Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Giuseppe Baffa para Natasha Shehut

Korrieri, 25 maj 2005

Avokatja shqiptare me banim në Brindisi të Italisë arriti që për një javë të tërë jo vetëm të tërheqë mbi vete interesimin frenetik të medias, por edhe përlau, me një shkathësi të habitshme, edhe pjesën më të madhe të vëmendjes së opinionit publik shqiptar brenda dhe jashtë kufijve. Para të quajturës “çështja Natasha Shehu” u zbehën të gjitha lajmet kryesore të një shoqërie e shteti, u shtynë në periferi edhe veprimtaritë kryesore paraelektorale. Ranë në hije e në disa raste u spostuan deri edhe kronikat me vrasje, varje e vetvrasje, të cilat akoma kanë mes nesh statusin e superlajmit.
Çfarë po ndodh me ne mund të pyetet në këto çaste kur po venitet e rrudhet në faqet e gazetave tona një nga kotësitë më të mëdha shqiptare, sepse në fund të fundit, edhe në rast se kishim të bënim me një fëmijë jashtëmartese të ish-kryeministrit komunist Mehmet Shehu, mund t’i kursenim disi hapësirat për të? Çfarë po ndodh me ne mund të pyetet edhe përse i jepemi kaq lehtë e kaq shumë veprimtarisë së një avokateje përtej detit?
Po t’i hetosh të gjitha lajmet rreth kësaj bashkëkombaseje vëren se të gjitha i ka prodhuar ajo dhe nuk janë zbulime apo gjetje të vetë shtypit. Zonja Shehu i është drejtuar medias shqiptare duke thënë e para se ishte avokatja e viktimave të Otrantos, më pas se ajo ishte avokate mbrojtëse e viktimave të minierës së Selenicës dhe se ajo, saktësisht ajo, do t’ja dalë mbanë të jetë edhe avokatja në Hagë e ish-kryeministrit Haradinaj. Ajo dhe pikërisht ajo tha se ishte bija naturale e Mehmet Shehut dhe se po të deklarojë edhe ndonjë surprizë tjetër, që matanë brigjeve të detit, sërish do t’ua heqim vëmendjen mediatike shumë çështjeve dhe halleve të tjera që kemi këtej detit për t’ia ridhënë avokates së shkathët për të rënë në sy.
Mirëpo në rast se Natasha Shehu ishte avokate e viktimave të minierës së bitumit në Selenicë dhe në fund të proçesit rezultoi se për jetët e humbura përveç vetë të ikurve në botën tjetër dhe natyrës nuk ishte fajtor asnjë tjetër; në rast se dëshëroi e bëri trysni në Prishtinë që të ishte avokatja e ish-kryeministrit kosovar dhe nuk ja doli dot, për cilësitë e saj profesionale mbetet të gjykohet për rastin e tretë të shpallur bujshëm prej saj: atë të mbrojtëses së viktimave të incidentit të Otrantos më 28 mars 1997.
Siç dihet më 19 mars të këtij viti u mbyll proçesi gjyqësor për përgjegjësit penalë të mbytjes së të paktën 84 bashkëkombasve. Katër vite burg iu dhanë shqiptarit Namik Xhaferri, atëhere drejtues i “Kateri i Radës” (aktualisht ndodhet në Belgjikë) dhe tre vjet italianit Fabricio Laudati, kapiten i anijes luftarake “Sibilla”. Tani nuk është as rasti dhe as vendi të çelim debatin se ku gjendet në këtë sentencë kontributi i veçantë i avokates Shehu. Ishin tetëdhjetë e katër fëmijë, gra e të rinj që u mbytën nga përplasja mes dy anijeve. Siç tha në mediat shqiptare pas kësaj seance, për të ky rezultat ishte sukses. Nuk dëshirojmë as të informojmë opinionin bashkëkombas për rolin pozitiv dhe për shtatë vite rresht edhe mjaft aktiv të prokurorit italian Leone de Kastris, i cili ishte pala akuzuese për fajtorët. Nuk duam të kujtojmë veprën e çmuar të Gjeneral Franko Anxhonit, ato kohë Komisar i Jashtzakonshëm për ndihmat ndaj Shqipërisë, njeriu që luftoi për gjithçka, përfshi edhe dëmshpërblimet. Nuk duam gjithashtu të sjellim në kujtesë të bashkëkombasve se kryeministri i sotëm italian, ato çaste shef i opozitës, mbërriti menjëherë në portin e Brindisit dhe nga tronditja e gjëmës që kishte ndodhur qau. As ngulim kembë që patjetër të bëjmë të ditur se çdo vit qytetarë të Brindisit, të vetorganizuar në një kortezh, nisen nga sheshi Vittoria dhe kur mbërrijnë në skelë hedhin mbi det, në kujtim të bashkëkombasve tanë, tufa me lule. Këtë gjest e bënë edhe këtë vit, ditën e shtunë, më 26 mars. Nuk duam të përmendim as regjisorin e njohur italian si edhe teorikun e teatrit, Korrado Venecianin, i cili për këtë ngjarje të dhimbshme ka shkruar e vënë në skenë dramën “Pasaportat”.
