Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Partite e vogla te tipit llastica

Ballkan, 7 qershor 2005

Tanimë ka shumë prova se në vendin tonë pasdiktatorial është më me fat të jesh parti e vogël sesa e madhe. Jo vetëm sepse kështu siguron portofole ministrash, nënministrash, drejtorash dikasterialë, gjithfarë shefash në qendër dhe në periferitë gjeografike të shtetit, por edhe sepse je i lirë në çastin e duhur të dalësh pa asnjë përgjegjësi nga një qeverisje e qortueshme e koalicionit, ku barrën historike e mban partia e madhe “blu” apo “rozë”.
Në një sistem politik shumëpartiak doemos që do të ketë jo vetëm dy apo tre parti. Gjithkund, edhe në qendër të Perëndimit të zhvilluar, ato janë një apo dy dyzina. Nuk ekzistojnë vetëm partitë e republikanëve dhe të demokratëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ka edhe të tjera, të vogla apo fare të imta. Duken vetëm dy të mëdhatë sepse shoqëria americane ka pëlqyer sistemin bipolar. Edhe në Francë, Itali, Britaninë e Madhe e Gjermani, janë bërë përpjekje për të inkurajuar sistemin dhe garën politike dypartiake, por deri tani nuk ja kanë dalë dot. Një trysni e tillë është bërë sëfundi edhe në Shqipëri, ende pa dhënë shenja suksesi.
E megjithatë demokracia funksionon si me pak ashtu edhe me shumë parti. Në parim shtetet dhe popujt lypin qendrueshmëri të mandateve qeverisëse, por në jo pak raste ritmet e zhvillimit nuk tronditen edhe kur këto mandate ndërpriten nga pastabiliteti partiak. Rendësi ka të kesh institucione dhe pushtete të tjera të qendrueshëm. Mjaftojnë pavarësitë dhe stabilitetet në pushtetin gjyqësor, atë administrativ, mediatik, në kulturën e përgjitshme të mbrojtjes dhe zbatimit të ligjeve.
Mirëpo pluralizmi në rastin shqiptar ka krijuar ndjeshmërinë e përgjithshme se secila nga dy partitë e mëdha, “rozët” dhe “blutë”, prej mazhorancave absolute që kanë patur deri tani, i kanë tejkaluar disa herë të drejtat e tyre. Kjo dhe disa arsye të tjera kanë bërë që vëzhguesit e politikës ta emërtojnë këtë situatë shqiptare si sistem bikratik. Prandaj edhe prania e partitëzave të vjetra dhe e krijimi të të rejave është dukur punë fort e mirë për ta thyer monopolin njëpartiak apo edhe vetë të quajturin sistemin bikratik. Aktualisht shoqëria jonë priret nga dëshira e çmontimit të këtij sistemi.
Fillimqershori i këtij viti na ka dhënë pamjen e një formacioni (LSI) që mësyn për shpërbërjen e strukturës bikratike, por edhe të një numri të madh partish të vogla që luajnë përfitimin me këtë sistem. Ja përse në ballafaqimin elektoral të 3 korrikut domosdoshmëria reale e partive të vogla për të rritur efektivitetin e pluralizmit ka nisur të precipitojë me shpejtësi të madhe në një drejtim tjetër: në mënyrën e të sjellurit si me llotarinë “Gërvish e fito!”.


Më 3 korrik dhe në çfarë do të pasojë ballafaqimin elektoral, mund të konsiderohet i diskutueshëm jo vetëm rezultati zgjedhor. Venia në dyshim e zhvillimeve politike të pas 3 korrikut rrjedh nga një e vërtetë e thjeshtë. Nga dukuria, e cila figurativisht po quhet kembëngulshëm “Dushk”. Partitë e vogla që deri tani kanë kaluar prova zgjedhore dhe ato që ende nuk janë sprovuar, pas 3 korrikut do të rezultojnë me përmasa të devijuara. Ligji elektoral me një raund i shtrengoi dy partitë e mëdha të gjestikulojnë të gjitha tipet e aleancave dhe të marifeteve virtuale. Në pjesën e mazhoritarit u bënë marrëveshje që partitëzat e shumta të votohen në disa zona nga zgjedhësit e të gjithë korpusit elektoral (në pozitë apo opozitë), kurse në pjesën proporcionale lumi i votave të derdhet vetëm për partitë “vogëlushe”. Kur rezultatet e zgjedhjeve të përcaktojnë të dhënat e para statistikore për opinion, por edhe për analistët e studjuesit, do të kemi përpara një pamje të deformuar të trupave elektoralë të partitëzave. Ato do të dalin “të fryra”, “parti të mëdha”. Partitë realisht të mëdha do të ngurosen artificialisht, do të gjenden si minoranca, të dyzuara e nën presione shpërfilljesh të pamerituara. Ato do të përjetojnë situatën e mbetjes peng prej aleateve vocrrake.
Nuk do të jetë në favor të cilësisë së demokracisë sonë foshnjore ky fenomen i devijuar. Shumica e partive të vogla nuk do të jenë më si më parë misionarë të rolit moderues, ekuilibruesë apo rregullues. Rezultojnë përfituesë e s’ka çudi nesër edhe abuzuese të qeverisjes, prodhuese krizash artificiale. Nuk është më normale që në jetën e vendit disa parti të vogla të zotërojnë e marrin pushtet më tepër se dimensionet e tyre elektorale. Kështu do të inkurajohet parazitizmi i tyre, do të rritet edhe niveli i arrogancës politike mbi shoqërinë e lirë. Në jo vetëm një rast disa dukuri propotence politike i kemi vënë re më shumë se tek të mëdhatë, në disa nga këto parti të imta, në këto “llastica” të sistemit partiak shqiptar në deformim.
Ky shtrembërim elektoral është i paarsyeshëm, edhe pse tani për tani duket i shtrenguar nga nevoja e ligjshme që koalicioni “blu” të rikthehet në pushtet apo që ai “rozë” të rifitojë mandatin e tretë.
Siç po vijon do të mbeteshim spektatorë të një spektakli “liderash” e “kryetarësh” që pas vetes nuk kanë pothuaj asnjë grup elektoral që i ndjek. Dhe që pikërisht për kompleks të kësaj mungese të ndjeshme bëjnë protagonizëm lodhës e të zhurrmshëm. Duke na raskapitur përditë mediatikisht.

Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com