Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

TA SHPËTOJMË BALLISTIN MORINA APO.... Të shpëtojmë prej tij?
PROVOKUESIT SHQIPTARË TË HISTORISË KOMBËTARE DHE KROATI MILAN SHUFLAJ
PARTIZAN-KOMUNIZMI I JAUP LILËS: LUFTËTAR DHE QYTETAR I PËRRUNJUR I ATDHEUT
SKËNDERBEU ME LIDHJE TË SHUMËFISHTA ME SLLAVËT
KUJTESA KOMBËTARE NËN AGRESION
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Eurovizion 2006 ose disfata mediatike e Shqiperise

“Ballkan”, 26 maj 2006

Kenga përfaqësuese quhej “Zjarr dhe ftohtë“, por tek e pamë si rodhën punët prej saj kemi akoma “ftohtë”. Mjafton të ndjekësh intervistat që kanë dhënë ditët e fundit disa protagonistë të pjesëmarrjes shqiptare në Eurovizion 2006 për ta ndjerë akoma më shumë akullimin. Gjithsecili prej tyre përpiqet të justifikojë mospikatjen, paarritjen, skualifikimin. Kompozitori ngul kembë se “kenga u prezantua me dinjitet”, se kritikët e vendit organizator “thanë se Shqipëria është i vetmi vend që ka një kengë të pahuazuar, e bazuar tërësisht në vlerat kombëtare”. Për të faji ishte se mungonte kujdesi për përformancën vizive, se kengëtari Ejlli në ditën e parë ishte paksa i trembur, por tek e dyta me formën e tij më të mirë. Po ashtu kompozitori ka zbuluar se ndaj grupit shqiptar dhe kengës “ka patur edhe pak racizëm”. Autori i kengës mes të tjerash, pasi ankohet se nuk kishin një grup baleti, kembëngul se “Unë po them vetëm kaq, që regjizori gjerman i festivalit erdhi na uroi dhe na tha: “Shihemi të shtunën”, ç’ka sipas tij do të thoshte se patjetër që ne do të ishim në finale”. Autori ka mendimin se ishte paracaktuar që çmimet mos t’i fitonte Ballkani, por vendet nordike të kontinentit. Ai është i palëkundur në idenë se “fakti që kishte diçka të paracaktuar në vlerësim, të bën mos ta marrësh shumë në konsideratë skualifikimin e Shqipërisë“. Kengëtari Luiz Ejlli nga ana e vet arrin të formulojë për opinionin mendimin se “Fillimisht do të thosha se nëse do të kishim patur sukses, do flisnim për sukses të Shqipërisë. Në rastin konkret, fajin e skualifikimit nuk e ka Shqipëria, por Luizi. Unë e prisja këtë“.
Nuk është fort e qartë nëse vërtet në opinionin kombëtar pas skualifikimit në Eurovizion 2006 i janë vërsulur posaçërisht kengëtarit të ri Ejlli me akuzën se është ai që mban të gjitha përgjegjësitë për atë që ndodhi në Athinë. Veç duke i mirëkuptuar fjalët e tij gjithsesi të sinqerta dhe duke i zhveshur ato nga dëshpërimi i pritshëm në kësi rastesh, na duket se është më e drejtë të themi që në Eurovizionin e këtij viti pasuksesin nuk e kishim posaçërisht “dhuratë“ nga kompozitori, autori i tekstit apo edhe nga kengëtari. Madje për këtë skualifikim nuk është aq fort dhe ashpër i ndëshkueshëm edhe roli i radiotelevizionit tonë publik, RTVSH, ndaj të cilit nuk bëhet keq që herë pas here i drejtohet gishti kallzues. Në festivalin evropian që sapo u mbyll këta të gjithë vërtet nuk ja arritën dot të spikatnin, prandaj edhe e humbën garën artistike, porse ishte Shqipëria ajo që pësoi një disfatë të plotë. Dështimi i kengës “Zjarr e ftohtë“ ishte jo aq shumë në fushën e artit se sa në atë të imazhit. Shqipëria pësoi në mënyrë të pamerituar një disfatë në median kontinentale, por kjo ndodhi jo se të dërguarit tanë na turpëruan. Ne humbëm