Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

U kënaqa me librin “Berat, o zemër”
URDHRI TOP SEKRET NGA KREMLINI: MERRENI PRISHTINËN!
60 LIBRAT E MI
Shteti Kundër / Nga Ylli Polovina
Analizë “S a r a j e v ë , m o j m o t ë r”
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
Analizë “S a r a j e v ë , m o j m o t ë r”


Libri i Ylli Polovinës që na kujton masakrën e Millosheviçit në Sarajevë dhe që këto ditë po përsëritet nga Putini në Ukrainë

Një libër intrigues, ku bashkohen në një të vetme rrëfimi, filozofia, politika, shkenca, diplomacia, religjioni, atdheu, dashuria, patriotizmi, solidariteti dhe optimizmi.
Shkrimtari Ylli Polovina, si një kurator i kujdesshëm e ka përdorur mjeshtërisht alternimin e dallojave mes këtyre përbërësve që pikasin pas shkrifërimit të “flokëve” të motrës Sarajevë, të përcëlluar e të tymosur prej zjarrit dhe gërmadhave të luftës, për të formësuar një portret, ku çdokush ka dhënë më të mirën e vet në sfondin ku është kodifikuar.
Libri i ri i Y. Polovinës është një parashtrim ku fjalët e shkrimtarit, lakonizmi i gjuhëtarit, ngjyrat e piktorit, tingujt e muzikantit, klasi i diplomatit, patriotizmi i qytetarit, frymëzimi i fuqishëm i bashkësisë vëllazërore, krijojnë një mozaik përshkënditës ku feksin pulset e jetës, në labirintet e së cilës përplasen hungërima dhe këngë, psherëtima dhe hove, plumba dhe lule, krakëllima korbash dhe gugatje pëllumbash, hakërrime harbutësh dhe përmallime njerëzore.


“Sarajevë, moj motër”, ashtu sikur gjithë seria e librave të Ylli Polovinës, është ndërtuar në mënyrë të tillë, ku shkrimtari spikat jo vetëm si krijues, por edhe si i krijuar prej tij, formë kjo e preferuar për të krijuar linja, ku ai “të udhëtojë” me personazhet në të gjitha hapësirat kohore e gjeografike, në thellësitë e tyre, me elegancën dhe finesën që e bëjnë të papërballueshëm tundimin për t’ia hapur portat e shpirtit, ku shkrihen e treten në të njëjtën rrjedhë ndjenja, përjetime, hove, vrulle, shpërthime, synime, projekte, dëshira, dashuri, miqësi, bashkëjetesë dhe harmoni, duke respektuar veçantitë në thurjen e së përbashkëtës.
Ky fakt e bën interesant librin dhe rrit intensitetin depërtues te lexuesi, zgjon kërshërshinë e tij për të ndjekur rrugëtimin në trasenë e shtruar, ku, jo për lazdrim apo nanurisje, regëtin ndonjë jepje, por gjithmonë nën “këqyrjen” e shkrimtarit.
Nuk është lëshim apo tërheqje, por thjesht çast meditimi, frymëmarrje e thellë për të shfryrë thekshëm.
Gjuha diplomatike është më “e ashpër” se gjuha egërshane dhe inatçore. Y. Polovina e njeh, e zotëron dhe e përdor efektshëm këtë gjuhë, duke krijuar nëpërmjet entimemave asociacione idesh, mendimesh e qëndrimesh, të cilat vijnë te lexuesi me një fuqi psikagogjike që shpartallon hermafroditizmin politik, apostazinë e bindjeve nëpërmjet rrugës anagogjike, siç është rasti i nobelistit serbo – boshnjak Ivo Andriç, urat mbi Drin të të cilit nuk mund të kishin tjetër fat, veç shembjes së vazhdueshme, deri përfundimtare.
Këtij racisti dhe antishqiptari të devotshëm, mprehtësia e tehut të gjuhës diplomatike të Polovinës, nuk ia dyfishon profilin, por ia pjesëton, duke ia prerë më dysh gjuhën e nepërkës helmatuese.


