Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Zemra si pishtar e Erion Liços

Dita, 11 gusht 2004

I potershëm dhe jo rrallë i ekzaltuar pas kronikës së zezë, media shqiptare shpesh që nxjerr në faqen e parë me statusin e kryartikullit edhe vrasjen më makabre, për jetëhumbjen e studentit shqiptar në Napoli, Erion Liços, gati shpërtheu në ngashërim. Ishte një vdekje që mund të të shpëtonte pa u vlerësuar jo vetëm nga dhimbja e zemrës, por edhe prej vëmendjes më të ftohtë. Mes shqiptarëve brenda vendit kishin ndodhur tre therrje (sot në botë e përdorin therrjen rrënqethshëm vetëm grupet terroriste të Al Kaedës) dhe një vrasje e madhe e mistershme. Kjo e fundit ishte e tipit mafioz. Viktima: Kryetari i Lidhjes së Misionarëve të Paqes të Shqipërisë. Ishte vrarë tinëzisht njeriu që me bashkëveprimtarët e tij kishte pajtuar 3320 familje dhe zgjidhur 5000 konflikte. Paqebërësi që kishte kursyer shumë gjak shqiptari të mos derdhej nën plumbat e kodeve mbeturina të Kanunit mesjetar.
Në këtë trazim e hutim të madh social, në këtë çast kur shteti dhe shoqëria duhet të pushojnë kuturinë e shtyrjes përpara nën rutinë, jeta e shuar e 23 vjeçarit Erion Liço përbën një rast për të reflektuar. Sjellja e bukur e medias me të (televizioni News 24 transmentoi edhe një elegji) të bëjnë të mendosh se vlerat njerëzore në këtë vend, edhe pse të kërcënuara nga pamorali i përditshëm, nuk po bjerren. Thjesht është vetëm lumpeni i shoqërisë sonë që vijon të jetë protagonisti ynë kryesor, sunduesi dhe imazhbërësi ynë. Erion Liço dhe ata gazetarë apo njerëz të thjeshtë që e nderuan publikisht apo heshtur atë, përfaqësojnë një të nesërme të dëshiruar. Që mund e duhet të jetë e bukur si jeta e shkurtër e këtij studenti shqiptar në Napoli. Këtë mesazh e vlerësuan edhe përtej detit, në qytetin e madh italian, atje ku ende jeton edhe njëri prej pinjollëve të Gjergj Kastriotit.
“Il Mattino”, e përditshmja më e madhe napoletane, e cila ndërkohë është gazetë kombëtare (një variant i saj botohet edhe në Milano) në botimin e vet të ditës së dielë, 8 gusht, ndërsa pas një kome pakditore Erioni kishte ndërruar jetë, titullonte një shkrim me fjalët “Ishte regjistruar tre vite më parë. Pasionet e tij ishin noti dhe kompjuteri”. Më pas vijonte “E kishte apartamentin në rrugicën Paçela ai Mirakoli. Një djalosh në vitin e tretë të Juridikut, i sjellshëm dhe i dashur, për këtë gjë betohet nëna e tij, e cila po përgatitet ta dërgojë në Krujë dhe varrosë pranë të jatit”.
Autori i këtyre rradhëve, i cili familjarisht nuk ndihet më shumë i prekur nga të gjithë ata gazetarë që përcollën në media këtë lajm të hidhëruar, njihet nga afër me familjen Liço. Njihet me Arianën, nënën e Erionit, sepse e ka patur nxënëse të tij shumë të talentuar në gjimnazin e Beratit. Njihej shoqërisht edhe me bashkshortin e saj, Hiqmet Liçon, bir i qytetit emërmirë të Kuçovës, i ri që pas diplomimit si jurist, nisi punën e gjykatësit në qytetin e Krujës. Kur “Il Mattino” përcjell besnikërisht vendimin e nënën së Erionit se djali i saj do të flejë përgjithmonë pranë të jatit, jo vetëm citon një të vërtetë, por edhe një hollësi të dhimbshme. Ajo ka të bëjë me Zemrën. Hiqmeti, atëhere një tridhjetëvjeçar elegant e trupfuqishëm, vdiq papritur nga një infarkt kardiak. Birin i tij, të cilin e la fare të vogël e tashmë do ta mbajë shtrenguar përjetësisht në krahë, e ka fizikisht pa zemër. Kur gazetarët italianë e pyetën nënën e Erionit se a do të dhuronte pjesë të trupit të djalit të saj për të shpëtuar jetë të tjera, ajo shqiptoi “Po, por vetëm zemrën”.
Që nga ky çast zemra e studentit shqiptar njëzetë e tre vjeçar, i cili u godit nga një makinë tjetër nëpër natën e të premtes (zezane) të 8 gushtit në afërsi të brylit të Unazës së qytetit, është zhndërruar në një pishtar. Në legjendat e popujve nuk mungon kurrë një episod se si në shtegtimin e gjatë të tyre për të dalë nga terri i një pylli të pafund, pikërisht kur shpresa e shpëtimit shkon në prag të rënimit, shkëputet nga turma një njeri dhe shkul nga gjoksi zemrën. Ajo menjëherë bën dritë dhe prijësi vetsakrifikues e ngre lart. Errësira përreth tërhiqet dhe populli mbushet me shpresë se nga terri i pyllit do të dalë.
