Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

U kënaqa me librin “Berat, o zemër”
URDHRI TOP SEKRET NGA KREMLINI: MERRENI PRISHTINËN!
60 LIBRAT E MI
Shteti Kundër / Nga Ylli Polovina
Analizë “S a r a j e v ë , m o j m o t ë r”
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
Shteti Kundër / Nga Ylli Polovina


Konspektoi Bardhyl Selimi, 18 mars 2015

Nga Ylli Polovina

Botuar nga Albin, Tiranë 1996

Në vargun e librave të mikut tim Ylli Polovina, padyshim “Shteti kundër” ishte disi i papritur, sepse së pari aty flitet për vetë autorin, dramën rreqethëse që kaloi Ylli e cila këdo e frikëson, pasi gjithkush mund të ndjehet, po ashtu, në rrezik, këtë herë nga vetë shteti, edhe sikur të bëjë jetën e një qytetari luajal.
Ndonëse me shumë largesë në kohë, por mendja ime shkoi te arrestimi i nënës sime, në Krujë, ku ajo shërbente si arsimtare, ndërsa jepte mësim, pikërisht ditën e lindjes së diktatorit Enver Hoxha, më 1947. E mbajtën gati një vit në qeli me akuzën e “veprimtarisë armiqësore” dhe në fund e liruan për mungesë provash. Apo rasti i bombës në ish ambasadën sovjetike më 1951…kur arrestuan ose morën nga burgjet 23 “armiq” që nuk kishin asnjë lidhje me atë ngjarje, i shpunë jashtë qytetit, i vranë në grup dhe i varrosën shpejt e shpejt në një gropë të përbashkët.
Së dyti, duke lexuar këtë libër përjeton ato ngjarje që i njeh edhe vetë, pasi janë ende të freskëta në kujtesën tonë. Aty lakohen emrat e shumë figurave politike të kohës së kaluar (Ramiz Alia, Muho Asllani, Aranit Ҫela, Hysen Shahu, etj) por edhe portretizohen plot karaktere njerëzore, bashkëvuajtës si Ylli, shumë syresh pa faj.
Së treti, libri është një vepër e mirëfilltë artistike. Shumë kapituj të veçantë mund të shërbejnë edhe si tregime më vete. Më poshtë do jap njërin prej tyre.
Historia është e tillë:
në vjeshtë të 1995 u krye një atentat i rëndë me bombë ndaj ish presidentit të Maqedonisë, Kiro Gligorov. Gazetari Ylli Polovina e sheh këtë ngjarje si analist politik në një spektër më të gjerë, edhe si përpjekje e qarqeve mafioze, lindore për të penguar çdo oksidentalizim të Ballkanit Perëndimor. A nuk e provoi këtë edhe ajo që ndodhi një vit më pas, më 1997?



Pra, nuk do ishte habi që të tilla atentate mund të ndodhnin edhe në Tiranë apo Prishtinë, rajone gjithashtu të brishta. Pas afro tre muajsh, ndodh një atentat me bombë në Tiranë, por jo ndaj ndonjë figure politike. Në afërsi të ish supermarketit VEFA, në rrugën e Dibrës shpërthen një autoveturë bombë. Si pasojë e valës goditëse shkatërrohet supermarketi në fjalë, madje vdesin katër vetë, punonjës dhe kalimtarë. Si me porosi, pas gjysmë ore, në vend ngjarje, përveç forcave policore vjen edhe vetë Presidenti i Republikës. Ky deklaron se atentati është vepër e ish sigurimsave të shtetit komunist dhe akuzon të majtën politike. Kjo mbështetet edhe nga televizioni shtetëror dhe gazetat e partisë në pushtet.
Ndërkohë, Ylli Polovina, prej kohësh, punonte si mësues i letërsisë në qytetin e vet të lindjes, Berat. Vinë dhe e arrestojnë në shtëpi, ndonëse ishte edhe pak i ftohur. E mbajnë në qelitë e Tiranës 13 ditë! I bëjnë gjyq të fshehtë dhe në fund gjyq të hapët, gjithnjë me akuzën: nxitës të akteve terroriste! Në fund pasi akuza nuk provohet, e dënojnë me gjobë 30 mijë lekë dhe kohën e paraburgimit.
Lirohet nën trysninë jo vetëm të opinionit vendas por edhe atij ndërkombëtar. Autoritetet e arsimit në Berat e pushojnë nga puna sepse “ka shkelur rregullin për mosparaqitje në detyrë më shumë se tre ditë!” (ndërkohë që vetë shteti e kish mbyllur brenda..)
Një histori kjo vërtet montekristiane!
Por më mirë të njihemi me disa fragmente nga vetë libri.