Libri “Sarajevë, moj motër!” nuk është një fantazi e mbështetur në realitet, por është një realitet që merr krahë të fluturojë në “fantazi”.
Emrat e personazheve janë emrat e njerëzve realë që gjenden mes nesh, si Flamur Gashi, Ismet Haxhiç, Halil Bicaj, Ismail Aliaj, Dilaver Goxhaj, Qazim Vraga etj.
E, megjithatë, letërsia e Ylli Polovinës nuk është histori, as kronikë, as gjuhësi, as sociologji e psikologji, as antropologji.
Ajo është një tretësirë e të gjithave së bashku, që vjen te lexuesi me shijen e lëngut të jetës, të luftës e të punës, të dashurisë, të miqësisë e vëllazërisë, që të freskon kujtesën për çfarë je, për ç’ke bërë e ç’duhet të bësh, sepse harresa është vdekje.
Por njerëzit duan të jetojnë.
Kush punon për të fshirë kujtesën, punon për vdekjen e demokracisë e për të pagëzuar me emrin e saj shkatërrimin, vuajtjen e mundimin e masës së njerëzve të thjeshtë, punon për mohimin e vlerave dhe të krenarisë kombëtare, të ruajtura shekujsh me aq fanatizëm prej popullit, të cilit i kërkohet të ulë kokën, të përkulet e të nderojë antivlerat.
Pluralizëm politik, kulturor, fetar, pluralizëm popujsh që këndojnë këngën e paqes e jo të tillë që këndojnë këngën e vdekjes, si “Bosnja do të shuhet” etj. Regjimet dështojnë, jo popujt.
Popujt nuk janë projekte ndërkombëtare, nuk janë tilla kombet, shtetet edhe mundet.


E, duke qenë kështu, Bosnja, si metonimi e përdorur djallëzisht nga presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, që nuk është aq i pavëmendshëm në përdorimin e fjalëve, kur thotë se “unë nuk jam serb i Bosnjes, por mund të jem serb nga Bosnja”, nuk mund të shuhet, sepse nuk është produkt artificial, i sajuar, por është një krijesë e hershme, e stërlashtë, me rrënjë të plazmuara në Ilirinë e moçme, tezë kjo që mbështetet nga Polovina, bazuar edhe në përkimet e fjalëve me ato të gjuhës shqipe, apo në etimologjinë që të çon në një karakter burimor të përbashkët, çështje kjo së cilës ai i kushton faqe të tëra të librit.
“Bosnja do të shuhet!”
Por a mund të shuhet rënkimi, që vjen mbytur si prej humbellash, i fëmijëve të vrarë si dënim për “fajin e madh” se ai popull kërkon të jetojë i lirë?!
Ata akuzojnë, ata janë dhimbja që vazhdon të dhembë. Zëra të njomë të pafajësisë, “krimi” i të cilëve ishte vetëm pse kishin lindur në këtë jetë, në strehën e tyre, në paqtinë e tyre engjëllore.
Të mbytet Sarajeva!
T’i zihet fryma, duke i shtrënguar rrethimin ashtu, pa ajër, pa jetë, pa të ardhme!
Por çdo pore e tokës dhe e thellësive të saj ushqen me ajër që thithet etshëm prej trupit të heronjve të legjendës njerëzore. Nëntoka nuk mbulon, por edhe ushqen jetë!


