Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Te zbutesh kapitalizmin e eger shqiptar

Korrieri, 21 tetor 2005

Edhe kur për fatin e Shqipërisë së pas Luftës së Dytë Botërore u zgjodh modeli shoqëror bolshevik dihet botërisht se realkomunizmi ynë ishte më i ashpëri dhe më i egri në eurolindje dhe në Ballkan. Ndërkohë që brenda të njëjtit sistem ruso-sovjetikët tentonin „glasnostin“ e „perestrojkën“, çekosllovakët „socializmin me fytyrë njeriu“, hungarezët „socializmin e gulashit“, tek ne deri në dhjetor 1990 nuk u bë as përpjekja më e vogël për ndonjë reformimim të regjimit komunist, kundërshtarëve apo rivalëve politikë ende nuk u gjendej varri, varfëria kapi nivele si të pas katastrofave të mëdha nga luftrat apo epidemitë. Duke e rinisur përpjekjen për një jetë më humane dhe më të mirëqënë, pas pranimit të shoqërisë së hapur dhe ekonomisë së tregut, lamë pas „realsocializmin“ dhe morëm rrugën e „kapitalizmit“. Sigurisht të dy këto nocione janë pjesë e një kulture të vjetër ideologjike, sepse në kohët e sotme moderne nuk mund të flitet jo më për shoqëri të tipit „socialist“, të cilat ishin dështime të frikshme, por as për ndonjë shoqëri „kapitaliste“. E megjithatë, përderisa shoqëria jonë ka pak vite që përjeton hapjen e saj, në këtë fazë fillestare elementë të dukshëm të kapitalizmit të vjetër ka. Njëra nga dëshmitë e kësaj pranie është edhe natyra akoma e egër e mjaft strukturave të jetës sonë sociale dhe ekonomike.
Duke bërë thjesht një vizitë a shkosh për pazarin e javës në Qendrën Tregëtare Univers, supermarkaton e parë të madhe kombëtare, të vendosur në autostradën për Durrës, në afërsi të Tiranës, përuruar një muaj më parë, kupton se më në fund kapitalizmi i egër shqiptar ka filluar të zbutet. Nuk është kjo tregëtore e madhe shenja më autoritare dhe e vetmja se tregu dhe ekonomia shqiptare po humanizohet. Ishte para saj politika që u nda me të kaluarën e vet të egër. Jo me atë realkomuniste, sepse kishim pesëmbëdhjetë vite që i kishim kthyer shpinën, por me periudhën e parë të politikës pluraliste. Faza e saj e egër me në bark shejtanin e të gjitha atyre marrive që na ndodhën, ka dy-tre vite që nuk pulson më shenjë se është gjallë. Politika shqiptare tashmë ka hyrë në normalitet, duke futur në normalitet edhe të gjithë jetën e vendit. Por ajo ka ende mjaft rrugë për të bërë drejt statusit të të qënit humane. Shihni titujt e gazetave kur njoftojnë lëvizjet e mëdha që po ndodhin këto ditë nëpër të quajturit poste politike e më tej tyre! Në të gjitha rastet nuk thuhet se një drejtues „zëvendësohet“, “emërohet në një detyrë tjetër“, „qarkullon“ apo „lirohet nga detyra“, duke lënë të nënkuptohet se një kabinet i një koalicioni të ri partiak, mbështetur në ligje, po zëvendëson normalisht me njerëzit e vet të mëparshmit dhe se këtyre të dytëve, bazuar gjithnjë në ligj dhe në humanizëm, u ofron detyra të tjera, më të ulta apo paralel me to. Jo. Titujt, duke përcjellë një kulturë që ngrihet e ulet nga lart poshtë dhe anasjelltas, gërthasin me formulimin e egër se iksi apo ipsiloni „u shkarkua nga detyra“. Por shkarkim do të thotë më e pakta pushim nga puna, lënie në mes të katër rrugëve. Shkarkimi vjen vetëm pas fajeve administrative dhe penale, jo sepse një grup i mëparshëm politik të kishte emëruar, sipas ligjeve, në një post të caktuar. Ndërkohë në shumicën e komunikimeve të „shkarkimeve“ nuk bëhet e ditur për asnjë gabim apo faj. Dhe s’ka sesi, sepse në pjesën dërmuese të rasteve termi „shkarkim“ është përdorur lirisht e kollajshëm në vend të atyre formulimeve korrekte zyrtare „lirim“, „transferim“ etj etj. Për këtë mentalitet egërsie dhe vrazhdësie e kemi fjalën. Për atë kulturë „mashkullore“ që edhe kur dëshiron t’i bëjë një kompliment një femre simpatike i drejtohet me fjalët „Sa e bukur je moj qëne!“
