Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

KRYENGRITJA E FIERIT NË 1935 SI HISTORI E NDËRSJELLTË TERRORI


Vrasja makabre e gjeneralit mik të Shqipërisë, kroatit Leon Ghilardit

(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 15 korrik 2020)

Një vit më parë në qytetin e Fierit familja e veteranit të Luftës Nacionalçlirimtare Xhevair Spathara promovoi një libër mbi jetën e tij. Sidomos spikati episodin ku ai kishte vrarë në 14 gusht 1935, kur sapo pati shpërthyer e quajtura “Kryengritje e Fierit”, gjeneralin kroat në shërbim të Ahmet Zogut, Leon Ghilardin.
Botimi këtë gjest e konsideronte trimëror dhe jo vetëm të justifikueshëm e të pranueshëm, por edhe të drejtë e të domosdoshëm, shumë të çmuar para historisë kombëtare.
Pak javë më pas ishte qyteti fqinj i Patosit, ku u promovua një libër tjetër për vrasjen e Ghilardit, por këtë herë autor qe një protagonist tjetër i kryengritjes së Fierit: Hekuran Maneku.
Edhe në këtë rast jetëmarrja me armë e gjeneralit në shërbim të Zogut konsiderohej çështje parimore dhe me vlera historike kombëtare.
Mes rrëfimeve ngulmuese për këtë vrasje u shqiptuan edhe përfofje apo hamendje të tjera, si përshembëll sikur në fillim shtiu Spathara dhe menjëherë pas tij Maneku. Madje ky i shkuli edhe dhembin e florinjtë!?

