Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

DOLI NGA SHTYPI LIBRI “SHQIPTARËT ME DY HOXHA”
RAMIZ ALIA NË ROMË, MEHMET SHEHU NË NJU JORK, ENVER HOXHA NË MOSKË
Libri “Shqiptarët me dy Hoxha”
U kënaqa me librin “Berat, o zemër”
URDHRI TOP SEKRET NGA KREMLINI: MERRENI PRISHTINËN!
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

URDHRI TOP SEKRET NGA KREMLINI: MERRENI PRISHTINËN!


SI EDHE NJË FILM FALS

Botuar në gazetën Fjala në 24 maj 2022

Ngjarja e pazakonshme që do të tregoj, ndodhur në qershor 1999, më zuri me punë në Ambasadën Shqiptare në Romë. Ato çaste u fol për herë të parë se një muaj më herët, në maj 1999, majori Junus-Bek Bamatxhireviç Jevkurov, i cili bënte pjesë në kontingjentin ndërkombëtar të ruajtjes së paqes në Bosnjë dhe Hercegovinë, nga komanda e Forcave të Armatosura të Federatës Ruse mori një detyrë top sekrete.
Sipas urdhrit të fshehtë, në mënyrë sekrete do të përgatisnin rreth dyqind njerëz të tyre dhe kur të jepej sinjali nga eprorët në Moskë ata do të kapërcenin me shpejtësinë më të madhe 620 kilometrat e distancës që i ndante nga aeroporti i Sllatinës, në Prishtinë.
Ky ishte i vetmi aeroport në rajon me pista ajrore të afta për të trajtuar avionë të të gjitha llojeve, veçanërisht transportues të trupave të rënda. Ai menjëherë do të merrej nën kontroll, me pak fjalë do të pushtohej.
Aeroporti do të mbahej pa lejuar të hynin të tjerë, trupa britanike apo gjermane, franceze ose italiane, doemos as njësi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dyqindëshes speciale do të shtoheshin shumë shpejt me trupa të tjera ushtarake që do të vinin nga Rusia.
Gjithçka nisi fshehurish dhe pak nga pak u bë e dukshme në 10 qershor 1999. Kjo ishte ditë kyçe për ngjarjen, që në këto muaj të agresionit ndaj Ukrainës, vazhdon të jetë nën harresë.
Në 10 qershor operacioni ushtarak i NATO-s në ish-Jugosllavi përfundoi dhe sipas rezolutës 1244 të OKB-së lejohej që kontingjenti ndërkombëtar i NATO-s të vendosej në Kosovë. Marrja e aeroportit të Prishtinës nga NATO u planifikua për mëngjesin e 12 qershorit.
E përditshmja italiane \"Il Giornale\" njërin prej shkrimeve të saj të faqes së parë, në mëngjesin e 11 qershorit, e titullonte \"Sot ushtarët italianë në Kosovë\". Por në pasditen e thellë të 11 qershorit Agjencia Italiane e Lajmeve, ANSA, njoftoi papritur se “Një kolonë ruse me mjete të blinduara ka bërë një hyrje triumfale në Prishtinë, e përshëndetur prej duartrokitjeve të turmës. Siç referon korrespodenti i televizionit të SHBA “Cnn”, rusët ishin pjesë e forcave të paqes së OKB-së “KFOR” dhe ua kanë djegur kohën francezëve dhe anglezëve, të cilët akoma presin në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
“Cnn” bën të ditur se prej banorëve të Prishtinës me këtë rast janë hedhur fishekzjarrë, është qëlluar në ajër dhe janë bërë gjeste të tjera gëzimi. Një numër i madh njerëzish kanë mbushur rrugën kryesore të qytetit për t’u dhënë mirëseardhjen ushtarëve të dërguar nga Moska, aleates së përhershme të Serbisë”.

Çfarë kishte ndodhur?

