Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
“ME APO PA AMERIKËN”


Botuar në gazetën “Fjala” në 2 gusht 2022

Është libri më i ri i Ylli Polovinës, i cili u botua në ditën e 28 korrikut, me rastin e përvjetorit të njëqindtë të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë.
Ky botim me 307 faqe analizon të gjitha rrethanat si edhe dilemat që kanë shoqëruar çështjen nëse ky raport mes dy shteteve ka ardhur prej pragmatizmit, nevojave politike dhe gjeostrategjike të ditës apo është një rrjedhim i thellë, i të gjitha dimensioneve, jo vetëm historike dhe sociale, por mbi të gjitha shpirtërore.
Nga shqyrtimi i kësaj teme, pra të jesh apo jo me Amerikën, autorit i është krijuar bindja se këto marrëdhënie nuk i trondit apo nuk i ndryshon dot asnjë administratë e veçantë në Shqipëri apo SHBA, sado e fuqishme t’i duket veta.
Me një faliment të madh përfundoi dhuna mendore, ajo me shpëlarje truri për një gjysmë shekulli, që përdori Partia Komuniste (dhe e Punës) e Enver Hoxhës.
Për t’i paraqitur lexuesit një pamje të brendshme të përmbajtjes së librit, po veçojmë për të disa tituj nga pasqyra e lëndës:
Shkolla Teknike\\Pranga për gazetën “Shqiptari i Amerikës”\\Bollsheviqizma\\Sejfulla Malëshova në veprim për komunistizimin e shqiptarëve në Amerikë\\Mit’hat Frashëri\\Noli, rreziku i dytë anglo-amerikan\\“Historia e Deklasifikuar e Operacioneve të Inteligjencës Amerikane në Evropë: 1945-2001”\\Plani R-7\\Hasan Spata vritet në Beograd\\Rruga e Tiranës me emrin popullor Broduej\\Uiliam Fosteri\\Përfaqësuesi i SHBA në Këshillin e Sigurimit, Artur Goldberg\\Pistoleta stilolaps “Stinger”\\ Majori gjerman i zbulimit\\ Vrasjet që do të kryheshin në tribunën e parakalimit\\Tentativa për të goditur me bombë Ramiz Alinë
Etj.

Fragmente nga libri “Me apo pa Amerikën”

Jugosllavët, më agresivët

Sipas librit dy vëllimësh, në mbi njëmijë faqe, të studiuesit Irakli Koçollari “Operacione sekrete, lufta e ftohtë në Shqipëri”, publikuar në korrik të këtij viti, 2022, prej në periudhën 1949-1953 zbulimet greke, jugosllave, italiane, britanike dhe amerikane zbarkuan apo desantuan në Shqipëri 1508 agjentë.
Në këtë numër vetëm diversantë të dërguar nga jugosllavët qenë 1098.
Kjo donte të thoshte 70 për qind.
….