Si gënjen Kadri Cakrani

Shkuan pak muaj nga këto promovime dhe përfaqësues të familjes Cakrani botuan kujtimet e Kadriut, sipas të cilit vrasjen, tashmë heroike, të Leon Ghilardit, e kishte kryer xhaxhai i tij, Jashari.
Sipas rrjedhës së këtij pohimi të shkruar, Kadri Cakrani thotë se “Pa pritur një mëngjes nga Gushti 935 erdhën dhe i thanë diçka Bektash Beut që kishte zbritur në Fier tek Sulo Beu, xhaxhai tjetër në atë shtëpinë e madhe në krah të Vrionasve. Bektash Beu u zverdh nga inati dhe ne po prisnim ç’kishte ndodhur. Ai u çua me nxitim dhe foli nëpër dhëmbë shkallëve. Ne i shkuam pas, kur Sulo Beu po vishej të ikte me të...
Në rrugë xhaxhaji n’a tha se puna ishte keq dhe ishim zbuluar. Kishte ardhur vetë Komandanti i Gardës së Mbretit, Gillardi, që donte të thosh se ushtrija e Tij ishte prapa. Xhaxhaji n’a tha se po është se ka ardhur Xheneral Gillardi vetë, ai është i besuari i Mbretit.
-Ai është komandanti i luftës, i xhandërmarisë dhe ç’do gjëje, pasi ka dorë të lirë për të vrarë ç’do njeri që e sheh si të mundur që i sjell telashe Mbretërisë...Po u hoq ai qafe, Mbreti s’ka kë të vërë në krye të ushtrisë e xhandërmarisë...”
Pak më poshtë rrëfimi i Kadri Cakranit merr këtë formë: “Hafije ka dhe këtu në dhomë, nuk m’a mbush njeri mëndjen mua, që Xhenerali ka ardhur pa ushtri. Këta kanë mbledhur Komunista e Anarkista e ç’nuk kanë prurë në Lëvizje dhe këtej kërkojnë konspirasjon.
Unë ngriva dhe nuk po bëja hesap kush mund të ishte Komunist, që nga Kost Çekrezi e deri tek Riza Cerova që paskej çetë dhe ishte duke ardhur”.
Në një kapitull tjetër në vijim ndodhen këto fjalë të Bektash Cakranit: “Po pa vrarë atë nuk mund të vdes i qetë, se do më duket sikur vrava Matjanin!”
Ndërkohë në kujtimet e tij botuar së fundmi Kadri Cakrani ngul këmbë se të gjithë nipërit e Bektashit i kërkuan këtij t’u bënte nderin të ishin ata që do të vrisnin Leon Ghilardin. Por Bektashi “të parin ai hoqi të birin Namikun, sepse nuk ishte praktikuar në revole. Xhenerali nuk dihej me sa vetë mund të ish, prandaj do të ishte për zjarrin që të likujdonin ordinansat e Tij në atë moment. Mua më shtyti mënjanë, se j’u duka se ishja ai i vogli që i këndonte vjersha darkave, si do që unë ishja tani dy metro, mbeti Kujtimi, që mund t’a bënte, po dhe mund të vritej në çast, se nuk do luante deri sa t’i vriste të gjithë. Unë u futa prapë në bisedë duke thënë se unë ikja prapë në Berat dhe thosha se nuk kam qenë në Fier fare. Bektash Beut i ndritën sytë dhe ndaloi së ç’pjeguari. –Asnjë nga Ju, veç Jasharit të Sulo Beut nuk do t’i godasë dhe të zhduket si vetëtimë, që pastaj të thuhet se nuk e pamë”.
Më poshtë rrëfimi i Kadri Cakranit përqendrohet në këtë episod: “Nuk ishte veturë si këto mile centot që kishim parë gjithmonë, por më e madhe. Duhej të ish maqinë Gjermane, ose Engleze. Për fat, pak me tej ishte Jashari tek njerëzit që po bërtisnin dhe Xhenerali ndaloi. Ne nxituam nga të gjitha anët, si milet rruge që i ra rasti. Ai nuk ishte vetëm në maqinë, dhe nxorri kokën me gjithë mjekërr duke j’u bërtitur njerëzve të rrugës dhe u bë gati të dalë. Ai ishte i gjatë dhe shumë i shëndoshë, që i veshur me uniformë Xhenerali, dukej që përtej që nuk ish Shqiptar, një xhigand që nuk i shkon në mëndje një njeriu t’a shikonte në sy. Jo t’a vrisje! Nuk kish kohë që të mendoje asgjë se ç’do gjë të dukej si nëpër ëndërr. Unë ishja larg nga pas maqinës, po pashë Jashari i qëlloi 5 apo 6 herë, po të shtënat u dukën sikur vazhduan një orë. Jashari pa një herë në drejtimin t’im pas maqinës dhe iku duke kaluar rrugën. Vrapi i Tij dhe xhaketa që i ikte prapa, bënte të dukej pistoleta që duhej t’a kish z’brazur të tërën. As që bëhej fjalë se mund të fshihej dy metro njeri, një gjë pa kuptim kjo, po urdhëri i Bektash Beut nuk kthehej. Të gjithë po iknin në drejtime të ndryshme dhe përfitova nga kjo rrëmujë që të sigurohesha ishin vrarë të gjithë në maqinë. Xhenerali ishte larë në gjak në fytyrë e mjekërr dhe nuk e dallova dot se ku e kishin marrë plumbat, po si nga afër që erdhi goditja, edhe në kokë mundet”.

