Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
ARBËRESHËT, MONUMENTI I LOTIT


© Copyright
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Asnjë
pjesë e këtij vëllimi nuk mund të riprodhohet,
memorizohet apo përcillet në ndonjë formë a
me ndonjë mjet elektronik, mekanik, me anë
të fotokopjes, në disk ose në mënyra të tjera,
përfshirë dhe kinemanë, radion, televizionin, pa
autorizimin me shkrim nga autori.

Libri, 220 faqe, është gratis.
Secili që e dëshiron për ta lexuar t’ia bëjë kërkesën autorit në adresën elektronike:
yllipolovina@gmail.com


Tragjedia e Xhuzepe Bafës

Më 13 janar të vitit 2000 udhëtonin drejt Brindisit dy avokatë italianë.
Quheshin Xhuzepe Bafa dhe Françesko Perrota.
I pari ishte një arbëresh i njohur, të paktën që atë çast kur studioja e tij në Kozenca mori përsipër mbrojtjen e palës shqiptare në ngjarjen e tragjedisë së Otrantos, ndodhur të Premten e Shenjtë të vitit 1997, 28 mars, ku u mbytën në përplasje me anijen ushtarake italiane “Sibilla” mbi njëqind shqiptarë të hipur në anijen “Kateri i Radës”.
Xhuzepe dhe kolegu i tij Françesko shkonin për të marrë pjesë në seancën gjyqësore të radhës.
Rrugës makina e tyre doli nga superstrada dhe u përplas. Vdiqën në vend Xhuzepe Bafa dhe Françesko Perota.
U plagos Mikelanxhelo Ruso, bashkëpunëtor i të dy avokatëve.
Ngjarja në fillim u njoftua nga teleteksti i RAI-t, por më pas nuk u transmetua me fjalë apo figurë nga asnjë edicion kryesor lajmesh të televizionit italian, përfshi tre rrjetet kryesore kombëtare.
Të nesërmen ishte “La Repubblica” që në rubrikën “Shkurt” e bënte publike ngjarjen me titullin “Taranto, 2 avokatët humbasin jetën”.
Në mbititull rrinte dyfjalëshi që e kategorizonte ngjarjen si “aksident rrugor”.
Në të njoftohej po ashtu se, ndërsa ishin nisur nga Kozenca, incidenti u kishte ndodhur një ditë më parë në superstradën Taranto-Grotalie.
Mes heshtjes së përgjithshme u tregua e ndjeshme edhe “Il Messaggero”. Hapi një copëz hapësire, sa për dy rradhë, edhe ajo në rubrikën informative “Shkurt”.
Në masmedian kombëtare italiane gjithçka për këtë ngjarje dridhëse ishte “shkurt”.
Vetëm me pak fjalë, fare pak.
Por nuk kishte heshtur një gazetë rajonale, me qendër Firencen dhe që shitej nëpër disa pika edhe në qytete të tjera të vendit, kryesisht nëpër stacione trenash.
Ishte “La Nazione”, e përditshme e lidhur me mjedise të qendrës së djathtë, atë kohë strukturë politike në opozitë.
Në fillim të vitit 2000 në qeverisje vijonte koalicioni Ulliri i qendrës së majtë, formacion politik që ishte në pushtet edhe në ditën tragjike të 28 marsit 1997.
“La Nazione” kishte kryer një gjë krejtësisht të veçantë: një ditë para se të humbte jetën avokati Xhuzepe Bafa dhe bashkëpunëtorët e tij, i kishte botuar këtij një intervistë.
Arbëreshi, i zgjedhur edhe kryetar i Urdhërit të Avokatëve të qytetit të Kozencës, i kishte deklaruar gazetarit Xhovani Morandi se anija italiane “Sibilla” atë natë të lemerishme të 28 marsit kishte shkelur ligjet ndërkombëtare detare dhe i ishte afruar më shumë nga sa i lejohej anijes shqiptare.
Madje pati thënë se njerëzit e anijes ushtarake italiane as që ishin munduar të shpëtonin shqiptarët që po mbyteshin.
Vetëm pak nga ata që ishin mbi kuvertë ja dolën fizikisht dhe notuan drejt luftanijes, kishte saktësuar.
Më vonë kishte lënë nga pas edhe fjalët rrënqethëse “kam frikë se mos më vrasin”.
Tani që vdekja e tij kishte ndodhur “La Nazione” shkrimit funebër i jepte titullin më gërmëmadh të faqes së saj të parë: “Mallkimi i Sibilës”.
Pas këtyre fjalëve thërriste si kujë nëntitulli: “Vdes avokati i shqiptarëve. E kishte deklaruar “Kam frikë për jetën time”.
Në brendësi të gazetës, një treçerek faqe speciale, titulli i dytë i shkrimit përsëriste që në krye fjalët e dhimbshme të njëzetë e katër orëve më parë: “Di sekrete, kam frikë”: vdes njeriu i çështjes Sibila”.
Në radhët e fundit, në një përpjekje për të qenë edhe brenda por edhe duarjashtë këtij denoncimi shungullues, gazetari me emrin Xhovani Morandi shkruante se pas kësaj vdekjeje familjet e viktimave ishin shprehur me fjalët e dëshpëruara “Bafa qe e vetmja edhe e fundit shpresë jonë...Tani le të jenë të kënaqur”.
Ai vetë mendonte se incidenti i daljes nga rruga dhe i përplasjes kishte ndodhur ose nga asfalti i lagur prej shiut të asaj dite ose thjesht nga shpejtësia e madhe me të cilën po e ngitnin makinën.
Ky kishte qenë edhe varianti zyrtar i ngjarjes.