Në 10 qershor kontingjenti parashutist rus i SFOR-it i vendosur në Bosnje dhe Hercegovinë, i cili nuk dinte asgjë rreth objektivit të misionit, u urdhërua të formonte një kolonë me transportues të blinduar dhe të bëhej gati për marrshim.
Përgjegjës në Moskë për të gjithë operacionin special qe gjeneral-togeri Viktor Mihajlloviç Zavarzin, i cili prej tetorit 1997 ishte përfaqësuesi kryesor ushtarak i Federatës Ruse në NATO dhe pas sulmit të kësaj të fundit kundër Jugosllavisë, e patën rikthyen në atdhe.
Zavarzin e kishte ndërtuar planin e operacionit bashkë më gjeneral-togerin Leonid Grigorieviç Ivashov, i cili pati qenë në krye të drejtorisë së përgjithshme të Bashkëpunimit Ushtarak Ndërkombëtar në Ministrinë e Mbrojtjes të Federatës Ruse.
Në terrenin konkret, në ish-Jugosllavi, këtë operacion tepër sekret do ta drejtonte gjeneral-majori Valeri Vladimiroviç Ribkin, i cili qe shef i njësisë së transportit ajror rus në Bosnje dhe Hercegovinë. Bashkë me të do të ishte edhe koloneli Nikollaj Injatov, komandant i një brigade ajrore të veçuar, e cila bënte pjesë në Forcat Ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara për ruajtjen e paqes në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ishte koloneli Sergej Pavllov që urdhëroi batalionin e parashutistëve rusë të nisej me shpejtësinë më të madhe drejt e në Prishtinë. Detyra për autokolonën me mjete të blinduara qe saktësisht: në orën 5 të mëngjesit të 12 qershorit të ndodhej në aeroportin e Sllatinës dhe ta merrte atë nën kontroll.
Në mbrëmjen e vonë të 11 qershorit, pa e informuar NATO-n, autokolona me dhjetë blinde dhe 30 kamionë, kaloi pa vështirësi kufirin boshnjak. Para se ta bënin këtë kapërcim, automjetet ndërruan tabelat nga SFOR në KFOR.
Gjatë marshimit të shpejtuar mes entuziazmit të banorëve serbë kolon arriti në Prishtinë rreth orës 1.30. Këtë çast e filmoi dhe e raportoi Cnn, duke e nxjerrë nga sekreti. U bashkuan me televizionin amerikan një kameraman i Reuter si edhe një gazetar i agjencisë jugosllave Beta. Këta ja kishin dalë t’i bashkëngjiteshin karvanit të mjeteve ruse.
Për herë të parë këtë lajm-bombë e morën vesh këto momente. Qenë të bindur se parashutistët rusë ndodheshin aty, në vendet e bazimit.
Ndërkohë për kalimin e qytetit të Prishtinës batalionit special parashutist rus, nga që popullata vendase serbe këmbëngulte t’i takonte, iu desh një orë e gjysmë. Pas kësaj autokolona u nis për në Fushë Kosovë. Këtu ndaloi të merrte udhëzime nga shërbimet e veta speciale.
Me objektiv të planifikuar të mbërrinte në orën 5, më në fund në orën 7 të mëngjesit të 12 qershorit 1999 njësia speciale ruse e kishte vënë nën kontroll të plotë të gjithë territorin e aeroportit të Sllatinës.
Në Bruksel politikanët e Perëndimit mbetën me gojë hapur, kurse në Maqedoni, ku Majkëll Xhekson, komandanti i forcave të NATO-s në Ballkan, hyrjen e trupave në Kosovë e pati caktuar për në mëngjesin e 13 qershorit, i ngriti në gjendje alarmi të gjitha njësitë amerikane, angleze, franceze dhe italiane.