Sarajeva!
Një shqiptar, dëshmori i saj i parë!
Çfarë simbolike!
Vjen nga kohërat, nga toka dhe nëntoka, vjen nga pavdekësia, vjen nga përjetësia.
Ylli Polovina në çdo rresht të librit të tij ka treguar kujdes që fjalët të jenë aq rehat pranë njëra – tjetrës, saqë të mundësojnë lehtësinë e “ndezjes” shpejt të kuptimit.
Zjarr që të ngroh.
Këto zjarre ndez Sarajeva.
Të ngrohet në to kushdo që e do ngrohtësinë!
Është zjarr që ta do shpirti e që s’të djeg sytë prej tymit, edhe pse jeta ka trillet e veta, ku njerëz, që do të ishe mirë të mos kishin lindur, i hedhin këtij zjarri ngrohës mllefin dhe helmin e vet, për ta shndërruar në një katastrofë përvëluese të përmasave botërore.
Bosnja përjetoi përflakjen dhe përgjakjen më të madhe të marrëzisë njerëzore pas Luftës së Dytë botërore.
Rrethimi i Sarajevës – mizor dhe kriminal, ku u përdorën të gjitha format çnjerëzore, si të thirrura në një teatër modern makabriteti, ku u shpërfaq marramendja e fantazisë shfarrosëse të njerëzimit, kujtesë që të mos harrojë dhe të mos lejojë që në skenën e madhe të Lirisë e të bashkëjetesës, të konkurrojnë aktorë përbindëshorë, thirrur prej gjithë kohërave në një premierë të re maskaradash të vjetra.
“Bosnja do të shuhet!” deklaron Dodik, i vetëdijshëm për rolin e tij si zorrë llastiku e zjarrfikëses serbe brenda godinës shtetërore të Bosnje – Hercegovinës.
Duke qenë një nga furkat e kësaj ngrehine, ojnat për t’u larguar nga struktura e përbashkët, vënë në pikëpyetje ekzistencën e saj, deri në shembjen e administratës shtetërore, gjë që padyshim, nga ana tjetër, do të ndezë konfliktin me popullsinë boshnjake.
Pra, Bosnja do të ndizet përsëri, por jo për t’u djegur, por për të djegur.


Bosnja do të jetojë.
Ka rrënjë të lashta që nuk mund të shkulen, lashtësi dhe traditë që ka përpunuar modele vlerash në jetën shoqërore, kulturore, artistike, në atë morale shpirtërore, në respektimin e të drejtave e lirive të tjerëve, në mbrojtje deri në vetëmohim të entitetit dhe identitetit kombëtar.
Libri i Ylli Polovinës përshkohet prej simbolikave të fuqishme.
Njeriu dhe liria – boshti themelor i gjithë narrativës dhe retorikës së tij.


Shkrimtari (Y.P.) është ateist, por jo kundër fesë e besimtarëve që predikojnë paqe dhe urtësi, është sociolog dhe psikolog, duke përcaktuar qartë pozitën e individit në shoqëri, i analizon dukuritë e i mbështet ato duke respektuar sensin e masës, larg çdo ekstremiteti politik e ideologjik, apo fetar - kulturor.
Ai, duke trajtuar çështjen e besimit fetar në Bosnjë, si fakt që ka zënë rrënjë në një pjesë të konsiderueshme të popullsisë kudo në botë, me urtësinë karakteristike të tij, u jep epërsi atyre dukurive që i shërbejnë mirësisë e dashurisë që feja predikon dhe jo përçarjes e armiqësisë që historikisht dhe aktualisht janë shfrytëzuar në emër të fesë. Ai zgjedh nga popujt, shtetet, pushtetet dhe feja, duke përdorur mjeshtërisht diplomacinë si mjet me të cilin e mbush penën dhe e derdh në librin e vet, vetëm lëngun që është ushqyes e të shijon, si ta ketë kulluar atë prej zgjyrës së vlimit në zjarrin konfliktual të dukurive jetësore.
Kjo është arsyeja pse do të dëshironte që përshëndetja shumë e përdorur në Sarajevë “selam aleikum” (paqe për ty) dhe “aleikum selam” (paqe edhe për ty) të shqiptohej në gjuhën e vendit, kudo që përdoret, për vetë mesazhin e bukur dhe paqësor që përcjell, gjë që “do t’i çlironte shumë njerëz mosbesues për frymën e vërtetë myslimane prej ankthit se ajo ka ndonjë raport të fshehtë me përdorimin e forcës” (Y.P).
Duke i përdorur gjerësisht këto përshëndetje thelbësisht njerëzore, popujt refuzojnë përshëndetjet e llojit “es samu aleikum” (vdekje për ty) dhe “ve aleikum” (vdekje edhe për ty), të cilat janë kriminale, vrastare, të kobshme e të mynxyrshme. Janë orekset nacionaliste ekstremiste ato që nxisin luftërat mes popujve si dhe dogmat fetare, definicion ky që shkrimtari priret ta nënvizojë, aq më tepër kur aktualisht myslimanizmi, sipas tij, po perëndimorizohet dhe, nga ana tjetër, nacionalizmi po orientalizohet, duke u fryrë erërave të reja, pa u këndellur akoma mirë nga ato të mëparshmet.


