Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Midis monarkut dhe monarkise

Sot, 5 qershor 2004


Dalja e Leka Zogut para medias për të shpallur Lëvizjen e tij jopartiake e tërhoqi vëmendjen e opinionit jo pak, të analistëve po ashtu, porse të klasës politike fare modestisht. Mes shqiptarëve ka mjaft të deziluzionuar, ata shpresojnë të ndryshojë diçka. Përshembëll dikush nga të intervistuarit “në rrugë” tha se me Lekën në krye të vendit do të kishte më shumë siguri. Ky arsyetim është pjesë e një iluzioni të ardhur prej rregullit të brendshëm që ka ekzistuar shtetin shqiptar autoritar e jo pluralist të viteve tridhjetë, nostalgji, të cilën e gjen me bollëk edhe tek admiruesit e mbetur të Enver Hoxhës. Por shumica e të pyeturve prej efektit mediatik të ngjarjes prireshin nga miratimi i aksionit të birit të vetëm të protagonistit më të fuqishëm të dy dekadave histori të Shqipërisë, Ahmet Zogut. Ata ishin të të njëjtës mendje: “Mirë bëri”. Në të vërtetë ky është edhe rregulli më fillestar i pluralizmit, secili ka të drejtë të konkurojë. Ca më tepër një person që mund ta ndryshojë gjendjen, qoftë edhe duke “e trazuar” me një goditje emotive. Do të fitojë shumicën, siç Leka Zogu ka një bindje të vjetër të patundur, apo do të grumbullojë vota aq sa të mund të përmbysë raportet e brendshme të sistemit tonë partiak e ndoshta politik, kjo është një çështje e kohës që do të rrjedhë. Po ashtu në bëri mirë apo keq që nuk u shfaq si pretendent për fronin e Mbretit dhe rehabilitimin e Monarkisë. Edhe babai i vet, kur i hyri veprimit politik dhe ballafaqimit me rivalët, nuk tha ndonjëherë që kishte në plan të vetëshpallej mbret. Pastaj, pasi fitoi postin e Presidentit dhe e emërtoi Shqipërinë një Republikë, në krye të dy vjetëve i kapërxeu këto shkallë dhe vuri në kokë skeptrin e monarkut. Leka Zogu e synon skeptrin. Edhe Fronin. Por në një faze të mëvonë. Në mos për vete, të paktën për “Princin”, djalin e tij të vetëm e të urtë si çupë. Leka Zogu në atë gjendje shendeti që ka, me papërvojë pune administrative, tepër larg një rekuizite minimale për të drejtuar të paktën ekonominë të ngatërruar e komplekse që në këtë periudhë kemi, një qeverisës apo kryeministër si ai do të ishte një lajm i keq. Dhe mënxyrë.
I dalë në konkurencë është punë e vetë Leka Zogut në i ka bërë mirë llogaritë e ndeshjes në terrenin tonë nga më të përbalturit e për pasojë, nga më rrëshqitshmit. Të dhënat kryesore të personalitetit të tij nuk dëshmojnë se do ta përballojë betejën e ardhme. Përshembëll megjithë moshën e thyer ai nuk ka bërë dot histori mes shqiptarëve. Historinë e ka bërë i jati i tij. Për këtë arsye Leka ka të drejtë të jetë edhe trashëgimtari i kësaj pasurie akoma lehtësisht e kembyeshme në vota. Për të marë sa më shumë konsensus mes shqiptarëve djalit të vetëm të Ahmet Zogut nuk i duhen tani për tani aq shumë pronat ende të pakthyera. Ato një ditë ai apo biri i tij mjaft i edukuar do t’i marrë. Ajo që nuk pret ka të bëjë pikërisht me thesarin e emrit që pluralizmi po i rikthen, gjer në ekzagjerim e ekzaltim, të të jatit.
Rivendosjen në start të bashkëkombasit Leka klasa e sotme politike e priti qetësisht. Rrufjanërisht. Nuk e shpërfilli, nuk e fyeu, nuk e paragjykoi. La të kuptojë se nuk e “llogariti”. Analistë seriozë thanë se dalja e Zogut të Dytë do të gëlltisë vota nga e djathta. Por nga ky krah i politikës heshtja ishte e plotë. Pati që hamendësuan se Lëvizja e Re Zogiste do të grumbullonte masivisht nga segmentet e qendrës, por as prej këtej nuk erdhi ndonjë bërbëlitje. Theksuan se Pretendenti do të mblidhte vota të të zhgënjyerve nga klasa aktuale politike. E megjithatë përfaqësues qytetarë apo emra publikë të kësaj gjindjeje nuk u ndjenë. Nuk pati vëzhguesë që të ngulnin kembë se Leka Zogu do t’ja arrinte të pikonte konsensus nga e majta, por edhe këtej nuk dhanë asnjë shenjë se ishin të shqetësuar apo të gëzuar. Menjëherë heshtja e rrethoi lojtarin e ri të moshuar të politikës shqiptare. Dhe heshtja flet shumë.