12 qershor

Televizioni italian, Rai, kanali i parë dhe i dytë si edhe Tg5 i Mediaset, përcollën këtë ditë lajmin për vizitën e presidentit italian Karlo Axelio Çampi në Shqipëri. Ndërkohë kjo ditë kishte edhe një vizitë të kryeministrit italian Masimo D\'Alema në Shkup.
Megjithëse zhvillohej paralelisht me dy të parat televizioni italin nuk i dha asnjë interes një vizite të tretë të këtij 12 qershori: ajo e sekretares amerikane të Shtetit Mejdlin Ollbrajt në Maqedoni.
Disa nga titujt kryesorë të faqeve të para të gazetave italiane ndërkohë thoshin: \"Corriere della Sera\"...\"Forca e paqes, sfida ruse për NATO-n\"; \"La Stampa\"...\"Rusët në Kosovë, NATO në alarm\"; \"La Repubblica\"...\"Kosovë, akull mes NATO-s dhe Rusisë\"; \"Il Giornale\"....\"Moska dërgon papritur 1000 ushtarë dhe Beogradi i pret si çlirimtarë\"; \"Il Messaggero\"...\"Kosovë, sfida ruse për NATO-n\".
Në të njëjtën kohë u bë e ditur se presidenti Jelcin i pati telefonuar presidentit Klinton: \"Për ta zgjidhur këtë problem me qetësi të diskutojmë së bashku në një nëndetëse ose në një ishull ku askush nuk mund të na shqetësojë\".
Këtë ditë të 12 qershorit 1999 kishin hyrë në Kosovë prej Bllacës në Maqedoni Brigada V e aviotransportueshme britanike, Brigada IV e blinduar, Batalioni i rikonjicionit gurkha si edhe ai i Kavalerisë së lehtë. Po ashtu edhe nga Kumanova patën hyrë trupat franceze. Natën hynë nga Kukësi drejt Prizrenit trupat gjermane të Brigadës XII Panzer të \'\'Bundeswehr”. Të nesërmen, në 13 qershor, do të ishte radha e bersalierëve italianë dhe e marinsave si edhe e këmbësorëve amerikanë të \'\'Task Force Falcon”.
Agjencia e Beogradit Srna njoftoi se njëqind mjete ruse transporti do të niseshin menjëherë nga Bjelina e Bosnjës për në Kosovë, duke kaluar nëpërmjet Serbisë. Pika e mbërritjes do të qe, siç theksonte ajo, aeroporti i Sllatinës, i rënë krejtësisht në duart e dyqind e gjashtë parashutistëve.
Agjencia Interfaks, referuar burimeve ushtarake, lajmëronte se disa qindra ushtarë rusë të vendosur në aeroportet Ivanovo, Rjasan dhe Pskov, saktësisht dy regjimente, do të hipnin në avionë të mëdhenj transporti Iljushin-76 dhe fluturonin drejt Kosovës.
Bëhej fjalë për tre divizione të parashutistëve dhe 120 aeroplanë të ngarkuar me pajisje luftarake. .Por Hungaria, një anëtare e NATO-s, e pati refuzuar hyrjen ajrore të këtyre trupave. Kështu veproi edhe Bullgaria, edhe ajo aleate e Aleancës Atlantike.
Ndërkaq e përditshmja angleze “Sun” titullonte në faqen e parë shkrimin “NATO fle ndërsa rusët përparojnë”, “Times” shprehte frikën se Moska me marrjen e aeroportit të Prishtinës do tia delte të ndante Kosovën dhe “Daily Telegraph” kishte apo ashtu që njëjtin shqetësim.
Ndërkohë pararoja e trupave britanike, e cila synonte mbërritjen sa më të shpejtë në aeroportin e Sllatinës, u ngadalësua shumë në Kaçanik, sepse në një tunel qe vendosur një minë. Kur u rinisën dhe u përpoqën të kapnin ritmin e plotë të lëvizjes, sipas \'\'Sky News\'\', një minë tjetër, vendosur edhe ajo në një tunel, i frenoi sërish.
