Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

TA SHPĖTOJMĖ BALLISTIN MORINA APO.... Tė shpėtojmė prej tij?
PROVOKUESIT SHQIPTARĖ TĖ HISTORISĖ KOMBĖTARE DHE KROATI MILAN SHUFLAJ
PARTIZAN-KOMUNIZMI I JAUP LILĖS: LUFTĖTAR DHE QYTETAR I PĖRRUNJUR I ATDHEUT
SKĖNDERBEU ME LIDHJE TĖ SHUMĖFISHTA ME SLLAVĖT
KUJTESA KOMBĖTARE NĖN AGRESION
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Shteti me shume shofera

Ballkan, 30 tetor 2005

Nevoja e ristrukturimit të dy “pallateve të pushtetit”, legjislativit (Kuvendit) dhe ekzekutivit (Këshillit të Ministrave), mes të tjerash zbuloi një prani të madhe të shoferave. Sidomos në parlament ishte një shifër e pazakonshme në raport me pjesën tjetër të administratës, numër gati përmbytës të çdo përmase logjike: 60 përqind. Duke mos patur asgjë me shoferat e thjeshtë, të cilët janë marrë në punë sipas rregullave në fuqi dhe po sipas atyre rregullave kanë shërbyer korektësisht me sa kanë mundur, qendrojmë një çast mbi vetë dukurinë. Pra tek fenomeni përse ushtrimit të pushtetit në vendin tonë i duhen kaq shumë shofera.
Kur për të argumentuar shkurtimin e makinave të shumta deputetore në përputhje me numërin e nevojshëm të makinave të një parlamenti të modelit të BE-së u cituan disa syresh, edhe ata që nuk e dinin këtë “sekret” të vogël të europerëndimit u informuan se në dispozicion të një organi legjislativ modern mund të kishte apo të mos kishte më shumë se gjashtë apo shtatë automjete. Ndërsa për një pjesë të shqiptarëve zbulimi i kësaj “Veze të Kolombit” ishte thjesht kuriozitet, për jo pak të tjerë ajo ra “si bombë”. Nuk munguan edhe ata që akoma nuk e përfytyrojnë dot se si deri edhe dyqind apo treqind deputetëve u shërbekan më së miri edhe dhjetë vetura! Mirëpo ky është edhe ndryshimi i parë dhe më i thjeshti që kemi ne shqiptarët me popujt kolegë të kontinentit. Njeriu i mandatuar me një kompetencë të caktuar ligjvënëse apo zbatuese për ne ka imazhin e një njeriu që më së pari kërkon e zotëron pushtet dhe vetëm më pas, sipas ndërgjegjes së gjithsecilit, kërkon dhe merr përsipër detyrim për t’u shërbyer qytetarëve. Për këtë arsye fare të thjeshtë pushtetari ynë dhe jo shërbyesi (bah, kjo e fundit është akoma fjalë nënvleftësuese e në mos tallëse) duhet të ketë një zyrë më vete, patjetër në këtë zyrë një numër telefoni fiks, një celular të mbushur me kartë të paguar nga fondet publike, një makinë sa më të mirë, një shofer që t’i hapë, t’i mbyllë derën dhe t’i blejë paketën e cigareve, një vend të prenotuar përherë në rreshtat e parë të një koncert të madh e të kapshëm nga kamerat, një tavolinë të përzgjedhur në këtë apo atë holl e restorant hoteli etj, etj. Ky model nuk mund të jetë i plotë edhe pa një paradhomë dhe në të, mbuluar nga parfumi dhe buzëqeshja njëzetë e katër orëshe, një sekretare që i çohet në kembë vetëm shefit të saj. Ne shqiptarët akoma nuk mund të kuptojmë se një ministër gjithkund në europerëndim dhe me këtë hapësirë e përfshijmë edhe Poloninë, Çekinë apo Hungarinë, në fund të një dite pune mund të zbresë qetësisht shkallët e godinës së shërbimit shtetëror dhe në kembë të largohet drejt shtëpisë së vet. Ose t’i hipë një biçiklete. Apo fundi fundit edhe një mjeti urban, qoftë kjo taksi apo autobuz brendaqytetës. Me siguri një bashkëkombas që ka patur rastin, përshëmbëll në Suedi, të shohë para një ministrie titullarin e saj të hedhë në sup një çantë gjysmë sportive dhe pastaj t’i hipë një biçiklete, ka kapsallitur sytë disa herë, duke dyshuar nëse ishte në ndonjë ëndërr apo krejt syçelët. Më pas kushedi për sa kohë ka bëlbëzuar me vete.
Njeriu ynë i pushtetit, kjo amalgamë me nëntëdhjetë përqind ushtrim pushteti dhe vetëm me dhjetë përqind shërbim për çështjet publike, kështu ka qënë edhe në kohën e Fan Nolit, në atë të Ahmet Zogut dhe të Enver Hoxhës. Kufizimet apo tolerimet në sjelljen e tij modeli shqiptar i pushtetushtruesit i ka patur si pasojë e kohëve apo llojit të regjimeve ku ka jetuar. Në fund të fundit nuk mund të krahasohet një deputet si Luigj Gurakuqi, të cilin kur e vranë në Bari të Italisë të paguarit nga Tirana, kishte patur në xhep vetëm disa centë, me një tjetër të kohëve moderne që përdor makinën publike për ta çuar djalin a nipin në një klinikë private e bërë synet. Siç po ashtu nuk mund të barabitet një parlamentar i sotëm me disa gjuhë, diploma e mastera me ndonjë fare të paditur në vitet tridhjetë të shekullit të shkuar. Koha ka ecur edhe për ikonën shqiptare të pushtetushtruesit, ajo ka ndikuar në bustin e tij, por shumë pak i ka rinovuar kulturën dhe mendësinë. Më shumë i ka apo i paska ritushuar portretin. Sepse ajo që na panë më mirë sytë, pra që kishin të atashuar një batalion me shoferë, dëshmon se ende ndihen më tepër skeptërmbajtës se sa mëngëpërveshur. Madje mbase po e teprojmë duke e zgjedhur episodin e shtetit me shumë shoferë vetëm tek deputetët, sepse në gjithë këtë çudi shqiptare një meritë të madhe ata e kanë: janë zgjedhur drejtpërdrejtë me votë të popullit.
