|
Ballkani i ri qe vjen nga Fushe Kosova
Korrieri, 22 qershor 2006
Në 28 qershor të vitit 1389 në Fushë Kosovë u zhvillua beteja e madhe mes koalicionit të popujve të Ballkanit dhe një armate osmane të shumtë në numër e mbi të gjitha mjaft agresive. Porta e Lartë kërkonte të pushtonte me çdo kusht të gjithë gadishullin dhe më pas t’i sulej zemrës së Evropës. Në këtë betejë të egër koalicioni mbrojtës u mund. Sërbët që ishin forca kryesore e kësaj aleance që prej këtij çasti, duke e vuajtur shumë shpirtërisht këtë disfatë, më vonë, ndërsa shumuan frymën e rezistencës për çlirim kombëtar nga pushtimi turk, bënë në këtë ngjarje një manipulim masiv dhe aspak të hijshëm. Ata fajësuan shqiptarët si mëkatarët kryesorë të kësaj humbjeje tragjike, ndërsa për fat të keq aleancën e tradhëtoi një prijës serb (Vuk Brankoviç) dhe bashkë me trupat osmane luftonte kundër të vetëve edhe një tjetër feudal serb (Marko Krajleviç). Ndërkohë dihet historikisht që në trupat e koalicionit morën pjesë dhe luftuan heroikisht bashkë me njësitë e tyre edhe disa feudalë shqiptarë, mes të cilëve edhe gjyshi i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Në vijim të manipulimit në vitet pesëdhjetë të shekullit të tetëmbëdhjetë, kur u pavarësuan si shtet, elita nacionaliste sërbe në vend që këtë falsifikim ta mbyllte këtu, e çoi më tej. Në vitin 1912 kur hynë në Kosovë dhe vunë thonjtë mbi të paketa e re e interpretimit të 28 qershorit 1389 kishte marrë trajtën e simbolikës së një lufte mes Krishtërimit dhe Islamizmit, ku në të parën gjendeshin sërbët dhe në të dytën shqiptarët. Kjo tezë absurde dhe e ligë u djallëzua edhe më tej duke justifikuar “të drejtën historike” të Sërbisë mbi Kosovën. Sllobodan MillosheviçI në kohën e tij e përpunoi simbolikën e betejës së Fushë Kosovës sikur serbët ishin mbrojtës së Bashkimit Evropian dhe shqiptarët baza të Al Kaedës dhe Bin Ladenit. Me rastin e 600-vjetorit të kësaj beteje, më 28 qershor 1989, në vitin kur diktaturat komuniste kishin marrë rrugën e shembjes, ai startoi nacionalizmin sërb. Marrshimi i tij personal për t’u bërë numëri një i Jugosllavisë pastitiste nisi tamam në Fushë Kosovë. Nacionalizmin serb, të cilin e vuri në lëvizje si të vetmen energji të sigurtë për të kapur postin e presidentit, e egërsoi mbi fatin e shqiptarëve të Kosovës.
Kur bashkësia ndërkombëtare në qershor 1999, tamam në 610 vjetorin e kësaj beteje, nëpërmjet krahut luftarak të saj NATO ia mori Millosheviçit Kosovën dhe e shpalli protektorat të Kombeve të Bashkuara, nisi të ndryshojë më në fund edhe simbolika e mëparshme e falsifikuar e betejës së Fushë Kosovës. Përgjigjen “proevropianit” Sllobodan ia kishte dhënë vetë Evropa. Me rënien e diktaturës së fundit të Ballkanit dhe përfshirjes së Sërbisë në proçeset demokratike ata që besojnë në pllakën e vjetër të interpretimit të betejës së Fushë Kosovës nisën të pakësohen edhe më.
