Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nje task force per imazhin

“Korrieri”, 8 janar 2006

Duke përcjellë apo pritur në sheshin e portit të trageteve në Durrës provon shijen e hidhur se duke mos besuar aspak në një përpjekje të qëllimtë, lënia e këtij portali të madh udhëtarësh vendas e të huaj në gjendjen ekzistuese është një punë shumë e keqe. Sikur edhe të kërkosh në të gjithë skajet më të braktisura apo më të humbura të Shqipërisë një hapësirë të tillë si ajo para hyrjes së pikës doganore të portit tonë më të madh vështirë se e gjen. Në disa dhjetra metra katrorë gjen të tretur në një harmoni të lemerishme baltën, pellgjet me ujë të zi, klubet e shtrembëra të ndërtuara me mbeturina dërrasash apo llamarinash të ndryshkura, disa çeta me romë të mëdhenj e të vegjël që me stil pusie e ushtrojnë lypjen në mënyrën më të vrazhdë, pshurrës që nga dy e nga tre njëherësh derdhin ujin e hollë vetëm pak metra larg turmës së madhe njerëzore që pret apo përcjell. Pritës, përcjellës, udhëtarë, taksistë, lypës, policë privatë apo të strukturave të shtetit tej e përtej i mbyt një afsh i ndezur urine. E vetmja mënyrë shpëtimi është t’ja mbathësh sa më parë. Shpëtojnë nga kjo përbaltje dhe fyerje edhe udhëtarët që për t’u rikthyer në mërgimin e tyre hyjnë me të shpejtë në ndërtesën e pikës doganore ku kryesisht ka një shërbim dhe mjedis njerëzor.
Kjo që akoma vijon të ndodhë në hyrjen e portit më të madh detar të Shqipërisë dhe njërit prej më të mëdhenjve në Ballkan nuk është tjetër gjë veç shërbimi më dashakeq që mund t’i krijohet imazhit të vendit tonë. Ka vite e vite që Shqipëria me jo pak probleme ndër vete nuk është kjo që sheh në hyrjen e portit të trageteve në Durrës. Absolutisht. Mjafton të hedhësh gjithkund vështrimin e të provosh se ka realisht imazh më të mirë se ajo baltë e urinë në portalin e sipërcituar. Nuk duam që për t’i “vënë vulën” kësaj bindjeje të bëjmë një krahasim të shpejtë të portit të trageteve në Durrës me portalin tjetër konkurues me të: aeroportin e Rinasit. Nëse këtu, tek porta ajrore, ka “ditë“, “nata” ndodhet tek porta detare njëzetë kilometra më larg. Madje tek vetë koka e korridorit ndërnacional me numurin Tetë.
Kjo gjendje si edhe disa raste të tjera analoge, duke mos qënë përpjekje të ndërgjegjshme për të ulur edhe më imazhin problematik të vendit tonë, zbulojnë atë që është edhe vetë thelbi i asaj ideje që dëshirojmë të theksojmë para lexuesit. Ka gjithandej një mospreokupim për çështjen e imazhit të Shqipërisë. Nuk e kemi fjalën këtu për t’u ankuar se nëpër faqet e gazetave apo edicionet informative të televizioneve ka vazhdimisht hapësira të mëdha për krime, vjedhje, abuzime, luftë të vrazhdë politike, denoncime, akuza dhe kundërakuza. As se akoma shumica e gazetarëve të huaj hyjnë në Shqipëri jo për të thenë se po mëkembemi, por për të gjuajtur këtu trafikun e fëmijëve apo gjestet e përgjakta të kanunit të Lekë Dukagjinit. Me këto të meta, shumë apo pak të vërteta, ne na duhet të vijojmë me kembëngulje jetën dhe luftën tonë. E keqja mirëfilli nuk gjendet këtu, madje në këtë rast kjo është një “e keqe e vogël”. E kemi fjalën për të keqen e madhe. Pra nuk përbën problem dhe as duhet ta konsiderojmë punë të dobishme mbrojtjen e imazhit të vendit tonë duke mbuluar apo zbutur dukuritë negative që kemi. Ky do të ishte një shërbim shumë i keq. Veç na duhet të mbrojmë urgjentisht imazhin tonë për të meta që realisht i kemi kapërxyer. Rasti i baltë-urinës në hyrje të portit të trageteve të Durrësit është thjesht një rast, edhe pse nga më tipikët. Shteti ynë që ndërton superstrada apo bashkëpunon me biznesin privat deri edhe për teleferikun modern të malit të Dajtit nuk e ka asnjë problem të angazhohet për të rikrijuar një pamje krejt tjetër të kompleksit të mjediseve në portin e trageteve në Durrës. Justifikuesit teknikisht mund të paraqesin këtë apo atë problem pengues për këtë realizim, por një shtet që ka ndjenjën e mobilizimin e përditshëm të mbrojtjes së imazhit të tij real nuk sugjestionohet nga asnjë rrethanë frenuese. Ai e di fort mirë se përveç dhjetra mijra bashkëkombasve të të gjitha trevave shqipfolëse në Ballkan në këtë port udhëtarësh kalojnë me mijra të tjerë të huaj. Ata mbartin e shumojnë në vendet e tyre atë që shohin sapo zbarkojnë apo bëjnë të kundërtën, imbarkojnë në tragetet e përditshëm.