Llogaritë e përplasjes së nesërme nuk bëhen tani, ka kohë për to. Ndërkohë ambicia e pasardhësit të të shkathëtit Ahmet Zogu është tepër e madhe: ai tenton të kapë kreun e Shtetit. Pra të rrezikojë njëherësh si Presidentin Alfred Moisiu, ashtu edhe Kryeministrin Fatos Nano, edhe shefin kryesor e të paepur të opozitës, Sali Berishën. Një ambicie e tillë ka rreze tepër të gjërë, për pasojë edhe një front shumë të hapur e të vështirë. Duket sipërmarrje e pabesueshme jo vetëm se ka për mision mënjanimin e kësaj elite politike që u formësua bashkë me ne në këta vite të vështirë pluralistë. Në emër të spastrimit të kombit nga kjo klasë politike gjer tani kemi parë shumë. Ka që këtë teori e shpallin në emër të ardhjes së një “klase të re”, të përbërë nga të rinj. Thua kjo është punë embrionesh nga ato që doktor Glozheni prodhon në epruvetë. Tani këtë klasë që kemi duan ta largojnë jo në emër të të “rinjve”, por të të “vjetërve”. Si Leka Zogu.
Pluralizmi edhe kur funksionon dobët dhe me probleme, si tek ne, një gjë nuk e pranon dot: Shpëtimtarin. Zeusin. Mesinë. Ose, duke i rënë shkurt dhe më kuptueshëm: Monarkun. Sovranin. Leka Zogu bën shumë mirë të luajë në politikë, ai nuk është më njeriu i “kobures”, siç bëri aventurën e hatashme të vitit të çmendur 1997. Por mendojmë se nuk bën mirë kur dëshiron të shpërndajë rreth e rrotull idenë se është dhe meriton të jetë Njëshi. Përshfaqja me këtë logjikë monarku nuk fryn erë të re në Shqipëri. E kemi ndjerë nëpër dekada të tëra regjimesh dhe pas vitit 1990 edhe me një rikonfirmim “të butë”. Kemi katërmbëdhjetë vite shoqëri të hapur, por asnjë nga kryetarët historikë të partive të fillimit, përveç Sabri Godos dhe Fatos Nanos, nuk ka lëvizur nga kreu i partisë së tij. I pari iku për të mos u kthyer më si figurë ekzekutive, i dyti duke u rikthyer bindshëm. Por në këtë fazë rikthimi duke lënë të nënkuptohet se ka ardhur për të mos ikur më. Një imazh “monarku” shpërndan edhe ish-Presidenti Sali Berisha. Të tjerët mund të ikin nga partia e tij, mund edhe të kthehen, por komandanti mbetet ai. Jo më pak “monark” është edhe socialdemokrati Skender Gjinushi apo Genc Pollo, edhe pse gjithsecili në mënyrën e vet akoma manifestojnë kualitet. Me tipare sovrani, madje më tepër se homologët e partive të mëdha, duken edhe krerët e partive shumë të vogla. Sepse të krijosh parti vetëm për vete është e njëjta logjikë monarku. Mirëpo shqiptarëve që të përparojnë në demokratizimin e shoqërisë dhe begatimin e jetës së tyre, u duhet pak nga pak të mësohen me mospranimin e kësaj kulture “monarkiste”. Politikanët kanë të drejtë ta ushtrojnë profesionin e tyre gjer sa t’u mbushet mendja vetë se ekziston edhe një ditë, kur mund ta lënë. Ajo që nuk përbën të drejtë demokratike është moslëshimi asnjëherë i pozicionit të kreut ekzekutiv të partisë, edhe kur kjo gjë kushton ulje drastike të reputacionit të forcës së tyre politike. Apo rënim elektoral. Gjer tani asnjë humbje zgjedhore nuk ta tundur nga vendi, qoftë edhe përkohësisht, një “monark” partie.
Ja pse në përshfaqjen e rradhës të pretendentit për në krye të shqiptarëve të dekadës së parë të viteve dymijë, të njerëzishmit Leka Zogu, nuk ka asgjë të re. Ai nuk kërkon monarkinë, por gjithsesi do që të jetë “monark”. Ndërsa në të vërtetë shpresën e shqiptarëve të emancipuar më guximshëm se mjaft prijës të tij politikë do ta rigjeneronte vetëm një Lëvizje. Jo një Person.
Dhjetorin e vitit 1990, një nga periudhat më të mahnitshme të historisë sonë moderne, e bëri Lëvizja. Ajo e nxori elitën, i spikati personat. Të shpresosh në inversin, pra në rastin kur një individ do të krijojë Lëvizjen, është njëlloj si të besosh që nga një zog mund të krijohet e gjelbërojë pylli.

Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com