|
Reformimi i reformimit time nuk eshte reformimi im
Dita, 22 shtator 2004
Kur një perfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian në Tiranë të thotë se duhen më e pakta pesëmbëdhjetë vite që të mund të çapitësh deri në hyrjen e plotë në këtë bashkësi, kjo nënkupton se puna e parë, e cila duhet të bëjë urgjentisht një qytetar shqiptar, është të reflektojë seriozisht. Të reflektojë jo sepse njeriu që e shqiptoi këtë fakt njihet si një nga ata të huaj, të cilët dallohen për aftësi analize. As se mbetet i provuar në respektin për shqiptarët dhe në angazhimin e sinqertë që proçesi ynë i eurointegrimit të ndihmohet sa më shumë. “Më e pakta pesëmbëdhjetë vite” (siç u shpreh zoti Saltzman) për të mbërritur gjer në statusin e anëtarit nuk janë pak kohë, përshembëll një grusht vitesh dhe kaq. Madje këtë afat aspak të afërt ai e kushtëzoi me frazën “edhe kjo varet nga fakti nëse nuk ndodhin më faza shqetësuese në vend”. Një kumtim që nga ana e vet, po të dalë një profeci aspak e dëshirueshme, e shtyn këtë akt gjer në humbjen e plotë të shpresës së shqiptarëve.
Pikërisht këtu, tek shpresa, tek motorri i vërtetë për një të ardhme më të mirë, qendron edhe nevoja e ngutshme që e gjithë shoqëria jonë të reflektojë e të bëhet e ndërgjegjshme se kësaj rradhe mund të rrezikojë rendë. Se mund ta humbasë rastin fatlum, siç ka bërë e ka pësuar rëndom në mjaft kthesa të historisë së saj të trazuar. Pak muaj më parë Ministrja e Integrimit Evropian Ermelinda Meksi deklaroi se në rrugën e gjatë të plotësimit të kushteve të Shqipërisë për të hyrë në BE “faza romantike” kishte përfunduar. Ishte një e thenë e kujdesshme, mjaft elegante, por disi “diplomatike” për t’i kumtuar opinionit se duhej t’i jepte fund ëndërrave të tij utopike, siptoma të mbjella nga dikur format e edukimit komunist. Apo të ndahej njëherë e mirë nga ajo sindromë e njohur e një plogëtie dhe apatie karakteristike kombëtare. T’i japësh fund “fazës romantike” do të thotë mbi të gjitha që të mos e katandisësh të gjithë këtë proces të ndërlikuar reformimi të vendit në një datë sa më të afërt kur kufijtë me Bashkimin Evropian do të hapen dhe secili nga ne nuk do të ketë të bëjë më me atë kalvar tmerri, i cili quhet marrje e një vize. Thjeshtëzimi i eurointegrimit nga çdo bashkëqytetar për nevoja thjesht utilitare apo edhe i banalizimit të pashoq që i bëhet nga shumica e partive politike për qëllime elektorale, mbeten tani për tani pengesat kryesore të “bllokimit” të vendit. E futim nën thonjëza këtë fjalë jo aq shumë për ta bërë relativ këtë koncept të bllokimit, por për të theksuar se konkluzioni i mikut të huaj nuk hyn në një rast rutinë. Ai është shqiptuar në një çast kyç. Në një moment ku njeriu i Brukselit dhe bashkë me të edhe shumë kolegë të tij me autoritet, mund të thonë të brengosur “Pas kësaj e paçi veten mëqafë!”.
