|
Muret qe kemi brenda nesh
Sot, 13 qershor 2004
Mendimi i trishtë që të sulet i pari për të të dëshmuar se me Perëndimin e zhvilluar dhe liberal ende gjendemi larg, është se, kur e kapërxen kufirin, në tokë, në ajër apo mbi det, ndjen se ka një “mur”. Ai është pikërisht aty ku katërmbëdhjetë vite më parë, edhe pse ajri ishte po ky, toka dhe deti po ai, muri i madh ndarës mes Shqipërisë dhe pjesës së zhvilluar të kontinentit ngrihej i padepërtueshëm. Atëhere ishte fizik, përbëhej nga plumba që të goditnin drejtpërdrejti në trup. Sot pothuaj është “virtual”.
Një analist bashkëkombas, ndoshta nga përjetime të tilla, në një editorial të një agjensie lajmesh, të drejtuar prej tij, përpiqej kohë më parë të përmbante nervozizmin ndaj formuluesve të togfjalëshit gjeopolitik “Ballkani juglindor”. Vëzhguesi i vëmendshëm donte të thoshte se me këtë emërtim provohej qarkullimi në zemrën e kontinentit i një nocioni akoma veçues për vendin tonë, një prirje që ta sistemojnë atë në një hapësirë imtësisht të monitoruar të territorit të gadishullit, strehim posaçërisht i zgjedhur, sipas tij, për “më të sëmurin” e Ballkanit.
“Muri” ekzistues, i cili me mjaft pengesa “proceduriale” ndan shumë shqiptarë nga pjesa tjetër e Evropës, tashmë në të vërtetë është thjesht një gërmadhë. Ai u ronit pak nga pak që kur ra kryemuri i shekullit të shkuar, i nëmuri, Muri i Berlinit. Por pikërisht se përfaqëson një pirg të madh e të rendë me gurë të shembur, shumica të pahequr, në thelb, ai ende përbën një pengesë, një bllokues. Ata gurë nuk mund të lihen dot aty për shumë kohë. Domosdoshmërisht duhet të hiqen. Ata nuk mund t’i largojë as vetëm komuniteti i madh e i zhvilluar i Bashkimit Evropian, por as vetëm ne. Në mëdyshjen se tani për tani janë ata përtej murit të djeshëm që i kanë përveshur më shumë mengët për të pastruar gërmadhat apo jemi ne, dëshirojmë të trajtojmë një temë: Ne shqiptarët a mos po ngrejmë “mure” të rinj?
Nuk bëhet fjalë se mes nesh po ngrihen mure ideologjikë. Ato u rrëzuan shpejt, pothuaj menjëherë pas shpalljes së pluralizmit. Kjo braktisje masive e ideologjive bëri që, përshembëll, rreth idesë së socializmit real apo variantit enverist të komunizmit, të ketë fare pak pasues. Madje mes tyre më të shumtit janë nostalgjikë jo të sistemit, por të disa vlerave anësore të diktaturës si edhe të mospërshtatjes dot, sidomos shpirtërisht, me sistemin e shoqërisë së hapur. Deri tani rezulton se shqiptarët mund dhe janë popull disi politik (apo edhe i politizuar), por kurrsesi bashkësi e ideologjizuar. Po ashtu ne historikisht nuk kemi patur “mure” ndëretnikë. Çdo rresht dhe dokument autentik i historisë provon se ne nuk kemi ngritur kombëtarisht asnjë pirg me gurë përballë fqinjëve. Jo vetëm ndaj italianëve, por edhe shteteve që për më shumë se një shekull nga krijimi i tyre, Greqia e periudhës monarkiste apo diktatoriale dhe Jugosllavia që prej monarkisë e deri dje me Milosheviçin, kanë synuar seriozisht prishjen e Shqipërisë. Shqiptarët e sidomos bashkëkombasit tanë ato “mure” që ngritën nuk i kishin dëshirë për ndarje, por bedena për t’u mbrojtur. Këtë shpirt të lirë e të hapur tani e provon jo vetëm vlerësimi i përsëritur i komunitetit ndërkombëtar se vendi ynë përbën një shembëll shumë të mirë bashkëjetese në rajon dhe po ashtu se shqiptarët në Ballkan nuk përbëjnë “problem” (pra shqetësim si faktor diversiv), por edhe ideja e Shengenit Ballkanik ideatorin e mbrojtësin e saj më të madh e ka pikërisht mes klasës tonë politike.
