Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Rikthimi i Liri Belishoves dhe i pendeses

Sot, 4 korrik 2004


Të fortët janë gjithnjë të fortë. Si servilët gjithnjë servilë, mercenarët përherë mercenarë, hajdutët po ashtu. Shumë bashkëkombas që shprehin shqetësimin dhe habinë se si, pasi kanë rrjedhur plot telashe katërmbëdhjetë vite pasdiktaturë, emrat e nomenklaturës së saj akoma mbijetojnë pothuaj në shumicën e medias, nuk kanë pse të habiten. Janë të gjallë të gjallët e tyre dhe të vdekurit. Kjo ndodh për shumë arsye. Mjaft dihen, ndonjë edhe nuk kuptohet. Si përshembëll fakti që si rregull speciet e forta janë përherë qënie të forta e nuk munden lehtë. Fitimtarët si rregull mbeten fitimtarë. Ata humbin vetëm përkohësisht. Rikthimi i përhershëm i nomenklaturës së vjetër, tashmë vetëm nëpërmjet imazhit të kujtimeve, ringacmon faktin jo pak të harruar se edhe kur regjimi stalinist shqiptar binte, nismëtarët e kryesorë të shembjes së tij vinin ato çaste kryesisht nga bijtë e kësaj nomenklature.
Liri Belishova në këtë jetë dhe në këtë Shqipëri është një nga të fortët. Tashmë, pasi ka përjetuar një nga internimet më të egër dhe ka vuajtur skëtershëm larg syve shuarjen e jetës së vajzës së saj, pasi më në fund është mplakur e kërrusur, ajo arriti të rikthehej kohët e fundit në një lloj “bestselleri” të medias së vendit të vet. Liri Berlishova nuk duhet të ketë qënë aspak më e famshme në kulmin e karrierës së saj politike në vitet pesëdhjetë se sa tani, në mes të vitit 2004. Ky eliksir i ringjalljes së saj, i rikthimit të saj triumfues, vjen nga vetë qënia e saj, individ po aq rezistent sa edhe i mprehtë intelektualisht. Tani, në rast se do ta ndeshësh në rrugë, do ta shohësh me një çantë pune në dorë. Ka brenda libra dhe gjithfarë shenimesh. Në shtëpi, në tryezën e saj, kamerat dëshmojnë të njëjtën gjë. Fletët, stilografin, librat mund t’i shohësh sërish kur televizionet e intervistojnë në studiot e tyre. Ndërkohë Liri Belishova jep përgjigjet e saj të kthjellta pa harruar që herë pas here të theksojë se shumë dokumenta i ka lexuar më vonë, pas viteve nentëdhjetë, dymijë. Ajo nuk dëshiron jo vetëm t’i vdesë, por as t’i ngrijë kujtesa.
Që rikthimi vital i një ish-byroisti komunist në mes të erës së fortë të pluralizmit shqiptar përbën një dukuri interesante, kjo nuk mund të dyshohet. Por duke qënë një ringjallje personale e emrit të saj do të ishte më e dobishme për lexuesin që t’i veçonim rastit Belishova një mesazh të nevojshëm për kohën: Pendesën. Pyetjes në ndihej përgjegjëse për faktin se kishte qënë pjesë e mekanizmit të diktaturës, ajo i është përgjegjur publikisht me fjalët “Shume të madhe”. Pastaj argumentat: “Ne nuk i realizuam premtimet që i dhamë popullit për një Shqipëri demokratike dhe të begatë”, “Ne i shkaktuam popullit shumë dëme dhe pjesa më e dhimbshme patjetër kanë qënë represionet”. Pyetjes se “megjithatë, ende askush, nuk ka kërkuar një falje publike” Belishova i përgjigjet \"Falje duhet t\'i kërkojnë popullit të gjithë ata që kanë qënë antarë të Partisë e sidomos udhëheqësit e saj. Veçanërisht ata që personalisht janë përgjegjës për faje të renda e krime”. Pastaj citon se nga përfaqësuesit e sistemit të kaluar falje publike kanë kërkuar deri tani Bedri Spahiu apo Rahman Parllaku. Ajo vetë: “Une gjej rastin edhe njëherë të kërkoj ndjesë, t\'u kërkoj falje jo vetëm viktimave, por gjithë popullit tim, sepse duke u nisur t\'i bënim mirë popullit, i shkaktuam shumë dëme”.
