Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Nga kritika sociale tek ajo denigruese


Sot, 11 korrik 2004

E kanë vënë re bashkatdhetarët tanë të Kosovës dhe saktësisht Profesor Rexhep Qosja. Për të ne, shqiptarët e të quajturit Shteti Amë, pra territorit të vetëm të njohur ndërkombëtarisht si Shqipëri, nuk e kemi zakon të heshtim, por të denoncojmë fort çdo gjë. Kemi prova apo nuk kemi. Jemi të bindur apo jo. Shpesh na mjafton vetëm vullneti për të mos mbyllur gojën. Për veten e tyre bashkëkombasit kosovarë mendojnë se shumë gjëra të denoncueshme publikisht i mbajnë përgjithësisht larg nga opinioni dhe zhurrma shoqërore. Duke mos menduar se vëllezërit tanë të ditur të përtej kufirit janë më pak të zhvilluar demokratikisht se ne apo që përparimi ynë po sulmon qiejt, siç duket, ndërsa jemi një etni dhe të dy palët nuk kemi ndonjë epërsi mbi njeri-tjetrin, thjesht ndonjë ndryshim e përfaqësojmë. Në Tiranë flitet më tepër nga përmasa e nevojshme e të folurit, në Prishtinë më pak nga kjo mezatare. Dallimi tjetër është se për një shoqëri të hapur ndoshta është më mirë që të kesh ca zullum në dëshirën për të kryer kritika publike, se sa ta bësh rrugë shtrengimin e kufizimin e tyre. Me një fjalë bëhet më mirë e të duhet më pak mund për zhvillimin e një bashkësie kur ti harrxhon energji vetëm për ta frenuar këtë hapje të madhe të saj, se sa “djersit” që ta shtysh atë përpara. Zallamahia e madhe e denoncimit dhe e kritikës në Shqipëri duket se relativisht është më e dobishme se çdo tepri tjetër.
Pasionin e kritikës me fjalë (llafe) ne duhet ta kemi të hershëm. Edhe gjatë diktaturës së kaluar nuk kemi qënë aq shumë pasivë, përderisa edhe të burgosurit e martirët më të shumtë të regjimit prangosësit i përcaktonin nga profili i “agjitacion-propogandës kundër pushtetit popullor”. Me këtë pasion i hymë edhe periudhës së pas dhjetorit 1990, kohë ku denoncimi publik arriti të ndihmojë në rrëzimin e butë të diktaturës dhe në vendosjen e një shoqërie të hapur. Mirëpo pas vitit 1997 (dhe këtë gjë duhet, për hir të së vërtetës, ta theksojmë) volumi i kritikës publike u shtua shumë. Në mandatin e mëparshëm politik 1992-97 kritika nuk bëheshin pak, por shumica konsumohej brenda rretheve të ngushta të lexuesve të shtypit. Atëhere mundësia e shprehjes publike ishte relativisht e kufizuar. Jo vetëm nga një qendrim dukshëm i ashpër dhe autoritar ndaj mendimit të kundërt apo opozitar, por edhe sepse mjetet kryesore komunikuese me opinionin (atë periudhë vetëm TVSH), u mbajtën nën kontroll të rreptë nga qeverisësit e kohës. Kontakti me opinionin u zgjerua e shumua pas ndryshimit politik të forcave partiake qeverisëse. Tani uria mediadike e televizioneve, këtyre komunikuesve të mëdhenj e të pangopur, gëlltit çdo fjalë e frazë sado pak interesante për opinionin. Dhe duke qënë se jo njëherë lajmin nuk e bën qeni që kafshon njeriun, por njeriu që kafshon qenin, denoncimi publik tanimë është bërë preferenca e jetës sonë shoqërore, zakoni i saj i parë.
Edhe njëherë e nënvizojmë, për fatin tonë të mirë që është kështu!
E megjithatë tepria është bërë tashmë tepër dhe mbase është koha që një vetëpërmbajtje apo vetërregullim të kësaj përmase ta kryejmë. Ndërsa kemi fituar bindshëm kulturën e denoncimit dhe të kritikës sociale, aq fort të spiktatura në vitet 90,91,92, po ashtu dukshëm në fund të vitit 2003 dhe në vijim edhe protagonistët e organizuar të saj, Lëvizjet Qytetare, po nisim të bëjmë praptazi në një drejtim tjetër. Kritika po denigron. Të njëjtën gjë në disa raste po synon edhe denoncimi. Ky bisht devijues i shumë të dobishmes kritikë dhe denoncim social jo vetëm e kompromenton atë, por nuk i bën as konkurencë të ndershme. I bën kontrabandë. E nismuar jo nga mbrojtja e çiltër e interesave të bashkësisë, por e personave të veçantë. Apo edhe e shtresave të privilegjuara. Sot, përshembëll, në jo pak raste i jepet më shumë hapësirë botuese VIP-ave të regjimit të kaluar apo klasës së politikanëve të sotëm, se sa jetimëve, invalidëve, të droguarve apo edhe shkrimtarëve tanë. Madje interesimi më i vogël mediatik është për të papunët. Fatet e tyre, përveç statistikave, ende nuk përbëjnë lajm të dorës së parë, por me sa duket as detyrim social për t’i marrë ngulshëm në mbrojtje. Siç fatmirësisht nga shumica e medias merren nën kujdes të sëmurë rendë apo fëmijë të braktisur.