thjesht se nuk fituam dot të pasqyrojmë realisht nivelin që kemi arritur. Sepse Eurovizioni, në të cilin pas një heshtjeje absurde gjatë viteve të diktaturës dhe një përtacie të gjatë në vitet e pluralizmit kemi vetëm tre vite që marrim pjesë, është një veprimtari me të paktën dy komponentë kryesorë. Në të pjesëmarrja është garë e një ekipi artistik dhe po ashtu edhe e vetë shtetit përkatës. Këtë të vërtetë e dinë të gjithë ato vende që shkojnë të konkurojnë në këtë festival eurokontinental ku në secilin prezantim shqiptohet i pari dhe i fundit emri identifikues i vendit, kurse të tjerët janë në rresht të dytë. Me këtë logjikë punojnë të gjitha vendet garuese. Këtë “sekret” nuk është se e kemi mësuar tani, e dinim që në konkurimin e parë. Ndërsa tre vite të shkuara me Anjeze Shahinin dhe grupin e saj artistik u tentua të bashkëngjitej (të paktën) edhe një ekip i specializuar i administratës së shtetit, kësaj rradhe kjo ndërlidhje e frymë bashkëpunuese ishte në nivelin e një harrese të plotë.
Po të ndjekësh me vëmëndje shpjegimet që kanë dhënë deri tani të skualifikuarit nga nata finale e eurovizionit të gjithë janë të një mendjeje se kengës garuese i mungonte një strategji promovimi. Për njërin prej tyre “shtetet e tjera kishin strategji perfekte promovimi. Grupet e tyre shoqëroheshin deri me bodigardë, organizonin konferenca shtypi pa fund, nuk linin asnjë hapësirë pa shfrytëzuar për të injektuar publikun e median. Ndërsa ne edhe veshjet i gjetëm në momentin e fundit”. Sipas tij edhe videoklipi nga Radiotelevizioni Shqiptar u bë vetëm për një ditë. Që të konkurosh e të fitosh në një Eurovizion nuk varet shumë nga bodigardët dhe lumi i papërmbajtur i konferencave të shtypit. Thelbi nuk është se edhe veshjet i gjetën ditën e fundit apo videoklipin e prodhuan shpejt e shpejt si të ishte thjesht një tullë. Përfaqësimi shqiptar në festivalin e fundit europian zbulon se horizontalisht e një mënyrë vertikale, në të gjitha dimensionet, nga grupi artistik e deri tek strukturat përkatëse të shtetit, ne shqiptarët kësaj rradhe realizuam me pakujdesje të hapët një fiasko. Kemi rënë në një gropë dhe që të ngrihemi njëherë e mirë prej saj për Eurovizion 2007 na duhet të kuptojmë se Shqipëria e sotme që kërkon të zhvillohet e të manifestojë para kontinentit se po rimëkembet, pjesëmarrjen në këtë festival dhe në çdo veprimtari të rendësishme jashtë vendit ku ajo vendos emrin e saj, duhet ta investojë me marrjen e masave më maksimale. Sot në botën globale imazhi i një vendi është vlerësuar si përcaktues deri edhe në mundësinë apo pamundësinë e zhvillimit të tij. Me imazh të keq, të mjegullt apo aspak inkurajues nuk nxitet eurointegrimi ynë. Përderisa një shans e ke, shkon në një skenë kontinentale, ku kamerat regjistrojnë e drejtpërsëdrejti ta përcjellin emrin dhe fytyrën anë e kend Evropës si edhe përtej saj, përse atëhere nuk e kualifikon atë “të rëndësisë së veçantë“? Këto kohë përfitimi i një imazhi të mirë mediatik është urgjente për ne, shqiptarët. Nuk jemi aq të “kamur” me emër të mirë sa t’ja lëmë spontaneitetit pjesëmarrjen në një festival evropian, ku vetëm një kengë të shpërblen aq sa mundi i njëhershëm i dhjetra artikujve, delegacioneve shtetërore, diplomatëve apo miqve që nëpër botë ke.
