Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ĒFARĖ FSHIHET PAS MUNGESĖS SĖ FOTOS PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912?
AMERIKĖ, PSE TĖ DUAN KAQ SHUMĖ SHQIPTARĖT
FLAMURI QĖ U NGRIT NĖ VLORĖ DHE KASTRIOTI I PESTĖ, ALEANDRO
22 NĖNTOR 1944, QYTETI I TIVARIT: ARRATISJA E BALLIT KOMBĖTAR NĖPĖR NJĖ DET TĖ MINUAR
PASARDHĖSIT NĖ ITALI TĖ SKĖNDERBEUT NĖ KRYE TĖ MBROJTJES SĖ PAVARĖSISĖ SĖ PORSASHPALLUR
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

A po agon mbi Rrugen e Arberit?

Ballkan, 15 prill 2006

Kur në vitin 1913 trojet e banuara historikisht prej shqiptarëve i prenë në mes, nuk ndodhi vetëm përgjysmimi i popullsisë së kombit tonë dhe as vetëm shpërndarja e tyre në katër shtete. Kjo ishte një gjëmë e madhe sepse pjesa tjetër e trupit dhe gjymtyrët e etnisë nuk u gjendën në vende dashamirëse, demokratike apo të paktën ekonomikisht shumë të zhvilluara. Gjysma e kombit u hodh në terrene jomiqësore, madje ra në moçalin e një tradite kundërshqiptare.
Por nuk do të mjaftonte vetëm kjo pasojë e vitit 1913. Kryegjëma do të kishte pasojë dobësimin e detyruar të kombit tonë si nga njëra anë ashtu edhe nga ana tjetër e kufirit. Askush nuk mund ta parashikojë saktësisht, por një Shqipëri me njohje ndërkombëtare të kufijve të saj të atëhershëm natyralë i ka patur gjasat që të përfaqësonte një vend mjaft të zhvilluar dhe një partner ballkanik mjaft kontruktiv e dashamirës. Me këtë që themi nuk duam të ringjallim teza primitive të etnonacionalizmit dhe të përkrahim një ndryshim kufijsh. Në mënyrë kategorike nuk zgjidhen e kompensohen kështu dëmet e mëdha që na ka sjellë historia. Kultura demokratike e Evropës së Bashkuar ka bërë qartë të dobishme mjete e rrugë të tjera për t’u ndjerë sa më afër me bashkëkombasit. Një nga këto është edhe Rruga e Arbërit, korridori infrastruktural që lidh portin e Durrësit me Prishtinën.
Pak ditë më parë kryeministri i Shqipërisë pohoi publikisht se ky korridor do të ngrihej pa tjetër, madje edhe me fondet e shtetit. Pyetjes nëse shteti ynë e kishte këtë mundësi financiare Kryeministri u përgjegj vendosmërisht me një “po”. Duke e ditur se drejtuesi i qeverisë aktuale gjen tek vetja përherë plot vullnet dhe njihet si kembëngulës gjer në kokëfortësi, nuk na mbetet veç të besojmë se një erë e re mund të nisë për shpejtimin e ritmeve dhe më në fund ngritjen e Rrugës së Arbërit. Kjo “kembëngulje gjer në kokëfortësi” e kryeministrit aktual do të ishte jo vetëm më e pranuara apo më e toleruara, por edhe më e dëshiruara. Kjo nuk do të thotë se pas këtij kumti inkurajues kombëtar ne ende nuk arrijmë të ndajmë dot politikanin që bën propogandë partiake nga kryeministri që di saktësisht mundësitë konkrete financiare të realizimit në një investimi të madh. Po ashtu kjo nuk do të thotë aspak se kryeministrat pararendës të tij nuk e kanë dashur ngritjen e këtij korridori rrugor, kur në të vërtetë të paktën në rastin e njërit funksionoi edhe një taksë për të kompensuar fondin e nevojshëm.