ooo

Cikli prej katër shkrimesh i Xhovani Morandit në “La Nazione” u mbyll më 17 janar.
I fundit mbartte me vete titullin e thekshëm “Çështja Sibila, provat nuk kthehen”.
Në të vihej në dukje se prokurori i Brindisit, Leonardo Leone De Kastris, ngulte këmbë se provat materiale të admiraliatit italian ishin të censuruara dhe në to qe ndërhyrë.
Kështu ai deklaronte se nga një cikël fotosh të një filmi dy prej tyre ishin prerë, se po ashtu ishte ndërhyrë në pjesën e filmuar të ngjarjes, të cilën e kishte kryer një marinar i Sibilës.
Gjithnjë sipas De Kastris, në film ishin lënë vetëm 6 sekonda pamje dhe më pas, në shirit, kishte vetëm errësirë.
Ndërhyrje prej zyrave të admiraliatit, i përgjigjej prokurori i Brindisit gazetës “La Nazione”, ishte kryer edhe në regjistrimet e zërave e urdhërave të dhëna para, gjatë dhe pas incidentit.
“Zërat më parë ishin të pastër dhe më vonë u janë futur zhurma”, deklaronte prokurori.
Po kështu autori i shkrimit, Morandi, ngulte këmbë se sipas Leonardo Leone De Kastris të dy admiralët që u muarrën në pyetje, kishin prirjen për t’iu shmangur përgjigjeve të drejtpërdrejta dhe se e përjashtonin përgjegjësinë e tyre.
Gazetari shtonte se kishte ndodhur edhe një fakt tjetër, të cilën për nga rëndësia e zbardhjes së tragjedisë së Otrantos të 28 marsit 1997, e konsideronte “me vlerën e një perle”. De Kastris i pohonte se admirali me emrin Bateli në ditët pas mbytjes kishte mbledhur oficerët, të cilët natën e incidentit ishin në centralin operativ dhe u kishte dhënë direktivat se si duhej të vepronin më pas.
Por “perla” e vërtetë ndoshta ishte zbuluar një ditë më parë, më 16 janar, kur në “La Nazione” kapiteni i marinës italiane Anxhelo Luka Fosko pati pohuar atë që për tre vjet me radhë asnjë oficer i lartë italian nuk donte ta shqiptonte dhe për të cilën gjë dyshohej: anija italiane Sibila kishte marrë urdhër t’i afrohej “Katerit të Radës“ deri në takim fizik.
Kjo donte të thoshte edhe “gjer në përplasje”.

ooo

Më shumë se një vit më pas, më 28 mars 2001, në Vlorë u zhvillua rituali i dhimbshëm i pjesëtarëve të familjeve të viktimave të katër viteve më parë.
Përkujtimi i jetëve të humbura u bë si edhe përherë: prej molit të qytetit u hodhën në det tufa me lule.
Sipas gazetave, kësaj radhe kishte ndodhur për herë të parë edhe nderimi i kujtimit të avokatit Xhuzepe Bafa.
Nga po këto gazeta vetëm një muaj pas vdekjes së tij, qe mësuar se vetë komisioni parlamentar i politikës së jashtme i Kuvendit për arbëreshin i kishte propozuar Presidentit të Republikës një dekorim, por asgjë e tillë nuk kishte ndodhur, madje as edhe ndonjë vlerësim më i thjeshtë.
Ndërkohë qeveria shqiptare emëroi një avokate emigrante në Bari si të ngarkuar të plotfuqishme të saj për ta ndjekur gjyqin.
Në Brindisi u gjallërua një organizatë italiane joqeveritare me emrin “Vëzhguesi i Otrantos” dhe nëpërmjet një radioje nuk mungoi asnjëherë ta denonconte aktin e anijes ushtarake italiane “Sibilla” si një krim të vërtetë.
Në pasditen e 13 prillit 2001 në Romë, në Pallatin e Ekspozitave, u shfaq pjesa dramatike “Pasaportat”. Autor i saj si edhe regjisor ishte Korrado Veneciano, një profesor i njohur italian i të folmes së aktorit si edhe autor i mjaft librave të kësaj fushe, aktualisht pedagog në Akademinë Dramatike “Silvio D’Amico” me seli në Romë.
Veneciano e kishte këtë ndjeshmëri edhe sepse pati lindur në Leçe, pra tamam atje ku edhe zbarkonin dramat e klandestinëve.
Pesë aktore profesioniste, mes tyre edhe Paola Riçi, bashkëshortja e Venecianos, luajtën shqiptarët e natës së 28 marsit.
Shikuesit e shumtë, midis tyre edhe autori i këtij shkrimi me detyrë ato çaste si Sekretar i Parë i Ambasadës Shqiptare në Romë, i tronditi atë mbrëmje zhurma e dallgëve të detit, kërcitjet e trupit të imtë të anijes “Kateri i Radës”, aktoret që citonin një për një emrat e të mbyturve, prej cilit qytet shqiptar vinin, çfarë profesioni kishin, sa vjeç patën mbushur ato çaste, ç’ëndërra ua ngrohnin zemrat para se trupat tua ftohte vdekja dhe uji i akullt i detit.
Kjo shfaqje dhe trupa e saj dramatike më vonë u ndihmua të shkonte në Vlorë, Durrës dhe Tiranë.
Këtu spektakli i dhimbshëm u shfaq në sallën teatrore të Akademisë Shqiptare të Arteve.
Pas tre vitesh. vetëm në pranverë të vitit 2003, autoritetet e larta shqiptare bënë gjestin e shumëpritur: Presidenti i ri i vendit, Alfred Moisiu, e dekoroi pas vdekjes avokatin arbëresh Xhuzepe Bafa.























Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com