Një pjesë e të vërtetës së anashkaluar

Nuri Plaku, historian e autor librash, në qytetin e Fierit drejtor i muzeut historik të tij, thotë se “Gjilardi u ndodh rastësisht aty me automobilin e tij, pasi po shkonte në Apolloni ku të nesërmen, më 15 gusht, sipas traditës ortodokse, do të festohej dita e shën Mërisë Virgjër dhe në manastir zhvillohej panairi i përvitshëm.
Pra, Gjilardi ishte në udhëtimin e tij të weekend-it dhe përballja me kryengritësit ishte një rastësi fatale e shkaktuar nga udha që kalonte përmes qytetit”.
Sipas studiuesit të sipërcituar, gjenerali “vinte nga Berati me një automobil të hapur, veshur me kostum të bardhë veror dhe shoqërohej vetëm nga shoferi i tij”.
Pra ai nuk qe me uniformë ushtarake, siç e paraqet Kadri Cakrani.
Shkruan Nuri Plaku: “Sapo kaloi urën e gurtë që lidhte qendrën e qytetit me lagjen “Shkozë”, pikërisht aty ku sot është ish godina e bankës së vjetër, u ndal nga postblloku i sigurisë që kishin ngritur nën komandën e Hekuran Manekut, i cili qe caktuar nga kryengritësit rrethkomandant i vendit. Aty ndodhej edhe Xhevahir Spathara”.
Menjëherë pas kësaj historiani Plaku spikat: “Pas prezantimit dhe rrëfimit të qëllimit pse ndodhej aty, përpjekja për tu lejuar të kalonte nuk pati sukses.
Ndërkohë, sipas shënimeve të njërit prej pjesëmarrësve të kësaj kryengritjeje, Dr. Jakov Milaj, në momentin kur u ndal makina e gjeneralit, kryengritja kishte arritur kulmin e shpërthimit të saj. Nga ballkoni i godinës së nënprefekturës, Kostë Çekrezi, lideri kryesor i kësaj kryengritjeje, ishte duke ju folur pjesëmarrësve me pasionin e tij oratorik.
Nga grupi i armatosur që kishte bllokuar makinën, u shkëput Spathara dhe shkoi t’ja raportonte ngjarjen Çekrezit. Ai u ngjit në godinë dhe pas pak u shfaq në ballkon duke e ndërprerë fjalimin e Çekrezit e duke i folur te veshi për gjeneralin. Ai kërkoi udhëzime prej tij dhe Kosta urdhëroi prerazi: ”Vriteni!”
Pas kësaj Spathara zbriti shkallët nxitimthi dhe sapo mbërriti te makina, nxori koburen dhe qëlloi mbi gjeneralin dhe mbi shoferin, të cilët rrinin si të ngrirë para armëve të grupit të postbllokut të drejtuar nga Hekuran Maneku”.

Nga historiografia komuniste

Në librin “Historia e Shqipërisë”, vëllimi i tretë, botim i vitit 1965, në kapitulin “Kryengritja e Fierit” mes të tjerash thuhet se “nismën për një kryengritjeje të armatosur kundër Zogut e morën një grup elementësh antizogistë si Ali Shefqet Shkupi si edhe komunistët Asim Vokshi, Mustafa Kaçaçi, të cilët në pranverë 1934 themeluan në Tiranë “Organizatën e Fshehtë”.
Sipas këtij botimi zyrtar, kjo organizatë synonte ta përmbyste Ahmet Zogun, të vendoste republikën dhe të likujdonte ndërhyrjen italiane. Por sipas logjikës së autorëve të librit të mësipërm, krerët borgjezë të organizatës i kufizuan veprimet e tyre në rrethe intelektuale e ushtarake në qytet dhe e lanë të harruar fshatin.
Pohohet në botim: ”Për veprimtarinë e “Organizatës së Fshehtë” u njoftua edhe mbledhja e komunistëve, e cila u mbajt nën kryesinë e Ali Kelmentit, në gusht të vitit 1934, në afërsi të qytetit të Korçës”.
Gjithnjë sipas interpretimit zyrtar në përputhje me partinë e vetme në pushtet, komunistët, për shkak se sipas tyre në krye të “Organizatës së Fshehtë” kishte borgjezë, mbajtën qëndrim të rezervuar, por gjithsesi nuk ranë në pozita vrojtuese. Ata vendosën ta shfrytëzonin këtë rrethanë, prandaj edhe ngritën një fraksion të tyre brenda kësaj Organizate. Programi i tyre pjesëmarrës parashikonte vendosjen e një republikë popullore demokratike.
Thekson libri zyrtar i historisë së Shqipërisë i vitit 1965, por që është pothuaj përsëritur njëlloj edhe në botimin e motit 1984: Dy javë para shpërthimit të kryengritjes, në fundkorrik 1935, Grupi Komunist i Korçës organizoi disa mbledhje, ku u vendos që kur të fitonte kryengritja të shtinin në dorë pushtetin në qytetin e tyre.
Botimi i mësipërm këmbëngul se sipas planit kryengritja duhej të shpërthente në vjeshtë 1935 ose në pranverën e vitit 1936, duke kryer atentate në kryeqytet, pastaj marshim nga disa drejtime drejt kryeqytetit. Por, thotë libri i mësipërm, Zogu e zbuloi dhe në një mbledhje të 7 gushtit 1935 “Organizata e Fshehtë” u shtrëngua ta paraplaste. Për këtë u vendos data 14 gusht. Për datën e re, thuhet në “Historinë e Shqipërisë” 1965, u njoftuan edhe degët, të cilat u gjetën të papërgatitura, ndërkohë që çifligarët u tërhoqën menjëherë nga kryengritja. Në librin zyrtar thuhet gjithashtu se “Në 14 gusht sinjalin e dha grupi i Fierit”, ku u arrestua nënprefekti dhe u shti në dorë qyteti.
Këtë çast të interpretimit të ngjarjes autorët e librit vënë në dukje se “Po atë ditë vranë gjeneralin Gilardi që kalonte atë ditë nëpër Fier”.
Kaq. Asnjë fjalë më shumë. Së paku, pa cituar autorët e vrasjes, nuk ka asnjë akuzë për të. Historiografia e para nëntëdhjetës ia lë këtë rrethanë rastësisë.
Ndërkaq në “Fjalorin Enciklopedik” të saj të publikuar në 1985, theksohet se “Anëtarët e organizatës së fshehtë” synonin ta përmbysnin monarkinë me anën e një puçi ushtarak”. Paralel me këtë distancim të fortë nga vrasja e Ghilardit, historiografia zyrtare e PPSH-së megjithatë nxirrte në pah këtë shprehje të Ali Kelmendit: “Kryengritja e Fierit ishte pagëzimi i parë i zjarrit dhe guri i provës për komunistët”.

