Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ne qytetin italian te Barit, te themeluar nga iliret

Ballkan, 8 shtator

Enriko Dalfino dhe Gjergj Kastriot Skenderbeu

Ndërsa “Ballkan” po i merrte një intervistë politikanit italian Potito Peruxhini, një prej drejtuesve të partisë Demokracia Kristiane, në vendin e vet ende një formacion jashtparlamentar, ky bëri menjëherë një ofertë: Na jepni Skenderbeun që t’ju japim Enriko Dalfinon! Skenderbeu ka dhënë shumë për ne, vijoi italiani, zoti Dalfino ka bërë shumë për ju.
Ideja e tij, pak shaka miqësore dhe ndërkohë shumë e vërtetë, kishte këtë thelb “tregëtar”, cilësi kjo e natyrës së qytetarëve të Barit, ku edhe Peruxhini ka lindur: Ju shqiptarët na jepni një bust të Gjergj Kastriot Skenderbeut për ta vendosur në një mjedis të hapur publik të qytetit të Barit dhe ne ju japim një bust të ish-kryetarit të bashkisë së qytetit tonë, të nderuarit Enriko Dalfino. Ju këtë bust duhet ta vini për reciprocitet në një ambient të hapur publik të Tiranës.
Sigurisht nuk gjendeshin në redaksinë e gazetës “Ballkan” autoritetet e nevojshme për të bërë marrëveshje të tilla. Nuk e kishte këtë kompetencë për qytetin e Barit, edhe pse është një barez që punon në Romë, vetë propozuesi, Potito Peruxhini. Por “Ballkan” megjithatë ka autoritetin e plotë që nëpërmjet faqeve dhe tirazhit të saj të mirë ta përhapë mesazhin e italianit, mik i Shqipërisë të paktën që prej pesëmbëdhjetë vitesh. Duke shpresuar se ideja nuk do të shkojë vetëm deri tek lexuesit e thjeshtë dhe gjithnjë shumë seriozë me ato që thonë gazetat, por tek zyrat e larta dhe tavolinat e punës së qeverisësve dhe politikushtruesve tanë që i lexojnë dhe i besojnë gazetat më pak se të gjithë. Eshtë kompetencë e tyre ta pranojnë apo jo këtë formë e nivel shkembimi simbolesh apo të harmonizojnë gjetje të tjera. Lexuesi mund të informohet se Gjergj Kastrioti në epokën e vet ka qënë aleat besnik i Mbretërisë së Napolit, teritor që përfshinte edhe qytetin e Barit. Për motive pune e bashkëveprim me këtë mbretëri dhe me Selinë e Shenjtë në Romë, ai ka zbritur disa herë në bregdetin puliez dhe në njërin rast, kur bashkë me afro tremijë trupa të tij të zgjedhura zbarkoi për të luftuar e mundur disa fisnikë të rebeluar kundër mbretit të Napolit, Ferrantes, për llogari të një rivali të këtij të fundit, Skenderbeu qendroi në Bari. Me këtë rast kronikat shenojnë se banorët e qytetit i pritën dhe i trajtuan me respekt e dashuri të veçantë miqtë e ardhur nga Arbëria për ndihmë. Pikërisht në zonën e rrethinave të Barit, në krahinën e Pulias, mbreti i Napolit i dhuroi Skenderbeut si shpërblim për ndihmën e dhënë dy prona të përhershme, të cilat ishin dy qyteza aspak të varfëra ekonomikisht. Në qytetin e Barit, në dy qytezat e mësipërme dhe përgjithësisht në të gjithë krahinën e Puljes, edhe sot gjenden me qindra familje italiane, të cilat mbajnë mbiemrat arbërorë të kohës. Ata nuk janë veç bashkëkombasit tanë të refugjuar atje pas vdekjes së Gjergj Kastriotit dhe pushtimit përfundimtar të Arbërisë. Mes tyre janë edhe Vranakontët si edhe shumë me mbiemrin e famshëm Kastriota. Përveç degës së Napolit, në Leçe jeton edhe dega e dytë e pasardhësve autentikë të Skenderbeut, mjeku Alesandro, avokatja Paola dhe gjykatësi Xhulio.
Kurse Enriko Dalfino, njeriun të cilin politikani italian Potito Peruxhini e propozoi në kembim të Gjergj Kastriotit, ka qënë kryebashkiak i Barit kur më 7 gusht 1991 në portin e qytetit të tij zbarkuan njëherësh afro njëmbëdhjetë mijë emigrantë shqiptarë dhe autoritetet pasi i bllokuan e mbajtën atje, në qiell të hapët, për disa ditë, i sistemuan më vonë në brendësi të stadiumit të vjetër të qytetit. Bashkëkombasit jetuan edhe këtu në qiell të hapët e në kushte të këqija gati një muaj. Mes njerëzve të thjeshtë dhe intelektualëve barezë, të cilët nuk ishin dakort me këtë trajtim të refugjatëve shqiptarë, u rreshtua edhe Enriko Dalfino. Kur nga qeveria në Romë u planifikua dhe u zbatua ashpërsisht dëbimi i refugjatëve për në Shqipëri (autobuzat nëpër natë i merrnin nga stadiumi duke u thënë nëpërmjet karabinierëve se po i shpërndanin për t’i sistemuar në qytete të tjera të vendit dhe në të vërtetë i çonin në aeroporte për t’i larguar), kryetari i bashkisë së Barit doli kundër kësaj metode. Kjo shkaktoi zëmërimin e madh të një pjese të qeverisësve qendrorë dhe veçanërisht të një personi shumë të fuqishëm. Ky i fundit e kërcënoi me largim nga detyra, çfarë edhe ndodhi më pas. Enriko Dalfino, ky njeri mjaft i adhuruar nga barezët shumë shpejt, pas kësaj traume që i ndodhi, do të ndërronte jetë. Dhimbja e qytetit dhe e bashkëpunëtorëve të tij, ku mes tyre ishte edhe Peruxhini, ishte aq e madhe sa për këtë politikan të djathtë u propozua vendosja e një busti të tij në sallën e parlamentit lokal të Barit.
Aty mbrojtësi i madh i shqiptarëve gjendet edhe tani, simbol i një bashkiaku të pavdekshëm dhe mbartës i mesazhit të humanizmit për popujt në vështirësi dhe nevojë.