Prandaj mund të zbrezim poshtë tyre për të dëshmuar se “gjashtëdhjetë përqindëshi i personelit me shoferë” është një dukuri shumëdimensionale, e kudogjendur. Mbetet fenomen i zgjeruar dhe i bymyer. Në këto pesëmbëdhjetë vite shumëpartitizëm përmendorja e modelit të njeriut tonë të pushtetit ka përftuar edhe një risi: ai shoferin e ka dhe fondet publike ja paguajnë rregullisht në çdo fund pesëmbëdhjetë ditëshi, por makinën zyrtare e nget vetë. Dhe mos kujtoni se këtë zakon “bashkëkohor” e ka patur vetëm një ish-kryeministër. Apo një e dy anëtarë kabineti qeveritar. Apo dy e tre ambasadorë. E zotërojnë këtë art edhe një aradhë e madhe nëpunësish të rangjeve më të ulta. Shpesh kjo ka shkaktuar edhe një grindje të përhershme mes shoferave pa timon dhe shefave shofera. Kur një ish-ministër dërgoi një urdhëresë që vartësit e tij anë kend strukturave shtetërore të mos e ngitnin makinën zyrtare vetë, por këtë gjë tua besonin në mënyrë të detyruar shoferave, plasi në një pjesë të shtypit protesta e të qortuarve. Ata e akuzuan ministrin se i kishte vënë në varësi të shoferave! Dikush, një autoritet në publicistikë, duke mos e kuptuar se “ku flinte lepuri” në protestën zulmëmadhe të gjoja zëmëruarve, thumboi në një editorial se Shqipëria ishte katandisur në shtet të shoferave.
Mirëpo realisht ne nuk jemi një shtet i shoferave, edhe pse ndonjë prej tyre, nën shëmbullin e disa badigardëve, e komandon shefin e vet gjer edhe çfarë kravate të veshë. E ashtuquajtura supremaci e shoferëve mbi shefat e tyre është një legjendë e thurrur prej një lobi të këtyre të fundit. Marifet për të shmangur të vërtetën, faktin që ne jemi realisht një shtet krejt tjetër, ai me shumë shofera. Po ashtu edhe shtet me shumë shefa, me shumë sektorë, drejtori e nëndrejtori, me shumë sekretare e kryesekretare, me shumë zëvëndësministra, me shumë zyra teke, me mjaft telefona, me shumë udhëtime jashtë shtetit, me mjaft të shtuna dhe të djela “me shërbim jashtë rrethit”, me shumë truproja, me shumë policë me uniformë…Do të ishte punë mjaft e mirë që shoferat, këta profesionistë të mirë, t’i sistemojmë në punë atje ku rritet e zhvillohet ekonomia e shqiptarëve, kurse njerëzit e pushtetit të lëvizin disa me kembë, ca të tjerë me makinat e tyre private, shumë edhe me mjete publike ndër apo brenda qytetëse. T’i mësojmë ata dhe veten gjithashtu që një Shqipëri e vogël bëhet e madhe në qytetërimin dhe progresin e saj vetëm në rast se në faqen e parë të një gazete nuk vjen lajmi për një tufë të hazdisur makinash deputetore që përballë vetë zyrave të komisioneve të Kuvendit prish e nuk respekton e para rregullat e qarkullimit rrugor, por kumti sesi parlamentarët, falë edhe masës lehtësuese të thjeshtimit të listorganikave të makinave publike për gjithsecilin, kanë më shumë mundësi të rrijnë mes njerëzve. Ajo makinë hijerendë me tek dera përherë një shofer të gatshëm, e ka ndarë nga kontakti me popullin, e ka veçuar e mënjanuar bash nga ai që ia ka dhënë me votë kompetencën dhe pushtetin e përkohshëm. Sepse pikërisht kështu të ndan nga populli, për të cilin je mandatuar t’i shërbesh, edhe piramida e sekretareve, nomenklatura e gjatë e shefave, dera e zyrës si të jetë një dhomë private, fatura e telefonave publikë me biseda për tavernën ku do të kalohet darka…
Jemi akoma “shtet me shumë shofera”, por pa mëkatuar e ngarkuar me faj njerëzit e thjeshtë që me atë timon nxjerrin bukën e gojës. Nuk janë ata që e kanë shkaktuar këtë denatyrim, i cili për koiçidencë mori emër e u bë shkas nga zbulimi i tufës së madhe të veturave në Kuvend. Kokëposhtë tablonë e ka krijuar modeli ynë i pushtetmbajtësit. Ishte ai që thirri e grumbulloi përreth vetes kaq shumë sektorë vartës, drejtori e nëndrejtori, sekretare e kryesekretare, telefona publikë, udhëtime jashtë shtetit, të shtuna dhe të djela me dieta të tipit “me shërbim jashtë rrethit”…

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com