Rreth orës 11.00, një dron fluturoi mbi aeroportin e Sllatinës dhe menjëherë pas kësaj një kolonë xhipash britanikë mbërriti në pikën e parë të kontrollit në periferi të aeroportit. Në anën tjetër të aeroportit, qenë tanket e brigadës së 4-të të mekanizuar britanike. Në përforcim u erdhi një helikopter amerikan sulmi \'\'Apache\'\' AH-64.
Dy njësitë që përfaqësonin rreth 500 burra, ndaluan në dy pika kontrolli, pastaj parashutistët britanikë bënë përpjekje të depërtonin në aeroport, por u detyruan nga 206 rusët të ktheheshin prapa.
Gjenerali Majkëll Xhekson ndodhej në kolonën e parë të tankeve britanikë, por në postbllok një toger rus e kërcënoi me armë dhe e ndaloi të hynte. Tanket britanike qëndruan në pozicionet e tyre, duke mos u përpjekur më për të marrë nën kontroll aeroportin.
Ndërkohë u mor vesh se gjenerali amerikan Uisli Klark, komandant i forcave të NATO-s në Evropë, e pati urdhëruar Xheksonin të ballafaqohej me forcë për t’ua marrë rusëve aeroportin e Sllatinës, por ky i qe përgjigjur se nuk kishte ndërmend të fillonte një luftë të tretë botërore.
Sipas agjencicë ruse të lajmeve Itar-tass, komandanti i autokolonës britanike u takua me kreun e trupave ruse në Ballkan, Viktor Savarsin. Biseda mes të dyve u konsiderua konstruktive dhe “miqësore”.
Sipas agjencisë italiane të lajmeve Adnkronos, “Një grup ekspertësh ushtarakë rusë ka mbërritur në Maqedoni për të biseduar me komandantët amerikanë rreth pjesëmarrjes në Kfor. E njofton këtë agjencia Interfax, sipas të cilës Moska është e vendosur të mbajë një “zonë përgjegjësie” të saj në Kosovë, kërkesë që nuk është parë me favor nga NATO. Bisedimet po zhvillohen në Shkup...”
Vetë ministri i Jashtëm rus\' Igor Ivanov e konsideroi ngjarjen një veprim të qortueshëm dhe anuloi një vizitë që do të bënte në Balltik. Nga ana e vet gjenerali Leonid Ivashov, funksionar i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, u shpreh se Rusia qe e interesuar për hyrjen e njëkohshme në Kosovë të të gjitha trupave ndërkombëtare. Ai tha se “Ne nuk duam të jemi të parët, por as të fundit”.
Presidenti rus Boris Jelcin nuk shqiptoi asnjë kritikë, por zëdhënësi i Kremlinit Dimitri Jakushkin deklaroi se vendi i tyre do të respektonte vendimet e Kombeve të Bashkuara.
Kjo situatë e paqartë krijoi mjegullën e fjalëve se për operacionin e pushtimit të aeroportit të Sllatinës urdhrin e pati dhënë vetë Jelcini. Këtë e pohonin edhe burime nga komandat ushtarake të Moskës. Sipas agjencisë Itar-tass, Boris Jelcini kishte takuar ministrin e tij të Mbrojtjes Igor Sergejev dhe prej kësaj bisede ishte nënkuptuar që urdhrin e operacionit të fshehtë e pati dhënë Sergejev. Gjithsesi nga takimi nuk doli ndonjë deklaratë për lëshimin e aeroportit të Sllatinës.