Fiera del Levante, ura e madhe Bari-Tiranë

Lino Patruno është prej shumë vitesh drejtor i përgjithshëm i të përditshmes më të madhe të Puljes, “La Gazzetta del Mezzogiorno”. Ajo shpërndahet dhe lexohet me vëmendje edhe në të gjithë Italinë. Kjo është meritë e stafit të saj, por patjetër edhe e drejtorit përgjegjës, zotit Patruno, i cili është edhe një njohës e studjues shumë i kualifikuar i qytetit të Barit, i vetë krahinës së Puljes e deri edhe i rajonit të Bazilikatës. Midis librave të tij njëri, mjaft luksoz si botim dhe shumë profesional në brendësi, titullohet shkurtimisht “Bari”. Nëpërmjet tij mund të hysh lehtë në historinë e sidomos mendësinë e barezëve. Autorit të këtyre rreshtave kësaj rradhe ai do t’i shërbejë si një guidë me autoritet për të mbërritur deri tek Fiera del Levante, institucion që tek shqiptarët njihet edhe me emrin e përkthyer në mënyrë popullore Panairi i Barit.
Tek e fundit Fiera del Levante ka tetë vite që është protagoniste e spikatur e bashkëpunimit italo-shqiptar dhe tashmë përfundimisht edhe një nga simbolet më kuptimplote të këtij bashkëpunimi. Panairet e saj në Tiranë janë mjaft joshëse për bisnesin tonë kombëtar dhe e kanë stimuluar atë. Për ekspansionin në rritje të këtyre marrëdhënieve dëshmon edhe fakti që eksponatet e Fiera del Levante nuk pushtojnë vetëm hapësirat e kompleksit arkitektonik të quajtur Piramidë, por edhe të godinës më të madhe në qendër të Tiranës, Pallatit të Kongreseve.
I rigjallëruar pas rënies së diktaturës, dokumentat e kohës dëshmojnë se edhe regjimi enverist e nxiste bashkëpunimin e këtë Panair, më të madhin që historikisht bëhet në Italinë e Jugut. Janë gjendur kronika të filmuara për pjesëmarrje të artizanatit tonë të kohës në disa seanca të Fiera del Levantes. Pika kontakti të këtij institucioni shumë të njohur panairesh Shqipëria ka patur edhe gjatë regjimit monarkist të Ahmet Zogut. Ndërkohë që Panairi i Lindjes (ky është edhe përkthimi më korrekt i togfjalëshit Fiera del Levante) u shpall i themeluar në vitin 1929 dhe seancën e parë të ekspozimit e realizoi në shtator 1930. Prej këtij çasti është ngulitur tradita që çdo shtator Fiera të organizojë në Bari edhe panairin më të madh të saj ndërkombëtar. Pezullim të përkohshëm të veprimtarisë së Fiera del Levante ka patur vetëm në gjashtë motet e trazuara 1940-46. Një vit pas pushtimit të Shqipërisë dhe në prag të shpalljes së luftës me Greqinë. Kështu socialfashisti i dështuar Benito Musolini zgjodhi si urë komunikimi dhe “bashkëpunimi” me popujt e Ballkanit avionët dhe anijet e tij të luftës, në vend që të vijonte traditën “pushtuese të tregjeve” nëpërmjet “ushtrisë moderne”, Fiera del Levantes.
Kryefashisti i Romës dhe të vetmin italian që shqiptarët nuk e duan, bëri në të njëjtën kohë edhe krejtësisht të kundërtën e kulturës dhe traditës panairistike të barezëve. Në këtë qytet vërtetë Panairi i Lindjes u përurua më 1930, por themelet e tij kishin plot shtatë shekuj të çimentuara në traditën e qytetit. Ishte perandori gjermanik Federiku, i cili në janar 1234 urdhëroi që në shtatë qytete të krahinës së Puljes dhe të Bazilikatës, pjesë e mbretërisë së tij, të çeleshin panaire çdo vit. Periudhat e zhvillimit të tyre ishin organizuar në mënyrë të tillë që cikli të zgjaste nga prilli gjer në tetor. Qyteti i Barit panairin e vet e kishte të planifikuar përvitshëm nga 22 korriku deri me 10 gusht. Kur më në fund u zbulua e fshehta e arsyeve të vërteta të këtij urdhëri, rezultoi se perandori gjerman, i dalluar për kulturën dhe tolerancën e tij fine, e kishte projektuar kolanën e panaireve pikërisht në stinët ku zakonisht zhvillohej lufta, për ta shmangur atë dhe “për të kthyer shpatat në plugje”.
Pikërisht mbi këtë filozofi u orientua Fiera del Levante jo vetëm kur fashizmi perëndoi dhe në gjysmë eurokontinent mori hov zhvillimi demokratik, por veçanërisht pas rënies së Murit të Berlinit. Në devizën e saj qendron ngulshëm ideja bazë se “Pulia ka një rëndësi të jashtzakonshme strategjike: ajo është një lloj “kryeure” midis ekonomive të përparuara të Evropës dhe asaj të Ballkanit, domethënë të hapësirës ku ka nisur “rindërtimi”. Kjo situatë në planin politik dhe ekonomik përbën në mënyrë të padyshimtë një privilegj”.
Lajmi mbi atentatin kundër Romano Prodit

