Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Niperit tane neper bote, keta arberore te harruar

Korrieri, 3 shtator 2004

Femijët e vegjël poshtë pallatit tonë, të zhurrmshëm ca prej natyrës së moshës njomzake e më shumë se nuk gjendet përreth asnjë kend për të luajtur, varin kembët mbi bordurat e shkallëve dhe flasin të gjithë njëherësh. Të tregojnë me kembë e duar një vocrrak jo më shumë se tre-katër vjeç, i cili dëshiron të rrijë me ta, por prej diçkaje që në fillim nuk është e kuptueshme, druhet. Ai është i zeshkët, por nuk mund të’mos i dallosh në fytyrë edhe një zbehtësi të lehtë tronditjeje. “Ky është grek” thërret vogëlushja Eda, duke e treguar me gisht. “Po, po, grek është” e ngrejnë zërin imcakët e tjerë, tamam si në kor. “Po pse është grek?” i pyet. Zbehtësia e vocrrakut që rri mënjanë, të angushton zemrën nga një parandjenjë jo e mirë. “Po ja, është grek” të përgjigjen “ka ardhur tek ne për pushime”. Ti që i pyet dhe merr këto përgjigje ndjen se “të kërcen një damar i keq”. “Po ky është një shqiptar e bir shqiptari” u thua. “Thjesht është një emigrant në Greqi” vijon ligjëratën. “Po, po” ta kthen Eda “shqiptar është, por nuk flet asnjë llaf shqip”. Ajo është një çupë e bukur, përherë e krehur me kujdes dhe të zhbiron në sy me vështrimin e saj të zgjuar. “Nuk thotë asnjë llaf shqip” përsërit. Duket e pezmatuar. Atë çast vocrraku i ardhur për pak ditë pushimesh nga Greqia shqipton fjalët “U jam shqiptar”. Kthehesh vrulltaz nga ai për ta parë se çfarë ndodhi në fytyrën e tij kur tha ato fjalë solemne. Mezi i kishte shqiptuar, formuluar mjaft vështirësisht, duke bërë një përpjekje të mundimshme, gati të dhimbshme. “U jam shqiptar” përsëriti disi më lehtësisht vocrraku, si të kishte hequr një barrë të rëndë. “U jam shqiptar” tha për të tretën herë, por kësaj rradhe në mënyrë melodioze, si një kengë. Në skaj të syve rrezëlliu prag lotësh.
Një Perëndi e di se çmund të provojë një “gjysh” tek dëgjon një nip të tij, të ardhur në Shqipëri për vetëm pak ditë pushimesh vere, ta thotë gjuhën e vendit të vet me kaq mundim dhe krenari. Me siguri që atë çast do të braktiste çdo zanat apo angazhim tjetër dhe menjëherë do të niste punën e mësuesit të klasës së parë. Si amator, pa ditur asgjë nga ky art, e megjithatë do ta niste. Për ta shpëtuar nipin apo mbesën e tij nga tjetërsimi. Për të mos e lenë që të bëhet grek, italian, francez, amerikan, gjerman…Sepse këta vogëlushë të lindur e rritur në një botë më të zhvilluar nga kjo jona (ah, e prapa, që na ndau përsëgjalli nga nipërit e mbesat!), duhet të jenë shqiptaro-grekë, shqiptaro-italianë, shqiptaro-amerikanë, shqiptaro-gjermanë…Duhet të jenë ngulmësisht të tillë jo në emër të ndonjë nacionalizmi provincial apo ballkanik, por në emër të Evropës së Bashkuar. Në emër të këtij komuniteti të përparuar, në emër të familjes sonë të madhe, të cilës shpirtërisht që kur kemi krijuar identitet, i përkasim.
Në pallatin tonë gjendet edhe Kristiani. Sapo ka mbushur katër vite dhe ka ardhur nga Italia. Nuk është nga ata të çdovitshëm që mbërrijnë në fundkorrik apo fillimgusht për vetëm dy javë, por ka tre muaj. Puna e parë që bëri e gjyshja dhe daja ishte fillimi i mësimit të gjuhës shqipe. Punojnë “ngavash, ngavash”, siç thonë këta dy “mësuesë” të tij, por duke përparuar përditë. Nisur nga fjala “bukë” e “ujë”, tek “mishi” (Kristiani e pëlqen shumë mishin) dhe më pas tek formulimi i fjalës “shok” apo “amiku” (për Kristianin një shartim i shqiptares “mik” me atë italiane, edhe nga etimologjikisht rrjedh, “amiko”). Tani shqiptaro-italiani katërvjeçar, i cili kur lindi në një qytet verior të Gadishullit Apenin, përreth tij nuk kishte asnjë gjurmë të viseve të vendit të prindërve të tij, arrin të thotë pjesërisht frazën “lula më bukura mama ime” (lulja më e bukur është nëna ime).