“Shqiponja ruse mbi aeroportin e Prishtinës\"

Në 13 qershor 1999 në faqen e parë “Corriere della Sera\" titullonte disa shkrime: \"Ushtarët e NATO-s në Kosovë, tension me rusët\", \"Ushtria e NATO-s në rresht brenda Kosovës\", \"Rusët dhe anglezët përballen në Prishtinë\", \"Një urdhër nga Kremlini: Merreni Prishtinën!\"
Në \"La Stampa\": \"Kosova e ndarë mes Rusisë dhe NATO-s\", \"Shqiponja ruse mbi aeroportin e Prishtinës\", \"Plani top sekret i shtabit madhor të Moskës\".
\"La Repubblica\" nxirrte në pah: \"NATO dhe rusët ballë përballë\", \"Kosovë, Moska poshtëron NATO-n\", \"Prishtinë, triumfi i rusëve\". Gazeta komuniste \"L\'Unita\": \"SHBA gati për t\'i afruar rusëve një sektor në Kosovë\". “Il Messaggero\": \"Treqind rusë vënë në kllapë NATO-n\", \"Prishtina, blic i rusëve, NATO mbeti e befasuar\", \"Një shuplakë për Amerikën\".
Në 14 qershor “Corriere della Sera” botonte dy intervista. Në njërën prej tyre fliste politologu Riçard Pajps. Ai shprehej se në Kosovë \"do të ketë një ndarje si në Berlin\". E argumentonte këtë gjë me një lloj zemërimi të Rusisë, e cila gjithnjë e më shumë po prishej me SHBA për shkak të depërtimit të NATO-s drejt lindjes.
Në intervistën e dytë fliste historiani Adam Ulam. Ai këmbëngulte se NATO dhe SHBA duhej t\'i bënin lëshime Rusisë dhe se \"do të ishte një gabim të poshtëroje Moskën\".
Në \"La Stampa\" publikohej një intervistë me Artur Shlezinger. Ai deklaronte se viti 1999 qe viti i Euros, por edhe i unitetit politik të Evropës. Luftën për Kosovën Shlesinger e konsideronte si \"vit i themelimit politik të Evropës\".
Në 15 qershor në fund të faqes 12 të \"La Stampa\", me burim informimi Kopenhagenin, një shkrim e fillonte me fjalët \"Shqipëria nuk dëshiron që Kosova të transformohet \"në një Afganistan të ri\". Me këtë referim për pushtimin sovjetik të vendit aziatik kryeministri shqiptar Pandeli Majko i ka kërkuar NATO-s të kufizonte rolin e ushtarëve rusë në provincën serbe. Më pas shkrimi kalonte në evidentimin e deklarimit \"të kryeministrit të qeverisë së përkohshme të Kosovës, emëruar nga UÇK, Hashim Thaçi\", i cili pati ngulur këmbë që rusët e hyrë në Kosovë të iknin sa më shpejt.
Në 16 qershor nëpër gazetat italiane botoheshin shkrime se si parashutistët rusë që patën zënë aeroportin e Prishtinës, nuk kishin as ujë për të pirë, as duhan, madje as për të ngrënë. U detyruan një ditë më parë, në 15 qershor, që të hapnin postbllokun dhe të lejonin disa ushtarë anglezë t\'u sillnin ujë mineral.
Ndërkohë, të bllokuar prej mbylljes së korridoreve ajrore, një pjesë e re e ushtarëve rusë të dërguar nga Moska ndoqën rrugën detare. Të hipur në bordet e anijeve të rënda si Nikollaj Filçenkov, Azov (BDK-54), Kounikov (BDK-64) ose Amal (BDK-67) ata zbarkuan në portin e Selanikut. Pastaj hynë në Kosovë nga territori i Republikës së Maqedonisë.
Në 27 qershor në aeroportin e Prishtinës për herë të parë zbritën një avion rus dhe një britanik. Media njoftoi se \"më në fund rusët e \"liruan\" aeroportin\".
Avioni rus qe një Iljushin 76 dhe solli 39 oficerë dhe teknikë si edhe pajisje për kontrollin e lundrimit ajror. Në Itali gazetat e kësaj dite lanë të kuptohej se nuk u pati pëlqyer fort komandanti rus i zbritur nga avioni. Jo thjesht për barkun disi të kërcyer, por më shumë për mënyrën se si sillej: shfaqej si padroni i vendit.
Të nesërmen, në 28 qershor, \"La Repubblica\" shkruante se Rumania e kishte mbyllur korridorin ajror të Bukureshtit për avionët ushtarakë të Moskës, kur këta aeroplanë drejtoheshin për në Kosovë. Autoritetet rumune këtë qëndrim të tyre e shpjeguan me faktin se pasi një avion rus Iljushin-76 zbriti në Bukuresht, pas 92 minutash erdhi një tjetër. Ky ritëm i shpeshtë nuk ishte sipas marrëveshjes së kryer mes të dy palëve.
Ndërkaq aeroporti i Sllatinës filloi të kryejë fluturime tregtare dhe ndërkombëtare për pasagjerë duke filluar nga 15 tetori 1999. Kështu pushoi përfundimisht së qeni një aeroport ushtarak.
Në nderim të marshimit të fshehtë për pushtimin e aeroportit të Sllatinës qeveria ruse ka bërë një medalje në katër formate. Deri në vitin 2000 qenë dhënë 343 prej tyre.
Në 13 prill 2000 për pjesëmarrjen e tij në këtë operacion Junus-Bek Jevkurov mori titullin e Heroit të Federatës Ruse. Në 2008 ai u bë president i Republikës së Ingushecisë.
Gjeneral togeri Viktor Mihajlloviç Zavarzin u bë gjeneral-kolonel. U zgjodh edhe deputet.
Gjeneral togeri Nikolaj Ivanoviç Injatov në vitin 2008 u bë shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe Nënkomandant i Parë i forcave të transportueshme ajrore të Forcave të Armatosura Ruse.

