Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

KOMUNIZMI SHQIPTAR DHE TELEVIZIONI ITALIAN RAI
“QYTETI PRANĖ QIELLIT”: QERSHORĖT E PAFAT TĖ SHKĖLQIM NGURZĖS, I CILI LUAJTI NĖ FILM SKĖNDERBEUN E VOGĖL
“QYTETI PRANĖ QIELLIT”: PSE BERATIT I DUHET NJĖ BUST I AKAKI HORAVĖS DHE I VIKTOR STRATOBĖRDHĖS
KRYENGRITJA E FIERIT NĖ 1935 SI HISTORI E NDĖRSJELLTĖ TERRORI
“QYTETI PRANĖ QIELLIT”: FĖMIJA JETIM QĖ LUANTE I VETĖM TĖRĖ FILMIN “SKĖNDERBEU”
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: DASMA E SKËNDERBEUT, FANTAZI NË MYZEQE DHE FILM NE BERAT


(Fragmenti 57 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Referuar studiuesit Nuri Plaku, por jo vetëm atij, martesa e Gjergj Kastriotit me Donika Arianitin “u bë në Kaninë dhe zgjati tre ditë, nga 21deri 23 prill 1451.
Sipas gojdhanave Skënderbeu erdhi me 500 kalorës. Përputhur me ritin zakonor të kohës çifti mori bekimin në kishën afër Kaninës, të quajtur “Qishëbardhë”.
Nuri Plaku këmbëngul se ceremonia e kurorëzimit të martesës u krye në manastirin e Ardenicës., në të cilin dasmorët erdhën në mesditën e 26 prillit.
Vetëm pas këtij gjesti u nisën drejt Krujës, ku dasma vazhdoi në shtëpinë e dhëndërrit.
E tërë kjo legjendë, e cila nuk gjendet e konfirmuar në asnjë dokument autentik të kohës dhe nuk shoqërohet me ndonjë zjarrmi të madhe prej historianëve të dëgjuar të huaj dhe të vendit, nuk do të refuzonte si shtojcë të vet t’i bashkëngjitej edhe një fjalënajë tjetër: sikur kjo dasmë është bërë në fshatin pamje bukur Drobonik, vendosur mbi një kodër të hijshme fare pranë kështjellës së Beratit.
Në të vërtetë kjo është një e dhënë fare imagjinare, e shkaktuar thjesht sepse Droboniku në vitin 1953 u zgjodh nga grupi i kineastëve sovjetikë dhe shqiptarë si vend xhirimi i kësaj dasme.
Duke mos qenë histori e vërtetë në pranverë 1451, pesëqind e dy mote më pas ajo figurativisht është krejt reale, madje një nga ngjarjet më të pikuara të historisë së qytetit, çfarë nuk duhet harruar kurrë dhe duhet kujtuar me çdo mënyrë publike, zyrtare patjetër.
Kjo është edhe arsyeja, pra thelbi i saj që përbën histori, pse në këtë libër do t’i hapim vend.
Prej një takimi të posaçëm me kineastin Skënder Jaçe, lindur dhe me një pjesë të jetës kaluar në Kuçovë, del se xhirimet më të shumta masive të filmit për Skënderbeun u kryen në Sevastopol, por gjithsesi në Shqipëri u realizuan jo më pak se tridhjetë e pesë për qind e tyre. Kështu beteja e Torviollit, informon ai, u bë pas ndërtesës së Kinostudios në Tiranë.
Pohon se po ashtu filmi ka xhirime në Krujë, në Gjirokastër, në Kalanë e Lezhës.
“Por xhirimet më të mëdha, këmbëngul Jaçe, u bënë në Berat. Këtu dasma është një kryevepër”, thotë ai. Pastaj spikat këtë hollësi: “Regjisori rus Jutkeviç u mahnit nga pejsazhi. Ishte koha kur qershitë patën çelur. Droboniku dhe gjithçka përreth qe një vend i virgjër. Ai ka pohuar se nuk mund ta gjente dot tjetërkund atë mrekulli bukurie. As në Kanë, ku filmi për Skënderbeun u shfaq dhe mori çmim, nuk e besonin se ato skena qenë xhiruar në Shqipëri”.
Shkëlqim Stërmasi, i cili është figurant në këtë film, vë në dukje se “kam qënë i pranishëm në xhirimet e dasmës në Dobronik. Aty më ka bërë përshtypje si fëmijë që isha, shpenzimet e mëdha që u bënë, jo vetëm për veshjet, por dhe në ato ushqimore të cilat u shtruan”.