Deri atëhere, pra ndërsa eurolindja kishte qënë e mbyllur prej regjimeve komuniste, Panari i Lindjes kisnte qënë një dritare e hapur vetëm drejt vendeve të Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme. Tashmë, pa bezdinë e ekzistencës së bolshevizmit vetmbyllës, do të ishte urë edhe drejt hapësirës së re të eurolindjes paskomuniste. Por që ta bënte këtë hap të madh dhe sigurisht më favorizuesin për të që nga çasti i themelimit, njëra kembë e kësaj “ure” nuk mund të hidhej tjetërkund përveç se në Tiranë. Kështu ndodhi që seanca e parë e hapjes së Fiera del Levantes në Shqipëri të hidhte ide e rrënjë në vitin më të vështirë të pasdiktaturës, në kaotikun 1997. Për të marë formë vetëm pak kohë më pas, në maj 1998. Dhe për ta kumtuar se ngjarja nuk ishte vetëm e jashtzakonshme në vlerën e saj si superaksion bisnesi, por edhe në rëndësinë e mesazhit politik, në këtë përurim do të merrte pjesë edhe kryeministri italian Romano Prodi. Në atdheun e tyre fqinjët e kanë bërë rregull që në seancën kryesore të Fiera del Levantes në Bari, në atë të shtatorit merr pjesë edhe vetë kryeministri i vendit, siç këtë shtator aktualisht do të jetë i pranishëm Silvio Berluskoni.
Ngjarja kuptimplote në Tiranën e majit 1998 (Romano Prodi erdhi dhe iku brenda ditës) do të ishte gjer në fund e pacënuar dhe e bukur në brendësi dhe në imazh. Misioni i saj ishte dhënia e shpresës së rimëkembjes së Shqipërisë pas trazimit rënues të vitit 1997. Por të nesërmen e ngjarjes së përurimit me prani të kryeministrit italian mbi të, do të nderej një hije e rendë. Në një pjesë të shtypit shqiptar qarkulloi lajmi therrës i dyshimit për një atentat në Tiranë kundër Romano Prodit. I projektuar të kryhej pikërisht kur do të ishte në Panairin e përuruar. Për këtë rrezik të supozuar më pas rezultoi se nuk dinin asgjë të gjithë bashkëpunëtorët e tij që e shoqëronin në veprimtari. Mes grupit të bashkombasve që ecnin pas tij, atë maj 1998 ishte edhe i cituari në krye të shkrimit, Potito Peruxhini. Mirëpo ky lajm turbullues që ishte vënë, si një bombë terrori, mbi seancën e parë të Fiera del Levantes në Shqipëri si edhe mbi aksionin bashkëpunues ekonomik mes dy vendeve, nuk rezultoi i vërtetë. Për këtë gjoja atentat autoritetet kompetente të të dy shteteve bënë menjëherë përgënjeshtrimin.
Sidoqoftë edhe vetë përhapja e atij lajmi ogurzi ishte një diversion mbi atë urën e madhe që ngrihej mbi det, me njërën kembë në Bari dhe tjetrën në Tiranë.