Hasan Spata vritet në Beograd

Kthehej nga Gjermania Perëndimore për t’u riatdhesuar në Shqipëri dhe quhej Hasan Spata.
Ishte 27 maj 1958.
Qe agjent i Sigurimit të Tiranës.
Ndaloi në Beograd dhe ambasada e sistemoi në një hotel, prej ku të nesërmen do të vazhdonte udhëtimin e kthimit.
Por një kushëri i tij e kallëzoi në organet e Sigurimit jugosllav dhe ata e rrëmbyen nga hoteli, e çuan në një kamp përqendrimi dhe organizuan vrasjen e tij.
Në përgjigje të kërkesave këmbëngulëse të Qeverisë sonë për kthimin e tij, autoritetet jugosllave deklaruan se ai ishte “vrarë gjatë përpjekjeve për t\'u arratisur”.
Në 10 gusht 1958 Enver Hoxha, për një vizitë në Pragë, do të shkruante: “Vajta për gjah. Vrava një sorkadhe... Mora radiogram nga Hysniu për vrasjen e qytetarit shqiptar, Hasan Spata, nga titistët jugosllavë”.
Ndërkaq e përditshmja franceze “Le Monde”, në një shkrim të korrespodentit të saj në Beograd Paul Yankovitch (Pol Jankoviç), në 14 gusht 1958 do të shkruante: “Duke thyer të gjitha zakonet diplomatike, Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë në Beograd, z. Piro Koçi, akuzoi qeverinë jugosllave se është drejtpërdrejt përgjegjëse për vdekjen e këtij shtetasi shqiptar.
Duke përdorur një gjuhë veçanërisht të dhunshme, ai lexoi para përfaqësuesve të shtypit, të thirrur për herë të parë në një konferencë në legatën e një demokracie popullore, një deklaratë të gjatë në të cilën vdekja e Hasan Spatës cilësohet si një krim barbar, vrasje me paramendim. vepër penale.
\"Autoritetet jugosllave vranë Spatën,\" tha ministri.
Rasti i Hasan Spatës... i ardhur nga Gjermania Perëndimore në Beograd më 25 maj, ky personazh do të zhdukej më 27 maj, në prag të nisjes për në Shqipëri.
Një muaj më vonë, autoritetet jugosllave besuan se e kishin gjetur dhe i ofruan legatës shqiptare ta identifikonin.
Shqiptarët refuzuan dhe më 7 gusht një deklaratë njoftoi se Spata, ose kushdo që supozohej se ishte Spata, ishte vrarë gjatë një tentative arratisjeje. Një shënim i ri për legatën, këtë herë për identifikimin e kufomës, u refuzua gjithashtu...”
Në 19 gusht “Le Monde”, sërish me autor Jankoviç, mes të tjerash do të shkruante: “Një dokument i ri sapo i është shtuar dosjes tashmë voluminoze të çështjes së Hasan Spatës, shtetasit shqiptar që dyshohet se u vra në Jugosllavi në fillim të gushtit.
Në të vërtetë, nga një burim i mirinformuar mësojmë se qeveria jugosllave i dërgoi një notë proteste qeverisë së Tiranës të shtunën pas konferencës për shtyp që Ministri Fuqiplotë i Shqipërisë, z. Piro Koçi, kishte mbajtur në Beograd më 12 gusht...
Prej disa ditësh, për më tepër, incidenti ka dalë jashtë kornizës së vetme të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave. Befas mori një dimension të papritur dhe u bë objekt i një fushate të re nga i gjithë “kampi socialist” kundër Jugosllavisë.
Duke ndjekur shembullin e kolegut të tyre në Beograd, përfaqësuesit diplomatikë të Shqipërisë në të gjitha vendet e demokracisë popullore...i bënë thirrje shtypit për të dhënë \"detaje dhe sqarime\" për rastin Spata.
Këto leksione morën një publicitet të gjerë dhe shkaktuan shumë komente. Gazetat sovjetike, kineze, çekosllovake, hungareze, bullgare dhe deri diku polake mbrojnë njëzëri tezën shqiptare dhe akuzojnë Jugosllavinë, madje edhe \"përfaqësuesit e saj më të lartë, se kanë qenë fajtore për vrasje, krime, procese hitleriane\".
Sigurisht, shtypi dhe radioja shqiptare i dhanë tonin fushatës dhe u vu re se radio Tirana, në transmetimin e saj të mbrëmjes të së shtunës, kishte ngritur një argument të ri mbi motivet e vdekjes së Spatës: \"Ka lloj-lloj arsyesh për të besuar, tha spikeri, se Spata është vrarë me kërkesë të shërbimeve të spiunazhit amerikan...”

Pistoleta stilolaps “Stinger”