Duhet të pranojmë se tradicionalisht jemi një popull dhe një komb që nuk kemi patur në historinë tonë prijësa reformatorë. Citimi i Skendërbeut apo së fundi edhe i Ahmet Zogut, si kryetarë që kanë realizuar disa reforma mes shqiptarëve, mbeten shembuj të vakët. Thjesht ata mund të konsiderohen të pajisur me një tharm reformator më shumë se disa të parë të tjerë tanët. Në thelb historia e shtetit tonë është prirja për mosreformim të tij. Edhe në ditët e këqija të diktaturave bolshevike shumë vende të eurolindjes bënë përpjekje të “reformonin” realkomunizmin, madje një ndër nismëtarët e këtij proçesi ishin vetë “baballarët” e sistemit, rusët. Ata që në vitet pesëdhjetë të shekullit të shkuar nismuan kursin hrushovian të “bashkekzistencës paqësore” dhe më pas me Gorbaçovin tentuan “gllasnostin” (transparencën) dhe “perestrojkën” (ristrukturimin, reformimin) E dimë të gjithë ne që e kemi jetuar atë kohë, se paralelisht me këtë zbutje të diktaturave bolshevike në eurolindje ajo shqiptare konservohej, shformohej dhe egërsohej më shumë.
Fytyra e mosreformimit tonë tradicional (ose e reformimit tonë përtac dhe pa ritëm, pa pasion e perspektivë të qartë) erdhi një ditë e deshi një pasqyrë të madhe që të nxirrte açik: Bashkimin Evropian. E kishim përballë, nuk mund t’i shmangeshim as më 1991, as më 1992, as më 1997 e ca më pak tani, më 2004. Po ashtu prirja shpirtërore e shqiptarëve ishte e mbetet thellësisht proevropiane, asnjë qeveri nuk mund e nuk do të guxonte t’i shtynte ngjarjet në të kundërtën. Edhe rendi i ri botëror e rrethanat e reja gjeostrategjike na shtynin drejt BE-së. Si të thuash “të gjitha rrugët na çonin drejt Brukselit”. Por që të bënim pjesë në këtë bashkësi na duhej të plotësonim një thes me rregulla. Disa paketa që vinin njëra pas tjetrës e nuk të linin “të merrje frymë” apo “t’ia fusje një sy gjumë”. Fati dhe shtrengimi ynë kësaj radhe ishte se pa patur ende një traditë e kulturë kombëtare për refomimin e shtetit, shoqërisë e të vendit në Tiranë, vetë Reforma na erdhi nga qendra e kontinentit. E plotë, e detajuar, e rregulluar në afate elastikë, e inkurajuar politikisht, e mbështetur financiarisht. Mendërisht ne nuk ishim gati për të, por të paktën kishim boll dëshirë, popull i thjeshtë dhe elitë. Kështu që prej fundvitit 1990 reformimi i shtetit gjysmëshekullor enverist nisi me pluralizmin, jetën parlamentare, reformën e tokës, privatizimin e banesave dhe të ekonomisë, nxitjen e tregut të lirë, kërkesën e parë në eurolindje për të hyrë në NATO, paketën kushtetuese dhe më pas me kushtetutën e re, “shengenin” ballkanik, plotësimin një për një të kushteve që vinte Brukseli gjer në përcaktimin e ditës kur do të firmosej Marrëveshja e Asocim-Stabilizimit.
Në rast se do të krahasojmë, thjesht për qëllime metodike, periudhën 1991-2004 me çdo segment tjetër të historisë tonë, do të konstatojmë që Shqipëria këtë moment të jetës së saj e ka më intensin për vetëreformim. Madje është një periudhë arritjesh reformuese që nuk mund të krahasohet as me të gjithë vitet e para nentëdhjetës të shtetit tonë të ri. Atëhere çfarë ka ndodhur që ky proçes tashmë po përbën shqetësim për vetë nismëtarët dhe autorët e superpaketës reformuese? Në shpjegim të saj evidentohen kontradikta të qeverisë aktuale me Brukselin (thuhet për hir të raporteve të ngushta me amerikanët!?), nënvizohet predispozicioni jo i mirë i ndonjë kabineti qeveritar në Perëndim, vihet në dukje lufta e brendshme e brutaltë politike, niveli akoma i lartë i korrupsionit dhe i krimit. Nuk mungon si kryeshpjegim edhe cenimi sistematik që i bëhet mekanizmit të zgjedhjeve të lira nga pjesa dërmuese e klasës dhe partive politike.