Françesko Divela, Luixhi lo Buono

Fiera del Levanten e mbajti në kembë dhe e forcoi pikërisht sistemi i shoqërisë së hapur me ekonomi tregu dhe sa më i shendetshëm është ky sistem, aq më shumë prestigj, rol dhe ndikim zhvillimi kanë institucionet e llojit të Panairit të Lindjes në një vend më pak të zhvilluar. Këtë të vërtetë nuk mund ta konfirmojnë vetëm dekadat e zbrazëta të bashkëpunimit të mohuar të Shqipërisë realkomuniste me të, por edhe pauza panevojshmërisht e gjatë e mëdyshjes mes Barit dhe Tiranës në gjysmëdyzinën e parë të viteve nëntëdhjetë. Të vërtetën se një bashkëpunim panairesh, sidomos me Fiera del Levanten, është dëshmi e shendetshme e funksionimit të një shoqërie të hapur me ekonomi të zhvilluar tregu, e provojnë në Tiranë pasvitet 98. Në këtë kohë më është dashur të jem një nëpunës shqiptar inkurajues i rigjallërimit të këtyre kontakteve dhe veçanërisht i fikjes së mjaft dyshimeve që në mjediset drejtuese të Fiera-s mbërrinin sistematikisht në emër të disa rivalëve konkurues, të cilët donin ta shmagnin nga lidhja e fortë me Shqipërinë. Ato disa herë, më shumë se realitete, ishin edhe thëllim thashethemesh, por në këtë formën e fundit dëmin e bënin akoma më të madh. Nuk mund të shkoj më tej dhe të rrëfej hollësira për këtë mbrapashpinë të ngjarjeve, por ruaj si kujtim të mirë një autograf të zotit Françesko Divela, bisnesmenit të shumënjohur të makaronave me famë botërore “Divella”, atëkohë president i Fiera del Levante. Në tekstin shoqërues të kartvizitës së tij, datuar për mua më 14 mars 1998, gjendet edhe fraza kuptimfolëse dhe mjaft elegante “me shpresë që marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë të jenë mbartëse të mirëqënies dhe të paqes”.
Nuk mund të ketë tjetër filozofi prosperiteti në bashkëpunimin mes vendeve demokratike veç kësaj devize të mbartjes së mirëqënies dhe të paqes. Fiera del Levante në një farë mënyre është në mes të Tiranës një ambasadore e një vendi mik që nuk vjen të nxjerrë fitime në Shqipëri duke varfëruar popullin e saj. Këtë të vërtetë mund ta shohë gjithkush, ndërsa më pak të informuarit mund të dinë se për të paktën dy vite rresht në panairin tradicional ndërkombëtar të shtatorit në hapësirat e lakmuara të Fiera del Levantes bisnesmenëve shqiptarë u është dhënë sipërfaqe tregëtimi falas. Po ashtu nga shteti italian, me ndërhyrjen e Zyrës për Marëdhënie me Jashtë të Panairit, edhe deri në 150 viza hyrëse për ekipet pjesëmarrëse. Ata bashkëkombas që e kuptonin këtë mirësjellje dhe mesazh, e mirëshfrytëzuan ofertën bamirëse. Kishte të tjerë që bënë hileqarin e provincës së humour dhe varfanjake. Në këto dy vite lehtësuese pothuaj shtatëdhjetë përqind e “bisnesmenëve” shqiptarë që kërkonin të merrnin pjesë gratis në panairin e madh të Fiera del Levantes, sapo siguronin vizën hyrëse nuk paraqiteshin për punë në Bari, por merrnin rrugët e Italisë për pushime e qejf, për të takuar të afërmit apo qendruar atje përfundimisht si emigrantë.