Por a është rrezikuar ndonjëherë jeta e Enver Hoxhës prej anglo-amerikanëve...?
Fillimisht jetën e Hoxhës e kanë rrezikuar në të njëjtën kohë, madje shumë paralelisht, gjermanët dhe britanikët.
Në botimin e tij “Çezari i Ballkanit”, varianti letrar i librit “OSS në Luftën e Dytë Botërore në Shqipëri”, gazetari shqiptaro-amerikan Peter Lucas ka bërë të ditur edhe një episod.
Sipas Lucas, “Uashingtoni do që Çezari të dalë nga loja, tha Brenani, Uashingtoni po e shikon me shqetësim faktin që Shqipëria po bëhet komuniste. Njerëzit janë të irrituar që Çezari nuk do të tregohet më agresiv ndaj gjermanëve. Uashingtoni do që ai të vrasë gjermanë.
-Çezari është më bolshevik nga ç’duhet dhe njëkohësisht tepër frikacak, tha Mikedu.
-Do t’ju duhet të hani karremin…Kjo mund t’ju hyjë në punë, tha ai duke i dorëzuar stilolapsin Stivensit. Stilolapsi ishte një pistoletë e papërsëritshme e tipit Stinger, e kalibrit 22, e projektuar me zgjuarsi që të dukej nga pamja e jashtme si një stilolaps.
-Në një mënyrë a në një tjetër, Uashingtoni do që të mbarohet kjo punë. Çezari duhet nxjerrë jashtë loje.
Fytyrën e kishte fare pranë fytyrës së Hoxhës. Stivensi zgjati dorën drejt xhepit të brendshëm për të marrë Stingerin. Ai nuk ndodhej atje. Stingeri si stilolaps ishte zhdukur.
Stivensi zgjati dorën për te çizmja e djathtë. Futi pa u ndierë dy gishtat në pjesën e brendshme të anës së djathtë të çizmes ku mbante një kamë.
Nxori thikën me teh të hollë nga mbajtësja e saj në çizme. E ngriti dhe e mbajti një grimë larg fytit të zbuluar të Hoxhës. Një ngulje e shpejtë në aortë dhe ai do të merrte fund…
Stivensi ishte aq pranë saqë gati nuk po merrte frymë mbi Hoxhën. E dinte, që kur t’ia ngulte kamën në fyt, do të duhej t’ia mbulonte gojën Hoxhës me jastëk. Ai kishte për të ulëritur dhe kjo do të vinte në alarm Rinaldon dhe rojet jashtë ndërtesës.
Me siguri do ta kapnin e torturonin dhe më pas do ta vrisnin.
Stivensi zgjati dorën tek ana e majtë e jakës dhe ndjeu me gisht pilulën V. Ajo ishte atje. Ai do të vriste Hoxhën dhe më pas do të gëlltiste pilulën. Hoxha do të vdiste. Ai do të vdiste. Por ai nuk donte të vdiste…”