Ne historikisht nuk kemi as “mure” ndërfetarë, edhe pse mure të tilla na janë imponuar nëpërmjet forcës së superfuqive ushtarake të shekujve të shkuar. Provat që nuk kemi edhe “mure” ndarëse mes popujve të tjerë dhe vetes apo edhe mes njeri-tjetrit do të vijonin me një listë të gjatë. Si rrjedhim i këtij monitorizimi të shkurtër të historisë sonë kombëtare mund të thuhet se mendërisht dhe shpirtërisht shqiptarët nuk janë popull murengritës. Ata janë në një farë mënyre murerrëzues. Shpesh këtë cilësi pozitive nuk ia vlerësojmë sa duhet vetes, sepse na i zënë sytë disa të meta të tjera që realisht i kemi. Në këtë mosvlerësim ndikon edhe kompleksi i të vogëlit, i atij kombi që nuk peshon shumë në ngjarjet e mëdha të kontinentit. Përshembëll gjermanët kanë hyrë në histori meritueshëm si rrëzuesit e mëdhenj të murit simbol të ndarjes totale, Murit të Berlinit. Por ata ishin edhe ndërtuesit e saj. Shqiptarët kur rrëzuan diktaturën ishin po aq dinjitozë sa edhe gjermanët. Po aq të denjë ishin edhe çlirimtarët e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. A nuk keni konstatuar se kemi harruar të rivëmë në dukje se vendi ynë në këtë kontinent u çlirua vetëm me forcat e veta?
Duke qënë një popull murerrëzues ose të paktën jo murengritës, do të ishte mirë që në çastet, të cilat shoqëria jonë po kalon aktualisht, të bëjmë më shumë kujdes për të mos lejuar apo mos pranuar tani tentativat për të grumbulluar gurë e lartuar me to pengesa të panevojshme ndaj njeri-tjetrit. Autorit të këtyre rradhëve i duket se, pasi në këtë vite pluralistë kemi shembur njeri pas tjetrit mure të pafund, ka dy raste kur një mur të madh nuk po mobilizohemi sa duhet ta rënojmë dhe një tjetër që nuk duhet ta ngrejmë. Në rastin e parë është Korrupsioni dhe në të dytin Çështja e Pronave.
