Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

NJË SURPRIZË QË FSHIHET NË JAVOREN VJENEZE “DAS INTERESSANTE BLATT” NË NUMRIN E SAJ TË 28 NËNTORIT 1912
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e dytë
FESTAT 28-29 NËNTORIT 1945 DHE LOJA E ENVER HOXHËS ME FJALËN DEMOKRACI Pjesa e parë
LAJMI I SAJUAR MBI NGRITJEN E FLAMURIT DHE SHPALLJEN E PAVARËSISË NË DURRËS
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISË ITALIANE ME MBIEMRIN ÇIFTELIA (Pjesa 2)
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

I dashur shqiptar dhe maqedonas

Botur ne revisten “Shqip”

Kur Shqipëria nën sistemin shoqëror stalinist përjetonte mbylljen e saj hermetike mjaft të huaj, aspak armiq të saj e në mos dashamirës, kanë dashur shumë që ta njohin nga afër. Tashmë kushdo e di se edhe miqtë e vendit tonë atëhere seleksionoheshin mbi kritere ideologjikë dhe mund të ndodhte të hynte më lirisht një maksist-leninist i fraksionit enverist apo edhe maoist se sa një studjues, profesor, artist apo sipërmarrës. Në të gjitha rastet këta njerëz të mirë të kuriozuar fort nga çfarë ndodhte brenda Shqipërisë, në pamundësi të siguronin nga autoritetet e Tiranës të një vizë hyrëse, e kqyrnin atë nga larg. Shumë herë e “shihnin” me sytë e mendjes, ndonjëherë edhe me sy “të xhveshur”. Kjo punë e fundit ishte tejet e vështirë. Nga brigjet e Italisë, konkretisht nga ato hapësira që andej thirren Toka e Otrantos, dëshmohet se në rastet e pas një shiu, kur ajri ishte i kthjellët, arrinin ta shquanin vijën e hollë të bregdetit shqiptar. E kanë parë silhuetën e këtij bregu deti edhe ata që kanë bërë udhëtime turistike për në Korfuz apo në ndonjë vajtje-ardhje shlodhëse mbi anije kroçiera nëpër Jon e Adriatik.
Janë përpjekur ta shohin nga larg Shqipërinë edhe të tjerë që për disa çaste kanë kapur lartësitë mbi Kakavijë apo kanë hipur në ndonjë barkë në gjysmën malazeze të ujrave të liqenit të Shkodrës. Në të gjitha rastet kapja me sy e kontureve të tokës së shqiptarëve të mbyllur në izolim të hekurt ka qënë thjesht një mugëllim, një gjurmë e paqartë, një vijë e zbehtë toke, një rrip i largët shkembor. Asgjë më tepër se kaq, që në thelb ishte një hiç.
Mirëpo nuk ka qënë aspak kështu, një hiçmosgjë, vështrimi i Shqipërisë nga një kend tjetër i kufirit shqiptar: nga liqeni i Ohrit. Këtu një i kuriozuar pas Shqipërisë mund ta shihte tokën shqiptare të plotë që nga përtej bregu maqedonas. Madje prej andej mund jo vetëm të shihte një hapësirë të madhe të territorit tonë, por edhe një qytet të tërë, Pogradecin. Nga qytetet e Ohrit dhe të Strugës i huaji që nuk mund të kapërxente dot kufirin për shkak të regjimit të mbyllur fort, me një palë dylbi të thjeshta që nga hotelet përtej bregut mund të shquante edhe progradecarët tek shëtitnin apo bënin plazh në ujrat e tyre. Kontakti më i bukur dhe më ëndërrimtar ka qënë në mbrëmje apo natën, kur në të dy brigjet ndizeshin dritat. Në mënyrë masive të gjithë të huajt që na kanë rënë rasti t’i takojmë pas rënies së diktaturës, poetë apo gazetarë, vëzhgues zhvillimesh ndërkombëtare apo udhëtarë profesionistë, kanë pohuar se Shqipërinë e mbyllur e kanë parë vetëm nga qyteti i Ohrit apo nga bregu i Strugës. Shumica pasi kanë parë të paktën gjysmën e globit kanë ardhur posaçërisht këtu, në bregun e përtejmë të liqenit të Ohrit, dhe kanë shuar kuriozitetin me tokën ku kultivohej stalinizmi.
Këtë veçanësi e magji, këtë çudi e mrekulli, këtë të fshehtë të ëmbël e ka ky liqen. Një gjeolog maqedonas i pasionuar pas ujrave të liqenit na thoshte se ai është ndër më të vjetrit në kontinent. Sipas tij ishte krijuar tre milionë vite më parë. Kështu historia e njerëzimit për liqenin e Ohrit është thjesht hapësira e vetëm një milimetri në një gjatësi kohore të shtrirë e barazuar me një metër. Kurse në këtë “milimetër” historia e regjimeve komuniste këtej dhe përtej bregut është një fraksion kohe e pamundshme për t’u llogaritur veç si një shifër që nis me një zero dhe pas presjes vijon sërish me një tufë të pafund zerosh të tjera.
Pikërisht tek kjo pikë e kufirit tonë me Maqedoninë, Liqeni i Ohrit, ndihesh më i lehtësuar për të reflektuar mbi historinë që ka rrjedhur mes dy popujve. Këtu mund të kujtosh Aleksandrin e Maqedonisë, prijësin e luftëtarin që adhurohet nga e gjithë bota dhe që ishte bir i një martese mes një maqedonasi dhe një shqiptareje. Këtu, në këtë breg ujrash ku notojnë si në vargje poezish pelikanët, të vjen natyrshëm ndër mend Gjergj Kastriot Skenderbeu. Tamam në hapësirat bri Ohrit heroi ynë kombëtar ka realizuar disa nga fitoret e tij ushtarake kundër Perandorisë Osmane. Lirisht në brigjet e këtij liqeni mund të sjellësh ndërmend se në Manastir është mbajtur një kongres i famshëm i gjuhës shqipe dhe i vetë shqiptarizmit. Në