Mbartjen e mirëqënies dhe të paqes në Shqipëri, madje forcimin e këtyre dy elementëve themelorë të një vendi të prosperë, e thekson edhe Presidenti aktual i Fiera Del Laventes, zoti Luixhi Lo Buono, sa herë që bie fjala për këtë përmasë të veprimtarisë së Fiera del Levantes. Kolegu i tij në udhëheqjen e Panairit, nënpresidenti i Fiera-s, zoti Paolo Niti, e ka bërë të plotë në Tiranë thelbin e mesazhit, duke pohuar se \\\"Kemi qënë ndërmarrja e parë panairistike që kemi besuar në kapacitetin e ofruar nga Shqipëria. Ky vend ka dëshirë të rritet”.
Dhe Shqipëria nuk gaboi në përzgjedhjen e preferencën e saj. Për reciprocitet vendi ynë këtu, në këtë megapanair me sipërfaqe 300 mijë metra katrorë, konsiderohet si i shtëpisë. Mund të gjesh fare lehtë në disa nga zyrat e saj imazhe e pamje të Shqipërisë, pse jo edhe miniflamurët tanë kombëtarë. Kjo simpati për shqiptarët nuk vjen për mëshirë, sepse një ndjenjë e tillë kristiane, veproi tek barezët në vitet e para të dekadës së nëntëdhjetë. Ka afro dhjetë vite që tashmë i vë në lëvizje gjërat interesi i ndërsjelltë. Dhe mirëdashja reciproke. Barezët dhe përgjithësisht të gjithë puliezët kanë manifestuar një sjellje shumë humane ndaj bashkëkombasve tanë përgjatë të gjithë viteve nëntëdhjetë, dekadë zbarkimesh të vazhdueshme në brigjet e saj. Në vend që në këtë teritor, ku klandestinët e ardhur deri edhe ashpërsisht nëpërmjet flotiljeve ilegale të skafeve, të provokonin hove racizmi (siç akoma ndodh ndaj shqiptarëve në disa zona të veriut të Italisë) në Pulia e në qytetet e Barit, Brindisit apo Leçes ngjante e kundërta: merrnin jetë inisiativat e solidaritetit me ardhësit për motive thjesht ekonomike.
Fiera del Levante në këtë sjellje humane e miqësore mund të jetë edhe “kështjella” e saj më e spikatur.
Ndoshta kjo ka edhe një lidhje të vjetër “gjaku”. Një venë antike.
Qyteti italian i Barit është themeluar nga ilirët. Këtë hollësi e dinë dhe e pohojnë edhe vetë historianët vendas. Sigurisht nuk kanë qënë ato fise ilire, prej të cilëve kemi rrjedhur ne, shqiptarët e sotëm. Ne vijmë prej ilirëve të jugut, barezët prej fiseve të ilirëve të veriut. Ka në këtë qytet edhe libra seriozë që këtë prejardhje të qytetit të Barit e formulojnë si popullsi të ardhur “prej ilirëve sllavë”. Mirëpo dihet që ilirë sllavë nuk ka. Në gadishull kanë qënë në fillim fiset e shumta ilire dhe pastaj ka ndodhur dyndja e njohur sllave e shekullit të gjashtë.
Sidoqoftë shqiptarët dhe barezët vijnë nga po e njëjta familje e madhe, ilirët. Për ngjashmëritë e ndërsjellta që kanë, si edhe për miqësinë,një pjesë të arsyeve mund t’i gjesh tek kjo rrenjë e njëjtë.

