|
Kur krimi vjen nga Kosova
Ballkan, 21 gusht 2005
Një fundgushti të një viti më parë gjendesha në një nga plazhet e Durrësit, për fatin tim, bashkë me disa familje shqiptarësh nga Kosova. Ato që sëbashku shkembyem, mendime dhe ndjenja, nuk mund të më shlyhen nga kujtesa. Bashkëkombasit ishin mjaft të emancipuar mendërisht, shumë të çlirët shpirtërisht, jashtzakonisht atdhetarë. Nuk e ngritën zërin njëherë për ndonjë pakënaqësi. Do të mjaftonte vetëm ajo rrugë lodhëse dhe e pasigurtë që nga viset e tyre i çonte me shumë mundime në buzëdet që të mos e frenonin gjuhën. Mirëpo për ta Shqipëria ishte vetë Meka apo Roma me Selinë e Shenjtë. Shqipëria ishte vetë toka e premtuar.
Ndërkohë një pasdite u shfaqën mbi det tre motorra uji, të cilët si të çmendur vërsuleshin atje ku kishte pushues që notonin. Motorrat e ngarë nga tre të rinj pasi dëbuan nga deti në një brez prej mbi një kilometër të gjithë njerëzit që bënin notë në thellësi, filluan të zbonin edhe ata që ishin në cektinë. Pa u kujdesur se mos i goditnin pushuesit apo prerë me helikat e motorrave, pa u dhimbsur në ishin pleq apo fëmijë të vegjël. Pamë nëna që duke klithur nga paniku jo i merrnin për dore të vegjëlit e tyre nga buzëuji, por i rrëmbenin vetëtimthi në krahë edhe nga buza e rërës. Ishte një pamje ngjethëse. Gati si një sekuencë nga ata filma, ku tregohet për zbarkime të befta ushtrish të huaja, të cilat po aq shpejt dhe pamëshirshëm hapin zjarr mbi të gjitha grupet e njerëzve, kudo që të jenë.
Një orë pas kësaj masakre, ku nuk u pa kembë polici, ndërsa dielli po i afrohej përskuqjes së bukur të muzgut, në det nuk kishte më asnjë njeri. Ishte zbrazur krejtësisht. Shkumëzonin në ujin e tij të kaltër e të ngrohtë vetëm tre të rinjtë me tre motorrat e tyre të hazdisur dhe arrogantë. Mes pushuesve të rralluar e mbledhur kutullac nëpër zhezlonge tashmë ishte shpërndarë lajmi se ata tre të rinj, që si bajloza kishin pushtuar detin dhe ndërkohë zgërdhiheshin e bënin lodra të marrësh me motorrat e tyre, ishin shqiptarë nga Kosova.
Për patriotizëm në fillim këtë lajm kob nuk mund ta pranoje. Madje ishe gati ti ktheheshe shpërndarësit të lajmit se e gjithë ajo nuk ishte veç një thashethem, një nëpërgojim, një shtrembërim e falsifikim, se e gjitha ishte e manipuluar nga mendje e gojë të errëta, qarqe të huaja antishqiptare dhe kundërkosovare, etj etj. E megjithatë ata të tre që një fundgusht të vitit të shkuar bënë atë gjëmë në një nga plazhet kryesore të Durrësit vinin nga Kosova. Nga Kosova, thonë hetuesit apo kriminalistët e Policisë së Shtetit, ishin pjesa më goditëse e grupit të armatosur që sulmoi e grabiti një nga filialet e Bankës Amerikane të Shqipërisë në mes të Tiranës. Tek grupe kriminale nga Kosova çojnë deri tani të gjitha shtigjet e hetimeve për rrëmbimin e zhdukjen e mjekut Behar Kastrati, kryetar i Partisë Demokratike të Hasit. Hedhja në erë në zonën e Tropojës e shtylllës së tensionit të lartë të internjeksionit Kosovë-Shqipëri, sërish të shtyn të hamëndësosh se duart kriminale mund të kenë ardhur edhe prej andej. Ose që janë shtetas të Shqipërisë, por kombinojnë këtu ligësira për interesa të errëta të disa grupeve të ndotura andej.