këtë breg po ashtu ndjen lehtësi shpirtërore tek kujton se Nënë Tereza ka lindur jo larg prej andej, në qytetin e Shkupit. Ndihesh i gëzuar në meditimet në këtë breg liqeni kur të thonë se kryetari i bashkisë së Strugës pas zgjedhjeve të fundit është një shqiptar, i cili ka sjellë një stil të ri në qeverisjen e qytetit. Këtu, në brigjet e liqenit të Ohrit, përjeton një lehtësim në shpirt kur mëson se jo pak pogradecarë kanë blerë një shtëpi të dytë në Ohër dhe se kufirin e kalon fare thjesht: paguan e shumta dhjetë euro. Aq sa në zemër të kontinentit kushton një biletë për të parë një muze të zakonshëm. Pa vizë hyrëse, por thjesht me pagesën e një bilete muzeu, sipas një vendimi të fundit të qeverisë sonë, çdo maqedonas mund të hyjë në Shqipëri. Nga brigjet e Pogradecit, Linit apo Volorekës dhe Tushemishtit ndihesh i lumturuar që tashmë nga përtej bregu vijnë sinjalet e një stacioni të dytë televiziv shtetëror. I pari (MTV1) është në gjuhën maqedonase, i dyti (MTV2) në atë shqipe. Ky i fundit që prej vitit 2002 nuk ka asnjë orar të kufizuar siç edhe më parë e kishte (atëhere transmentohej vetëm nga ora 16.00 deri më 17.00, pak lajme dhe pjesa tjetër koncert). MTV2 që informon pak edhe në turqisht, është një nga realizimet e Marrëveshjes së Ohrit.
Krejtësisht kohë tjetër, pothuaj e papërfytyrueshme vetëm dy dekada më parë. Dikur në lartësinë e malit mbi liqen jugosllavët kishin vendosur një antenë të madhe përsëritëse, nëpërmjet të cilës sulmonin mediatikisht me propogandë të gjithë hapësirën shqiptare të Pogradecit gjer në thellësi të Mokrës. Një antenë të tillë, porse për nga fuqia mjaft më modeste, kishte vendosur edhe regjimi shqiptar i kohës. Synonte që TVSH të shihej në bregun tjetër. Ishte koha e një lufte totale mes Republikës Socialiste të Shqipërisë dhe Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë. Ka qënë një kohë e ashpër. Shumë të fshehta dramatike nga ky mot përplasjesh të mëdha tashmë dihen, disa akoma i kanë mbuluar enigma e sekretit shtetëror. Njërin prej këtyre të fundit e kemi marrë vesh vetëm pak muaj më parë. Hysen Shahu, në fillim të viteve tetëdhjetë zëvendësministër i Brendshëm, na tregoi se këtë kohë shërbimi i fshehtë shqiptar mori nga një burim i sigurtë të dhënën se ushtria jugosllave po përgatitej të sulmonte Shqipërinë. Ishte koha kur bashkëkombasit tanë në Kosovë ishin hedhur në protesta masive dhe ndërkohë nuk mungonin mes tyre edhe sipërmarrja e veprimeve guerrile. Sulmi i armatës jugosllave do të ishte i beftë, i fuqishëm, kryesisht me reparte tankesh. Ai do të kryhej në kufirin e Dibrës, saktësisht në hapësirën mes Peshkopisë dhe Liqenit të Ohrit. Duke e analizuar me vëmendje këtë rrethanë u hamendësua se ai sulm me tanke mund të ishte thjesht një provokim, pra hyrje disa kilometërshe brenda territorit të vendit tonë dhe pastaj tërheqje, në thelb presion e shantazh kundër tij që të mos mbështeste protestën e bashkëkombasve. Ndërkohë sulmi mund të ishte edhe një agresion i mirëfilltë me vazhdimësi drejt Tiranës. Kështu që këtu u morën të gjitha masat për ta përballuar. Mes të tjerash në mënyrë të fshehtë nëpërmjet një strukture legale të vendosur në një qytet bregedetar, por që vepronte ilegalisht në kontinent, u sigurua blerja e 230 raketave antitanke. Ishin aktualisht më të sofistikuarat. Në provat që u bënë në një poligon në periferi të Tiranës ajo raketë çante tej përtej një pllakë çeliku dy-tre herë më të trashë se ajo që kishte atë kohë korracë tanku më modern. Sulmi nuk ndodhi dhe gjer zhbirrimin e këtij misteri do të duhet kohë.
Historia e kohës kur Liqeni i Ohrit ishte plotësisht i mbyllur përmban edhe episode groteskë. Në skajin e tij lindor kishte çdo verë një njeri që pushonte dhe po ashtu punonte. Ishte Enver Hoxha. Dy muaj më parë në të përditshmen “Shekulli” ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Nazar Berberi, tregoi një episod. Për të siguruar mbrojtjen e diktatorit në verën e vitit 1976, vit i prishjes së marrëdhënieve me Kinën, nga porti i Durrësit u dërgua në Liqenin e Ohrit një kater silurues luftarak. Ky u lëshua në ujë në fshatin Lin dhe ec e jaket e tij tmerruan pushuesit në të dy brigjet e Ohrit. Paniku ishte aq i madh sa që Ministria e Mbrojtjes e Jugosllavisë, duke parë efektet negative që i solli turizmit në shtetin e vet, i dërgoi një notë proteste Ministrisë sonë të Mbrojtjes. Përgjigja që erdhi nga Tirana ishte “në ujërat tona territoriale mund të patrullojmë me çfarëdo mjeti dhe nuk i japim llogari askujt”. Më pas përtej bregut edhe trageti maqedonas i linjës Shën Naum-Ohër që transportonte turistë katër herë në ditë, e ndërpreu punën. Kjo ulërimë e katerit silurues në një liqen që zhvillonte vetëm turizmin vijoi edhe dy vite të tjera.