Si mashtron Hysen Selmani, krahu i djathtë i Ahmet Zogut

Në vitin 2008 familja mbretërore botoi librin me kujtime të Hysen Selmanit, bashkëpunëtorit të ngushtë të Ahmetit dhe njëkohësisht biografit të tij zyrtar: “Nga notimet e Zogut I, mbretit të shqiptarëve”.
Ky të lë pa mend me “kompetencën” e tij historike.
Në libër titullin e kapitullit për këtë çështje e ka formuluar “Kryengritja e Fierit, dhjetor 1935”. Pra e daton pesë muaj më vonë.
Sipas Hysen Selmanit, “Në zhvillimin e propagandës dhe të hollat që shpërndanin agjentët italianë, përfituan më tepër komunistët, sa që nuk e kuptonin njëri-tjetrin, kurse italianët kishin qëllim të krijonin një kryengritje në favorin e tyre, po komunistët kishin qëllime të tjera e shiteshin si agjentë të Italisë, duke marrë të hollat dhe duke krijuar lidhje me simpatizantët e Italisë”.
Më tej: “Qeveria shqiptare nuk i dallonte dot komunistët, i konsideronte të njëjtë me agjentët italianë, por nuk u jepte rëndësi, duke qenë e sigurt se situatën e kishte në dorë dhe për më tepër nuk donte të tërhiqte vëmendjen e italianëve për t’u konsideruar si nxitje në trazira, gjë për të cilën nuk e shihte të nevojshme”.
Këmbëngul Selmani, pa hequr fare dorë nga data e tij e dhjetorit 1935, se qeveria kishte futur njerëzit e vet për kontroll të agjentëve italiano-komunistë në Tiranë, në Durrës, në Elbasan, në Vlorë dhe në Shkodër. Sipas tij, “Kur arritën në fund të organizimit që kishin përgatitur më 10 dhjetor 1935, datë në të cilën ishte caktuar kryengritja në Tiranë, Elbasan e Shkodër dhe në vende të tjera, kuptuan se gjithçka ishte marrë vesh”.
“Tamam në këtë ditë, vijon “kompetencën” e tij Hysen Selmani, “Mbreti Zog kishte thirrur universitarë, sportistë dhe rininë shqiptare në Pallat. Në datën 10 dhjetor, ora 10 paradite, po fliste mbi ekonominë e vendit dhe mbi gjendjen politike të Shtetit me këto fjalë...”
Por ndërkohë, shkruan biografi zyrtar i Ahmetit, “kishin shpallur kryengritjen në Fier Mustafa Kaçaçi, Kosta Çekrezi e Musa Kranja. Sapo të rinjtë dolën shumë të kënaqur në orën 12 të paradites, gjeneral Leon Gilardi, i grishur prej Leon Reit në Pojan të Fierit, menjëherë u nis për Fier i shoqëruar vetëm prej shoferit të tij. Ai nuk e dinte se në Fier ishte shpallur kryengritje dhe kur arriti aty për të furnizuar automobilin me benzinë, kur revolucionarët e panë, u trembën dhe e vranë”.
Hysen Selmani ngul këmbë se kjo kryengritje nuk vazhdoi më tepër se 5 orë, se si pjesëmarrës të saj u zbuluan shumë komunistë, mes tyre edhe Koçi Xoxe e Hasan Reçi, dhe se Zogu e dërgoi personalisht atë të takonte në burg gjithë të akuzuarit, duke u treguar dokumentet e vërteta të pleksjes së tyre me rebelimin. Sipas Selmanit, që të gjithë i pranuan fajet e tyre dhe që të gjithë brohoritën me një zë: “Rroftë Mbreti, Shpëtimtari i Kombit!”

