Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: PËRSËRI PËR LIQENIN NË NËNTOKË TË BERATIT


(Fragmenti 11 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Kur isha ende fëmijë, por prej dy gjeologëve sovjetikë të vendosur përkohësisht në një çadër në Parkun e lagjes Murat Çelebi, çfarë ua kam treguar hollësisht më parë, e pata dëgjuar historinë e dy liqeneve mbi dhe nën tokën e Beratit, u gjenda në fshatin Bogovë. Im atë atë kohë qe drejtor i ndërmarrjes tregtare të rrethit, kur përveç Beratit përfshihej edhe Skrapari.
Punonjësit e saj bënin një festë, nuk më kujtohet cilën, dhe kishin zgjedhur Bogovën si vendgezim kolektiv. Prej andej ndihej shumë freskia e ujrave të Osumit, zhurrma e një katarakti, të cilin nuk e pamë, si edhe një si ajër me aromë që vinte prej malit të Tomorrit.
Ishte një përjetim krejt tjetër nga sa ta përcillte qyteti i bukur poshtë, tek kembët e Kalasë, përfshi edhe lagjen tonë Murat Çelebi, territor mjaft i gjelbëruar.
Atëherë në hyrje të qytetit familja jonë kishte një bostan, për të cilin kujdesej gjyshi nga babai, Insani (emër turk që do të thotë Njeri), ku nuk mungonin frutet e të gjitha llojeve, përfshi edhe një rush plot erë të kendshme, të cilin beratasit e vjetër e vjetër thoshin se e patën marrë në Egjipt.
E megjithatë aroma që vinte prej Tomorrit në atë drekë festive mbase të vitit 1960, më trallisi fare. Ndoshta nuk e kam provuar më pas njëherë të dytë këtë çudi parfumi natyror.
Kur mendoja se kjo ishte mahnitja ime më e madhe, u bë e parë një vetëndjerje tjetër, pothuaj sensasion. Në drekën e shtruar përdhe dhe ku kishte me bollëk djathëra dhe mish, për rakipirësit shishe të mbushura plot, një çast unë, “djali i drejtorit”, ndërpreva ngrënien. Isha i tejngopur. Në stomak nuk kishte asnjë centimetër vend qoftë edhe për një të kafshuar molle.
Kjo preokupoi disa miq të tim ati, por jo pak edhe disa të zakonshëm servilë, të cilët m’u luten që të vazhdoja të gëlltisja copa djathi të bardhë pa kripë dhe mish të njomë të pjekur. Kur e panë që unë me të vërteta qesh i nginjur, njëri prej tyre tha: shko në lumë dhe pi ujë!
Shtanga. E kish fjalën për një rrjedhë plot ujë të shumtë e të vrullshëm, afër të cilës ishim duke drekuar. Por si mund të pija ujë në lumë?! Njihja për këtë punë çesmën publike dhe gotën e ujit.
“Shko, shko, m’u lut me zë të butë personi, futu në mes të ujit dhe pi. Është shumë i pastër”.
Iu binda menjëherë dhe bëra siç më tha. Qe një ujë akull i ftohtë. Nisa të pi, sërish të pi. Me sa dukej kisha edhe etje. Kur më në fund ngrita trupin ai zë dashamirës që po më dukej si pjesë melodike, më pyeti: “Hë, si ndihesh tani?”
Mbeta i hutuar. Kisha shumë ndjesira, që të gjitha të kendshme, por për cilën e kishte fjalën ai. Vetëtimthi m’u duk sikur e gjeta. Iu përgjigja: “Kam uri. Dua të ha”.
E qeshura e drekëtarëve nuk kish të pushuar.
U vërsula tek djathi e mishi dhe pas një gjysmë ore cikli ngrënës, iu riktheva pirjes së ujit të Tomorrit.
Mbase vitet ia kanë rritur dhe zmadhuar nostalgjinë këtij episodi, por nuk më ka ndodhur më të pi ujë të mineralizuar në Shqipëri dhe jashtë, me fuqi të tillë tretëse. Kemi provuar edhe ujin “mbretëror”, atë që pinte Ahmet Zogu, “Qafë Shtambën”, por bogovaujë (term që nga simpatia për të po e krijoj këtë çast) qe më i epërm.
Sipas një gojëdhëne që ka dëgjuar mitropoliti i Beratit Aleks Aleksudhi, i pranishëm në qytet dy shekuj më parë, në pranverë të krishterë të shumtë nga Berati dhe nga krahinat përreth ngjiteshin në Tomorr për t’u larguar nga vapa e fushës dhe për të shijuar ajrin e pastër dhe ujin e freskët që buronte gjithandej në këtë mal. Aty ata qëndronin deri në muajin tetor, atëherë kur edhe largohej të nxehtit e verës, për t’u rikthyer në vendet e tyre.
Vëmendje: nuk është fjala për ndonjë pelegrinazh siç është ai dy-tri ditor i fundgushtit, kushtuar të shenjtit bektashi Baba Aliu. Bëhet fjala për zhvendosje disa mujore të një pjese popullsie, e cila duhej të qe sadopak e kamur për tè mundèsuar këtë periudhë verimi.
E konfirmon këtë fuqi shëndetësore të ujit Dervish Hoxha, i cili ka kaluar në Berat tërë karrierën e vet si mjek, madje në fshatrat pèrreth Tomorrit (nga Roshniku dhe deri ne Karkanjoz), ka jetuar e punuar për plot 14 vite (1978-1992).