0000000

Komunizmi ishte perdja ndarëse më e rendë që ndonjëherë ka rënë në Liqenin e Ohrit. Ajo u nder si thikë mbi ujrat e tij që nga viti 1949 deri në pranverë të vitit 1991. Ky kufi i egër e i përdhunë nuk ndau përmes dy shtete, sepse kjo edhe mund të ndodhë. Ai preu fort një etni, atë shqiptare. La përtej në pamundësi lidhjeje, bashkëjetese dhe bashkimi një gjysëm milioni shqiptarë. Kufiri i përdhunshëm preu edhe etninë maqedonase, por fare pak, vetëm disa fshatra në buzë të Prespës. Ishte një raport dëmi për shqiptarët një me njëmijë.
Sllave Nasto është një burrë 78 vjeçar, i cili banon në Tushemisht. Ai është frut i bashkëjetesës mes një maqedonasi dhe një shqiptareje. I jati i tij në vitet tridhjetë të shekullit të shkuar nga Ohri shkonte e bënte punë krahu në Pogradec. Këtu njohu edhe bashkëshorten e tij. Më pas si pasojë e një aksidenti të dhimbshëm maqedonasi vdiq herët, duke e lënë vetëm nentë vjeç djalin e tij Sllavo. E shoqja që kishte edhe një vajzë, por që edhe u rimartua, e dërgoi vogëlushin tek e gjyshja nga babai në Tushemisht, sepse ajo jetonte e vetme. Sllavo la përgjysëm në qytetin e Ohrit shkollën fillore dhe hyri në Shqipëri. Nuk dinte asnjë fjalë shqip. Këtu e mësoi gjuhën e vendit. Më pas nuk u rikthye dot më në Ohër. E zunë hallet e të mbijetuarit, pastaj lufta, më vonë komunizmi. Në bregun e përkëtejmë Sllavo u bë brigadier e deri sekretar partie, punoi pa u lodhur në bujqësi dhe në minierë. U bë komunist, por asnjëherë nuk i urreu maqedonasit. Nuk e linte gjysma e gjakut të tij. Nuk ja kërkuan këtë gjë hapët as krerët e regjimit. Ata i lejuan letërkembimin me nënën dhe motrën, veçse më shumë se gjysma e letrave pas kontrollit të rregullt që u bëhej nga “posta” nuk i mbërritën ndonjëherë. Pasi të dy palë autoritetet e këtej dhe përtej liqenit në fillim të viteve tetëdhjetë i dhanë leje të motrës që të vinte, dy vite më pas, pas një kembënguljeje të Sllavos, i dhanë leje edhe këtij të fundit që bashkë me të shoqen të rrinte ca kohë te e motra në qytetin e Ohrit. Përkëtej e instruktuan gjatë se si të ruhej nga provokacionet e ndryshme që do të ndeshte sapo të hynte në kufirin e Maqedonisë. Ambasada Jugosllave në Tiranë i dha një muaj leje, por edhe dy muaj të tjerë vizën ia shtynë në Ohër. Kur u rikthye autoritetet në Pogradec i kërkuan të bënte një raport të hollësishëm për të gjitha ato që kishte parë, sidomos për provokacionet që patjetër pati përjetuar. Sllavo u përgjegj shkurt “Asnjë nuk pyeti nga je e kush je. Lirisht shkoja, lirisht vija kudo”. Ata u habitën dhe ngulën kembë që relacionin tua bënte, por Sllavo nuk e bëri kurrë. “Nuk të ngisnin bre” të shpjegon edhe tani “as të pyesnin”. “Jeta andej ishte shumë më e mirë se te ne, nga të gjitha anët, nga veshjet, ushqimet, pastërtia, pyjet e mirëmbajtura, respektimi i ligjeve”. Kohë të paharruar e ka atë vizitë edhe bashkëshortja e Sllavos kur thotë se çdo shtëpi