Majori gjerman i zbulimit

Në librin e saj me kujtime “Lufta jonë çlirimtare”, viti i botimit 2011, Nexhmije Hoxha mes të tjerash shkruan:
“Kur Shtabi i Përgjithshëm, ndodhej në Helmës të Skraparit, ngjau një incident, pikërisht mu përpara zyrës së Enverit, me një oficer gjerman të arrestuar në Vlorë.
Unë e pashë gjermanin, kur po e sillnin në Shtab për ta marrë në pyetje. Ishim duke ardhur në Helmës. Rrugës na arriti dhe na parakaloi një grup prej 3-4 partizanësh, që shoqëronin dy persona të arrestuar, por që nuk ishin të pranguar.
Njëri dukej që ishte gjerman, i gjatë, me trup atleti, bjond e sy bojë qielli. Ishte i veshur me pantallona ushtarake dhe me një këmishë civile, me mëngë të shkurtra dhe që e mbante të zbërthyer deri në mes të gjoksit, sepse ishte vapë, dhe i dukej lëkura, që dielli i Shqipërisë ia kishte skuqur mirë, ndërsa varur në qafë i ndriste një kryq i vogël, jo kryq i thyer, gjoja “si krishterë i mirë që ishte”.
Personi tjetër i arrestuar, ishte krejt i kundërt me të, i shkurtër e i thatë, për të cilin na thanë se ishte çek, drejtor i Bankës së Vlorës dhe e kishin marrë si përkthyes të gjermanit…
Meqë dinte edhe gjermanisht, edhe shqip, gjermani i kishte kërkuar atij që t’i krijonte lidhje me ndonjë nga shtabet partizane të zonës, sepse, i tha, donte të dezertonte dhe mund të jepte informacione të rëndësishme.
Këtë nuk e besonte kush, sepse dihej që dezertimet nga ushtria gjermane nuk para ishin të zakonshme, ashtu siç ndodhte me italianët por, sidoqoftë, ajo puna e informacioneve paraqiste interes, pasi në kohë lufte informacionet kanë shumë rëndësi.
Çeku kishte biseduar me dikë për këtë kërkesë të gjermanit dhe shokët e Vlorës morën urdhrin të shoqëroheshin të dy, gjermani dhe çeku, e të silleshin në Shtabin e Përgjithshëm, si të arrestuar, por pa u prangosur.
Sigurisht, u dha porosia që të bëhej shumë kujdes, pasi gjermani ishte zbulues, ndaj nuk duhej të lejohej që ai të bisedonte me njerëz gjatë rrugës dhe vetë shoqëruesit të mos u përgjigjeshin pyetjeve dhe kurioziteteve të tij.
Ndërsa çeku doli që nuk ishte thjesht një përkthyes, por agjent në shërbim të gjermanëve. Kur u mor në pyetje, ai u zbërthye deri në fund, sa tha me të madhe se gjermani ka ardhur që të bëjë atentat në Shtabin e Përgjithshëm, kryesisht për të vrarë shefin e tij, Enver Hoxhën.
Pas këtij pohimi, çeku nuk hynte më në punë dhe u pushkatua nga një skuadër partizanësh. Oficeri SS u mor në pyetje për më se një muaj. Në fillim edhe nga Enveri, me ndonjë nga shokët e Shtabit, në zyrën e tij.
Siç duket, kur hynte e dilte këtu, gjermani fiksoi mirë pozicionin e zyrës së Enverit, korridorin, mjedisin përreth, madje, pa edhe krevatin portativ ku flinte Enveri etj.
Më pas pyetjet dhe hetimet i vazhduan shokë të tjerë dhe, kur panë se ai nuk po jepte gjë, e lanë në një haur, të lidhur këmbë e duar, nën vëzhgimin e dy prej rojave kryesore të Enverit, Haredin Meçajt e Qazim Malos.
Urdhri ishte i prerë: të mos zgjidhet as kur të hajë dhe të mos flitet fare me të.
Hetimi i gjatë, presioni psikologjik dhe kushtet ambientale në të cilat po jetonte e kishin sfilitur fare atletin SS gjerman. Një natë, në orët e vona pas mesnate, gjermani i kërkoi Qazimit, i cili kishte turnin e rojës, që ta zgjidhte për të kryer nevojat e tij.
Qazimi, që ishte një person shumë i butë dhe, duke menduar se “urdhri nuk kishte të bënte me rastin e nevojave personale”, e zgjidhi dhe, duke gjykuar me mendjelehtësi se ky “soj” i mësuar vetëm me tualete, e çoi në njërën prej nevojtoreve, në atë, që ishte pranë zyrës së Enverit, duke menduar se Komandanti kishte shkuar të flinte në shtëpinë tjetër, ku banonte.
Qazimi e shoqëroi dhe e priste robin në korridor, me pushkën në gatishmëri. Gjermani, kur doli, pa në korridor se mbi një tavolinë ishte një katruve qeramike me ujë dhe i kërkoi Qazimit t’ia ngrinte pak për të pirë (duke i dhënë të kuptojë se ai vetë nuk e ngrinte dot, ngaqë qe dobësuar dhe i kishte duart të mpira).
Qazimi, pa e lëshuar pushkën, e kapi katruven në grykë, e ngriti dhe ia afroi në fytyrë gjermanit. Ky, e kapi katruven në dy vegjat dhe në vend që ta çonte te goja, ia përplasi Qazimit në kokë e në gjoks dhe u kacafyt me të që t’i rrëmbente pushkën. Por nuk arriti dot dhe në çast pa se në mur ishte varur një automatik anglez (për çudi, automatiku ishte i mbushur me fishekë!).
