|
Njerezoju edhe me, politike!
Ballkan, 16 mars 2006
Politika po punon me ritëm të plotë, madje edhe me ritëm ekstrem. Ajo është përherë frenetike dhe kjo vazhdon të mbetet cilësi konstante e saj. Punon njëzetë e katër orësh edhe kur ka fushatë zgjedhore, edhe kur nuk ka ndonjë të tillë. Në rastin e këtyre ditëve të fundit politika shqiptare gjendet në një nga gjendjet e saj të përhershme të aktivitetit maksimal. Pikërisht se ajo po punon me të gjitha energjitë e mundshme dhe ka lëshuar të gjithë motorrat është një rast i mirë për ta vëzhguar më nga afër. Përshembëll, edhe pse çështja me të cilën ajo po merret aktualisht është parimore dhe e rendësishme, e drejtë për të qënë nën vëmendjen e saj, një gjë duket fare qartë: politika prej shumë ditësh ka lënë mënjanë mjaft preokupime të tjera që ka vendi dhe shoqëria. Dhe nuk është fjala këtu vetëm për alarmin normal nga shpërthimi i menjëhershëm i të të quajturit gripi i shpendëve. Me këtë merren organizmat e veçanta të administratës së shtetit dhe do të ishte qesharake të dëshironim që politikushtruesit tanë të kërkonin një seancë urgjente parlamentare për të parë se çfarë masash po merren. Do të ishte komike të dëgjonim, përshembëll, ndonjë deputet të opozitës që të ngrihej dhe akuzonte qeverinë se ishte ajo përgjegjësja kryesore që gripi i shpendëve kishte depërtuar në Shqipëri dhe se kur qenë ata në qeverisje nuk e kishin lejuar atë të hynte. Po ashtu do të ishte gazsjellëse edhe e kundërta, të gjendej një parlamentar i pozitës dhe të thoshte se gripin e shpendëve e kanë futur fshehur në Shqipëri ata të pakicës për të destabilizuar vendin.
Prej dy javësh e kusur, mbase edhe pse gjenden të bllokuar në vetëm një çështje, mes shumë projekligjeve të pezulluara, politika jonë nuk tregon as vëmendjen më të vogël për probleme që lidhen me vetë shqiptarin si njeri, si qënie e gjallë që ka shumë nevoja jetike dhe jo pak halle individuale apo në grup. Esht[ fashitur interesimi e pjesëmarrja e klasës politike në çështjen e punësimit. Nuk flitet më prej kohësh për të papunë dhe për drama të tyre. Thua jemi një shoqëri që këtë tregues e kemi në nivelin mezatar të parametrave të Bashkimit Evropian. Dihet, të paktën falë statistikave të INSTAT-it, niveli shumë i lartë i papunësisë tek ne, krejtësisht i pakrahasueshëm me ato që publikon Brukseli për komunitetin e vet. Dhe ndërsa ne me një treg pune minus tridhjetë përqind heshtim, shtetet përbërës të Bashkimit Evropian dhe klasat e tyre politike me vetëm pesë apo gjashtë përqind papunësi e trajtojnë këtë temë përditshëm si më kryesoren dhe jetiken. Megjithëse janë vende ku i papuni asistohet nga shteti me një shumë mujore që nuk e bën të ndjejë mungesën e nevojës për tu ushqyer e veshur normalisht, ndoshta përjashto ndonjë pushim vjetor në bregdet apo në mal.