Benito Musolini ndjek nga afër ngjarjet

Tre ditë më vonë nga plasja e kryengritjes dhe njëkohësisht fikjes së saj me shtypje ushtarake, vetë kryeministri i qeverisë italiane dhe po ashtu ministër i Jashtëm i saj, Benito Musolini, i dërgoi një telegram ministrit të tyre të plotfuqishëm (ambasadorit) në Tiranë, Mario Indelit (Mario Indelli).
Mesazhi i posaçëm i dërguar me korrier, datuar 17 gusht, regjistron orën 15.15.
Duçja i thotë që në fillim Indelit se “Kryengritja aktuale në Fier dhe pasojat e përkohshme të turbullirës së brendshme të regjimit atje, mund të na ofrojnë rastin ta mbajmë Zogun në rrethin e interesave tona, duke i zgjidhur të gjitha problemet me shprehje të besimit të qeverisë tonë ndaj tij”.
Më tej Musolini ngul këmbë në pikëpamjen se duhet shfrytëzuar ajo që ndodhi në Fier për të përfunduar të gjitha marrëveshjet e nisura me Ahmet Zogun, pa harruar se këtij i duhet thënë që gjithçka çfarë ngjau ishte rezultat i rolit të gabuar të xhandarmërisë shqiptare, të cilën ai e pati ngritur në kundërshtim me këshillat e Romës.
Ja edhe rreshti i fundit i telegramit special të Benito Musolinit për ambasadorin në Tiranë: “Ju lutem t’i paraqitni Lartësisë së Tij, në emër të Qeverisë tonë Mbretërore, ngushëllimet për vrasjen e Gjeneralit Ghilardi”.
Në përfundim Duçja i kërkon vartësit të vet që ta mbajë të informuar gjer në hollësitë më të vogla.
Dyzetë e tetë orë nga telegrami i parë i Musolinit, më 19 gusht, është zëvendësi i tij Fulvio Suviç që i nis Mario Indelit një pamje më të plotë të ngjarjeve në Tiranë dhe të përpjekjeve që po kryente Ahmet Zogu për t’u bashkuar me nismën e një Pakti Ballkanik, ku bënin pjesë Jugosllavia, Rumania dhe Turqia, ndërkohë që grekët rrinin larg, më shumë për hatërmbetje me Tiranën në çështje të shkollave të minoritetit grekofon.
Sipas Suviç, nisur prej disa deklaratave të Zogut, ky kishte të ngjarë të mbështetej politikisht tek Rumania, por edhe Jugosllavia, duke braktisur raportet e ngushta dhe sekrete me Italinë.
Prandaj, e porosiste Indelin nënministri i Jashtëm Fulvio Suviç, ndaj Zogut duhej bërë një protestë formale.
Pesë ditë më vonë është Indeli që me një korrier të posaçëm i dërgon Musolinit një telegram informues. Ai i thotë shefit të vet se pikërisht atë ditë, në 24 gusht 1935, qe takuar me Ahmet Zogun dhe i pati paraqitur ngushëllimet e Qeverisë Mbretërore “për vrasjen e Gjeneral Ghilardit si edhe sigurinë e solidaritetit tonë”.
Indeli ndërkohë, siç e vinte në dijeni Benito Musolinin, i qe shprehur Zogut se këto ishin çastet më të mira për të mbyllur sa më shpejt të gjitha marrëveshjet në proces. Sipas Indelit, “Mbreti Zog më tha se e kuptonte domosdoshmërinë e mbylljes sa më të shpejtë të marrëveshjeve mes dy vendeve dhe se për këtë qëllim i kishte dhënë instruksionet e duhura Ministrisë së tij të Jashtme dhe drejtuesit të saj Xhafer Vila. Ky brenda ditëve të para të javës në ardhje do të takohej me ambasadorin Indeli dhe do të firmoste.