E rrëmbeu menjëherë automatikun dhe zbrazi një breshëri mbi Qazimin. Ky ra përmbys në dysheme. Nazisti mendoi se e vrau dhe u sul drejt dhomës së Enverit. Filloi t’i binte me shqelm derës që ta hapte.
Ndërkohë, Qazimi, edhe pse i trullosur nga goditja që kishte marrë në kokë, u ngrit dhe i drejtoi pushkën, që s’e kishte lëshuar nga dora, por hezitoi për një çast dhe nuk qëlloi, pasi atentatori mbulonte gjithë derën dhe Qazimi kishte frikë se mos ndonjë plumb depërtonte dhe godiste udhëheqësin, që mund të ishte duke fjetur.
Por nuk kishte kohë të mendohej gjatë, shkeli këmbëzën dhe qëlloi gjermanin mu në kokë, trupi i të cilit me një rrotullim ra mbi tavolinën aty pranë dhe pastaj ra në pellgun e gjakut të vet.
Breshëritë e plumbave zgjuan rojat e tjera dhe gjithë shokët e Shtabit…”
E treguar nga vetë Qazim Malaj kjo histori mes të tjerash ka edhe këto hollësi: “Atë e mbanim me roje në një dhomë të katit të parë të shtëpisë ku ishte vendosur Shtabi në Panarit dhe ushqimi që i çoja unë, ishte njëlloj si i gjithë antarëve të Shtabit”.
Po ashtu: “Ai oficer nuk ishte thjesht një rob lufte, por ai ishte një major i zbulimit gjerman dhe dorëzimi i tij ishte një lojë e tyre me qëllim që të zbulonin vëndndodhjen e Shtabit dhe gjithçka tjetër që mund t’ju duhej. Këto gjëra nuk diheshin që në fillim, por dyshime kishte për të, prandaj e mbanim duke e ruajtur me roje. Pas dhjetë ditëve nga ardhja e tij pranë Shtabit, aty nga mesnata e datës 20 prill të vitit 1944, unë dëgjova zëra dhe kur u çova për të parë se ç’ishte ajo zhurmë, roja partizane që ruante gjermanin, më njoftoi se ai diçka kërkonte. Unë e pyeta duke i folur në italisht se mos kishte ndonjë nevojë dhe ai m’u përgjigj se kishte dhimbje të forta barku e donte të dilte në banjë. Unë i thashë se ushqimin ia kisha dhënë njëlloj si të Shtabit dhe s’kishte mundësi që dhimbjet t’i kishte nga ushqimi i prishur dhe i fola të vinte pas meje për të dalë në wc-në që ishte në fund të korridorit të katit të parë.
Ndërsa unë e shoqërova për në wc dhe isha duke pritur që ai të dilte që andej, ai më qëlloi papandehur me kotruven e ujit në kokë, e unë rashë menjëherë përdhe.
Ai mu hodh përsipër dhe kërkonte që të më rrëmbente armën, por unë nuk e lëshoja dhe për disa minuta u kacafytëm të dy duke u rrokullisur përgjatë korridorit. Ndonëse unë e godita atë disa herë me grushte ashtu fshatarçe në kokë, ai nuk pyeste se ishte shumë i fuqishëm dhe në një moment u çua dhe rrëmbeu një automatik që e kishte lënë aty të varur Ymer Dishnica, i cili kishte punuar duke shkruar deri vonë.
Pasi rrëmbeu automatikun ai u kthye mbrapsht dhe bëri të ngjiste shkallët për në katin e dytë ku ishin duke fjetur Enver Hoxha, Spiro Moisiu dhe gjithë anëtarët e tjerë të Shtabit që kishin pasur një mbledhje deri aty nga ora tre e natës.
Ndërkohë që ai bëri të ngjiste shkallët, unë ashtu siç isha i mbytur në gjak, mblodha forcat dhe iu hodha në grykë, duke e tërhequr poshtë shkallëve në korridor. Ndonëse e vura njëherë poshtë, ai më shpëtoi përsëri nga duart dhe teksa largohej ngriti automatikun të qëllonte drejt meje. Po kështu dhe unë i drejtova pushkën dhe të dy njëkohësisht qëlluam njëri-tjetrin.
Plumbat e tij më goditën shkarazi në kokë, kurse unë e qëllova drejt e në trup, e ndërkohë që ai qëndronte akoma në këmbë, unë ia afrova dhe e godita më pushkë në kokë.
Ndërsa pushka u thye në dysh dhe ai u shëmb përtokë me trutë që i dolën jashtë kafkës së çarë, sipër shkallëve doli Enver Hoxha me një revole në dorë dhe tha: “Ç’është kështu o Qazim Tërbaçi?”
Pas Enverit, aty dolën dhe të gjithë anëtarët e tjerë të Shtabit dhe e më pyetën se çkishte ngjarë. Ndërsa unë u shpjegova ngjarjen, rojet e tjera partizane morën trupin e oficerit gjerman dhe e nxorrën jashtë shtëpisë.
Të nesërmen, pasi Spiro Moisiu mblodhi gjithë Shtabin, Enver Hoxha më falënderoi në emër të tyre duke më thënë: “Bravo o burrë i Tërbaçit, që na shpëtove jetën, trim ishe dhe trim mbete”.
Pastaj ai më dhuroi një revolver dhe një automatik e duke qeshur më tha: “Po t’i dhuroj këto, që të vrasësh çdo gjerman që të dalë përpara”.


