Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Bene luften, nuk bejne dot autostraden Durre-Prishtine

Revista “Shqip”, 17 maj 2006

Për fat të keq është pikërisht kështu. Shqiptarët që në këtë gadishull përbëjnë jo më pak se gjashtë milionë vetë dhe në botën e madhe, diasporë e vjetër dhe e re, ndoshta edhe njëherë sa kaq, pasi bënë luftën liridashëse për të çliruar Kosovën, nuk po bëjnë dot korridorin e tyre jetik, autostradën Durrës-Prishtinë. Në rast se lëvizja e armatosur moderne pati si fillesë vitin 1981 dhe krahas rezistencës paqësore rugoviane po ia del mbërritjes së afërt të pavarësisë, korridori rrugor Durrës-Prishtinë, i projektuar hollësisht mes viteve 1994-95, nuk po merr dot formë reale. Një vëzhgues bashkëkombas nga trojet shqiptare matanë kufirit tonë para ca kohësh na shkruante se “50 përqind e popullsisë së Kosovës nuk kanë shkelur kurrë në Shqipëri, po ashtu 90 përqind e shqiptarëve të Shqipërisë nuk kanë vënë kembë në Kosovë“. Më pas tërhiqte vëmendjen “sot shqiptarët janë aq shumë larg njëri-tjetrit për shkak të rrugëve sikur ishin para 500 vjetëve .Unë befasohem se si i kemi ruajtur gjuhën dhe traditat në Kosovë, Maqedoni, në Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi kur kemi patur komunikime kaq minimale me shtetin amë. Me sa duket identiteti shqiptar është shumë i fortë“. Duke e mbyllur idenë e tij bashkëkombasi konkludonte pa më të voglën lëkundje: “Sot patriotizëm është të ndërtosh ura dhe rrugë ndërmjet trojeve shqiptare”.
Në vitet njëzetë të shekullit të shkuar, pasi u përpoqën për afro një gjysëm shekulli t’i rrëmbenin copra trojesh dhe më pas ta copëtonin të gjithë hapësirën e banuar historikisht nga shqiptarët, në zyrat shtetërore të Beogradit u përpunua strategjia “Ne duam një Shqipëri të pavarur, por një Shqipëri të dobët e të paqendrueshme”.
Kjo skemë ishte tërërisht aktive dhe nuk ndryshoi të paktën gjer në momentin kur lëvizja demokratike serbe rrëzoi diktatorin e saj dhe të fundit në Evropën moderne, Sllobodan Millosheviçin. Kanë kaluar gjashtë vite nga ikja prej Ballkanit e këtij kobi dhe situata e rendit botëror në gadishull ka ndryshuar pozitivisht për të gjithë popujt tanë fqinj. Nga ky ndryshim jemi shumë të favorizuar edhe ne, shqiptarët këtej dhe për andej kufirit. Mirëpo kjo pranverë nuk mund të zgjasë aq shumë sa të presë me durim përtacinë tonë kombëtare edhe për të përfunduar autostradën Durrës-Prishtinë. Këtej do të vijojë të rrijë brenda kufijve të tij tradicionalë Shqipëria e përtej do të jetojë shteti tjetër i pavarur, ndoshta me emrin Dardania, por korridori që lidh pandashëm dy hapësirat duhej të kishte paraprirë këtë ngjarje të madhe.
Kur në vitin 1913 trojet e banuara historikisht prej shqiptarëve i prenë në mes, nuk ndodhi vetëm përgjysmimi i popullsisë së kombit tonë dhe as vetëm shpërndarja e tyre në katër shtete. Kjo ishte një gjëmë e madhe sepse pjesa tjetër e trupit dhe gjymtyrët e etnisë nuk u gjendën në vende dashamirëse, demokratike apo të paktën ekonomikisht shumë të zhvilluara. Gjysma e kombit u hodh në terrene jomiqësore, madje ra në humbellën e një tradite kundërshqiptare. Arbërit, popullsi e vjetës pasilire, u ndanë në katër pjesë jo për t’u mëkembur, por për t’u copëtuar dhe asimiluar. Për t’ja dalë mbanë kësaj vepre kriminale u ndanë mëdysh e u prenë si me thikë të gjitha rrugët e komunikimit jetik kombëtar. U prenë dhe u sakatuan edhe lidhjet me tregjet kryesore të rajonit dhe të kontinentit. Kryegjëma e pas vitit 1913 do të kishte për pasojë dobësimin e detyruar të kombit tonë si nga njëra anë ashtu edhe nga ana tjetër e kufirit. Tani askush nuk mund ta parashikojë saktësisht, por një Shqipëri me njohje ndërkombëtare të kufijve të saj të atëhershëm natyralë i ka patur gjasat që të përfaqësonte një vend mjaft të zhvilluar dhe një partner ballkanik shumë kontruktiv e dashamirës. Me këtë që themi nuk duam të ringjallim teza primitive të etnonacionalizmit dhe të përkrahim një ndryshim kufijsh. Në mënyrë kategorike nuk zgjidhen e kompensohen kështu dëmet e mëdha që na ka sjellë historia. Kultura demokratike e Evropës së Bashkuar ka bërë qartë të dobishme mjete e rrugë të tjera për t’u ndjerë sa më afër me bashkëkombasit. Një nga këto është edhe korridori infrastruktural që lidh portin e Durrësit me Prishtinën, ajo që mund ta quajmë simbolikisht Rruga e Bashkimit.