Erëra që i fryjnë zjarrit në Ballkanin e zjarrtë.
Bosnja dhe Kosova!
Të martirizuara!
Shekulli i ri i gjeti të çliruara, paçka se duhej të fërkonte sytë prej përcëllimit të tymit që vazhdonin të nxirrnin oxhakët e rënë por të paprishur të shtëpive të shembura.
Simbol i bukur ky, në realitetin e trishtë, që përshin të ardhmen, përtëritjen, ringritjen.


Nuhatës i hollë Y. Polovina fikson pamje “të çuditshme” të luftës dhe të paqes në përzierjen e aromës së trëndafilit dhe kutërbimit të barutit të plumbave, asociacione këto që feksin gjithë shkëlqim edhe në simbolikën e tyre.
Vëzhgues i mprehtë, i ndjeshëm deri në skaj i hoveve shpirtërore të shprehura në melodinë e këngëve, shkrimtari e ndien si sëmbim një lajtmotiv që vjen prej larg, që mpleks kohët dhe ngjarjet, si një vajtim jo prej luftërave të mallkuara, por prej një burimi ndarës të hershëm, si zëri i zogut që ka humbur folenë dhe ndien boshllëkun si të një tingulli të këputur të këngës dhe që, duke e gjetur motivin në shtrirjen e vet hapësinore, melankolia e çastit rrjedh natyrshëm nëpër dejet e kënaqësisë dhe të krenarisë, si një e shkuar e hershme që troket në portat e shpirtrave të rinj.
Fjalët duket si të jenë kthyer në nota muzikore me aq mjeshtëri e virtuozitet, sa ato ta përcjellin melodinë me gazmimin e këndshëm të jetës e të dashurisë njerëzore të përhershme.
E tillë vjen Kënga “Mos e vrisni Sarajevën” prej burgut të Tiranës, ku vuante dënimin Sarajeva, siç i thërrisnin të burgosurit ordinerë arixhiut, i dënuar për shitjen e një karroce me kuaj të marrë hua, me paratë e së cilës, bashkë me një mikun e vet, kishin pirë e ishin bërë tapë.
Nga komeditë zënë fill tragjeditë.
Të harruar në burg për muaj të tërë, kur vlera e dëmit të bërë ishte shlyer disafish, thirrja “Mos e vrisni Sarajevën” ishte këmbanë për shtetin “demokratik” për të mos harruar.
Është një e vërtetë universale, që rikujtohet në këtë libër nëpërmjet thënieve të gjeneralit boshnjak Ismet Haxhiç, se “Harrimi është më i tmerrshëm se lufta” dhe se “Në kohën e paqes nisi lufta kundër luftës”.


Ne shqiptarët jemi dëshmitarë që e nisëm këtë luftë pikërisht kur duhej të ndodhte krejt e kundërta, në periudhën e “demokracisë’, duke e denigruar Luftën Nacionalçlirimtare, ngjarjen me rëndësi epokale për vendin tonë, që u imponoi ndërkombëtarëve faktorin shqiptar si pjesë e lëvizjes progresive botërore, gjë që e bën atë të jetë krenar dhe të mos e konsiderojë si një kohë të kaluar që nuk i hyn më në punë realitetit e, për më tepër, që e dëmton atë, siç po ndodh me fushatën e egër të mohimit të karakterit të kësaj lufte për lirinë dhe ruajtjen e pavarësisë së vendit tonë.
A është tregues i demokracisë, që pretendojmë tash tridhjetë vjet, fakti që ngremë e vendosim monumente të përfaqësuesve të monarkisë e të bashkëpunëtorëve me pushtuesin e huaj, duke rrëzuar monumente të heronjve të luftës më të lavdishme në historinë e vendit dhe të kombit tonë? Kjo është më e shëmtuar dhe më brengosëse sesa harresa.
Kjo është përmbysje!
Pse ndodh kjo?
Jo se politikanëve tanë u qan zemra për A. Zogun, Geraldinën, M. Frashërin dhe përkrahësit e tyre, por sepse ata nuk përbëjnë rrezik për pushtetin, rrezik të cilin e shohin në trashëgiminë popullore dhe në ruajtjen e vlerave kombëtare, ndaj regjimi “demokratik” shigjeton demokracinë, e cila, edhe pse tashmë duhej të ishte në moshë të pjekur tridhjetëvjeçare, pretendohet të lindet nga dita në ditë.
Shumë e zgjatur kjo shtatzani demokracieje shqiptare!