Por që të jemi sadopak të kthjellët për të gjitha argumentat realistë që tentojnë mënçurisht shpjegimin e dukurisë, na duhet të sqarojmë se kontradiktat apo rivalitetet e mundshme mes Uashingtonit dhe Brukselit nga asnjëra palë nuk kanë shkuar deri në ndonjë përpjekje për të frenuar apo penguar aderimin e Shqipërisë në familjen e madhe evropiane. Çdo vit e më shumë ka ngjarë e anasjellta. Vektori pozitiv ka sunduar edhe prirjen përherë e më masive të shumicës së vendeve anëtare të BE-së, përfshi dukshëm edhe vendet fqinj, për të ndihur eurointegrimin e Shqipërisë. Po ashtu lufta e brendshme politike tek ne është bërë më parlamentare e demokratike, duke spikatur me këtë rast edhe përmirësimet e ndjeshme në kulturën e opozicionit. E vërtetë është që krimi po sofistikohet, por ai po luftohet me ligje të reja (madje edhe fizikisht) më shumë se më parë. Korrupsioni mbijeton dhe mbetet vërtet kërcënues në një grup personash, veç në jetën e përditshme, në kulturën e përgjithshme, ka prirje të refuzohet përditë e më shumë. Sigurisht të gjitha këto arritje nuk mund të quhen absolutisht suksese. Ato në thelb mbeten akoma plagë që mund të sëmurin të gjithë shoqërinë shqiptare dhe të kompromentojnë rendë modelin demokratik që po inspirojmë të ndjekim.
Problemi ynë dhe kriza jonë është ajo pasqyra “kokëfortë” e Brukselit. Ajo nuk mund të pranojë lojën e të treguarit me gisht të një penguesi reformash nga një tjetër të njohur si të tillë. Kapërximi i stanjacionit kombëtar lyp mentalitetin e përpjekjes së përbashkët “reformimi i reformimit tim është edhe reformimi im” dhe jo “reformimi i reforimit tim nuk është reformimi im”. Reformimi bashkëkohor i Shqipërisë mbetet çështje ekskluzive e një pakti kombëtar, ai nuk mund të hidhet si prehë e bëhet viktimë e nervozizmit politik dhe banalitetit të përditshëm. Kur ajo nxirret përtej përbaltjes së rëndomtë të garës politike dhe spikatet madhërisht e vlerë mbipartiake, vetvetiu realizon më shkoqur edhe ndarjen e përgjegjësisë. Kjo e fundit më lehtësisht shkon tek ai që ka mjetet e pushtetin qeverisës se sa tek ata që zotërojnë vetëm mundësinë e kritikës.
“Karburanti” ynë i ëndërrës utopike shterroi, u fik flaka e fazës romantike, ka kohë që nuk rrezaton më energji as vetëm të qënit proevropian. Eshtë koha kur duhet të vihen në punë me cikël të plotë motorrë të tjerë të lëvizjes përpara: opinioni publik, elita kombëtare, lëvizjet e ndryshme qytetare. Vetë klasa politike, e akuzuara kryesore e frenimit. Qeveria aktuale dhe të ardhmet, gjithsecila përgjegjëse për kohën e vet.
Në këtë moment sforcoje për të dalë nga pauza e reformimit merr rendësi jetike realizimi i zgjedhjeve të padhunuara nga askush, ngjarje që ka bllokuar çdo shpresë tek shqiptarët dhe çdo humor pozitiv në Bashkimin Evropian. Për fat të keq lëshimi i ri i mekanizmit të reformimit të Shqipërisë ka mbetur e gozhduar në këtë ndodhi. Kaq të zakonshme dhe po kaq fatale.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|