Mua që më ka rënë rasti të bashkëflas me arvanitas në Greqi dhe me shumë arbëreshë në Itali, tek dëgjoja vocrrakun shqiptaro-grek, të cilit nuk ja mësova dot emrin, ashtu edhe shqiptaro-italianin Kristian, përshtypja e sigurtë ishte se shumë nga nipërit e mbesat tona të lindur jashtë vendit, në rastet kur bëjnë përpjekje për të mësuar gjuhën e prindërve të tyre, e bëjnë këtë në një formë disi antike. Pothuaj si arvanitasit dhe arbëreshët, shqiptarët që shkuan e jetuan në tokat helene apo italiane që në shekullin e pesëmbëdhjetë. Nipërit e mbesat tona përtej kufirit tashmë nuk janë shqiptarë që mësojnë greqishten apo gjuhën italiane, por grekë dhe italianë që mësojnë shqipen.
Për këtë gjendje një shtet si ky i yni, madje edhe një bashkësi si kjo e jona, nuk mund të mburren. Sigurisht nuk është akoma situata që të nxjerrim në majë të gjuhës klithmën “ky është një turp kombëtar”, por alarmi duhet të tendosë shumë nga zyrat e Pallatit tonë qeverisës. Pallatit të Pushtetit, të cilit emigracioni i ruan ekuilibrat e financave, të buxhetit e të bankave. Pallat që akoma gjendet në debatin mëdyshës se duhet të kemi një ministri të posaçme për shqiptarët jashtë vendit apo mund të mjaftohemi me vetëm një Institut Diaspore brenda strukturave të Ministrisë së Punëve të Jshtme.
Kjo gjendje duhet të shkundë rehatinë e mjaft organizatave komode joqeveritare. Të shungullojë e ngrejë në kembë parlamentin. Të prekë në sedër e t’u turfullojë partive. Të zgjojë nga rutina shkollat dhe universitetet. Të nxisë shkrimtarët dhe publiçistët. Të vërë në sedër kengëtarët dhe poetët. Sepse në këtë botë të madhe, ku proçeset globalizuese që vërtiten përreth nesh si gjiratore të stërmëdha, po të të gjejnë të dobët, të gëlltisin e shuajnë pa nam e nishan. Prandaj mësimi i gjuhës shqipe për të gjithë fëmijët e bashkëkombasve tanë të diasporës së re të pas vitit nentëdhjetë është “urdhër dite”. Gjuha është e vetmja urë që na ka mbetur me pasardhësit e afro 1 milionë bashkëkombasve që na kanë ikur për një jetë më të mirë këto katërmbëdhjetë vite. Pas një dekade këta fëmijë të lindur nëpër botë nga prindër shqiptarë ose prej vetëm njerit nuk do të jenë më pak se një milion bashkëkombas të tjerë, shtuar një milionit të ikur. Në mos do të bëhen më shumë. Një gjeneratë me mendje e kulturë demokratike të përndritur. Një brez i përzgjedhur, të cilin Shqipëria, për jo pak probleme të prapambetjes së saj, nuk do ta kishte krijuar dot po t’i kishte mbajtur këtu. Pas dhjetë vitesh, deshtë të paktën Zoti, ne mbase jemi bërë realisht pjesë e Evropës së Bashkuar, por nipërit tanë janë anëtarë të saj që tani. Sëbashku prindër dhe fëmijë të tyre janë numerikisht jo vetëm sa një Shqipëri e dytë, por edhe gjysma e kombit tonë e hyrë në BE. Vetë pararoja.