Në historinë e luftës së Bosnjes kundër serbëve Ylli Polovina është përqendruar në shtjellën shqiptare të kësaj lufte, ku del fare qartë pozicionimi në anën më të ndritur të saj, si edhe kontributi i rëndësishëm në veprimtaritë luftarake.
Është intrigues libri në ndërthurjen e trojeve shqiptare me shqiptarët e trojeve të tjera ballkanike, për situatat dhe kohën në të cilat ata gjenden dhe veprojnë: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, pjesëmarrës në luftën e Bosnjes, së bashku me gjeneralin I. Alia, me origjinë shqiptare, atashe ushtarak i Bosnjes në Republikën Turke, firmëtar i urdhrit për sulm kundër forcave serbe në betejën fitorja e së cilës garantoi ruajtjen tërësore të Sarajevës, pa lejuar kështu ndarjen e saj në dy pjesë, ndihmës i rëndësishëm operativ i shefit të Shtabit të UÇK-së, koloneli Dilaver Goxhaj, ardhur nga Shqipëria, vullnetar në luftën për çlirimin e Kosovës nga Serbia, në një koordinim perfekt të shkallëzuar mes tyre, arrijnë të komunikojnë dhe t’i kërkojnë shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Turke të ndikojë për të bllokuar ose vonuar flotën detare ruse për të dalë në Adriatik, dalje që do të vështirësonte furnizimin me armë të UÇK-së, bashkëveprim ky që rezultoi i suksesshëm.


Popujt duan të jetojnë në paqe me njëri- tjetrin.
Ylli Polovina i ka ndier trokitjet e zemrës së popujve të rajonit, sepse ato janë jetike për të dhe popullin e tij, ndaj simbolika e pëllumbit të nisur nga Beograd, me një shifër e kod në këmbë, është kuptimplote.
Bashkëjetesa është e vetmja zgjedhje dhe zgjidhje e popujve, paçka se plumbat godisin dhe shkatërrojnë strehën e pëllumbave, si për të treguar se jeta është pjellë e luftës. Mesazhi është i qartë: Mos ushqeni vdekjen.
Njerëzit duan të jetojnë!


Polovina me librin e tij “Sarajevë, moj motër” ka ndërmarrë një udhëtim më tej se në hapësirat boshnjake e kohët e saj dhe shkon në këtë thellësi kohore duke shtrirë fillin shqiptar (sikurse Tezeu në labirintet e shpellës së Minotaurit), për të mos u ngatërruar në katakombet e historisë dhe për të ruajtur tërësinë e fillit shqiptar në endjen e shtrojës boshnjake.
“Ky fill”, ndoshta, e çoi ambasadorin Flamur Gashi që një ditë, fare rastësisht, ta blinte bukën në furrën më të preferuar për boshnjakët, ngaqë ishte e veçantë në shije, ndaj dhe e kishin emërtuar nanihljeb, furrë që i përkiste një familjeje shqiptare, siç thotë shkrimtari “sikur drejt saj e thërriste gjaku”.
Fjalët “nëna” dhe “bukë” janë fjalët më jetësore për njeriun dhe në një fjalëformim dygjuhësh, “nanë”(shqipe) dhe “hljeb”(sllave), simbolika e shenjtërisë së këtyre fjalëve shkon përtej gjestit miqësor mes popujve tanë, në një ngjizje shumë më të hershme, në atë të gjakut.
– Jam shqiptar! Feja te ne nuk ka rëndësi. Ka kombësia!-thotë Flamur Gashi.
Dhe, ngaqë është kështu, shitësja e një dyqani, ku ambasadori Gashi bashkë me piktorin Fatmir Carkanji (emri artistik Lordi) dëshironin të blinin diçka për kujtim nga Sarajeva, kur “dëgjoi të flisnin shqip, ngazëlleu dhe tha se të parët e saj e kishin origjinën e largët nga viset e Shkodrës” (Y.P).
A do të ndodhte kështu, nëse shitësja do të kuptonte se këta të dy ishin të të njëjtit besim fetar me të?