Të zënë normalisht me tema të nxehta korrente të ditës, që nga mbrojtja e ambientit e deri tek vlerësimet e kundërta për punën e qeverisë, harrojmë se kjo është një lendë e zakonshme e metabolizimit pluralist të vendit. Si të tilla janë mjaft funksionale dhe aspak shqetësuese kombëtarisht debatet dhe shpesh përplasjet plot tension në media, në Kuvend apo në ballafaqimet elektorale. Duhet të preokupohemi patjetër si shoqëri apo elitë e saj edhe kur një debat publik apo parlamentar degjeneron në fjalë banale apo se çfarë raportesh me politikën dhe ushtrimin e saj mund të ketë një lëvizje qytetare a bisnesi. Këto nuk përbëjnë as mure dhe as hendeqe. Janë shkallë ku shtyhemi përpara apo ngjitemi. Mur i vërtetë brenda Shqipërisë së sotme mbetet Korrupsioni. Akoma jo vetëm i parrëzuar, por edhe pothuajse i pacënuar. Nga që këtë defekt e ves e trashëgojmë nga kohë, të cilat nuk mbahen mend dhe se shteti ynë mjaft i ri (vetëm prej nentë dekadash) akoma nuk është formatuar si një armë paralizuese dhe goditëse e këtij “Oktapodi”, ky shumëkembësh jo vetëm po vazhdon të shtrengojë me gjymtyrët e veta emancipimin europerëndimor të shqiptarëve, por edhe vazhdon të mbajë të blokuar disa nga valvolat e rritjes ekonomike të vendit. Në të gjitha statistikat apo konkluzionet e organizmave vëzhguesë ndërkombëtarë, ndërsa shenojmë lëvizje të vogla pozitive deri edhe në luftën kundër krimit të organizuar, nuk regjistrohet asgjë e re në frontin e luftës kundër korrupsionit. Kjo nuk do të thotë se nuk bëhen apo nuk ka përpjekje. Ligjore apo legjislative. Kemi tashmë edhe komisione zyrtare për të kontrolluar pasuritë e gati gjashtëmijë zyrtarëve më të lartë apo po bëhen faktorë aktivë edhe shoqata joqeveritare kundërkorrupsion. Defekti është se në Shqipëri asnjëherë nuk është krijuar një front i përbashkët i të gjithë faktorëve dhe institucioneve kryesore kundër kësaj gjëme. Nuk është ndërmarrë, përshembëll, asnjë aksion i koordinuar i të gjitha partive politike dhe strukturave të tyre. Në jo pak raste, edhe thjesht për të mos humbur vota, disa nga këto struktura mbrojtëse të të korruptuarve të denoncuar publikisht sidomos nga rivalët. Edhe pse jo njëherë kanë premtuar se dinë ta dallojnë të ndoturin nga ngjyra e zezë dhe jo se politikisht është ‘i kuq”, “rozë”, “i kaltër” apo “gjakblu”. Hyrjen masive të kapitaleve dhe investimeve të huaja në Shqipëri nuk e pengon aspak çështja e stabilitetit të brendshëm (tashmë jemi një vend shumë i qendrueshëm), as se jemi popull i plogët në punë (mjafton që shqiptari të pikasë një punë, sepse pastaj vetëm vrapon). Apo se vjedhim (numëri i hajdutëve tek ne është në një mezatara pothuaj “evropiane”). Të gjitha anketat dhe hetimet pikojnë në një frenues të investimeve të huaja: Korrupsionin e lartë. Heqja e gurëve nga muri i vetëm i madh që kemi mes nesh dhe që po na pengon seriozisht në rrugëdaljen e vetme të prosperë që kemi, integrimin në Bashkimin Evropian, nuk mund të vonojmë aq sa Shqipëria të zhndërrohet në një “diktaturë virtuale”. Pra të rikthehemi në një shoqëri të hapur që mbyll vetveten.
Por në rast se Korrupsioni mbetet një mur, të cilin duhet ta shembim ne, shqiptarët, që pastaj të ndodhë që edhe vendet e zhvilluara të Perëndimit të përveshin më shumë krahët e të na largojnë edhe ata “gurë” të mbetur të Murit të Berlinit, ringritja e murit të ri të çështjes së pronave do të ishte krejtësisht e panevojshme. Për vetë këtë. Për këtë rendësi të jashtzakonshme që ka për vetë sistemin kjo çështje kërkon shumë konsensus dhe mjaft durim, bashkëpunimin dhe tolerancën më të madhe. Nga shumica dhe opozita. Pa një front kombëtar kjo çështje do të mbetet një mur i dytë, një cikël vetvrasës me në ballë pakënaqesinë “kur të vijmë ne në pushtet do ta ribëjmë ligjin”. Po u blokuam tek ky mur i ri kurrkush në zemër të kontinentit nuk do të vërë dorë për heqjen e gërmadhave të mbetura nga muri i madh i Luftës së Ftohtë në kufirin tonë me BE-në. Do të na mbajnë nën observim, siç e kishte merakun e vet ai analisti i cituar në fillim të shkrimit.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|