Kufiri që nuk ndan, por bashkon

Shkrimtari i njohur në Evropë, kroati Predrag Matvejeviç, mes të tjerash edhe autor i librit “Mesdheu”, ka shkruar se në Bari dhe në Fiera del Levante takohen qytetërimet \\\"italiane me francezen, spanjolle dhe katalane me araben, civilizimet kroate me sllovenen, serbe me malezezen, maqedonase me bullgaren, vjen këtu qytetërimi shqiptar, ruman, turk dhe mandej te tjera\\\"
“Jemi edhe Perëndim, edhe Lindje” e kanë zakon të pohojnë në qytetin italian të Barit. Ata nuk përtojnë të theksojnë se pozicioni i favorshëm gjeostrategjik u ka dhënë fatin të jenë jo një kufi që ndan, por një kufi që bashkon.
Ka një mijë mënyra për ta provuar këtë të vërtetë. Një nga këto është edhe Fiera del Levante. Në rotativën e saj të papushuar të rreth tridhjetë seancave panairistike gjatë një viti, midis përvitshëm të afro 5000 njerëzve të bisnesit dhe dy milion vizituesve, bisedat, debatet, takimet dhe prezantimet për Shqipërinë zënë një vend të dukshëm. Që kur stafi drejtues dhe inteligjent i Fiera del Levantes në strategjinë e vet të ekspansionit drejt vendeve të lindjes ish-komuniste si “plastdarmë“ përcaktoi Tiranën dhe Shqipërinë, ai me gjithë zëmër e ka bërë kryeqytetin shqiptar një teritor më shumë se mik. Këtë fakt do ta shpjegonim më qartësisht me anë të një krahazimi të shkallëzuar: tradita e raporteve historike mes popujve italikë dhe atyre ilirë e arbërorë ka qënë më i miri ndër çdo marrëdhënie me kombe të tjerë fqinj; bashkë me pluralizmin shqiptar rimorën formë të shkëlqyer raportet mes dy qeverive në Tiranë dhe në Romë; këtë progres të dukshëm pozitiv e ka konsoliduar e çuar më tej Ambasada e Republikës Italiane në Shqipëri; e ka lartuar edhe më këtë monument të parrëzueshëm miqësie të ndërsjelltë edhe Fiera del Levante.
Siç ka ardhur angazhimi maksimal nga përtej detit, ashtu edhe i është përgjigjur gatishmëria përkëtej, në trojet tona. Dhe jo vetëm për hapësirat e banuara nga shqiptarët, por edhe përtej tyre. Në një farë mënyre Shqipëria dhe Tirana e hapur dhe në raporte miqësore me të gjithë Ballkanin ka lehtësuar depërtimin e Fiera Del Levantes jo vetëm në Rumani, Bullgari dhe Kroaci, por edhe në Serbi e Bosnjë Hercegovinë. Në sajë edhe të Fiera del Levante Evropën juglindore jo vetëm e ka përfshirë dëshira e tregëtisë së ndërsjelltë, por edhe e fqinjësisë më të ngushtë. Një dëshmi e fundit: në shkurt të këtij viti, 2005, Panairi i Barit ishte në Plovdiv të Bullgarisë; nga 15 deri 22 maj çeli një seancë të saj në Novi Sad, Serbi. Pak ditë më vonë, një të enjte, 26 maj, përuroi eksponatet e saj në Tiranë. Madje kësaj rradhe, pak më ndryshe nga herët e tjera dhe po ashtu ndryshëm nga objektivat që i vuri këtë vit aksionit të saj panairistik në rajonin e Ballkanit, e titulloi atë “Mënyra italiane e jetesës”. Duke mos e spikatur këtë motiv edhe në vendet e tjera të rajonit, organizatorët e saj kanë dashur të përçojnë kumtin se në Shqipëri Fiera del Levante, kjo pararojë e zhvillimit dhe e Bashkimit Evropian, gjente një tokë mjaft miqësore në mendje, në shpirt dhe në mënyrën e jetesës.