Aspak në ndonjë përvjetor jubilar, por gjithsesi në muajin kur kjo ngjarje ka 617 vjetorin, në Fushë Kosovë shkoi edhe kryeministri shqiptar. Jo vetëm fjala e tij paqësore për një rrugë të përbashkët të të gjithë popujve të Ballkanit drejt BE-së, por edhe fakti që vizitoi një manastir serb dhe ofroi ndihmë financiare për rehabilitimin e tij sa më të mirë, shenuan një nivel të ri në ndryshimin e simbolikës së 28 qershorit 1489. Ajo betejë për liri është deformuar shumë dhe doemos që do të duhet edhe mjaft kohë të fitojë trajtën e saj reale, por politikani shqiptar i Tiranës, Sali Berisha, dha një kontribut të vetin. Mbi gjashtë shekuj më parë Fushë Kosova përfaqësonte bashkësinë e popujve ballkanas që mbronin qytetërimin perëndimor. Në këtë vlerë ajo mund dhe duhet të rikthehet sërish. Fushëkosova përmban mesazhin e bashkëjetesës së shqiptarëve dhe popujve sllavë, jo të kundërtën. Vizita treditore e kryeministrit në Kosovë jo vetëm ishte në kohën e duhur, por nëpërmjet një protokolli mjaft të zgjuar mbarti mesazhe dhe simbole tejet pozitivë. Shteti i pavarur i bashkëkombasve tanë e ka fatin të pandashëm nga respektimi i të drejtave të plota të pakicave etnike.
Ajo që ndodhi këto ditë në Kosovë ku një kryeministër shqiptar shkoi shumë miqësisht tek një kishë ortodokse sërbe është vijim i një tradite të vjetër të kombit tonë. Nuk duam të sjellim si dëshmi për të provuar këtë gjë as gjyshin dhe as vetë Skënderbeun. Tek ky i fundit jo vetëm miqësia, por edhe lidhja e gjakut nëpërmjet martesave me feudalë serbë vijoi edhe shumë kohë pas vdekjes së tij. Nuk duam të rikujtojmë as heroin më modern të Kosovës, Ibrahim Rugovën, i cili shtetin e ardhshëm shqiptar që në projektin e tij thirrej Dardani, e pa të pandarë nga respektimi total i pakicës sërbe.
Pak muaj pasi kishte përfunduar ndërhyrja e NATO-s në ish-Jugosllavi, më 11 shtator 1999, në Pallatin e Vjetër të Firences u mbajt një takim ndërkombëtar njerëzish të medias, studjuesish të gjeopolitikës dhe veprimtarësh politikë. Në të foli edhe Staffan De Mistura, drejtor i Zyrës së Informacionit të Kombeve të Bashkuara në Itali. Në fjalën e tij mes të tjerash ai u tregoi të pranishmëve një ngjarje të ndodhur në 2 maj të atij viti, kur gjendej në Kukës. De Mistura tha se deri një ditë më parë nga përtej kufiri hynin çdo ditë mezatarisht 8000 refugjatë kosovarë. Shumica ishin gra dhe fëmijë, burrat mjaft të paktë. “Ne”, tregoi Staffan De Mistura, “shumë të lodhur, kërkonim bashkë me të tjerët t’u bënim të ardhurve çdo lloj forme pritjeje dhe më në fund zbuluam një gjë: u jepnim atyre batanije dhe ushqim, duke u përpjekur kështu t’i ndihmonim, por shumica ishin të terrorizuar. Kishin frikë, dëshironin konfort shpirtëror, kishin nevojë për një përqafim, për një ndjenjë të shprehur njerëzore, donin t’i prekje, t’i takoje me dorë dhe t’u thoshe “Mbaroi më në fund, ja dolët në krye, tani jemi ne me ju”. Më pas De Mistura tregoi se në të kundërt të ndjenjës njerëzore të mirëpritjes që u bënin një një majë kodre në tokën e përtej kufirit dy snajpera serbë shtinin mbi refugjatët pikërisht që të bënin të kundërtën, të rënonin idenë se më në fund ikësit ia kishin dalë të shpëtonin.