Duke u rikthyer tek njerëzimi i ekonomisë shqiptare shembulli i megatregëtores moderne Univers në periferinë e afërt të Tiranës, ku konforti, bashkëkohësia dhe shërbimi efikas plotësohet edhe me çmime më të ulta se mezatarja e tyre në dyqanet e tjera tradicionalë, tregon rrugën e vetme që kemi për një shoqëri demokratike: zbutjen e kapitalizmit shqiptar. Gabuam me komunizmin që nuk e zbutëm dhe reformuam, por fundi ai nuk meritonte të jetonte dhe duke e përjetuar ashpër mbase ndarjen përfundimtare me të e kemi më të sigurtë. Porse me „kapitalizmin“, opsioni më i mirë social mes të këqinjve, nuk duhet të gabojmë e ta lëmë atë në gjendjen e tanishme pothuajse ujqërore. Dhe përderisa politika jonë ka nisur të qetësojë nervat dhe shtrojë mendimet e zërin, përse të mos shpresojmë se është për Shqipërinë në kohën e vet dhe jo frut propogandistik, çasti i duhur për aksionin e madh kombëtar të humanizimit të jetës sonë social-ekonomike. Si pjesë e këtij ndërgjegjësimi mund të kendvështrohen dhe inkurajohen disa masa për të prishur monopolet në ato sektorë ku vepronin, për të ulur taksat sidomos tek tregëtarët e vegjël popullorë dhe grumbulluar gjer në lekun e fundit tek grosistët, për të liberalizuar, hapur dhe demokratizuar më tej tregun, për të mënjanuar nga strukturat administrative individët me konflikte interesi, për të goditur fort trafikun e drogës, për të ndërtuar e zhvilluar një qeverisje vendi sa më larg lidhjeve me bisnesin e pistë apo atë që ndërron kostumin politik sa herë që ndryshojnë rezultatet e zgjedhjeve.
Eshtë rritur ndjeshëm investimi nga sipërmarrësit shqiptarë, shumë fabrika e prodhime të tyre kapin nivel bashkëkohor, disa madje kanë nisur depërtimin në tregun ndërkombëtar. E megjithatë investimet e huaja kanë në vendin tonë një mungesë humbellëse. Prania e tyre në rritje, edhe pse mund të xhelozojë natyrshëm atë vendas, do të mbartë mes nesh dhe stimulojë kulturën njerëzore të bisnesit europerëndimor. Sepse jo kush e ka paranë e zotëron edhe këtë kulturë. Gëzueshëm kemi tashmë shumë sipërmarrës shqiptarë dhe rritja e kësaj klase është një fitore e madhe sociale, siç nesër do të jetë ngadhnjim i madh të krijojmë klasën tonë të mesme, por nuk mund t’i vihet përpara një gjethe fiku faktit se në mënyrë masive, përveç atyre të punësuar në administratën publike, shumë punonjës në sektorin privat nuk janë të siguruar as për pensionin dhe as për shëndetin. Të zbutësh „kapitalizmin“ shqiptar do të thotë edhe t’i kthesh sytë këtu e të ndërmarrësh përpjekje serioze që këta dhjetra mijra të pambrojtur të sigurohen menjëherë nga punëdhënësit. „Puna e zezë„ në Shqipëri është më katran se e quajtura „puna e zezë„ që akoma vegjeton në ndonjë kthinë të europerëndimit. Atje përdoret si shmangie nga taksat si prej punëdhënësit ashtu edhe nga i punësuari, por ky i fundit formalisht pas kësaj hileje andej merr një pagë të mirë. Tek ne mbulon stërfitimin e punëdhënësit dhe lëmoshën për të punësuarin.
