Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

KOMUNIZMI SHQIPTAR DHE TELEVIZIONI ITALIAN RAI
“QYTETI PRANË QIELLIT”: QERSHORËT E PAFAT TË SHKËLQIM NGURZËS, I CILI LUAJTI NË FILM SKËNDERBEUN E VOGËL
“QYTETI PRANË QIELLIT”: PSE BERATIT I DUHET NJË BUST I AKAKI HORAVËS DHE I VIKTOR STRATOBËRDHËS
KRYENGRITJA E FIERIT NË 1935 SI HISTORI E NDËRSJELLTË TERRORI
“QYTETI PRANË QIELLIT”: FËMIJA JETIM QË LUANTE I VETËM TËRË FILMIN “SKËNDERBEU”
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: LLOGJET TE “FURRI I SAHATIT”


(Fragmenti 49 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Sipas dijetarit Vexhi Buharaja dhe studimit të tij të posaçëm për lagjen Murat Çelebi, kjo ka nisur të krijohet rishtas në sapo fillimet e shekullit të 17-të.
Deri në mes të këtij njëqindvjeçari kishte vetëm 60 shtëpi, shkruan ai.
Apollon Baçe, Aleksandër Meksi dhe Emin Riza janë të mendjes se jetën kjo lagje e ka buisur pesëdhjetë mote më herët, në mes të shekullit XVI.
Doemos si e tillë, pasi Berati pati kaluar më se dy shekuj pushtim, sundim dhe administrim osman, kjo lagje do të ndërtohej mbi rregulla arkitektonike të pajtueshme me ato turke, orientale. I duhej të qe, posaçërisht apo për t’iu përshtatur kohës dhe qëllimeve tjetërsuese të pushtuesit, një vendbanim tërësor myslimanësh.
Në fund të fundit të krishterët ishin banuesit kryesorë dhe më të shumtë të qytetit të vjetër, Kalasë dhe lagjeve poshtë pjesës juglindore të mureve të saj. Mes tyre myslimanizimi mezi ndodhte, hynte me vështirësi, madje me nge, sepse edhe pushteti në Stamboll nuk e dëshironte ndonjë sforcim. Ai pëlqente “shiun e butë” të depërtimit.
Duhet thënë se ky emër, Murat Çelebi, i vjen nga një feudal vendas, kryeqeverisës lokal (mytesarif i Sanxhakut të Vlorës, i cili e përfshinte edhe Beratin, madje ky qytet ishte edhe qendër administrative e tij). Në mungesë të dokumetacionit përkatës sipas traditës islamiko-orientale, fillesa e lagjes së ardhme ka nisur me ndërtimin e sarajeve të Kara Murat Çelebiut.
Kjo ka ndodhur detyrimisht para motit 1670, kur udhëtari turk Evlija Çelebi e dëshmon Beratin me 30 mëhalla, nga të cilat 19 qenë myslimane, mes tyre më e madhja e tillë ishte “Murat Çelipa”. Kështu e shkruan.
Sipas historianit Ferit Duka dhe librit të tij “Berati në kohën osmane: shek. XVI-XVII”, krahas myslimanizimit të disa personave dhe të familjeve të tyre krejt para fillimit të ndërtimit të lagjes Murat Çelebi, qyteti e pati filluar procesin e krijimit të mëhallave myslimane dhe afër fundit të shekullit XVII ato krijuan deri edhe epërsi numerike mbi ato të krishtera.
Me Murat Çelebinë u krijua një lagje tipike e tillë, në dukje të paktën, sepse siç do ta shohim më vonë, orientalizmi në të ishte cipë. Ajo u ngrit mbi hapësira të gjëra dhe sheshe, banesa që kishin kopshte, mjedisi përreth qe i hapur dhe piktoresk, i mbushur me diell. Ashtu si qyteti i vjetër që nëpërmjet Osumit zotëronte ujra të bollshme për të vaditur, Murat Çelebi kishte edhe shumë ujë për të pirë.
Ky Berat i ri nuk i ngjante të vjetrit, i cili ishte i thatë. Murat Çelepi kishte disa çesma, madje me tre lëfyte, siç qenë në sheshin tek Kulla e Sahatit. Ujarët profesionistë mbartnin prej këtej dhe transportonin me kafshë barre enë të mëdha për të shuar etjen e lagjeve të vjetra historike të qytetit, Kalasë më së shumti, por edhe Mangalemit.