Sipas tij, “ndër kushtet favorizues të një bashkësie njerëzore janë afërsia me malin dhe me lumin, gjelbèrimi, klima, ndotja e ajrit dhe me shumë rëndësi furnizimi me ujë të pijshëm. Këto ose e forcojnë ose e dobësojnë shëndetin e banorëve. Tè gjitha lagjet dhe vetë qyteti i Beratit ka fatin e madh që këto resurse i posedon, pasi është i rrethuar me kodra (shtatë kodrat e famshme, shënimi ynë), gjelbërim, ka lumin Osum, pozicion vendosje me ajër të pastër, ndotje të papërfillshme, furnizim me ujë të pijshëm nga mali i bekuar Tomorrit”.
Të gjitha këto së bashku, thotë doktori, i japin një mbrojtje shëndetësore në nivel mjaft të lartë Beratit dhe rrethinave të tij që janè nè kontakt me dy malet Tomorr dhe Shpirag.
Ndërkaq Perikli Ikonomi në librin “Dodona Pellazgjike dhe Tomor’ i zotit të Pellazgëve”, si edhe në intervista të tij, sa qe gjallë, nuk përmbahej për 100 burimet me ujë të malit Tomor. Përveç kaq shumë burimeve ai do të theksonte se prej ujrave tè tij do të krijoheshin jo një e dy, por plot katër lumenj: ai i Tomorricës, i Zagorës, Osumi dhe Devolli.
Ja pse na vjen mirë të rikthehemi tek tema e jashtëzakonshme e atij liqeni të madh që ndodhet nën mal, por edhe nën Berat.
Pasi këtë lajm e mora për herë të parë prej dy gjeologëve sovjetikë afërsisht në 1958, më vonë prej studjuesve të historisë do të mësoja se këtë gjë e kishin popullarizuar në Berat, në 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore, gjeologë ushtarakë austriakë.
Sipas tyre, burimet tejet të shumta që kish mali i Tomorrit nuk vinin e rridhnin patjetër të gjithë prej faqeve shkëmborë, gjatë shkrirjes së borës, por ngjitshin nga thellësia e nëntokës.
Mes emrave të tyre Perikli Ikonomi veçon “Burimin e Kuçedrës”. Atje ndodhte një çudi e madhe, pohon ai: ky burim herë sjell ujë dhe herë e ndërpret atë. Mund të të ndodhë që të jesh duke pirë ujë dhe atë çast të shterojë. Për këtë arsye, shkruan Ikonomi, banorët e thërresin me emrin “Burimi i Kuçedrës”, sepse sipas legjendave e përrallave të moçme kur kuçedra nuk donte të të jepte ujë e zinte (bllokonte) atë.
Kjo habi, uji qè vjen e ikèn, mund të ndodhë edhe në rast se vjen nga poshtë, i shtyrë prej ndonjë energjie tektonike. Kjo forcè e lëviz ujin nga poshtë lart, por edhe në të kundërt.
Ja pèrse, edhe pse nè gjendje hamendjeje e nuk e dimë nëse satelitët kanë fuqi për ta depërtuar “vështrimin” e tyre shumë thellë në nëntokë, po ju paraqesim një fakt habitès. Inxhinieri hidroteknik, bashkëmoshatari dhe shoku im i rinisë së hershme, Vladimir Agalliu, i cili përveç një dekade me punë konkrete në Skrapar edhe më pas pati detyrë projektimin e ngritjen e rezervuareve në zonë, tregon se jo vetëm njëherë i ka ngjarë që ata të mpaken e madje të thahen për shkak të rrjedhjeve nga poshtë.
Në qershor 2019 ai na ka dëshmuar një rast ku, sipas parimesh shkencore bënë të gjitha përpjekjet për ta gjetur për ku ikte uji në rezervuarin e Mollasit, pra nëse nën tokë shkonte e dilte në ndonjë burim apo rigrumbullohej në ndonjë liqen apo pellg tjetër me mjaft sipërfaqe.
Por nuk e pikasën dot.
Ai shkonte shumè thellë nën tokë, diku. Dhe aty qëndronte.
Nuk duhet të anashkalojmë një dëshmi tjetër. Ka një legjendë të botuar nga studiuesi Çlirim Mukli, sipas të cilës “njëherë barinjtë që çonin për verim bagëtitë e tyre në faqet e malit, i çuan ato për të pirë ujë, si zakonisht, në liqen. Ndërsa dhentë po pinin ujë, një dash i zi ra brenda në liqen dhe u zhduk në ujërat e tij. Menjëherë më pas, e gjithë tufa e dhenve e ndoqi duke u hedhur në ujë ku u zhdukën pa nam e nishan. Kur barinjtë zbritën në Myzeqe, nga edhe kishin ardhur, panë se nga delet u kishin lindur qengja të tjerë të zinj. Verën e një viti më vonë barinjtë i çuan tufat e reja të dhenve përsëri për t’i kullotur si gjithmonë në Tomor. Kur i çuan ato për të pirë ujë në liqen, ndërsa dhentë po pinin, u rishfaq dashi i zi përreth të cilit u grumbulluan të gjithë qengjat e zinj dhe bashkë me ta dashi i zi u zhduk në liqen. Por njëkohësisht me to, kësaj here u zhduk edhe liqeni duke u përtharë i gjithi”.








Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com