Tani që të shtrenguar nga rrethanat bashkëkombasit tanë në Kosovë dhe në Maqedoni, për një afat të kufizuar, përdorën deri edhe armët për të realizuar një kthim normal në identitetin e tyre, nuk është aspak mirë që kemi ngathësi për të përdorur kazmat e lopatat në autostradën Durrës-Prishtinë. Të gjitha qeveritë në kryeqendrën administrative të Kosovës dhe ato në Tiranë nuk e fshehin dëshirën për ta ngritur këtë kryeurë që do të rënonte e shkatërronte përfundimisht jo vetëm kujtimin e hidhur të vitit 1913, por edhe atë pabesinë e objektivit strategjik se diku na duan të mbetemi një Shqipëri e pavarur, por e dobët dhe e paqendrueshme. Një mendje e plan i tillë, për të cilin ende kemi të drejtë të dyshojmë se nuk është tërhequr por thjesht përshtatur në kushtet e reja, nesër do të thoshte e vepronte të njëjtën gjë edhe për Kosovën. Sado rudimentare e jashtë kohës të jetë një mentalitet e strategji e tillë antishqiptare, por edhe kundërevropiane, Kosova do të pranohej si shtet i pavarur, por duhej patjetër të ishte i dobët dhe i paqendrueshëm. Përse në Prishtinë mund të vagëllojë iluzioni se do të ngjajë e kundërta? Përse në Tiranë këtë gjë ndonjëherë e harrojnë fare lehtë?
Një Shqipëri e fortë ekonomikisht dhe politikisht nuk mund të realizohet pa një Kosovë të lulëzuar dhe fortësisht të qendrueshme. Dobësimi i vetëm njërës gjymtyrë do të ligështojë edhe tjetrën. Do të ndodhë njëlloj si me ne, qëniet e gjalla, njerëzit. Eshtë provuar katërcipërisht se dobësimi i njërit sy ka sjellë sëmundshmërinë pa kthim të tjetrit.
Ndërkohë një Shqipëri e fortë dhe një Kosovë e fortë nuk përbëjnë patjetër një strukturë ndërshtetërore apo etnike arrogante në Ballkan. Dy shtete shqiptarë të lulëzuar në rajon do të përmirësonin edhe më shumë frymën e bashkëpunimit me të gjithë fqinjët. Vetëm në një situatë të tillë Tirana mund të ndikojë me efektshmëri në shendoshjen e marrëdhënieve historikisht të lenduara mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës. Politika e dobësimit të Shqipërisë për të rënuar dhe dekurajuar aspiratën e Prishtinës për liri ka qënë më idiotja në këtë faqe të dheut. Jo sepse nuk ja doli dot dhe tani Kosova është më pranë se kurrë në mëvetësinë e saj si shtet, por sepse kokat e nxehta në Beograd dëmtuan edhe raportet me Shqipërinë, ndërmjetësen e mundshme mes tyre dhe popullit kosovar.
Ja përse, mes edhe shumë arsyeve të tjera, autostrada Durrës-Prishtinë, është jetike për të gjithë shqiptarët dhe prirjen e tyre të hapët për t’u bashkuar me familjen e madhe gjithevropiane. Çdo vonesë apo paangazhim financiar, çdo shtyrje apo ditë që ikën pa në qendër të vëmendjes këtë korridor të madh të bashkim-forcimit modern të shqiptarëve, nuk të lënë të mos i qortosh. Kur për të ngritur në kembë UÇK-në dhe të gjithë kryengritjen e armatosur kundër pushtimit millosheviçian u deshën të vepronin edhe thirrjet për të kontribuar gjithsecili me një ndihmë financiare, përse një gjest i tillë nuk përsëritet në një formë tjetër edhe tani? Autostrada Durrës-Prishtinë mund të konsiderohet në domethënien e saj strategjike si vijim paqësor, proballkanik e proevropian i epopesë së luftëtarëve të UÇK-së.