Tentativa për të goditur me bombë Ramiz Alinë

Sipas librit “Pluralizmi shqiptar dhe Sigurimi i Shtetit”, i kundërzbuluesit dhe punonjësit të lartë drejtues të Sigurimit para vitit 90-të dhe i Policisë së Shtetit në motet 1997-2004, Bujar Sh. Hoxha, në verën e 1983-it u planifikua vrasja e Ramiz Alisë.
Ai tregon se vizita e figurës së dytë të pushtetit të asaj kohe në Shqipëri u bë në qytetin e Kukësit, në Krumë të Hasit. Për të përfunduar në Tropojë.
Sipas tij, shërbimi i fshehtë shqiptar nuk kishte asnjë shenjë se përgatitej ky atentat ose ndonjë kërcënim tjetër, por në darkën e organizuar në hotel-turizmin e qytetit në mënyrë të çuditshme do të fikeshin dritat.
U ndërhy menjëherë me gjenerator.
Bujar Sh. Hoxha pohon më pas që “Paradite erdhi një denoncim i frikshëm se në depozitat e fabrikës, ku prodhohej buka për banorët e qytetit, ishte dyshuar se një person kishte tentuar të hidhte diçka, por nga frika e pikasjes, u largua pa u identifikuar”. Kohë nuk kishte, shkruan ai, dhe kundërzbulimi ndezi projektorët për mitingun e nesërm.
Duke qenë se çështja po bëhej serioze nisi kontrolli i personave të rrezikshëm, sidomos i fisit Dauti, i cili në arkivat e Sigurimit Shqiptar regjistronte veprimtari të fortë në shërbime dhe favore ndaj zbulimit jugosllav. Kështu futën mes tyre edhe një agjent, njeri i fisit, shumë i talentuar dhe i mprehtë, me pseudonimin “Gjeologu”.
Kur turma po pozicionohej para tribunës Dautët, sidomos pesë më kryesorët e tyre, u vendosën në rreshtin e dytë. Bombën e mbante në xhep Man Dauti.
Ai do tia jepte të vëllait, Uk Dautit, i cili pasi do ta hidhte kundër Ramiz Alisë do të përzihej në rrëmujën e turmës dhe fshihej në të.
Ndërkohë, sipas asaj që në librin e tij “Pluralizmi shqiptar dhe Sigurimi i Shtetit” ka shkruar Bujar Sh. Hoxha, rreth 20 minuta pata se të vinte Alia ndodhi një rrëmujë nga një i dehur dhe policia ndërhyri.
Man Dauti duke menduar se qe dekonspiruar, nxorri bombën dhe tentoi me kujdes ta fuste tek xhepi i personit që i ndodhej afër, por që ishte agjenti që po e kontrollonte, “Gjeologu”. Ky e refuzoi, kështu që Mani e dorëzoi menjëherë tek Uk Dauti. Të zënë në befasi të dy vëllezërit u arrestuan në flagrancë.
Gjatë hetimit paraprak, shkruan Bujar Sh. Hoxha, të dy vëllezërit, në dhoma izolimi të ndryshme, nisën komunikimin me copa letre, duke porositur njëri-tjetrin të mos flisnin që bombën e kishin për Ramiz Alinë dhe takimet e tyre me diversantin A.A.
Kombinacioni me pusulla letrash ishte fryt i Sigurimit, ngacmim i një informatori dhe më në fund gjurmët u kapën.
Atentati qe përgatitur prej spiunazhit jugosllav. “Man Dauti ishte udbash gjer në palcë”, shkruan kundërzbuluesi Hoxha dhe më pas ai do ta pranonte këtë përkatësi.
Si edhe betimin që kishte bërë tek “kumbulla e kuqe” para agjentit A.A. për ta kryer atentatin kundër Ramiz Alisë.








Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com