Pèrveç e ujrave tè pijshèm Murat Çelepi qe gjithashtu lagje e gjelbërimit, e pemëve të shumta dhe e bostaneve që prodhonin gjithçka, të gjitha llojet e perimeve dhe të frutave. Nuk bëheshin vetëm limonat e portokajt.
Ndërkohë Murat Çelebi nuk ishte një lagje e thjeshtë, një pjesë tjetër e Beratit, por vetë hyrja e tij, prezantimi për çdo të huaj që vinte prej kontinentit evropian apo nga brendësia veriore e Ballkanit.
Me pak fjalë qe “reklama” e qytetit.
Ose të paktën një model si do të ishte një Berat i krijuar gjatë pushtetushtrimit të Perandorisë Osmane.
Eqrem bej Vlora në librin e tij “Ditar, nga Berati, Tomori dhe kthim”, 1910, për lagjen Murat Çelebi shkruan se ajo “nuk ka histori të hershme. Këtu nuk gjen histori të së shkuarës përveç një kulle katërkëndëshe, ndërtuar me gurë gëlqerorë të pagdhendur, të lartë thuaj 30 metra dhe që duhet të ketë qenë një kullë vrojtimi e kohës së hershme turke. Tani sikundër edhe një e ngjashme në qytet mbart paqësisht një orë”.
Për ta parë sa më shumë dhe sa më larg banorë e udhëtarë kjo kullë ishte një grehinë katërkëndëshe me secilën brinjë 4.5 metra. Edhe pse qe më e re në moshë se xhamia ajo në vëmendjen e banorëve e krijoi shpejt prestigjin si objekti më i rëndësishëm me interes të dukshëm publik.
Kjo pohohet edhe prej një rrethane kuptimplote: pikërisht tek ajo kullë dhe përreth saj u ngrit qendra e lagjes.
Edhe se në afëri të saj ndodhej edhe xhamia në të gjithë frazeologjinë toponimastike të banorëve të Murat Çelebisë shfaqet vetëm dyfjalëshi “Tek Sahati”. Madje edhe vetë faltorja myslimane thirret “Xhamia e Sahatit”.
Vështruar sipas tipologjisë së saj arkitektonike studiuesi Dritan Çoku, ndër më të mirët njohës të mbi gjashtëdhjetë kullave sahatore e ngritura në trojet shqiptare, mendon se ajo e lagjes Murat Çelebi duhet të jetë e ngritur në fillim të shekullit të XVIII. Ai nuk pranon se në vendin e saj, më parë, ndodhej një kullë ushtarake vrojtimi.
Në gjysmën e dytë të njëqindvjeçarit tè shkuar gradualisht rëndësia publike e kësaj kulle filloi të bjerë, por jo për Institutin e Monumenteve të Kulturës, të cilat tashmë e kanë kataloguar e njohur si “rrënojat e kullës së sahatit”.
Kjo dinamikë e fatit të saj ka ngjarë sepse u dëmtua nga tërmeti i 3 prillit të vitit 1969 (në mure iu shkaktua një e çarë) dhe sipas Dritan Çokut “pas këtij dëmtimi serioz kulla e vjetër e sahatit nuk u restaurua, por nga rregjimi i asaj kohe u gjet rruga më e shkurtër, rrënimi plotësisht i saj, pasi edhe për banorët e lagjes konstruksioni paraqiste rrezikshmëri”.
Në të vërtetë masa e lartë me gurë me të çarën mes për mes kërcënonte rrëzimin e papritur, duke rrezikuar jetën e kalimtarëve, madje edhe të shitësve të bulmetit, të cilët pikërisht në këmbët e saj ofronin për blerësit e lagjes prodhimet e tyre.
Rrëzimi (shembja) u krye, sipas dëshmitarëve, duke u lidhur me kavo çeliku dhe tërhequr prej një diagaçeje të Ushtrisë.
E mbetur vetëm me fare pak lartësi ajo gjithsesi e mbante në trupin e saj shënimin se qe monument kulture, por pas vitit 1990 ndërtimet e reja dhe disa kohë pa plan qytetës bënë që edhe ajo shenjë e vogël e Kullës së Sahatit të lagjes Murat Çelebi të rrafshohej dhe bëhej një me sheshin.