Në rast se dihet fare qartë se duhet të luftohet vetë korrupsioni që të mund ta shpëtojmë realisht imazhin e vendit tonë nga kjo përlyerje, se duhet patjetër të bëjmë betejë të përditshme kundër trafikut të drogës apo të qënieve njerëzore që të mos na tregojnë më me gisht dhe shpesh zell të pafre, ashtu edhe duhet të rindërtojmë urgjentisht të gjitha portalet e hyrjes apo të kontaktit të bashkëkombasve apo të të huajve me Shqipërinë. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për vetëm një apo disa porte detare. As hidhet fjala për ndonjë aksion të tipit bolshevik, ku lypet hipokrizia e fasadës. Bëhet fjala më së pari për një mendësi të tërë publike dhe shtetërore. Po ashtu edhe për një organizim të ri, një rirreshtim forcash dhe mirorientim energjish. Simbolikisht do ta quanim si nevojë për të ngritur një “task force për imazhin”.
Edhe në vendet më të zhvilluara ka elita, lobe dhe madje struktura që merren me përhapjen dhe mbrojtjen e imazhit të vendit të tyre, të një fushe të caktuar ekonomike apo kulturore, të gjithçkaje që ka rendësi jetike për zhvillimin e shoqërisë dhe kombit të tyre. Sot po ashtu ka grupe dhe individë, qarqe të caktuara e në mos struktura të devijuara që godasin imazhin e një vendi tjetër, veçanërisht kur ai rivalizon në ekonomi. Shqiptarët nga përvoja e tyre e tejngopur me të papritura e kolapse nuk kanë pse jetojnë me iluzionin se nuk u vërtiten përreth kufijve rrethe të huajsh që tradicionalisht janë marrë me dobësimin e tyre politik, ekonomik dhe nacional. Në këtë luftë cinike është goditur sistematikisht edhe imazhi i Shqipërisë. Mirëpo imazh do të thotë mundësim zhvillimi ose frenim i progresit. Imazh sot do të thotë të kesh një të ardhme ose të ta pengojnë pafundësisht ditëmbërritjen e saj. Eshtë drejtpërsëdrejti efekt i imazhit të shqiptarëve dhe vendit tonë në Perëndim kur Eurobaromentri të nxjerr shifrat shqetësuese se vetëm 33 % e europianëve janë pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe se 57 përqind e tyre shprehen kundër.
Ja përse për imazhin e vlen kombëtarisht të investohet vëmendje dhe, po të gjykohet e nevojshme, edhe struktura. Një përvojë e tillë mund të mos ekzistojë tek ne, por urgjenca e ndërhyrjes për t’u vetmbrojtur nga nxirja e qëllimtë e imazhit mund të na mësojë si t’i përshtatemi rrethanës kur, ndërsa Brukseli dhe qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian e nxisin eurointegrimin tonë, opinionet publike dhe shoqëritë përkatëse të tyre nuk e dëshirojnë.
Deputetë, media, personalitete të kulturës, administrata shtetërore apo organizata joqeveritare, të gjitha grupet elitare mund t’i kordinojnë veprimet e tyre në përhapjen dhe mbrojtjen e imazhit real. Politikanët dhe partitë mund të bëjnë akoma më shumë. Këta kanë edhe eksperiencën konkrete të përdorimit të teknikave dhe fondeve jo të vogla për “llukun” e tyre elektoral.
Askush nuk mendon se është pa vend që politika të konsumojë vëmendje, kohë dhe financime monetare për imazhin e saj. Mirëpo në rast se gjërat kanë një rradhë dhe bashkë me të një logjikë e një emergjencë, vëmëndja dhe investimi më i parë nis me atdheun.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com