“Dy maji 1999 ishte një ditë tepër e gjatë, bënte shumë vapë…” rrëfeu në vijim njeriu i Kombeve të Bashkuara Staffan De Mistura. “Më në fund pati një perëndim dielli të mahnitshëm. Pastaj papritmas nga përtej kufiri nuk po vinte më asnjë njeri. Në këto çaste po pushonim pak, kur më afrohet një nga kolegët dhe më thotë “Shih, janë dy njerëz që po vijnë tani!” Mora dylbitë dhe pashë atje ku ishte “toka e askujt”. Ishin dy njerës mjaft të moshuar, një plak dhe bashkë me të një plakë, të vetëm, që mbanin në dorë një qeskë të plastmastë, ku kishin vendosur ato pak gjëra që kishin marrë me vete. Ai ishte veshur tamam si një katundar kosovar, me rrobat më të mira që kishte patur: kapele dhe veshje blu. Edhe plaka ishte e veshur me rroba tradicionale kosovare. Dukej më e fortë se ai. Të dy kishin një pamje shumë të lodhur. Kishin udhëtuar për nentëdhjetë kilometra me rradhë dhe nuk kishin më asnjë grimë fuqie. Herë pas here ndaleshin të pushonin pak, kështu që unë bashkë me kolegët e mia vrapuam menjëherë drejt tyre, ndërkohë që njëri nga snajperat serbë mbi kodrinë nisi të bërtiste nervoz që të mos shkonim drejt dy pleqve. Filluan të thërrisnin për t’u ruajtur edhe kufitarët shqiptarë, por nuk ndodhi asgjë. I arritëm të dy pleqtë, i përqafuam, edhe plaku më përqafoi. Në gjermanisht, gjuhë që ai e njihte si edhe unë, më thotë: ”Më shpëtoi një fqinj serb dhe më mbajti të fshehur për mjaft kohë, gjersa më zbuluan. Atë e ndëshkuan, kurse mua më dhanë tre orë kohë që t’ja mbathja. Nuk më vranë sepse jam tepër plak, jam i padobishëm”.
Në këtë takim të Firences kishin një gjuhë krejt tjetër përfaqësuesi i televizionit shtetëror serb Ksenija Stojanoviç dhe i dërguari nga Agjensia Jugosllave e Lajmeve Tanjug, Dragosh Kajaliç. Të dy kishin mbetur në mentalitetin e devijuar të thelbit të vërtetë popullbashkues të betejës së Fushë Kosovës.
Nga shqiptarët ishte i pranishëm gazetari Arjan Konomi. Si studjues i gjeopolitikës ai nguli kembë në idenë se ndërhyrja ndërkombëtare kishte qënë, për herë të parë në historinë e luftrave me jehonë globale, një aksion për të mbrojtur të drejtat njerëzore. “Kjo luftë e NATO-s është humanitare” përsëriti fort Konomi, duke bërë pa dashje të nervozohej Kajaliç, mendësia e të cilit nuk mund të shkonte deri tek ideja se një kulturë vendesh demokratike mund të shkojë natyrshëm gjer në maksimumin e mundshëm, deri në mbrojtjen me armë të të drejtave njerëzore të një populli të sulmuar nga shkelës të këtyre të drejtave.
Në takimin ndërkombëtar të Firences nga radiotelevizioni publik shqiptar, RTVSH, ishte Alfred Dalipi, atëherte nëndrejtor i saj. Ai u tha të pranishmëve se televizioni i tyre kishte kryer në kufi mjaft filmime, duke filluar nga një nuse e re shtatzanë, e cila kishte udhëtuar pas bërë asnjë pushim 54 orë dhe kishte mbërritur në Shqipëri me foshnjën në bark vdekur që para dy ditësh. Kemi 50 orë filmime me tmerre të tilla, por me një vendim të stafit drejtues të radiotelevizionit tonë asnjë nga këto nuk u transmentua. Këtë e bëmë, shpjegoi Dalipi, “sepse ne duam të shpërndajmë sa më pak urrejtje për ata që na kanë shkaktuar kaq shumë fatkeqësi. Serbët në çdo rast janë e do të mbeten fqinjët tanë“.
Sepse shqiptarët mendojnë bashkarisht kështu kanë arritur në këto vite të pasdiktaturës të formulojnë dhe zbatojnë politika jo vetëm tolerante, por edhe të avancuara të bashkëjetesës (“Shengeni ballkanik” i Fatos Nanos), Ilir Meta të kishte një nga miqtë më të mirë kryeministrin e moderuar properëndimor serb Zoran Xhinxhiç, Pandeli Majko të ketë mjaft adhurues në Kosovë dhe jo më pak vlerësues të tij në Beograd. Nuk mund të thuhet e kundërta as për dy presidentë që kanë qënë të paepur për një Kosovë të pavaruar: Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu.
Ja pse kryeministri aktual pak ditë më parë kurorëzoi me një gjest inteligjent e kuptimplotë këtë traditë, këtë dëshirë e këtë mesazh: Fushë Kosova që nga 28 qershori 1439 është djepi i jetesës së përbashkët të shqiptarëve dhe serbëve.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|