f.22
Fantazma e Raishtagut
Ideja që më sundonte më shumë dhe nuk e hidhja dot poshtë, ishte ajo e Raishtagut. Pra, rasti kur krimi kryhet nga vetë shteti për të adresuar kundër rivalëve të vet një fushatë spastrimi Teknika të tilla përdoren ende nga regjimet totalitare ose të pragdiktaturave. Natyrisht Agjensia Gjermane e Lajmeve DPA, në një koment të atyre orëve, kishte thënë se kjo ishte bomba e dytë që trondiste Shqipërinë në këto pesëdhjetë vjet. DPA kujtonte se në vitin 1951 Enver Hoxha kurdisi një bombë në ambasadën sovjetike me qëllim që të eliminonte dhjetërë kundërshtarë politikë. Por kurthi përdoret edhe në regjimet pluraliste. Konsiderohet si miniraishtag.

f.29
Unë shtetin e kam dashur gjithnjë, ai ka qenë gjithë jetën time streha më e sigurtë, ku kam mbështetur kokën. Po provoja ndjenjën e faljes së tij me gjithë dhunën që po ushtronte ndaj meje.

f.49

Nga lart, siç duket, edhe në ato zyra frynte shumë politizim. Do të isha i lirë atëhere, kur duke shfletuar shtypin e atyre ditëve, të shihja se, që në çastet e para vetë kryetari i shtetit shqiptar kishte përjashtuar pa filluar ekspertimi, të gjitha pistat e mafies italiane, të agjenturës serbe, të grupeve të jashtëme financiare, rivalëve të VEFA-s. Ai, që në gjysmën e parë të orës së pasngjarjes, kishte përcaktuar qartë dhe preras: Opozita ishte kjo frymë tejpartiake dhe e politizuar, që bënte të harxhonin kuturu energji të gjithë ata specialistë.

f.151
Gjyqi

Ylli:
Shkrimi është çuar në redaksi para 29 nëntorit dhe nuk rridhte nga ndonjë arsye për të destabilizuar Shqipërinë, por bënte të kundërtën, zotërinj gjyqtarë, bënte të kundërtën, zotëri prokuror. Unë jam socialdemokrat në Partinë Socialiste dhe kam adhurimet e mia politike. Zoti kryetar i Gjykatës, në botë ndodhin shumë gjera, gazetarë bëjnë analiza plot dhe unë, si një ndër ta, bëra një analizë. Atentati ndaj Kiro Gligorovit më ka shqetësuar shumë. Së pari, sepse është fqinj dhe në pikën më delikate të rajonit, në kapsulën e rajonit, në butonin e rajonit. Së dyti, sepse është socialdemokrat si Milan Kuçan, të cilët unë i adhuroj. Jehona jashtë është shumë e madhe në masmedian greke, bullgare, maqedone e më tej. Në Shqipëri më ulët. Pasi u njoha me rrethanat e veçanta të atentatit, mënyra si ishte organizuar ai, u trondita dhe ndoqa pistat e mundëshme të organizimit të atentatit. Sipas analistëve, pistat vinin nga Greqia e shkonin në Bullgari. Pista bullgare ishte grupi i madh financiar, Multigrupi, i cili kërkon të zotërojë ekonomikisht tërë Ballkanin, multigrup i përzierë në një mishel KGB-istësh, mafiozësh, politikanësh. Kjo më shqetësoi shumë dhe mendova: Si është e mundur të realizohet ky atentat ndaj një presidenti të majtë (është vrarë një kryeministër izraelit i së majtës, u bë edhe një atentat ndaj një të majti tjetër, Shevernaxes, pra një valë kundër së majtës). Në këtë rast mendova se kemi të bëjmë me një plan antipaqe në rajon, me një plan anti Klinton. Bill Klintoni për mua është gjeniu i paqes. Ai po oksidentalizon me shpejtësi Lindjen, po qetëson rajonin ballkanik. Mund të kemi shpresa të zgjidhet relativisht problemi i Kosovës.

