Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Vjeshta, a do te kete 100 dite armepushim?

Ballkan, 27 gusht 2005

Togfjalëshi “tranzicion i butë” si edhe formulimet e ndryshme politike të opozitës së rikthyer në qeverisje me në brendësi këtë koncept, të lënë përherë e më shumë përshtypjen se kemi të bëjmë jo me një slogan elektoral, por me një strategji të përpunuar ftohtësisht e gjer në hollësi. Dyfjalëshi “tranzicion i butë” ka tranzituar, që prej 4 korrikut, kur bëri dukjen e parë, vetëm në disa kontekste të veçuara, kryesisht duke filluar nga “në administratë do të ketë një tranzicion të butë” deri edhe tek shprehja më e re “do të kemi një kalim të butë të pushtetit”. Eshtë mënyra se si bën silhuetë kjo gjysmëfrazë elegante dhe mjaft paqësore që të detyron të mbash sytë të ngulur tek ajo. Duke bërë me vete disa herë pyetjen se çfarë në të vërtetë përmban e fsheh një teori e sidomos praktikë e formuluar kështu. Me politikushtruesit ca më shumë duhet të jesh dyshues e verifikues për ato që thonë, sepse hyn në arsenalin e tolerueshëm të mjeteve të tyre të garimit edhe mveshja e veprimeve me cipa apo tise mjegullorë, të mëdyshtë, shumëkuptimplotë, të manovrueshëm e të përthyeshëm, të ndërrueshëm që në rastin më të parë. Nuk është se “nga e thëna tek e bëra ndan një det i tërë”, por sepse çfarë do të bëhet është gjithnjë thelbësore. Një shembëll i përfërt me teknika të tilla komunikimi të programeve politikë mund të gjendet pak vite më parë, kur shumica tashmë e rikthyer në opozitë, formuloi konceptin e meritokracisë. Se sa ishte cipë apo tis, sa e vërtetë e sa truk, sa spektakël dhe sa realitet, secili prej nesh mund të nxjerrë një përfundim si u zbatua në praktikë kjo teori. Pra si u bë. Sikur edhe vetëm në grupin politik që e hodhi në tregun e konkurimit të programeve këtë platformë, tek e quajtura “Aleanca për Shtetin”, të vëzhgosh, gjen jo një rast kur parti politike, përbërëse të saj të djeshme, siguruan vota dhe numra deputetësh aspak sipas meritës së formacionit të tyre partiak. Dhe aspak sipas një kulture “meritokratike” kryen aleancat e ribashkimet e reja.
“Tranzicioni i butë”, “në administratë” apo “në kalimin e pushtetit”, lë edhe përshtypjen se nuk do të zbatohet strategjia e mëparshme e këtij grupimi politik në mandatet e viteve 1992 dhe 96, ku u përdor masivisht e quajtura “terapia shok”. Ky koncept, atëhere e riformuluar me teorinë e “fillimit nga zero” apo e justifikuar me proçesin e “dekomunistizimit”, krijoi probleme të mëdha në pothuaj të gjitha fushat, duke filluar nga ajo administrative e deri në ekonomi. Në mandatin e vitit 2005 e njëjta forcë e bashkim politik e refuzon praktikën e mëparshme dhe shpërndan kumtin e ri, në formë krejt të kundërt me të: “tranzicion i butë”. Atëhere, kur teorikisht dhe praktikisht formulohej e zbatohej me kembëngulje “terapia shok” shumë analistë, politikstudjuesë e deri edhe vetë ushtrues të politikës, bënë të ditur që në praktikat e të gjitha vendeve paskomuniste po praktikohej jo një por dy metoda të kapërximit të periudhës së tranzicionit nga diktatura në shoqërinë e hapur. Ishte “terapia shok” dhe “terapia graduale”. Por grupi politik drejtues në qeverisje në Shqipëri nuk e pranoi mënyrën e dytë apo një të mesme mes të dyja dhe kjo ishte zgjedhja e saj. Periudha 1992-1997, duke rilevuar jo pak suksese të padyshimta, mbeti peng i monopolit, hegjemonisë dhe ekzagjerimit të “shokterapisë”. Pra në të tërë kuptimin të një “shok”-u social dhe politik.