Të zbutësh „kapitalizmin“ shqiptar do të thotë të grumbullosh të ardhura nga taksat, duke u vënë të famshmet kasa në çdo dyqan. Do të thotë që gjithsecili nga ne, pasi të paguajë e blejë një mall, të marrë një kupon dhe atë ta ruajë mirë gjatë gjithë rrugës për në shtëpi, sepse për një kontroll të sjellshëm mund t’i dalë para polici financiar. Ai polic që më parë duhet të kontrollojë kasën e llogarisë së dyqanit, prej shumatores së të cilës shoqëria merr pjesën e vet. Mirëpo historia shqiptare e kasave është një telenovelë e stërparë, ku në çdo seri filmike urdhërohet solemnisht blerja e disa dhjetra mijra kasave dhe asnjë prej tyre nuk vihet kurrë në punë. Eshtë pastërtisht „kapitalizëm“ i egër dhe mjaft korruptiv të përdorësh një sistem taksash me hamendje dhe voluntarizëm.
Të zbutësh „kapitalizmin“ shqiptar do të thotë të ndërmarrësh aksione ligjore, çliruese dhe po aq shtrenguese, për sektorin e shëndetësisë. Eshtë rënqethëse dhe ulëritëse që kjo superstrukturë publike jetike, profesionalisht dhe historikisht humane, vijon të lihet në gjendjen e një rënimi të plotë korruptiv. Në rast se shprehim gëzim që u ndamë politikisht me sistemin e realkomunizmit, përse na duhet për shumë kohë të ruajmë kujtimin e mirë për shërbimin e tij shendetësor të garantuar dhe falas?
Të zbutësh „kapitalizmin“ shqiptar do të thotë të çkoklavitësh përfundimisht në sistemin e arsimimit kombëtar këtë lëmshstrukturë konkursesh dhe kursesh jashtëmësimorë, në rrjetin e të cilit u rrëmbehen bashkëkombasve, të dhimbsur për të ardhmen e fëmijëve, jo vetëm kursimet e pakta që kanë, por ndonjëherë edhe bukën e gojës. Nuk bien nga qielli, por janë pjesë e këtij realiteti johuman skandalet e bujshme të tezave të provimeve.
Të zbutësh „kapitalizmin“ shqiptar do të thotë të mos vazhdojë më kështu në Tiranë ky shtrenjtim i pashpirt i banesave. Edhe pse tashmë këtu banon një e pesta e popullsisë sonë, natyrshëm akoma të tjerë dëshirojnë të vijnë. Në brezin Tiranë-Durrës mund të ketë politikë stimulimi për tërheqjen e bashkëkombasve nga vise të tjera ose të paktën e lehtësimit të atyre që tashmë këtu enden me qera të larta nga një banesë në tjetrën. Nuk ka për të ndodhur asnjë zbrazje e Shqipërisë po qe se më në fund do të çlirohet nga demagogjia premtimi politik për fillimin e ndërtimit në këtë hapësirë të lagjeve popullore me banesa me kosto e çmim të arsyeshëm. Sigurisht do të zbrazen disa xhepa, të cilët jo të gjitha janë të ndërtuesve.
Të zbutësh „kapitalizmin“ shqiptar do të thotë se na duhet të japim si popull një provë se nuk ishte patjetër e gjitha përgjegjësi e asaj kulture kombëtare që edhe komunizmin e përjetuam aq egërsisht. Mbase në liri jemi fisnikëruar më shumë dhe kemi përftuar sadopak aftësinë për të humanizuar veten dhe shoqërinë ku jetojmë.





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com