Në Athinë nuk ishte racizmi që na mundi, ishte i gjithë mekanizmi e strategjisë së përfaqësimit dhe konkurimit global që na mungoi. Vijojmë akoma që kengën garuese në një ballafaqim kontinental ta zgjedhim nga vetëm njëri festival kombëtar i kengës, nga ai më i konsumuari në kohë. Duke mos zgjedhur kombëtarisht kengën më të mirë, nuk hyjmë në garë edhe me kengëtarin aktual më të mirë. Duke mos hyrë me kengën dhe kengëtarin më të mirë ne aventurojmë të garojmë aspak me tekstin më të mirë. Duke mos konkuruar me kengën, kengëtarin dhe tekstin më të mirë ne nuk konkurojmë as me melodinë më të mirë. Duke mos u ballafaquar me kengën, tekstin, melodinë dhe kengëtarin më të mirë shkojmë të garojmë me një videoklip të bërë shkel e shko, me veshjet e gjetura ditën e fundit dhe pa asnjë strategji promovimi viziv. Po ashtu a nuk e vutë re se në prag të Eurovizionit 2006 edhe në median e shoqërinë tonë, në elitën e intelektualëve apo atë qeverisëse e politike, nuk kishte asnjë vëmendje të dukshme, asnjë ndjenjë mobilizimi, asnjë prirje për investim, asnjë dëshirë të dukshme që të përfitonim imazh të mirë nga ngjarja që po ndodhte në Athinë. Kurse Ana Visi, kengëtarja e kryeqytetit fqinj erdhi posaçërisht në Tiranë e kërkoi mbështetje. Ajo edhe pse nuk fitoi ndonjë çmim të spikatur në Eurovizion, pa trupë baleti shkëlqeu në favor të imazhit të vendit të vet.
Pjesëmarrja jonë për fat të keq ishte një disfatë. Kjo është një fjalë e rendë, sepse në një garë mund të mos dalësh i pari dhe se në fund të fundit ekipi ynë përfaqësues nuk doli i fundit, ishte i trembëdhjeti. Mirëpo kush merr pjesë në Eurovizion duhet t’i nënshtrohet një statusi të veçantë: prej tij kërkohet fitore mediatike, ç’ka nuk ka të bëjë patjetër me çmimin. Prandaj që nga fillimi, çastit kur përzgjidhet kenga, pranë garuesve duhet të rrijë Shqipëria. Këtë logjikë vetmie e vetmbylljeje e kishte edhe vetë melodia e kengës. Sherif Merdani, kengëtar i njohur dhe realisht vlerësues pozitiv i ekipit tonë artistik pjesëmarrës në Eurovizion 2006, thotë një gjë që duhet mbajtur shënim. Për të vlerat kombëtare të një melodie nuk janë ato që dalin, por pastaj qendrojnë e vetmbyllen tek folku lokal. Ato zhvillohen për t’u kuptuar e pëlqyer nga i gjithë kontinenti dhe popujt e tij. Këtë gjë e bënë turqit vitin e shkuar që u duartrokitën nxehtësisht gjer në Suedi e Finlandë. Madje këtë gjë bëri tre vite më parë edhe Anjeze Shahini, për të cilën jo pak këtu thonin se ajo konkuroi në eurovizion me një “kengë amerikane”. Kurse në të vërtetë ajo, ashtu pabërtitshëm, në notat e nuancat e melodisë e kishte të pranishëm motivin shqiptar. Aq sa duhej dhe për aq sa kemi nevojë ne dhe Evropa. Madje për aq sa ka nevojë kontinenti dhe ne. Nuk ka njeri inat me daullen tonë, por varet si i bje asaj.

Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com