Me sa duket, duke nxjerrë mësim nga e kaluara, por edhe duke patur parasysh ndryshimet e ndodhura këto pesëmbëdhjetë vite, është përzgjedhur “terapia graduale”.
Le të mos e paragjykojmë këtë terapi, të riveshur me togfjalëshin “tranzicion i butë”, si një mënyrë dinake për të bërë po aq radikalisht, veç shumë kronologjikisht ngadalë, të njëjtën gjë të periudhës së dy mandateve të mëparshme. Të kapemi tek brendia e mesazhi pozitiv që kumton koncepti dhe praktika e “kalimit të butë të pushtetit”. Shqipëria dhe populli i saj me kohë e kanë dëshiruar këtë mënyrë sjelljeje dhe veprimi të klasës së saj politike, por ka qënë kjo e fundit si edhe një sërë rrethanash gjeostrategjike rajonale, të cilat kanë nxitur dhe favorizuar të kundërtën. “Tranzicioni i butë i kalimit të pushtetit” në vendin tonë u zbatua për herë të parë kur ish-presidenti Rexhep Meidani ia dorëzoi plot kulturë dhe korektësi institucionin pasardhësit të tij, zotit Alfred Moisiu. Që prej këtij çasti mund të thuhet se në institucionin e Kryetarit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë po hedh rrënjë tradita e emancipuar e kalimit të pushtetit sipas rregullave të tranzicionit të butë. Ky sukses i demokracisë sonë akoma foshnjore, i pari në pluralizmin tonë (këtë e theksojmë), nuk u krijua mbi një terren të zbrazët. Ishte politikani liberal dhe drejtpeshues, zoti Meidani, që e mori në dorë dhe e dorëzoi “pushtetin” e Presidencës pa bërë në këtë institucion shumë të rendësishëm asnjë “terapi”, qoftë kjo “shok” apo “graduale”. Ai përmirësoi punën dhe përmirësimet në punë asnjëherë nuk janë terapi. Terapitë janë kura dhe zbatohen tek qeniet apo shtetet, shoqëritë e institucionet e sëmura. Në këtë kuptim nuk zbatoi asnjë terapi edhe Presidenti aktual. Kështu të dy presidentët tanë, Meidani dhe Moisiu, duke qënë pionierë të zbatimit të “tranzicionit të butë”, janë edhe shembulli më i mirë kombëtar për kthesën pozitive të ndodhur në një pjesë të klasës sonë politike. Ata kanë hapur një rrugë ku mund të shkojnë lirisht pasardhësit.
Vijimin e kësaj tradite dhe prirjen për ta konsoliduar e ka shpallur edhe ish-presidenti Sali Berisha dhe kjo jo vetëm i bën nder, por na imponon ta shohim me mirëbesim përmbajtjen e vërtetë të strategjisë së “tranzicionit të butë” si aspak një formë e maskuar e revanshit politik të vjetër ndaj rivalëve. Zoti Berisha që para se bashkëkombasit të hidhnin në kuti fletët e votimit të 3 korrikut, propozoi zgjedhjen e presidentit të ardhshëm me konsensus ndërpartiak. Në rast se ai apo njerës rreth tij nuk do të shtyjnë “urat e zjarrit” për arritjen e mbajtjen e sforcuar të një shumice me dy të tretat të vetëm njërës palë, pozitës, për të përzgjedhur kandidatin e saj, në Shqipëri do të kishim sërish një ngjarje mjaft inkurajuese. Presidenti i nesërm duhet të jetë frut i rënies dakort mes pozitës dhe opozitës reale, sigurisht nëpërmjet një procedure përzgjedhjeje me disa kandidatura garimi. Simulimi nga pozita e ardhshme qeverisëse i një konsensusi me disa parti të imta, të cilat do të luajnë teatrin e një opozite false, nuk do të bëjë gjë tjetër, veç prishjes së një tradite të re demokratike, edhe mbetjen peng tek profesionistët e kameleonizmit politik.