Zemra e Erion Liços është një pishtar i tillë. Ai nuk udhëheq dot një popull, këtë gjë as e ka menduar ndonjëherë. Zemra e tij, e dhuruar për të shpëtuar jetën e një qënieje tjetër, është sot pishtar për imazhin e shqiptarit të vërtetë. Të përfaqësuesit të denjë të një gjenerate të re që po shkollohet me etje në Perëndim. “Il Mattino” shkruan “Tre pasione kishte për Erionin: kompjuteri, noti dhe motorri. Dhe një projekt jete që për të ishte po aq i natyrshëm si edhe rrugët që kishin ndjekur në këtë botë gjyshi i tij, babai dhe nëna. Të studjonte larg nga shtëpia, të formohej në qendrat mësimore nga më prestigjiozet dhe pastaj të udhëtonte me diplomën në xhep. Universiteti që ndiqte në Napoli, “La Federico II”, në Tiranë konsiderohet saktësisht një universitet i denjë për një curriculum vitae. Erioni e kishte bërë këtë zgjedhje të tij sëbashku me të jëmën dhe në vitin 2001 ishte regjistruar. Vëllai i tij, të cilin e ka përqafuar për herë të fundit katër vite të shkuara, iu gjet afër këto ditë, kur nuk ishte më. Avokati Klaudio Panarela, Konsull Nderi i Shqipërisë, thotë se emigracioni nga Shqipëria është i dy tipeve: ose në kërkim të punës, ose për të studjuar. Erioni, si edhe vëllai i tij që ka fituar një bursë studimi dhe fluturuar në Kanada, ishte një emigrant intelektual si e gjithë familja e tij: ajo kishte nisur me gjyshin e Erionit, i cili shkoi në Romë për t’u diplomuar për ekonomi, dhe ai që nuk mund veç të ndiqte shembullin e tij. Në Tiranë kishte studjuar pranë një kolegji turk. Poliglot nga të paktët që ekzistojnë mes nesh, fliste dhe shkruante në pesë gjuhë, përveç të vetës: italisht, gjermanisht, turqisht, anglisht, frengjisht”.
Zemra e falur e Erion Liços nuk është veç pjesë e këtij dinjiteti. Italianët nuk u mahnitën, siç shihet qartas nga ky artikull i një të përditshmeje, vetëm nga kultura dhe dhuntitë intelektuale të shqiptarit 23 vjeçar, por edhe nga sjellja e nënën së tij, nga qytetaria e saj. “Il Mattino” e mbyll artikullin e vet himn duke thenë se “Familia e Erionit e la Napolin me një falenderim të veçantë për mjekun që pas aksidentit ndoqi fatin e djaloshit, doktor Bonagurës të repartit të rianimacionit. Pa thenë asnjë fjalë ankuese për ata që nuk e ndihmuan. Ishte një leksion civilizimi”.
Këto ditë trupi i këtij shqiptari të ri që me jetën e tij si edhe me vdekjen e dhimbshme dha një kontribut të madh për imazhin e vendit të vet, do të vendoset pranë të jatit. Të dy juristët, at e bir, nuk jetojnë më. Fat tronditës, ca më shumë për këtë bashkëkombas të rritur me mund vetëm nga nëna e tij. Ariana i adhuronte të dy djemtë e saj. Lumturohej pas tyre. Autori i këtyre rradhëve e ka takuar njëherë në avionin “Volare”, në linjën Bari-Tiranë, ndërsa kthehej pas disa ditëve që kishte kaluar pranë Erionit në Napoli. Nuk ishin vetëm sytë e saj “të shkruar” që nuk e përmbanin dot gëzimin e ditëqendrimit pranë djalit, por e gjithë qënia e saj. Ishte si në një ëndërr që nuk po mbaronte.
Tani, ndërsa trupi i Erion Liços do të futet të flejë nën tokë, zemra do të pulsojë në Itali. Shqiptari i talentuar dhe plot qytetërim e shkuli atë nga gjoksi dhe ajo tashmë bën dritë atje, përtej brigjeve të detit.
Ndërkohë Prokuroria e Napolit po heton. Në këtë bryl të Unazës së qytetit, të quajtur Kapodimonte, para një muaji ndodhi edhe një jetëhumbje tjetër. Ishte e 54-vjeçarit Xhuzepe Matrulo. Edhe ai, njëlloj si Erioni, kishte qënë hipur në një motorr, kur u godit nga një mjet dhe u la përtokë pa iu dhënë asnjë ndihmë. Vrasësi fizik duhet gjetur, doemos.
Por duhen qortuar edhe disa kolegë të veçuar të medias italiane. Ngjarja me Erionin dhe zemrën e tij të falur nuk mbërriti dot gjer në edicionet kryesore të televizioneve vendase apo të të përditshmeve me një milion kopje. Radiotelevizioni italian ditën e hënë, vetëm njëzetë e katër orë pas elegjisë himn që thurrte e përditshmja e shtypit të shkruar, “Il Mattino”, i çeli bujshëm hapësirë me përparësi një krimi të një bande shqiptare në Romë. Njëfarë Floriandi, pasi kishte vjedhur gurët e çmuara të një plake të vetmuar italiane, e kishte përdhunuar. Vepër e turpshme, e pandodhur edhe këtu mes nesh, ku vijojnë deri edhe “therrjet”. Rai e përcolli lajmin në edicionet informative të mbrëmjes dhe të natës. Kjo do të thotë se e kanë marrë vesh krimin e atij monstri shqiptar jo më pak se dhjetë milionë italianë. Të cilët nuk mësuan dot kurrë historinë e asaj zemre-pishtar në Napoli.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com