Koka e Korridorit numër Tetë

Simboli i Fiera del Levantes është një karavelë e kuqe, një anije tipike e mesjetës së hershme. Përzgjedhja ka kumtin e udhëtimit në të gjitha detrat e rajonit të Mesdheut. Kur në stafin drejtues të saj bënë bilancin e vetëm seancës së shtatorit të vitit të kaluar, atë me numër 67, rezultoi se jo vetëm kishte patur 965 mijë vizitues (nga një mezatare prej 700 mijë) apo se ekspozues nga zakonisht 2000 kishin vepruar 2350, por tashmë ishte rritur në të edhe pjesëmarrja e njerëzve të politikës të ardhur nga rajoni. Përveç kryeministrit italian dhe tre ministrave vendas, në Fiera del Levante në Bari ishte regjistruar gëzueshëm edhe prezenca e kryeministrit shqiptar, e atij të Bosnjë Hercegovinës, e tetë ministrave si edhe prania e 39 vendeve nga bota. Ja përse tani në qytetin e Barit janë të sigurtë kur konfirmojnë se Fiera del Levante nuk është vetëm qendra e referimit për zhvillimin e Italisë së Jugut, por edhe institucioni ndërmjetës për të gjithë rajonin e Ballkanit. Fiera del Levante thirret në mënyrë figurative edhe “fari i Mesdheut”.
Kjo do të thotë se Bari është edhe koka e Korridorit numër Tetë.
Të gjithë e dinë se ky është edhe një korridor i madh gjeostrategjik, tërësisht i një rendësie të veçantë për Italinë. Me një rendësi të jashtzakonshme gjeostrategjike ai është edhe për zhvillimin e Shqipërisë. Asnjëherë nuk janë gjetur kaq pranë në një projekt të madh vendi ynë dhe ai fqinj, shteti e kombi i cili historikisht ka dëshiruar e mbrojtur mbijetesën e shqiptarëve. Vlera gjeostrategjike e këtij korridori vjen prej të paktën dymijë vjetësh, kur perandori romak me mbiemrin Appia nisi në trojet italike ndërtimin e trasesë së rrugës me të njëjtin emër (Via Appia). Ajo delte nga porta jugore e qytetit të Romës dhe shkonte në Bari dhe Brindisi. Prej aty zbarkonte në Durrës, duke marë tashmë emrin Via Egnatia. Gjurmë të saj gjenden edhe tani në teritorin shqiptar, maqedon, grek, deri sa mbërrihet në Selanik.
Në rast se dymijë vite të shkuara rruga kontinentale Appia-Egnatia ishte korridor jetik i perandorisë shumëkontinentale romane, ku përfshiheshin edhe hapësirat ilire të parashqiptarëve, tani nuk mund të jetë veç një korridor panevropian dhe sërish shumëkontinental. Pra të jetë një korridor i “perandorisë” së Bashkimit Evropian. Shumë standarte na duhet të plotësojmë për të kryer e përmbyllur proçesin e vështirë e të gjatë të aderimit në BE, por zor se kjo gjë do të ndodhë pa u ngritur në kembë dhe kompletuar Korridori Tetë, ringjallja moderne e rrugës Appia-Egnatia.
Arsye të tilla mjaft jetike kanë gjalluar në Tiranë deri edhe instituimin e një lobi parlamentarësh me objekt këtë korridor, ndërsa në Itali nuk shpëton rast pa e ritheksuar nevojën e realizimit të kësaj nyjeje urgjente komunikimi me Evropën Juglindore e deri lart, në lindje, drejt viseve të saj të virgjëra. Dhe nuk është rastësi që pothuaj të gjitha deklaratat më të vendosura për vijimin e çuarjes deri në fund të Korridorit Tetë bëhen në qytetin e Barit, aty ku edhe realisht gjendet “koka” e tij. Madje edhe në Bari, për më shumë se një simbolikë, takimet e punës për këtë çështje mbahen në mjediset e Fiera Del Levantes. Këtu mblidhen edhe ministrat e transportit të të gjitha vendeve, nëpër të cilët kalon ky korridor. Objektivi i tyre i parë është “të bindim Bashkimin Evropian për përparësinë e Korridorit Tetë”. Sepse dihet tashmë botërisht se në Bruksel dhe në qendrat e tjera të fuqishme të eurokontinentit ky korridor deri tani nuk hyn në listën e atyre me vlerë parësore. Kjo është një betejë e madhe, e cila zhvillohet në zemër të Evropës dhe nuk bëhet fjalë për të përmbushur një mision mbushëmendës apo bindës në Bruksel, por të kesh e ushtrosh ndikim në garën e madhe të interesave të dorës së parë dhe të dytë të më të fuqishmëve të kontinentit. Këtë peshë influence nuk e ka jo vetëm Maqedonia apo Shqipëria, por edhe Bullgaria. Shpresa e vetme e ndikimit është Italia. Në sfond edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku bën jetë edhe naftë e gazsjellësi i madh me inicialet AMBO. Ky do të kalojë nëpër këtë korridor dhe do të jetë pjesë e infrastrukturës së tij.
Në Bari, pikërisht për këtë rëndësi dhe ndërlikim që ka Korridori Tetë, mendojnë për të më shumë se në Tiranë. Në Fiera del Levante, në “kokën” e “trurin” e këtij korridori këtë fakt e shpjegojnë me formulimin sintetik “Korridori i madh infrastrukturor numër Tetë do të bashkojë Puljen me Ballkanin”.