Këto çaste mes edhe shumë kontribuesve të tjerë për të mbrojtur e kujtuar viktimat e pafajshme të 28 marsit 1997 do të veçonim njërin: arbëreshin Xhuzepe Bafa.
Bafa ka qënë avokati i parë i palës shqiptare në incidentin e Otrantos. E citojmë emrin e tij për të ndikuar sadopak në zbutjen e zakonit të keq se më i zoti është ai që bërtet. Xhuzepe Bafa nuk e ka patur “shkathësinë” që të tërhiqte vëmendjen e medias shqiptare. Edhe në vendin e tij lajmin e parë e ka prodhuar një deklaratë e tij bërë më 27 tetor 1997, të cilën për fat e ka interceptuar Agjensia Telegrafike Shqiptare. Këtë ditë, e cila lidhet me operacionin e nxjerrjes së anijes së mbytur “Kateri i Radës”, ai u ka deklaruar mediave vendase se shumë nga të mbyturit shqiptarë ishin fëmijë dhe se kishte përpiluar e dërguar në destinacion një kërkesë për dënim penal ndaj kapitenit të anijes luftarake italiane “Sibilla”. E akuzonte si fajtor të drejtpërdrejtë për tragjedinë.
Avokati Xhuzepe Bafa nuk mund të bëjë “zhurrmë” edhe për një fakt tjetër. Ai nuk jeton më. Më 13 janar të vitit 2000, ndërsa udhëtonte drejt Brindisit bashkë me kolegun e tij Françesko Perrota, për të marrë pjesë në seancën gjyqësore të rradhës të kësaj tragjedie, makina e tij “Nissan” doli nga rruga dhe u përplas me një trung peme. Që të dy vdiqën në vend, ndërsa u plagos bashkëpunëtori i tyre Mikelanxhelo Ruso. Ngjarja u klasifikua si \"aksident rrugor\" i ngjarë në rutinë e sipër në superstradën Taranto-Grotalie, në drejtimin nga Kozenca në Brindisi. Xhuzepe Bafa nuk ishte një avokat dosido, por president i Dhomës së Avokatëvet të qytetit të Kozencës.
Por Bafa mbi të gjitha ishte një arbëresh, pra një shqiptaro-italian. Gazeta e njohur italiane, “La Nazione”, e cila bëri disa shkrime investigative për vdekjen e tij (e konsideroi atë të mistershme), nënvizoi se në këtë betejë të vështirë e madje të rrezikshme me disa individë ushtarakë të fuqishëm të flotës luftarake të vendit të tij avokatin Xhuzepe Bafa e “kishte thirrur gjaku i të parëve të vet”. Pra e kishte thirrur Shqipëria.
Pas vdekjes së ëngëllit mbrojtës të viktimave të Otrantos, shtypi italian konstatoi se “për këtë proçes u bënë të gjallë shumë avokatë, sepse dalluan që po u afrohej nga qeveria italiane një mirazh joshës me një dëmshpërblim miliardash për familjet e viktimave”. Kështu pas Bafës avokat mbrojtës i shqiptarëve u bë italiani Xhuliano Pisapia. Kohë më vonë çështjen e mbrojtjes së familjeve të viktimave ëe mori përsipër shqiptarja e njohur në Brindisi dhe në rajonin e Leçes, Natasha Shehu.
Tashmë opinioni e di se pas përfundimit të seancës gjyqësore në mars të këtij viti ndodhi një incident mes disa familjeve të viktimave të Otrantos dhe avokates Shehu. Ajo nuk i pranoi akuzat e tyre se kishte abuzuar me paratë e dëmshpërblimeve dhe u dorëhoq nga kjo kauzë.
Nuk vonoi shumë dhe pasioni i saj i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë për të qënë në qendër të vëmendjes së opinionit shqiptar shkaktoi çështjen e të vetdeklaruarit si bija naturale e Mehmet Shehut.
Presidenti Alfred Moisiu e ka dekoruar avokatin arbëresh Xhuzepe Bafa, sepse meritat më në fund vihen në vend. Këtë fakt e dinë pak njerëz në Shqipëri. Pjesa tjetër e historisë sonë është vijimi i triumfit të atyre që bëjnë gjithçka për të tërhequr vëmendjen e opinionit dhe për të qënë me çdo kusht të përkëdhelurit e tij.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com