Gjithnjë sipas kryediplomatit italian në Tiranë, Ahmet Zogu qe distancuar nga Pakti Ballkanik dhe se “Shqipëria interesin e saj e sheh të integruar mbi të gjitha me atë të Italisë”, ndaj të cilës “ai mbetej absolutisht besnik”.
Mario Indeli e vinte në dijeni Musolinin se “Mbreti m’u duk me një shëndet veçanërisht të lulëzuar”. Gjatë bisedimeve mes të dyve Zogu kish treguar “një qartësi dhe qetësi të jashtëzakonshme për kushtet e rënda që po kalon vendi, duke mos bërë për këtë rrethanë as më të voglin aluzion”.
Me pak fjalë nuk ja kish zënë fare në gojë çfarë pati ngjarë në Fier dhe si po sillej ai me shtypjen e kundërshtarëve politikë.
Po këtë ditë të 24 gushtit 1935 ambasadori Indeli i nisi edhe një telegram të dytë Benito Musolinit. Pohonte që në fillim të tij se ky ishte pjesë në vijim të të parit
Që në krye Indeli përcillte të dhënat për të arrestuarit kryesorë të kryengritjes së Fierit, duke theksuar Nuredin Vlorën dhe po ashtu Qemal Vrionin. Sipas tij, numri i përgjithshëm i të pranguarve i kalonte të gjashtëqindët.
Po ashtu Mario Indeli e informonte Musolinin se arsyet kryesore të shpërthimit të kryengritjes qenë politika shtypëse që bënin bashkëpunëtorët kryesorë të Ahmet Zogut: Abduramann Mati dhe Musa Juka, përfshi edhe krerë të tjerë të Ministrisë së Brendshme. Këta të fundit qenë bërë akoma edhe më të ashpër me të akuzuarit dhe të arrestuarit e përditshëm. Metodat e hetimit të këtyre, këmbëngulte Indeli, kishin një energji shtypëse shumë të madhe.
Ambasadori italian e përcakton këtë gjendje si “atmosferë terrori” dhe se “ekzekutimet e para kapitale kanë nisur sot me pushkatimin e njëmbëdhjetë xhandarëve. Kjo e bën të pasigurt fatin e personaliteteve kryesorë të kryengritjes”.
Indeli edhe njëherë tjetër ia përsërit shefit të vet, Benito Musolinit: Mbreti Zog po dëshmon një forcë të jashtëzakonshme shpirtërore, prandaj edhe ka për ta kapërcyer këtë gjendje.
Në 26 gusht 1935 që nga Durrësi Mario Indeli i nisi me korrier të posaçëm një raport tjetër informativ Musolinit. Që në fillim në të thuhej se “Gjendja po normalizohet. Sot nën drejtimin e Mbretit u mbajt një mbledhje e Këshillit të Ministrave...Sipas asaj që më kanë informuar, përballimi i gjendjes së brendshme do të vijojë me një zbutje të nivelit të shtypjes, por pa hequr dorë nga ndëshkime shëmbullore për disa nga krerët...Për sa i përket raporteve me Italinë Mbreti u shpreh në favor të asaj që çfarë pati deklaruar më parë”.
Në 11 shtator 1935, nisur nga Tirana, një telegram tjetër i Indelit për Benito Musolinin nënvizonte se Ahmet Zogu në vend të ministrit të tij të Jashtëm Xhafer Vila, i cili qe nisur për në Gjenevë, kishte ngarkuar me detyrën e firmosjes së katërmbëdhjetë marrëveshjeve me Italinë, Dhimitër Beratin.
Në 13 shtator është e përditshmja kryesore e shtypit italian “La Stampa”, e cila njoftonte me një lajm të shkurtër në faqen e parë, se prej gjykatës politike të Fierit qenë dhënë edhe nëntë dënime të tjera me vdekje.

