Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

BREVE STORIA DELL\'ALBANIA
“DEMOKRACI E KAPUR”
GJYMTIMI I HISTORISË SË LËVIZJES KOMUNISTE SHQIPTARE
“QYTETI PRANË QIELLIT”
KOMUNIZMI SHQIPTAR DHE TELEVIZIONI ITALIAN RAI
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: JANI GAJDA, LUNDËRTARI I PARË I LUMIT OSUM NË BERAT.


(Fragmenti 45 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

E megjithatë lumi i Osumit, që nuk u hijeshua ndonjëherë për t’u bërë një liqen me ndonjë ishull artificial në mes apo barka që shëtisnin ose ndonjëherë ballafaqoheshin në gara sportive, e ka pasur ca kohë një lundër.
Madje kanë qenë plot tri.
Dy i lanë italianët pasi i përdorën në periudhën pak javore korrik-gusht 1918, kur nga Berati patën dëbuar austrohungarezët. Këta të fundit e kishin goditur mes për mes Urën e Goricës dhe bërë pothuaj të pakalueshme.
Për të lëvizur nga njëri breg i Osumit në tjetrin trupa dhe municione italianët përdorën këto barka, ndërsa më në fund u tërhoqën drejt jugut, duke i braktisur.
I lanë aty, nuk u duheshin. U ishin të tepërta.
Barka e tretë qe vetë çudia, një befasi për qytetin dhe si e tillë, dukuri e veçantë, bëri histori për dekada të tëra.
Banorët e quajtën Lundra.
Brezat e rinj nuk e dinë, sepse kujtimi i saj mbase do t’i nxiste ta shtrëngonin pushtetin lokal që atje ku ajo “ankorohej” dhe kishte “skelën”, të vendosej një pllakë.
Që ta shihnin të gjithë kalimtarët. Sepse “porti” i saj ndodhet në një nga pikat më të ngulmura prej tyre, më pak se njëqind metra larg Urës së Goricës, duke ardhur drejt saj nga qendra e qytetit.
Për të zbritur deri ku ndodhej lundra prej rrugës kryesore buzë Osumit, i cili në Berat ka pamjen e një prospekti si në qytete të ngjashëm nëpër kontinent (Budapest, Romë), kishte shkallë të gurta. Madje në formë harku, siluetë zbritëse mjaft elegante.
Këtë shenjë që do të tërhiqte turistët dhe pasuronte vetë historinë e qytetit, ka shumë vite që e kanë shfarrosur me paratë e shtetit
Personi që ngriti këtë mikrostrukturë lundrimi të shkurtër, këtë miniskelë, qe banori i Lagjes Mangalem Jani Gajda.
Për të tranzit shkruan studiuesja Marela Guga te libri i saj “Prefektura e Beratit 1920-1939” dhe më plotë regjisori skenik Vangjel Myzeqari në botimin e tij “Mangalemi, bukuria dhe krenaria e Beratit”.
Banesën e familjes Gajda Myzeqari e vendos në hyrjen e parë të lagjes Mangalem, duke ardhur nga Ura e Goricës, pranë shtëpisë së familjes Gjogollari, pra pothuaj mbi rrugë. Kjo ishte edhe pika më e afërt për të shkuar tek shkallaret kur Jani Gajda kishte lundrën e tij.
Gjithnjë sipas Vangjel Myzeqarit dhe listës së tij të botuar në libër për banorët e lagjes Mangalem në vitet 1930-1940-1950, përveç të shoqes, të cilës nuk ia citon emrin, qenë pjesëtarë të familjes edhe “Mai e vajza”.
Profesionin e Janit ai e emërton “lundraxhi”.
Regjisori Myzeqari rrëfen po ashtu se “Natën e 12 shtatorit 1944, vetëm 7-8 orë para se të fillonte lufta për çlirimin përfundimtar të Beratit (13 shtator 1944), Llaqi Zallëmi tërhoqi nga shtëpia e Miti Dheskalit në lagjen Goricë 12 armë, të cilat nëpër lundër të Mai Gajdës, i nxorri në anën e këtejme të lumit, dhe nëpër rrugicat e Mangalemit i ngjiti lartë për njësitin guerril, të ndodhej në sternën e Kalasë dhe që do të sulmonte gjermanët nga brenda kalasë”.
Mai qe i biri i xha Janit.
Sikur ta dinte këtë Martini, shefi i lartë i SIM-it, Zbulimit Ushtarak Italian, në Berat, i kamufluar si mardhal, nuk do ta pëlqente aq shumë kapërcimin e lumit më shumë me anë të barkës se të Urës së Goricës, për t’iu shmangur atentateve të njësitit guerril të qytetit, i famshëm për zotësinë e tij.
Me sa duket roli i dukshëm i të birit, Mait, brezit të dytë të asaj familjeje lundërtarësh të lumit Osum të Beratit, dëshmon se në 1944 xha Jani, veterani i parë i lundrimit mbi Osum, mbase kishte ndërruar jetë.
Sipas studiuesit Ajet Nallbani dhe librit të tij “Toponimet e Beratit”: “Për t’u siguruar nga rrëmbesa ajo (barka, shënimi ynë) drejtohej nga një kavo e lidhur në këtë drejtim (të rrugës kryesore, shënim ynë) dhe tërhiqej me anë të forcës nëpërmjet një karukulle”.
Ai saktëson se “Kalimtarët paguanin një shumë simbolike me anën e së cilës ndërtuesi dhe zotëruesi i saj plotësonte nevojat e familjes”.




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com