Në dyvjetorin e ngjarjes

Në 17 qershor 2001 Presidenti rus Vladimir Putin u takua në Beograd me Presidentin e Jugosllavisë Vojisllav Koshtunica. Sipas Putin dhe Koshtunicës, Kosova, ato çaste nën kontrollin e paqeruajtësve të udhëhequr nga NATO, ishte burimi kryesor i paqëndrueshmërisë në Ballkan.
Presidenti rus tha: “Stabiliteti në rajon është i kërcënuar seriozisht, mbi të gjitha nga ekstremizmi fetar kombëtar dhe intoleranca, burimi kryesor i të cilit sot është në Kosovë”.
Udhëheqësi rus më pas fluturoi për në Prishtinë, ku teksa zbriste me ministrin e jashtëm Igor Ivanov dhe ministrin e mbrojtjes Sergei Ivanov, u përshëndet nga një roje nderi ushtarake ruse. Mes 40.000 paqeruajtësve në Kosovë në qershor 2001 numri i ushtarëve rusë ishte 3.000.
Në ditën e dytë të vizitës treshja e lartë e Moskës takoi komandantin e forcës së udhëhequr nga NATO, Gjeneral Togerin danez Thorstein Skiaker dhe përfaqësues të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pas rikthimit në Moskë Vladimir Putini bisedoi në telefon me Presidentin e SHBA Xhorxh Bush dhe ky i fundit deklaroi se \"Ne mund ta bëjmë botën më të sigurt, më të begatë”. Dy udhëheqësit ranë dakord të takohen për samite në secilin vend. Bush e ftoi Putinin në fermën e tij në Crawford, Teksas, në vjeshtë. Putini ia ktheu mirësjelljen me një ftesë për në shtëpinë e tij në Moskë.

Në 20 vjetor filmi “Linja Ballkanike”

Në rusisht “Балканский рубеж”, në serbisht “Balkanska madja”, me regjisor rusin Andrej Vollgin ai u shfaq në 20 vjetorin e pushtimit të aeroportit të Sllatinës. Filmi u publikua në Rusi më 21 mars 2019. Bashkërisht me Ministritë e Kulturës të Rusisë dhe Serbisë atë e prodhoi Arhangel Studios, e drejtuar nga aktorët serbë Millosh Bikoviç dhe Miodrag Radonjiç. Serbët qenë pjesa më e madhe e aktorëve. Nga rusët luajtën role kryesore Gosha Kuçenko dhe Anton Pampushni. Në filmin “Balkanska Madja” deklamoi, si i ftuar special, edhe regjisori i famshëm serbo-boshnjak Emir Kusturica.
Që nga shfaqja e tij e parë media shtetërore ruse dhe organizatat miqësore ndaj Kremlinit e kanë lavdëruar atë për portretizimin e \"të vërtetës\". Por e vërteta është se filmi përbën një trillim, është i mbushur me shtrembërime dhe propagandë. Në ngjarje realisht nuk u shkrep asnjë pushkë, por frymëzuesit shtetërorë të Moskës dhe Beogradit e kanë shndërruar në subjektin e një beteje trimërore të një njësiti special rus prej njëzetë vetësh, për të çliruar aeroportin e Prishtinës nga një grup militantësh shqiptarë të Kosovës, të cilët aty kanë ngritur shtabin.
Pasi e kryen këtë mision njëzetëshja qëndroi deri sa nga Bosnja mbërritën trupa parashutiste ruse paqeruajtëse.
Në “Linjën Ballkanike”, Serbia është viktima e pafajshme, ndërsa shqiptarët bisha të mbështetur nga një NATO imperialiste.
Ministri rus i Kulturës Vladimir Medinsky përshëndeti këtë film duke deklaruar: “Kam parë “The Balkan Line”. Edhe pse kishte një numër të madh të mangësive në skenar, ky është një film mjaft i mirë. Unë do t\'i këshilloja të rinjtë që ta shikojnë atë\".
Ndërkaq në Serbi filmi pati sukses të madh. Predrag Milidrag, hulumtues në Institutin për Filozofi dhe Teori Sociale në Beograd, tha se \"Ky film nuk ka të bëjë fare me realitetin, por të rinjtë në Serbi besojnë se gjithçka ka ndodhur në Kosovë...Për ta NATO është armiku, rusët janë miq. Kosova \'na është marrë \"Nuk e humbëm në luftë...\"
Filmi gënjeshtër u bë siç ruso-serbët realisht dëshironin të ndodhte.

Ylli Polovina
Tiranë, më 23 maj 2022




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com