Ja përse lufta për mësimin e gjuhës shqipe tek ta ka marrë vlerën e pazakonshme dhe jetike të periudhës sonë të Rilindjes. Duke mbartur me vete një përmbajtje e mision të tillë mësimi i gjuhës amtare nuk mund t’u lihet vetëm gjyshërve apo prindërve që masivisht, përveç disa snobëve e të paditurve, e bëjnë realisht këtë përpjekje fisnike kombëtare. Ky kontribut i tyre është vigan, për fat mbetet kryesori. Sepse do të zgjasë jo vetëm me dekada, por edhe me shekuj. Në vitin 1999 një miku im ka arritur të regjistrojë në një shtëpi arbëreshësh në Piana dei Albanesi, në periferi të Palermos, në Siçili, një fëmijë që kërkonte ujë për të pirë dhe e gjyshja nuk i jepte. Vogëlushi ujin e kërkonte në gjuhën italiane (shqiptonte “akua”), në gjuhën e vendit kur prindërit dhe stërgjyshërit e tij jetonin prej më shumë se gjashtë shekujsh. Por arbëreshja e vjetër, në rast se i vogëli donte të shuante etjen, i përsëriste ngulshëm ta thoshte në të folmen e vet arbërore “Thomi uji!”.
Ndërkohë të mos na shkojë mendja se mësimi i gjuhës shqipe për nipërit tanë arbërorë nëpër botë do të ndeshë në rezistencën e kombeve, popujve, qeverive apo institucioneve të vendeve të zhvilluara, ku fatmirësisht shqiptarët e pasviteve nentëdhjetë kanë bërë zgjedhjen e emigrimit të tyre. Po ndodh e do të vijojë e kundërta. Tashmë nëpër vendet e BE-së dhe në SHBA harrxhojnë për ruajtjen e gjuhës dhe të vlerave kulturore të pakicave fonde shumë të mëdha. Vetëm një krahasim me shpenzimet që, përshembëll, shteti italian ka bërë për botimin e librit të gjuhës arbërisht (dhe shqipes moderne), libër kendimi i quajtur °Udhëtimi”, do të na “turpëronte” në Tiranë.
Nipërit tanë përtej kufijve, gjeneratë dy apo shumëgjuhëshe, me një zotërim të mirë të të folmes amtare, shumë shpejt do të zhndërrohen në “qeverinë” e dytë reale që do të shpejtojë integrimin tonë në familjen e vendeve të zhvilluara. Jo larg prej këtij çasti, siç dëgjojmë të ndihen emrat e mirë të kengëtarëve, balerinëve, futbollistëve, piktorëve, do të jemi dëshmitarë të euro apo amerikanoshqiptarëve të shquar në shkencë e bisnes. Pse jo edhe në qeverisjen e komunave, qyteteve apo edhe vendeve të tjera. Për shekuj me rradhë prej gjakut e mendjes sonë kanë dalë Papë e Perandorë romakë e bizantinë, kryeministra e ministra të Greqisë, Turqisë, Egjiptit e Italisë. Në zyrat e larta të Brukselit, kryeqytetit të Bashkimit Evropian, shumë shpejt do të punojnë plot autoritet edhe mbesat e nipërit tanë.
Jemi ne mbrapa, jo vocrrakët tanë nëpër botë. Përderisa shoqëria jonë arriti që nëpërmjet nismës private të ngrejë disa televizione, të cilat transmentojnë emisionet e tyre nëpërmjet satelitit, edhe qeveritë apo klasa politike mund të shpejtojë nën këtë shembëll. Televizionet i ngritën °shkollat” e mësimdhenies së gjuhës shqipe, strukturat e Shtetit akoma mëdyshojnë, ende mbeten me statukuonë e mungesës flagrante të strukturave të organizuara kulturore jashtë vendit. Në udhëtimet e shpeshta jashtë jo pak qeverisës dhe opozitarët e tyre takimet me bashkësitë e emigrantëve apo vizitat tek më të shquarit e tyre i kanë gjeste të rralla, disa herë të dorës së dytë, pse jo edhe krejtësisht të harruara. Në Tiranë nga ky emigracion pëlqejnë të takojnë para kamerave pothuajse vetëm përfaqësues që u japin personalisht apo partive të tyre mbështetje politike. Lumturisht duke bërë këto ditë përjashtim veprimtaria “Ti Shqipëri me jep nder”, mbajtur në Pallatin e Kongreseve.
Gjaku ynë, i cili thjesht për nevoja ekonomike e la Shqipërinë, nuk mund e nuk duhet të zhndërrohet në °gjak të shprishur”. Dhe në një botë moderne “gjak” nuk është kultura e epërsisë mbi popujt e tjerë, ca më pak ajo e nacionalizmit primitiv. Eshtë e barabarta mes të tjerave, vetëm gjuha e mëmëdheut.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com