Që ka një krim kosovar këtë gjë nuk mund ta mohojë askush. Madje ai brenda territoreve të veta është aq fort aktiv sa që jo vetëm qëllon me armë e vret politikanë vendas, por edhe dinamiton me lendë eksplozive deri edhe në afërsi fizike fatale me Presidentin Ibrahim Rugova. Po ashtu mes nesh, shqiptarëve të të quajturës tokë amë, janë shtuar e përforcuar opinionet se krimi me rezidencë e kullë komandimi Kosovën, ka nisur të jetë agresiv edhe me Shqipërinë. Dhe kjo gjë duhet parë me vëmendje. Ngultas duhen shqyrtuar që nga aksioni për rrëmbimin në sfond të tensionuar politik të njeriut e politikanit të mirë Behar Kastrati, tek hedhja në erë të shtyllës së tensionit të lartë sërish në një kontekst të qartë politik brendakombëtar e rajonal e deri tek sulmi më i madh i armatosur dhe grabitja e Bankës Amerikane të Shqipërisë. Edhe këtu, me këtë përzgjedhje të pronësisë së bankës, në bëmën e grabitësve mund të gjesh nëntekst, kontekst e mbitekst politik.
Qoftë e gjitha rastësi kjo kohë e ngushtë që ka ngjeshur brenda vetes rrëmbimin e Behar Kastratit me hedhjen në erë të shtyllës së tensionit të lartë dhe spektaklin e grabitjes së armatosur në mes të Tiranës! Në të gjithë këtë kolanë ka mjaft prova se që të tre elementët nuk mund ti ketë bashkuar një strategji e mirëorganizuar. Ngjarje të tilla të renda kundër tokës dhe shtetit amë, Shqipërisë, i kanë ardhur ciklikisht që prej më shumë se një shekulli. Jo shumë vite larg, gjatë Luftës së Dytë Botërore, saktësisht në Tiranë në 4 shkurt 1944 u bë një masakër e madhe në një lagje të saj. Historia jonë, ende e papastruar plotësisht nga politizimet, ia ka faturuar të gjithë krimin qeverisë kolaboracioniste të kohës si edhe ministrit Xhaferr Deva. E megjithatë duar të zeza në atë masakër, të vetmen në kryeqytetin tonë që të paktën prej shpalljes së pavarësisë, e kanë bërë grupe kriminale të ardhura nga Kosova. Në fillim të viteve nentëdhjetë, tamam në ato çaste kur regjimi i vjetër binte dhe shoqëria pluraliste po buiste, kur akoma dyqanet ushqimore furnizoheshin me ndihma ndërkombëtare, bashkëkombas tanë nga Kosova suleshin të privatizonin e blinin për diçka më shumë se dy kacidhe ndërmarrje të tëra prodhimi. Atë kohë, kush mund ta rikujtojë, mbinë në Tiranë disa bisnesmenë që e shitnin gotën me limonatë si të qe një simotër e verës shampanjë.
Krimi nga Kosova po guxon këto kohë të kapë të njëjtën përparësi, si përherë në çastet e kthesave në fatin e Shqipërisë dhe në të vërtetë edhe të të gjithë bashkëkombasve kudo ku janë. Kosova e shtrenjtë dhe e bukur, Kosova heroike dhe martire, nuk ka të bëjë me disa grupe të saj kriminale. Apo arrogante, siç ishin ata tre të rinjtë e hazdisur që me motorrat e ujit dëbuan nga deti të gjithë pushuesit. Kosova e dashur për çdo shqiptar nuk ka të bëjë fare me trillin e shemtuar të gjojabisnesmenëve që ua kripnin gotën me limonatë bashkëkombasve të tyre të Tiranës. Autori i këtyre rradhëve, si edhe shumica në fillim të viteve nentëdhjetë, për të demobilizuar thashethemin e shumëkuptimtë se kosovarët po i rripnin shqiptarët e tokës amë, ka botuar atë kohë një shkrim për fatin e trishtë e të mundimshëm të një kosovari, i cili në kryeqytet kishte çelur një dyqan mishi dhe, duke punuar si një kasap i thjeshtë, mezi mbijetonte veten dhe familjen e tij të madhe.
Pikërisht se Kosova është tjetër gjë dhe këta individë kosovarë nuk mund ta përfaqësojnë e njollosin atë absolutisht, nuk është vonë të rigjejmë tek vetja forca e kurajë për ta përsëritur përherë të vërtetën se krimi nuk ka as kufi, por nuk ka as etni. Sepse edhe në Kosovë ka një krim të ardhur nga ne, vendi amë. Atje ka edhe një krim të mbartur nga mafia apo ndrageta italiane. Nuk mungon një krim edhe nga Serbia. Po ashtu kafshon tinëz edhe një krim i veshur me ideologji radikale islame.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|