Gjuha është tregues i identitetit kombëtar.
Kësaj të vërtete Ylli Polovina i mëshon fort, ndjenjës dhe krenarisë kombëtare.
Dhe jo nëpërmjet retorikës boshe, por nëpërmjet veprimit dhe fakteve, që me aq dëshirë dhe dashuri i ka shpalosur, nën rreptësinë e një hulumtuesi ngulmues e skrupuloz.
Sintaksa e fjalisë dhe simbolika e dukurisë që ajo shpreh, janë në kuota tilla që hijeshojnë mendimin dhe jo ta kodojnë atë në ezoterizëm, për t’u çoroditur në kurthet e hermetizmit apo hermeneutikës.
Spikat kompozicioni i veprës, i realizuar në mënyrë të tillë që, farkuar me simbolikë të fuqishme, si koracë në rrugëtimin diplomatik e patriotik në Sarajevë, diplomati shqiptar (F. Gashi) shpalos vlera dhe tipare karakteristike për popuj që nuk kanë kaluar kurrë kufijtë e veta si zaptues, por gjithmonë me flamurin e paqes e të vëllazërimit mes tyre, siç janë popujt e Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës.
U vendos në Sarajevë flamuri shqiptar me çeljen e ambasadës shqiptare, por seç është kjo mania e politikanëve për të prishur atë që mes popujve është e paqme.
Dhe, “për mosreciprocitet, për moshapjen në Shqipëri nga qeveria e Bosnjes të përfaqësisë së vet diplomatike, duhej mbyllur ambasada shqiptare në Sarajevë” (Y.P).
Dhe Flamuri (ambasadori) me shtyllën e flamurit dhe shqiponjën e hequr nga porta e hekurt e ambasadës, mbyll ciklin e rrugëtimit, i ligështuar prej shurdhërisë qeveritare të kohës, por hijerëndë e fisnik se “vërtet ishte larguar nga Sarajeva, por një shenjë të mandatit të tij, fati e kish sjellë ta linte aty të shkruar” (Y.P).
Ishte shtatorja e Nënë Terezës!
Shenjtorja e paqes, dashurisë dhe vëllazërisë, e sakrificës më sublime, deri në vetëmohim, për t’u shërbyer njerëzve në nevojë kudo në botë, ai shtat i pakët, por që globi i rrinte ngushtë, ajo dorë e rreshkur dhe e flashkët që rruzullin përkëdhel si një foshnjë, ai shpirt i madh që spërndrit njerëzimin, ajo zemër që rreh për t’i kthyer klithmat dhe rënkimet si prej fundit të dheut, ankim për mizoritë shfarrosëse, në një triumf të jetës e dashurisë njerëzore!
Nënë Tereza frymëzon, Nënë Tereza këshillon: “Duajeni jetën, njerëzimin! Aty qëndron kënaqësia dhe lumturia. Punoni për to!”
Le të treten në zemërbardhësinë e saj turbullirat që rëndojnë e përkeqësojnë mrekullinë e kësaj jete.


Mihal Kalia ka botuar në shtypin qendror shumë shkrime për zhvillimet letrare dhe kulturore në vendin tonë.
Ai është autor edhe i dy librave “Mbreti i kaosit” dhe “Përqasje e çoroditur”.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com