Çfarë thotë Legata Gjermane në Tiranë

Ndërkaq në 26 shtator 1935, sipas një analize që për nevojat dhe në ndihmë të këtij shkrimi kreu historiani Marenglen Kasmi, raporti ditor i Legatës Gjermane në Tiranë, i komunikonte eprorëve të vet në Berlin përgjithësisht këtë gjykim: Më së pari, ajo e përjashtonte mundësinë e implikimit të shteteve fqinje në këtë revoltë. Arsyeja e revoltës duhej kërkuar më tepër, sipas Legatës, në zhvillimet e brendshme politike dhe pakënaqësitë që ekzistonin në popull kundër sistemit qeverisës, para së gjithash kundër klikës së plotfuqishme të brendshme.
Po ashtu studiuesi Kasmi që e shfletoi këtë korespodencë top-sekret për kohën dhe e ruan në arkivin e tij, vë në dukje se në këtë revoltë patën luajtur rol edhe motivet personale të organizatorëve.
Njëkohësisht në 26 shtator 1935 Legata Gjermane i raportonte Ministrisë së Jashtme në Berlin se “interpretimi i qeverisë se në këtë revoltë kanë gisht komunistët nuk është bindës dhe është më tepër një manovër për të larguar vëmendjen nga e vërteta”.
Më tej, në dokumentacionin e Legatës, gjithnjë referuar informacionit sqarues të historianit Marenglen Kasmi, për ngjarjen vërehet se ajo vlerësonte versionin e botuar në gazetën “Vatra” si më bindës: “Ndërkohë që Musa Kranja ishte duke mbajtur një fjalim në sheshin para nënprefekturës, ku ai po theksonte se gjithë prefekturat dhe nënprefekturat i janë bashkuar kryengritjes, disa civilë dhe xhandarë u afruan me vrap dhe e njoftuan atë se sapo kishte mbërritur me automobil gjeneral Ghilardi. Pa kërkuar hollësi, Kranja urdhëroi “Zjarr”! Lajmëtarët vrapuan drejt automobilit të gjeneralit, i cili ishte ndalur në sheshin para dyqaneve të vegjël dhe kafeneve, të cilat janë në një vijë me nënprefekturën. I pari që hapi zjarr mbi gjeneralin ishte civili Hekuran, i cili u afrua më afër nga të gjithë te automobili dhe shtiu mbi gjoksin e gjeneralit. Më pas, drejt tij hapën zjarr me koburet e tyre edhe një nënoficer dhe disa xhandarë. U qëllua edhe mbi ordinancën e gjeneralit.
Ghilardi ishte nisur për në Pojan, ku të nesërmen organizohej një festë fetare.
Pasi Kranja mbaroi fjalimin, në ballkonin e nënprefekturës doli Kostë Cekrezi, i cili e përshëndeti turmën me salutim nacionalsocialist. Ai njoftoi vrasjen e Ghilardit dhe po ashtu i tha turmës se në të njëjtën kohë në Tiranë ishin vrarë Abdurrahman Mati, Musa Juka, Abdurrahman Dibra, Xhemal Aranitasi etj...”
Kështu pak nga pak, duke e manipuluar shumë rëndë ngjarjen për më tepër se treçerek shekulli, zogistët më shumë se edhe vetë komunistët, historisë kombëtare i dhanë si të pranueshëm një model sjelljeje terroriste.
Të dy palët ia mbajtën asaj që ndodhi emrin e tingëllueshëm dhe të kuptimtë kryengritje, ndërkohë që me vrasjen e një ushtaraku mik i njohur i Shqipërisë, Leon Ghilardit, kur ky qe i paangazhuar në ndonjë kundërveprim zyrtar ndaj organizatorëve, masakruan thjesht një civil.
Pastaj me një barkë që i priste në grykë të Semanit ata që urdhëruan këtë vrasje makabër dhe të pakuptimtë ikën nëpër det pa u hyrë gjembë në këmbë, kurse ata që mbetën të braktisur dhe ranë në duart e Ahmet Zogut, pësuan një dhunë të paimagjinueshme.
Kështu gënjeshtra u mbulua me gënjeshtër, krimi me krim. Asnjë palë nuk ishte me të drejtën dhe me mbrojtjen e lirisë.
Ja pse formulimi “kryengritje e Fierit” është i fryrë dhe arbitrar. Ishte puç që u shtyp me mënyra puçiste.


Ylli Polovina

Tiranë, më 11 korrik 2020












Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com