtu ka shtatë jetë. Në dëshiron të punosh shumë duhet të “djersitësh shtatë këmisha” dhe kur njeriu është i lumtur ndihet si në qiellin e shtatë. Mos guxo të thyesh një pasqyrë, sepse do të vuash shtatë vite.
Por rikthehemi tek Berati me shtatë kodrat dhe luginat e tij.
Sipas Parashqevi Sahatçiut qyteti ka më tepër 7-ta të shenjta: “7 porta ka pasur Kalaja (një portë V është zhdukur). Këtë e thonë Çelebi e Pukëvil. 7 hyrje ka lagjja “Mangalem”, 7 kubé ka Xhamia e Plumbit, 7 harqe ka teqeja e Helvetive”.
E lidhur fort me historinë e qytetit të saj studiuesja Sahatçi nuk harron të ngulë këmbë edhe në një hollësi që mund të jetë krejt e rastësishme: në fillim të 2016-tës gazeta \"Boston Globe\" e kishte shpallur Beratin një nga 7 destinacionet botërore të turizmit për atë vit.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com