kishte nga dy makina. Pastaj e rimerr fjalën ai: “Te ne nuk respektohet ligji, sepse i pari që nuk e respekton atë është shteti. Këtu ka patur një pyll të madh e të gjelbër, e prenë të gjithë dhe e lanë malin të xhveshur si gurishtë. Nuk kemi kulturë. Kultura e bën ligjin. Po nuk pati ligj nuk ka as kulturë“. Më pas shton “Në këtë periudhë ata kanë rënë, Maqedonia nuk është ajo që ka qënë dikur, jemi ne më mirë”. Sqaron se e ka fjalën për bumin e ndërtimeve që vihet re në bregun tonë të liqenit.
Sllave lexon e shkruan lirisht në gjuhën e të jatit, sllavisht. Ai, gruaja e tij dhe fëmijët janë me dy nënshtetësi. Janë njëkohësisht shqiptarë dhe maqedonas. Një djalë i Sllavos ka shtëpi të dytë në Ohër, në qytetin e gjyshit. Djali tjetër, Pandi, me një furgon bën transport e tregëti mallrash ushqimore mes dy brigjeve. Nga pika doganore e Tushemishtit shkohet për në Shan Naum apo Ohër e Strugë njëlloj si të udhëtohet për në Korçë apo Elbasan e Tiranë. Shqiptarë e maqedonas ndihen më afër se kurrë. Por mbi të gjitha ndihen bashkë e pranë njeri-tjetrit vetë shqiptarët. Tashmë në këtë anë të bregut të liqenit ka më shumë shqiptarë që duan maqedonasit, andej po shtohen maqedonasit që duan shqiptarët. “Duhet të bëhemi më të mirë brenda vetes tonë“ pohonte para një televizion të huaj një muaj më parë një ambientalist maqedonas nga qyteti i Ohrit. “Edhe këtu mbërritën konfliktet” vijoi ai “Këtu si në të gjitha skajet e botës nuk u kursye nga erërat e luftës. Ky ka qënë një territor i ndarë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Janë vuajtur këtu të gjitha problemet mes dy popujve. Unë e mbaj mend që kur isha i vogël se ishte e ndaluar të shkoje në Shqipëri. Askush nuk mund të shkonte atje. Mbaj mend se si nga Ohri shihja dritat e ndezura në Pogradec, në anën tjetër të liqenit. Më vonë mësova se edhe nga Pogradeci shihnin dritat e Ohrit apo të Strugës. Ishin edhe shqiptarët kuriozë të dinin se çfarë ndodhte te ne. Ishim dy popuj të bashkuar nga liqeni dhe njëkohësisht të ndarë. Liqeni ishte i patrulluar vazhdimisht, me boat që përcaktonin kufirin dhe të cilat nuk mund t’i kaloje dot. Në ditët me mjegull peshkatarët në të dy krahët kapeshin e ndaloheshin. Unë gjithë jetën time kam dashur të shkoj në bregun tjetër të liqenit. Gjithçka rreth tij më duket magjik. Babai im më ka treguar se në kohën e Titos një mik i tij mori një barkë dhe e kapërxeu liqenin. Hyri në Shqipëri dhe nuk u kthye më. Erdhi për ta riparë Ohrin vetëm pas rënies së komunizmit. Më 1991 edhe unë, sapo ranë diktaturat, kapërxeva liqenin dhe shkova në Shqipëri. Tani shqiptarë dhe maqedonas punojmë bashkë për mbrojtjen e mjedisit dhe sidomos të liqenit. Jemi dy popuj të ndryshëm, por toka është po ajo. Toka nuk njeh kufij. Shqiptarë e maqedonas jemi të bashkuar nga malet dhe nga ujrat e këtij liqeni. Ka qënë historia që na ka ndarë. Sot të punosh me shqiptarët është një pasuri”.