(Mes figurantëve të shumtë të dasmës së Skënderbeut ka qenë edhe im at, Shaban Polovina, atë kohë drejtues i një ndërmarrjeje tregtare furnizuese e krejt rajonit që nga Skrapari deri në Lushnjë dhe Fier. Janë dhjetra nëpunës të administratës vendore të qytetit, që të gjithë të veshur me kostume popullore, të cilët bënë sfondin e dasmorëve).
Ato afro katër javë, kur në Berat u kryen xhirime, u shndërruan në një festë të madhe për të rriturit dhe sidomos për fëmijët, një pjesë e të cilëve jo vetëm do të qenë figurantë, por edhe me role të vogla mjaft kuptimplotë.
Kështu vetë Gjergj Kastrioti i vogël dhe tre vëllezërit e tij janë beratas.
Në plotësim të kësaj tabloje të veçantë Shkëlqim Stërmasi, afro dhjetë vjeç ato çaste, na ka shkruar, për nevojat e këtij libri, në vjeshtë 2018, se “Unë kam qenë në vitin e tretë të shkollës “Ushtrimore”. Në klasën tonë erdhi Viktor Stratobërdha, i cili bënte përzgjedhjen e aktorëve figurantë. Nga klasa jonë më zgjodhën mua dhe Ibrahim Gërxhin. Në kala na dhanë kostumet e veshjes malësore. Formuan kuadratet me ne nxënësit. Nuk mund ta them me saktësi, por kuadratet e formuar mund të kishin 25-30 nxënës. Faktikisht nga kontrolli që bënë në kuadratet më zgjodhën mua për rolin episodik në sekuencat e para të hapjes së filmit. Ky nis me pamjen e një tufe bagëtish, pastaj del kuadrati me fëmijët që kanë hyrë në portën e Kalasë dhe para se të ngjiten tek pjesa e murit të rrëzuar, i cili del tek sheshi, nis episodi i parë i filmit. Në pamje është një djalë gjysmë i xhveshur, me kokë të madhe dhe fytyrë katrore të skalitur, me sy të zezë, të mëdhenj. Këtë turqit e qëllonin me një kamzhik të bërë (nga xhiruesit e filmit) me qime dhije, pasi ato fërshëdhenin shumë kur i ngrije në ajër”.
Në film ushtarët turq e goditën djalin edhe me një shkelm në shpinë.
Ky personazh fëmijë është jevgu Kame nga Berati, i cili kur u rrit u bë kovaç dhe më vonë shofer kamioni “Skoda”. Kamia e kishte fytyrën shumë shprehëse, por episodi i tij kur e rrahën me kamzhik, është djegur dhe ka vetëm atë që është në turmë”.
Vijon Shkëlqim Stërmasi rrëfimin e vet: “Më pas kur kuadrati i djemve të vegjël fillon ngjitjen për tek sheshi, nis episodi i dytë. Janë tri gra dhe një fëmijë. Kur turma e fëmijve që do të bëheshin me forcë jeniçerë hyn në portën e kalasë, unë me një grua, e cila paraqitej si nëna ime, po sodisnim turmën. Në këtë kohë vjen një ushtar turk dhe e qëllon me thikë nënën dhe mua më hedh në sup”.
Më tej shpjegimi i Stërmasit: “Episodi me kuadratin e fëmijëve që merreshin peng është përsëritur katër herë, pasi në dy raste një djalë ktheu kokën nga kamera e regjistrimit dhe kështu ai anulohej”.
“Në skenën time, vijon rrëfyesi, një herë tentuan të më rrëmbejnë, por nuk thosha asnjë fjalë. Kjo u anulua pasi doli e thatë, pa jetë. Atëherë u përsërit: këtë herë pasi të më vrisnin nënën duhej të thosha fjalët “Nënë, nënë!” Kështu edhe u veprua e skena mbeti në filmin origjinal. Duke qenë se ky origjinal u dogj, në riprodhimin dublat që i është bërë në Shqipëri unë jam pa zë”.
Shkëlqim Stërmasi tregon gjithashtu: “Rolin e tjetër episodik e ka Shkëlqim Ngurëza, i cili përfaqësonte Skënderbeun e vogël, djalin e marrë peng prej familjes së princit Gjon Kastrioti. Ai, Ngurëza, qe shumë bukurosh, me flokë të verdha dhe kacurrel. Në film Shkëlqimi ndodhet pranë të jatit, i cili e merr në krah dhe i tregon pamjen me male deri në fund të horizontit, duke i thënë: “Ky është vendi ynë!” Më pas ja jep Gjergjin e vogël një kalorësi shqiptar dhe e porosit të birin që të mos e harrojë atdheun. Pastaj këta dy si edhe kalorës të tjerë shoqërues nisen drejt qendrës së Perandorisë Osmane. Këtu mbaron dhe episodi i tij, i cili ishte shumë më i gjatë nga dy të mëparshmit, imit dhe Kames”.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com