Nga institucioni i Presidencës kultura e “tranzicionit të butë” më pas u manifestua tek institucioni i ri i Avokatit të Popullit. Merita më e parë që bëri rrugë edhe në këtë institucion me autoritet për mbrojtjen e qytetarëve, është e drejtuesit të saj, zotit Ermir Dobjani. E megjithatë meritë aspak më të vogël pati dhe ka edhe sjellja largpamëse edhe e opozitës së mëparshme.
Ndërkohë institucioni më i nevojshëm për ta ngulitur si traditë “tranzicionin e butë” mbetet Këshilli i Ministrave. Në pamje të parë, pra formalisht, kryeministrat shqiptarë ja kanë dorëzuar njeri-tjetrit “butonat e pushtetit”. Pa ndonjë ceremoni të posaçme. E kanë bërë këtë gjë edhe kur ishin brenda një partiea koalicioni, por edhe kur ndodhte e kundërta. Viti i acartë dhe antishtet 1997 prodhoi për fat edhe një kryeministër si Bashkim Fino, i cili edhe në ato kushte shumë të vështira arriti ta kryejë „tranzicionin e butë“. Siç dihet më pas kanë ndodhur edhe përpjekje të sforcuara për ndërrimin e drejtuesve në këtë institucion. Rasti i parë i plotë për një sprovë të kalimit të “butonave të pushtetit” në Këshillin e Ministrave me një tranzicion soft është tani, në këtë fillim shtatori. Kryeministri në ikje e ka bërë publike këtë dëshirë. Ajo nuk do t’i mungojë edhe Kryeministrit në ardhje. Ngjarja, patjetër e shoqëruar edhe me një ceremoni të përmbajtur, do të ishte një terren i ri i fituar nga metoda demokratike e „kalimit të butë të pushtetit“
Dhe ndërsa kemi „tranzicion të butë“ tek Presidenca, Avokati i Popullit dhe Këshilli i Ministrave, derë kjo e çelur edhe për institucione të tjera qendrore, përse këtë vjeshtë të mos shtojmë edhe një risi të re të kësaj kulture? Eshtë plotësisht e mundur që qeverisë së re t’i premtohen „njëqind ditë armëpushim“. Kjo do të thotë se pas çastit kur ajo do të shpallë në Kuvend programin e saj dhe njerëzit e qeverisjes dhe secila parti do të votojë pro ose kundër, ka të drejtë të fillojë numërimi i 100 ditëve paqe sociale dhe partiake. Pra nuk do të ketë bojkot, protesta të ashpëra, praktikim të ostruksionizmit, qeveri hije apo presion për të provokuar zgjedhje të parakohshme. Sigurisht në këto njëqind ditë debati politik, mendimet e votat pro dhe kundër do të vijojnë, sepse „100 ditët e armëpushimit“ nuk janë praktikë për ngushtimin e funksionimit të pluralizmit, por për zgjerimin dhe forcimin demokratik të tij.
Po të ndodhte kjo paqe e përkohshme jo vetëm pozita do të ishte më e lirë që energjitë e saj të fillimit, të cilat shpesh janë më të mbarat, t’i shpenzonte të tëra tek vazhdimi i euroreformimit të vendit, por edhe opozita do të kishte një periudhë qetësie për të vetreflektuar dhe koregjuar gabimet e saj.
Pastaj po ta shtonim edhe këtë risi të re të „tranzicionit të butë“, do të kishim rastin të shijonim edhe një lumturi të vogël: nuk do të shihnim më të luante demokratin e madh e modern ai tipi i politikanit të lashtë majtist, tashmë gjoja i qendrës, i cili ditë për ditë paraqet si eurokulturë perëndimore servilizmin e tij të vjetër ndaj atyre që kanë pushtetin.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com