Në Tiranë dhe në Prishtinë duan, por vullnetin e tyre nuk e shoqërojnë siç pritet me mobilizim gjithkombëtar. Në programin e qeverisë aktuale në Shqipëri korridori Durrës-Prishtinë është rradhitur si prioritet absolut. Në një intervistë të fundit në një televizion kryeministri po ashtu premtoi se ishte fare afër mundësisë së sigurimit të fondit financiar. Ndër kryeministrat pararendës të tij të paktën në rastin e njërit funksionoi edhe një taksë për të kompensuar fondin e nevojshëm, ç’ka gjithsesi ishte një gjest i bukur.
Problemi është se autostrada Durrës-Prishtinë mbetet ngultas kryeura më e madhe e bashkimit të shqiptarëve dhe mënyra moderne që do të mirintegrojë dy gjysmat e kombit dhe vetë shqiptarët në bashkësinë ballkanike dhe atë të kontinentit amë. Prej kohësh në BE shkon drejt sfumimit rendësia tradicionale e kufijve tokësorë. Drejt mpakjes po shkojnë edhe “kufijtë“ ekonomikë, këtë prirje kanë edhe ata politikë. Ndërkohë prej gjithsecilit shtet përbërës forcohen kufijtë kulturorë dhe ato të identitetit kombëtar. E gjithë kjo tablo e re e strukturës së eurobashkimit ndërsa po “harron” kufijtë tokësorë dhe ekonomikë ka vizatuar mbi trupin e të ardhmen e vet të vitit dymijë rrjetin gjigand infrastrukturor të Korridoreve Transnacionalë. Njëri prej tyre, ai me numërin 8, jo ndër më kryesorët e BE-së, kalon nëpër Shqipëri. Ky shembëll e ky mësim evropian qartëson si drita e dielllit mesazhin se vënia në jetë e kompensimit nga pabesia e kryer në vitin 1913 nuk është lufta apo gara e kufijve, por ajo e korridoreve të komunikimit. Një shoqëri e hapur si kjo e jona nuk ka nevojë të ushqejë asnjë lloj nacionalizmi, ca më pak atë që mbështetet vetëm mbi principe etnike. Po ashtu patriotizmi i shqiptarëve nuk mund të shkojë si sfidë ndaj patriotizmit të natyrshëm të popujve fqinjë, mes tyre edhe të popullit serb.Autotrastrada Durrës-Prishtinë është vepër patriotike, jo nacionalizte.
Ky korridor shumëfunksional në fund të fundit nuk bashkon vetëm Shqipërinë me Kosovën. As vetëm dy gjysmat kombëtare apo edhe dy tregjet. Autostrada Durrës-Prishtinë e nxjerr Kosovën në det edhe në superportin e Durrësit. Ajo e lidh gjysmëkombin tonë me Italinë dhe me gjithë Mesdheun. Por ky korridor i nisur nga Durrësi e lidh Tiranën jo vetëm me Prishtinën apo bashkëkombasit tanë të Luginës së Preshevës, por edhe me vetë qendrën e kontinentit, me zemrën e Bashkimit Evropian. Ky korridor transnacional i bashkuar kalon edhe nëpër Beograd dhe kjo në kohën e sotme nuk përbën jo vetëm “tradhëti”, por as gabim gjeostrategjik. Interesi dhe e ardhmja e vetme që kemi, eurointegrimi, kalon nëpër të gjitha kryeqytetet e Ballkanit. Zhvillimi ynë kalon në hapjen maksimale të tregjeve të rajonit.
Rruga e Bashkimit apo autostrada Durrës-Prishtinë në një farë mënyre është një epope tjetër në vijim të ngjarjeve çliruese të pranverë-verës së vitit 1999. Ta realizosh atë nuk është më pak se heroizëm. Ajo është edhe histori. Madje jo histori bjeshkësh dhe rapsodish të lashta epike. Eshtë histori e hyrjes së vërtetë në Bashkimin Evropian, ç’ka është epopeja më e madhe moderne e shqiptarëve.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com