Vrasja e Azem Hajdarit dhe “Dita e Shqipërisë”

Sepse Bari është një “kokë” dhe nerv jetik i Korridorit Tetë, atje edhe mund të ndjesh më lehtë se në shumë pika të tjera të Ballkanit se çfarë ndodh në gadishull. Për të mbyllur këtë reportazh mbi këtë qytet të themeluar nga po ata popuj të lashtë, prej të cilëve rrjedhim edhe ne, shqiptarët, si edhe për të përkujtuar humbjen e pamerituar të jetës së një kryengritësi dhe antikonformisti të njohur, Azem Hajdarit, po përcjellim për lexuesin një ngjarje.
Ndërsa atentati kundër deputetit Hajdari ndodhi më 12 shtator 1998, në Fiera del Levante më 16 shtator ishte shpallur “Dita e Shqipërisë”. Krimi i rendë i ndodhur në Tiranë, i pasuar edhe me akte dhune ndaj institucioneve shtetërore, e tronditi qytetin e Barit dhe e bëri Fiera del Levanten të mbante frymën pezull. “Barometri” i saj e regjistroi me shqetësim ngjarjen e ndodhur matanë Adriatikut dhe duke qënë se për të në gadishull kanë rendësi ngjarjet e kundërta, ato stabilizuese, më 13,14 dhe 15 shtator në disa nga zyrat e Panairit kishte ankth se çfarë do të ndodhte më pas. Rënia e Shqipërisë në një kaos të ri si ai i një viti më parë, donte të thoshte se ajo kemba e “urës” mes Barit dhe Tiranës, do të shembej me rrapëllimë.
Më 16 shtator “Dita e Shqipërisë” ishte e trazuar. Vëzhgues të vëmendshëm vunë re se në Fiera Del Levante, në ndryshim nga ditët e mëparshme të panairit, ishin trefishuar karabinierët dhe në hyrje ishte bërë më i imtë kontrolli i shqiptarëve. “Dita e Shqipërisë” u përkujtua në Pallatin Mezzogiorno të kompleksit të Fiera-s, ku brenda afërsisht një ore foli një këshilltar i kryeministrit shqiptar si edhe disa nëpunës të nivelit të dytë. E morën fjalën edhe një grup intelektualësh që dëshironin të paraqisnin para opinionit italian imazhin e keqpërdorur të vendit të tyre. Ndërsa veprimtaria ishte në gjysmën e saj dhe tronditjen mund ta lexoje në çdo fytyrë, përfshi edhe një grup sipërmarësish shqiptarë, ndodhi që shpirtërat e pjesëmarrësve më pas u gjallëruan. Disa bisnesmenë italianë e morën fjalën njëri pas tjetrit dhe deklaruan se nuk do t’i ndërprisnin lidhjet me Shqipërinë. Ata kishin qënë plot shpresë që një një ditë më parë, kur duke ndjekur me ankth ngjarjet e zhvilluara në Tiranë, kishin marrë vesh se bankat ishin ruajtur nga policia, se sportelet e tyre ishin tashmë të hapura dhe se kishin mbetur nën kontrollin e plotë të shtetit edhe doganat. Ndërkohë u konstatua një pjesëmarrje më e madhe se herët e tjera e arbëreshëve, të cilët blenë mallra artizanalë dhe videokaseta nga Shqipëria. Këta sollën gëzim.
Kështu në 16 shtator 1998 në Fiera del Levante “barometri” i saj, i cili mat “temperaturën” në rajonin e Ballkanit, regjistroi prognozën: Në Shqipëri ka mot të mirë.

Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com