Gjin Gjoni, kryetar:

I pandehur s’kemi ardhur të gjykojmë për Bill Klintonin përpara organit të drejtësisë. Përmbaju akuzës, mos u merr me politike!
Ylli:
Më falni, zotëri, unë bëra një shkrim politik. Ai shkrim është politik, nuk është shkrim për domatet dhe akuza që më bëhet mua është politike. Mos më pengoni!
Gjin Gjoni:
I pandehur, do të flasësh vetëm për akuzën.
Ylli:
Edhe një herë po jua them, atentati ndaj Gligorovit është pjesë e një piste të Lindjes,e një segmenti për të ndalur pajtimin ballkanik, për të ndaluar tentativat për oksidentalizimin e rajonit.
Në këto kushte unë kam theksuar: Përderisa atentati ndaj Gligorovit ndodhi në rajonin tonë, cilat janë pikat ku mund të destabilizohet më shpejt rajoni? Ashtu siç është bërë atentat në Maqedoni mund të përsëritet në Tiranë dhe në Prishtinë. Dhe unë nuk kam thënë vetëm në Tiranë. Nuk kam thënë “do të bëhet”, por “mund të bëhet”. Ky korrent i Lindjes që i kundërvihet Perëndimit do të përpiqet ta destabiulizojë dhe Shqipërinë. Unë kaq thashë në shkrim: është botuar shkrimi më 29 nëntor, kaluan tre muaj. Unë e gjykoj të arsyeshme të paralajmëroj. Ngjarja tragjike ndodhi. Ky është një krim i shëmtuar. Por ama unë shërbeva si koperturë politike. Gjakun e viktimave ata donin ta hidhnin mbi opozitën, zotërinj. Dhe unë them se këtu kemi të bëjmë me një skemë politike të luftës politike elektorale. Këtu nuk i zë meraku as për Yllin e as për kërkënd. Unë vija nga Berati, por këtu TVSH e kishte bërë gati artikullin tim. Unë vija për këtu e TVSH transmetonte “destabilizuesin”, “antishtetin|, një mësues në Berat.
Edhe një herë them se burgosja ime është krejt e paarsyeshme. E pambështetuir në ligj. Jam krejtësisht i pafajshëm dhe arrestimi im është një koperturë politike për të hedhur gjakun e katër viktimave të pafajshme mbi opozitën.