Gjithsesi mbetet një pyetje e vështirë për të marrë një përgjigje të sinqertë se çfarë proçesi do të ndodhte me Liri Belishovën në rast se mekanizmi i luftës së brendshme mes krerëve të regjimit komunist nuk do t’ja kishte prerë që në fillimet e veta karrierën komuniste e do ta kishte mbijetuar gjer në dhjetor 1990, kur nisi tërmeti studentor. Sigurisht do të ishte shumë më bindëse që një shqiptareje karakterfortë si Liri Belishova ndjenja e pendesës publike t’i vinte pa kaluar e provuar vetë “ferrin”. Një ish-byroist apo komunist të njohur të tillë, të penduar, Shqipëria ende nuk e ka. As mes krerëve të saj më të lartë, as tek të gjendurit në shkallë më të ulta të diktaturës. Kjo gjendje, edhe pse shkurajuese për shoqërinë e hapët që po konstruktojmë, vjen nga shumë faktorë kompleksë. Mbi të gjitha sepse ende mes nesh akti i pendimit konsiderohet ose si bjerje e shburrërim ose si hipokrizi. Duke qënë një popull disi kryelartë ne pendimin e kemi më të lehtë ta ndjejmë, por aspak ta shfaqim. Zgjedhim ta kryejmë pa fjalë e pa deklarata. Shpesh heshturazi. Duke punuar e jetuar ndershëm. Pa i rënë më qafë njeriu. Sidomos atyre që njëri apo tjetri regjim padrejtësisht i goditi. Nuk ka si të kuptohet ndryshe, veç si një pendim në heshtje fakti që edhe shumica e ballistëve kolaboracionistë të pushtuesve të Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk kanë kryer publikisht asnjë gjest pendese. Në nentor 1944 ishin bashkëkombas jo vetëm komunistët, të cilët ende nuk e dinin se realiteti që projektohej për vendin e tyre do të ishte një diktaturë, por edhe ballistët e shumtë, të cilët u bënë bashkëpunëtorë i dy të këqijave më të mëdha të kohës: dy pushtuesve njeri pas tjetrit, të cilët ishin njëkohësisht edhe fashistë. Pra eskportues të diktaturave pushtuese, por edhe përfaqësues në vendet e tyre të vetë regjimeve diktatoriale. Pendesë mes disa të spikaturve shqiptarë nuk gjen as për vitin e mbrapshtë 1997. Me një fjalë mes nesh të gjesh të penduar është si të kërkosh gjëlpërën në kashtë. Në këtë kuptim gjesti i pendesës i bën nder Liri Belishovës dhe kujtdo tjetër që e kryen, por jo patjetër mungesa e tij përbën provë se personi është një kanosje të re shoqërore. Shumë të penduar të heshtur kanë arritur më pas të punojnë e t’i shërbejnë vendit të tyre me aq shumë vetmohim sa nuk kanë arritur ta realizojnë këtë gjë edhe shumë nga ata që fati, koha, zgjuarsia dhe jo pak rrethana të dorës së dytë i kanë bërë të mos kenë për çfarë t’i pendohen shoqërisë ku jetojnë.
Të rikthyerës fuqishëm në media dhe opinion, Liri Belishovës, shpallja e kërkimi të falur ia hijeshon edhe personalitetin. Bindëse për aktin e saj nuk është tmerri që i kaloi shpirti në internimin e gjatë dhe të rendë, por argumentat që i parashtron logjika e saj. Kjo e dallon dhe e ndan këtë ish-komuniste nga moda e komunistëve të ndryshuar e rinovuar brenda njëzetë e katër orëve. E veçon nga ata bashkëideas që nga ish-komunistë të thekur u shndërruan në brenda disa orëve në antikomunistë të përbetuar. Tamam kur u pa sheshit se diktatura ra dhe lypej të mos humbitnin privilegjet e mëparshme.
Duke mos patur masivisht komunistë apo ballistë të penduar, ne mund të arsyetojmë se përshfaqjen e tyre e ka penguar shumë edhe lloji i shtuar i kameleonëve. Për shkak të këtij sharlatanizmi të përhapur akti i pendesës publike bëhet i vështirë e i pabesueshëm për shumë individë, të cilët do ta dëshironin sinqerisht një rrethanë lehtësuese për të shpallur ndjesën e tyre.
Duke e shqiptuar pendimin e saj para të gjithë bashkëkombasve Liri Belishova jep një shembëll se si mund të dëshmohet që një njeri realisht ka ndryshuar. Këtë grua të fortë e që di të jetë fitimtare, e ndihmoi në këtë transformim e reformim kalvari i dhimbshëm i vuajtjeve, por mbi të gjitha një analizë e thellë e asaj që na ndodhi për një gjysëm shekulli. Komunistë e ballistë të vuajtur e të pareformuar gjen plot. Po ashtu edhe të penduar, por që nuk kanë arritur dot të revizionojnë pikëpamjet e gjykimet e tyre për një realitet të gabuar. Akti i pendesës së Liri Belishovës pikërisht për këtë harmoni të vuajtjes dhe të analizës përbën një rast universal.

Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com