Tashmë nën asfalt kanë mbetur themelet e saj dhe i shndërruar në objekt të padukshëm, nga organet përkatëse lokale është propozuar heqja e cilësimit si monument kulture.
Ndërkohë gjatë vitit 2017 u realizua ndërtimi i një kulle tjetër pranë xhamisë së Hysen Pashajt, bazuar në fotot e vjetra, por bërë me përmasa më të madha dhe disa metra e shvendosur nga vendi ku ndodhej kulla e vjetër e sahatit.
Ky ndërtim i ri, i cili për shumë arsye nuk ka autoritetin e mëparshëm publik, sadopak risjell në kujtesë atë që ka ekzistuar dhe ka bërë histori në biografinë e Murat Çelebisë, por edhe e plotëson peisazhin urban.
Ca më tepër nuk mund të rikrijohet autoriteti i mëparshëm i kullès së mëparshme, sepse qe zhdukur edhe një objekt tjetër pikë referimi jetik: Furri i Sahatit.
Ky ishte furri ku piqeshin bukët dhe tavat e të gjithë banorëve përreth, gatuheshin edhe pitet e ramazanit apo simitet.
Ky furr kryesor pronar kishte një burrë trupmadh, të fuqishëm e të gëzuar, përherë me mèngë të përveshura: Malo Goricën.
“Bodrumet e Malo Goricës, më ka rrëfyer në mars 1977 nëna ime, ndjesë pastë, Nizahete Dardha, ishin me qemer”. “Kur u vra Margarita Tutulani, më tregoi, vajta për të blerë simite tek Malua. Ai po qante. Ishte plak. “Na e vranë Margaritën!”, tha.
Si mjaft bashkëlagjas edhe unë, në fund të viteve pesëdhjetë duke e pasur shtëpinë prindërore disa dhjetra metra më tej, e kam kundruar nga jashtë dhe nga brenda këtë kullë, duke provuar deri edhe ngjitjen e pjesshme nëpër shkallët e pjerrëta të brendshme.
Ashtu e braktisur qe vërtetë një strukturë arkitektonike shumë misterioze, për rrjedhojë edhe tepër tërheqëse. Si të thuash: të bënte ta shihje në ëndërr.
I lindur në 1948, nuk e mbaj mend që ajo të funksiononte dhe këmbanorja të binte. Ndoshta jashtë kujdesit e kishte nxjerrë mënyra e re e jetesës: njerëzit mbanin gjithnjë e më shum ëora dore.
Gjithsesi nga bashkëlagjia mbahet mend që ingranazhet e kësaj ore me tingull në prag të viteve pesëdhjetë nuk punonin. I lëvizte në vitet e para të pas luftës hoxha i xhamisë pranë, ato kohë edhe myfti, pra kryehoxhë i Beratit. Në ditët e Barjamit apo të festave të tjera myslimane, që t’i kujtonte banorët, ai i rregullonte me dorë ingranazhet në orët e caktuara dhe këmbanorja binte.
Sipas Ajet Nallbanit dhe librit të tij për toponomastikën e qytetit, sahatin e kullës para lufte e mirëmbante një lagjas, i cili quhej Hysni Malko (Hoxha).
Ky e kurdiste gjithmonë dhe i bënte shërbimet e nevojshme. Studjuesi Nallbani, edhe ai e familja e tij e vjetër, banorë autoktonë të Murat Çelebisë, dëshmon një karakteristikë të njohur të mjedisit përreth kullës.
Duke qenë jo vetëm kohëmatësi, por edhe simboli i lagj es(si qendër e saj aty përreth ndodheshin klubet ku mbrëmjeve mblidheshin banorët për t’u argëtuar, bërë shaka, por edhe për të thumbuar e vënë nofka), Kulla krijoi edhe atë që u quajt “Humori i Sahatit”.
Ose, si të ishte rubrikë radiofonike: “Llogjet tek Furri i Sahatit”.
Aq e fortë qe kjo ndjesi sa që “Kur e pyetën një banor të lagjes, shkruan Ajet Nallbani, se çfarë ia vuri emrin djalit, ai me shaka iu përgjegj: “Dale t’ia vërë Furri i Sahatit një herë”.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com