Një prishje e tillë e raporteve mes kritikës e denoncimit social dhe shthurrjeve të tyre denigruese nuk vjen vetëm nga që mentaliteti dhe jeta jonë është akoma në fazën e ndërmjemë të tranzicionit, por edhe sepse si komunitet e kemi me tepri dëshirën për t’u marrë me llafe. Më se njëherë mund të konstatosh se si në faqet e para të disa gazetave për disa ditë me rradhë mbijeton suksesshëm teknika e pasqyrimit të thashethemeve. Kafegazetat mund të jenë të pranueshme vetëm kur këtë zakon e huq të tyre e realizojnë kendshëm, me humor apo duke të të ngacmuar kërshërinë. E keqja është kur shkohet deri tek denigrimi i qëllimtë i personit. Kjo mund të kuptohet e “tolerohet” ndërsa realizohet për konkurencë elektorale apo edhe në fushën e bisnesit. Me të nuk mund të pajtohesh kur zhndërrohet vetëm në një mënyrë për të rënë në sy. Pra thjesht bëhet për eksibicionizëm apo protagonizëm. Shqipëria, vendi ku pothuaj të gjithë janë “shefa” e “kapo”, e pranon një limit më të madh të “të fortëve” nga mezatarja, por ka momente kur “kupa derdhet”. Na duket se këto dy-tre muajt e fundit kjo “kupë” realisht ka nisur të derdhet. Po marrim thjesht një rast. Një poeti ië spikatur si Xhevair Spahiu apo një mjaft origjinali si Faslli Haliti (që të dy individualitete aspak të perkëdhelura nga diktatura puniste) u botohen, pa dijeninë e lejen e tyre, poezi të tridhjetë apo dyzetë viteve më parë, frymëzuar nga mentaliteti i kohës. Dhe që të dy janë njerëz që nuk i kanë rënë “më qafë” opinionit me ndonjë ngrefosje publike. Janë artistë modestë e të heshtur. Ngacmimi i tyre (apo përfolja) është krejtësisht pa interes dhe efekt për këdo që i kryen. Mban brenda vetes vetëm patologji për të denigruar.
Duke qënë se shoqëria jonë realisht po përparon ky agresivitet dhe bymim i kritikës dhe denoncimit denigrues mund të shmanget pa ndonjë vështirësi të madhe. Mund të shkëputet nga mentaliteti i llafokritikës. Kritika ka mision konstruktiv, ajo përdor edhe qortimin publik, shkrimin sugjerues apo propozues. Jo patjetër “goditjen në lug të ballit” kur ti e kallzon publikisht një individ si më negativin e të gjithë kontinentit e globit, kurse i denoncuari të kallzon sallën e gjyqit dhe një gjobë që të lë pa frymë.
Në vendet me demokraci të shendetshme dhe të zhvilluar kur bëhet fjala për denoncimin publik apo kritikën kujdesin e kanë jo vetëm tek mosshkelja e rregullave të sigurisë kombëtare, por edhe e vetë shtyllave jetike të shoqërisë ku jetojnë. Jo sepse, përshembëll, e “ruajnë” nga kritika një individ apo institucion (privilegje të tilla në një demokraci nuk i gëzon dot askush), por a nuk e keni vënë re se në Shqipëri fushata denigruese po kalojnë të gjithë figurat kryesorë të vendit. Majtas e djathtas. Lart apo pak më poshtë. Duke mos patur tashmë asnjë mit institucional apo individual të pa kritikuar (kjo është një mrekulli e shoqërisë së hapur), nuk kemi ndërkohë edhe pothuaj asnjë individ e institucion të pa sulmuar në mënyrë denigruese. Po vazhduam kështu do të vijë shpejt çasti kur nuk do të kemi as edhe një arbitër politik apo social. Për të ndërhyrë e na pajtuar, për t’ju referuar, për të na nxitur e shtyrë drejt një kompromisi. Deri tani ka mbetur i pa denigruar vetëm Avokati i Popullit Ermir Dobjani.
Të paktën le ta marrim këtë si një shpresë të nevojës për të rritur forcën e kritikës dhe denoncimit social dhe ndërkohë kufizimit të prirjes denigruese. Shpresë që na vjen jo thjesht se në këtë emërtesë të re të Shqipërisë së viteve të fundit ekziston edhe fjala Popull.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com