Problemi është se Rruga e Arbërit është kryeura më e madhe e bashkimit të shqiptarëve dhe mënyra moderne që do të mirintegrojë dy gjysmat e kombit. Prej kohësh në BE shkon drejt sfumimit rendësia tradicionale e kufijve tokësorë. Drejt mpakjes po shkojnë edhe “kufijtë“ ekonomikë, këtë prirje kanë edhe ata politikë. Ndërkohë prej gjithsecilit shtet përbërës forcohen kufijtë kulturorë dhe ato të identitetit kombëtar. E gjithë kjo tablo e re e strukturës së eurobashkimit ndërsa po “harron” kufijtë tokësorë dhe ekonomikë ka vizatuar mbi trupin e të ardhmen e vet të vitit dymijë rrjetin gjigand infrastrukturor të Korridoreve Transnacionalë. Njëri prej tyre, ai me numërin 8, jo ndër më kryesorët e BE-së, kalon nëpër Shqipëri. Ky shembëll e ky mësim evropian qartëson si drita e dielllit mesazhin se vënia në jetë e kompensimit nga pabesia e kryer në vitin 1913 nuk është lufta apo gara e kufijve, por ajo e korridoreve. Një shoqëri e hapur si kjo e jona nuk ka nevojë të ushqejë asnjë lloj nacionalizmi, ca më pak atë që mbështetet vetëm mbi principe etnike. Patriotizimi i shqiptarëve ka nevojë të nxitet e frymëzohet nga vullneti e përpjekja reale për të ngritur sa më shpejt Rrugën e Arbërit.
Ky korridor shumëfunksional nuk bashkon vetëm Shqipërinë me Kosovën. As vetëm dy gjysmat kombëtare apo edhe dy tregjet. Rruga e Arbërit e nxjerr Kosovën në det edhe në superportin e Durrësit. Ajo e lidh gjysmëkombin tonë me Italinë dhe me gjithë Mesdheun. Për pak “durrës” shteti i mëparshëm shoven serb nga ka përgjakur disa herë. Për një copë “durrës” që në fillimet e veta të pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë edhe Maqedonia kërkoi dhe gjeti gjuhën e mirëkuptimit me ne. Për atë pak “durrës” me Shkupin u gjet edhe një shtysë modeste për zgjerimin e të drejtave dhe lirive të bashkëkombasve tanë në shtetin fqinj, ku meritën kryesoree kanë vetë ata. Por “Rruga e Arbërit” e nisur nga Durrësi e lidh Tiranën jo vetëm me Prishtinën apo bashkëkombasit tanë të Luginës së Preshevës, por edhe me vetë qendrën e kontinentit, me zemrën e Bashkimit Evropian. Ky korridor transnacional i bashkuar kalon edhe nëpër Beograd dhe kjo në kohën e sotme nuk përbën jo vetëm “tradhëti”, por as gabim gjeostrategjik. Interesi dhe e ardhmja e vetme që kemi, eurointegrimi, kalon nëpër të gjitha kryeqytetet e Ballkanit. Zhvillimi ynë kalon në hapjen maksimale të tregjeve të rajonit. Kur na sakatuan me përgjysmim në vitin 1913 arkitektët shovenë antishqiptarë bënë prerjen e rrugëve të komunikimit mes tregjeve, duke na tharë në trungun amtar zona të tëra në veri dhe në juglindje të shtetit.
Rruga e Arbërit në një farë mënyre është një epope tjetër në vijim të ngjarjeve çliruese të pranverë-verës së vitit 1999. Ngritja e këtij korridori simbolikisht është i krahasueshëm me çlirimin e atëhershëm të Kosovës nga NATO dhe UÇK. Ngritja e Rrugës së Arbërit sërish është një epope. Patjetër edhe në luftë me ndonjë individ apo rreth antishqiptar që nuk e dëshiron. Ta realizosh atë nuk është më pak se heroizëm. Ajo është edhe histori.
I lumi ai që e di këtë gjë dhe për ta nxjerrë më në fund në dritë kryeurën e bashkimit tonë kombëtar dhe europian gjen tek vetja plot vullnet politik, mjaftueshëm para si edhe “kokëfortësinë” e domosdoshme.


Ylli Polovina





Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com