f.117
Legjenda Hysen Shyti

Sytë e tij ishin aq njerëzorë e të ëmbël sa të dukej çudi se ai kishte qëlluar me armë mbi trupin e një njeriu. Në burg i thërrisnin Bacë e duhej t’i kishte kapërcyer gjashtëdhjetë e pesë vjetët. Lëkurën e fytyrës e kishte të rreshkur, por pastaj çuditërisht mbi të dukej sikur kishte kaluar një dorë e butë dhe e kishte lëmuar, i kishte lënë vetëm ngjyrën e diellit të bjeshkëve, rrezatuar mbi borë.
Ishte nga Peshkopia, mysliman. Një djalë e kishte në SHBA dhe ndërkohë ai kishte rendur nga përtej Atlantikut për të takuar të atin e futur në burgun e Tiranës. Kishte qenë ai djalë arsyeja që Hysen Shyti kishte derdhur plumba mbi një njeri. Historia e nagantit të tij, që kish qëlluar mu në mes të Tiranës, niste më shumë se dymbëdhjetë vjet më parë.
Atëhere i kishte ndodhur që djali i tij ishte arratisur. Kishte kapërcyer klonin e telat me gjemba dhe më në fund lajmëroi se jetonte në Zvicër. Ishte i lirë i ikuri, por jo ai. Në vendin e tij menjëherë mblodhën fshatin për t’i bërë demaskimin publik. E drejtonte mbledhjen Ali T. një ushtarak i lartë i rrethit. Njerëzit i ngrinin me radhë që të kritikonin bashkëfshatarin e tyre. Por mbi të gjithë bërtiste dhe tundëte gishtin oficeri fanatik. Dhe në një çast kishte ndodhur që ai e kishte qëlluar me pëllëmbë Hysen Shytin. Mu në mes të gjindjes e të bashkëfshatarëve të tij.
Por Ali T. nuk mbeti me kaq. Ai dhe partia e tij e futi në burg Bacën. Dymbëdhjetë vjet. Hyri demokracia dhe Hysen Shyti doli nga hapsana. Djali i kishte shkuar, ndërkohë, në Amerikë. E gjeti shtëpinë e tij të mbushur plot me para e plaçka. Atëhere vendosi ca kohë të priste miqtë e të mblidhte shëndetin e drobitur pas qelive.
Kur e mori veten dhe i ndjeu gjunjët të fortë, veshi një kostum të bukur, një këmishë akull të bardhë, vuri një kravatë ngjyrëndezur, ngjeshi mbi kokë një borselinë zotërie dhe u pa mirë e mirë para pasqyrës. Nuk i kishte mbetur më asnjë gjurmë nga hija e rëndë e burgut.
Pikërisht atë çast futi në brez një nagant të mbushur plot. Mbylli mirë kopsat e xhaketës të ardhur nga Amerika dhe u nis nëpër Shqipëri. Nuk i tha kujt ku po shkonte, sepse në të vërtetë ishte vënë në kërkim të Ali T. Jo për ta pyetur se si ishte me shëndet apo për t’i zbrazur disa të shara. As për t’ja kthyer shuplakën me një apo dhjetë të tjera. Po e kërkonte për ta vrarë. për ta vrarë, sepse e kishte koritur me atë pëllëmbë në mes të fshatit.
Kështu, i veshur elegant e me një macetë parash në xhep, ai hyri në Tiranë. për ditë e ditë të tëra e kërkoi oficerin e shuplakës, por nuk e gjeti gjëkundi. Pastaj shkoi në Durrës. Kur nuk e gjeti këtu, qendroi në Fier. Nuk e pa këtu, shkoi në Vlorë. Pastaj në Gjirokastër. në të gjithë qytetet e mëdha. Por kërkund nuk bëhej i gjallë Ali T.
I lodhur dhe i mërzitur shumë, Hysen Shyti u kthye në Tiranë. I kishte humbur shpresat dhe një ditë, me sytë përdhe dhe i rënuar shpirtërisht, po kalonte nëpër Pazarin e Ri. Mizëria e blerësve dhe e tregtarëve po e lodhte shumë dhe vendosi të largohej nga ajo zallamahi. Dhe ishte duke ikur, kur vështrimi i kapi siluetën e një njeriu të njohur. Po tregtonte ujë të gazuar e pranë tij kishte një fëmijë afër të dhjetë vjetëve. Ishte vetë ai, Ali T. Djali i vogël duhej të ishte nipi i tij.
Trupi i lëshuar i Hysen Shytit u bë menjëherë gur. Sytë i vetëtinë dhe dora i preku nagantin. Ai ishte aty, gati, me mullirin mbushur plot. Iu avit ish- oficerit, por ndërroi mëndje. Nuk mund ta vriste në sy të fëmijës, kështu që priti sa djali i vogël iku për diku dhe Hyseni iu afrua atij që e kishte koritur.
– A po më njeh, o Ali T.?
Tjetri kishte shqyer sytë në stërmundim të kuptonte se kush ishte ky njeri, i cili po i shqiptonte atë kod të tmerrshëm verior, parathënie ogurzezë plumbash.
– Jam Hysen Shyti, ai që e korite me shuplakë në mes të gjithë fshatit.
Tjetri nuk kishte nxjerrë dot asnjë fjalë të kuptueshme, veç bashkëtingëllore dhe jargë. Shyti kishte nxjerrë nga brezi nagantin dhe e kishte shkrepur. Plumbi i parë nuk mori zjarr. E shkrepi përsëri. As i dyti nuk ndezi. Tërhoqi këmbëzën për të tretën herë dhe gryka lëshoi flakë. Ali T. klithi dhe ra mbi dëngjet me ujë të gazuar. mes gjindjes plasi paniku, klithmat, sytë e çakërryer.
Por Baca nuk u tut. Me pistoletën në dorë, por të mbajtur me gykën lart, nisi të ecte mes njerëzve të llahtarisur e të pyeste se ku ish komisariati i policisë. Megjithë zërin e tij të butë e lutës, shumë vonë dikush nga turma, që i hapej, guxoi e i tregoi rajonin më të afërt. Kishte qenë vërtet shumë afër dhe atje mbërriti pas pesë minutash. Pa i lënë kohë policisë të vinte vetë në vendin e ngjarjes.
Hysen Shyti hyri në komisariat me nagantin në dorë dhe tytën e tij lart. Disa policë, që ishin aty, iu vërsulën ta kapnin. Por Hysen Shyti u vuri dorën e lirë përpara në shenjën “mos u afroni” dhe shqiptoi solemnisht këto fjalë: Mos më prekni me dorë! Para dymbëdhjetë vjetësh një oficer më qëlloi me shuplakë dhe unë sot e vrava. Edhe ai që do të më godasë, duhet ta dijë se pas dymbëdhjetë vjetësh të tjera unë do ta vras edhe atë.
Policët ishin tërhequr. -Dua të vijë këtu vetë komisari, asnjë tjetër, – formuloi fjalët e tjera Baca. Pas pak zbriti komisari dhe Hysen Shyti bëri ritin e fundit, e ktheu pistoletën me grykë nga vetja dhe ia dorëzoi oficerit nga ana e dorezës.
E futën në burg, por Ali T. nuk na paskej vdekur. Kur ja thanë këtë gjë në birucë, Hysen Shyti ngriti supet e tha: Unë ia dhashë kashtës së keqe, por mortja e fali. Nuk kam punë më me të.





Konspektoi Bardhyl Selimi, 18 mars 2015

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com