0000000000

Në kohën e Ahmet Zogut posta e kufirit ishte aty ku sot në të dalë të Tushemishtit është dogana. Dhjetë-pesëmbëdhjetë metra brenda territorit shqiptar kishte një tendë të madhe të mbuluar me kallamishte. Pasi njoftonin më parë njëri-tjetrin banorët e të dy shteteve takoheshin nën këtë tendë. Pastaj gjithsecili rikthehej në qytetin e vendin e vet. Një tendë e tillë takimesh ishte edhe në Qafë Thanë. Kalimi i kufirit bëhej me vizë të shenuar në pasaportë.
Sepse gjithçka u kthye mbrapsht në mënyrë të panatyrshme për gati dyzetë vite të komunizmit ndodhi që edhe rilidhja u bë me një shpejtësi e lehtësi të paimagjinueshme. Këtë tipar karakteristik të rënies së Perdes së Hekurt ta tregon Roland Llakmani, një mësues tridhjetë e tetëvjeçar. Shtëpia e tij është në buzë të liqenit dhe dritaret nuk shohin gjë tjetër veç ujrat e tij si edhe nga njëra anë Pogradecin e në tjetrin Ohrin. Vështrimi nga ajo dritare i përqafon të dy qytetet e vendet. Rolandi është njeri që e kap thelbin menjëherë dhe në bisedën e përbashkët në verandën e një hoteli është i mendimit se përgjatë gjithë kohës së komunizmit, megjithë sforcimin që bënte propaganda në të dy anët e kufirit, në të dy brigjet e liqenit të Ohrit shpirtërat e ruajtën lidhjen e vjetër. Ato e flakën menjëherë atë perde që i kishte ndarë. Rolandi tregon se hapja e parë e kufirit paskomunist ndodhi në prill 1991, me rastin e festës së Pashkëve. Shqiptarët këtë ditë hynë në Maqedoni pa asnjë vizë. Ishin me mijra. Hapja e madhe e kufirit u përsërit pak ditë më pas, më 1 maj, ditë që lidhej edhe me festimet e Barjamit. Brenda dhjetë ditëve të dy anët e kufirit u hapën lirisht dhe asgjë destabilizim nuk ndodhi. U pa vetëm e kundërta. Të dy shtetet kishin nevojë për miqësinë e njëri-tjetrit. Pas vitit nentëdhjetë Tirana u bë i pari shtet ballkanik që e mbështeti mëvetësinë e Maqedonisë. Edhe kur bashkëkombasit tanë në fillim të vitit 2001 u detyruan të bëjnë presion me armë për të fituar të drejtat e tyre si popull shtetformueseve asnjëherë nga Shqipëria për vendin fqinj nuk erdhi më i vogli prapamendim për ta destabilizuar.
Tashmë edhe ujrat e Liqenit të Ohrit janë pak për të dëshmuar se Tirana dhe Shkupi në këtë botë të zhvilluar kanë shumë gjëra që i mbajnë të bashkuar fort. Mjafton të kujtojmë se atje ku dikur rrinte pezull perdja e rendë e ndarjes tani bëhet gati të depërtojë mes për mes Korridori i Tetë.


Ylli Polovina






Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com