Për fat të keq tek ne edhe pse ndër premtimet elektorale gjen ndonjë kollonë apo shifër për vende të reja pune, nuk është parë ndonjë realizim i dukshëm i tyre. Tema për të cilën heshtet më shumë pas mbylljes së fushatave zgjedhore është ajo e punësimit. Asaj i vihet menjëherë një kapak i rendë. Dhe nuk është fjala që prej vitesh një ministrie të posaçme me në emërtim fjalën Punësim shqiptarët i kanë vënë nofkën e Ministrisë së Papunësimit. Faji këtu nuk qendron tek dikasteri, por tek mentaliteti i përgjithshëm i mjaft prej politikushtruesve tanë që hapjen e vendeve të reja të punës nuk e quajnë prioritet emergjent të aktivitetit të tyre. Asaj ata i shmangen. Disa prej të mandatuarve madje kanë në stil vetëm rregullimin në punë të njerëzve të tyre dhe me kaq për ta ky detyrim përballë shoqërisë që i ka përzgjedhur mbyllet. Mosinteresimi i rendë për punësimin e shqiptarëve ka shkuar aq fort larg sa pothuaj nuk gjen në ditarin e Kuvendit një debat parlamentar për të, një mocion mosbesimi a besimi, një bojkot apo marrëveshje bipartizan, një sherr me fjalë apo një thirrje miqësore, një epitet sharrës apo një cilësim poetik, një bilbil e burie që fryn apo shpalljen e një plani urgjent masash për të dalë nga kjo gjendje. Shqiptarët janë lënë të kërkojnë e gjejnë punë vetë. Sipas kësaj logjike po të jenë të zotë të jetojnë le tja dalin vetë në krye këtij mundimi. Madje shteti ka muaj që po shkurton e shkarkon nga administrata e vet, e cilësuar e tejfryrë, vazhdimisht njerëz, duke e shtuar tregun e të papunëve.
Njeriu është e mbetet në qendër të politikës. Politikat hartohen e bëhen për të përmirësuar vazhdimisht jetën e njeriut, ato nuk funksionojnë për të pasuruar politikanët dhe rehatuar kushurinjtë e tyre. Disa këtë gjë e kanë harruar, madje ndonjë ka rënë viktimë e këtij harrimi sepse i ngjan i afërt me një slogan të diktaturës realkomuniste. Për afro pesëdhjetë vite atëhere, me gjoja në qendër njeriun, u ushtrua një politikë kundër tij. Ai regjim e mori bashkëkombasin tonë me triska dhe e la pas një gjysëm shekulli përsëri me triska e tullona. Sepse shoqëria shqiptare e vuajti gjatë një politikë jonjerëzore ata që e ushtrojnë këtë profesion pushteti në pluralizëm nuk duhet të bëjnë vetëm përpjekjen e kurajshme që të largohen sa më shumë nga modeli i rregjimit të shkuar, por të kryejnë kërcimin e hovshëm: të jenë posaçërisht shumë më të ndjeshëm për ta njerëzuar politikën. Dhe këtu nuk e kemi fjalën dashakeqësisht për atë fazë të gjatë të saj të pas vitit 1990, kur u përdor deri edhe dhuna ndaj kundërshtarit. Për fat këtë të keqe të madhe e kemi lënë pas shpine. Ja pse është koha e përshtatshme e njerëzimit të politikushtrimit. Eshtë koha kur në temën e ditës duhet të jetë përse akoma në pjesën dërmuese të shërbimeve ndaj njeriut, veçanërisht në spitale, ambulanca, pika doganore, zyra taksash apo liçensash, deri edhe tek provimet në shkolla apo konkurset e pranimit në nivelet e larta të arsimimit paguhet rushfet apo gjallon mitmarrja. Përpjekja e mirë që bëhet nga ekipi i tanishëm qeveritar për ta frenuar korrupsionin është fare pak nga nevoja dhe emergjenca e përgjithshme. Korrupsioni kërkon jo përdorim politik, por një politikë të përbashkët dhe intensive për ta paralizuar atë. Përsa kohë që korrupsioni nuk dihet seriozisht i kërcënuar nga klasa jonë politike atëhere duhet të pranojmë se është në virulencë të plotë mes nesh një faktor shumë antinjerëzor.
Në një televizion pak ditë më parë një pensioniste tregonte para kameras të gjitha faturat e një viti që i kishin ardhur nga KESH. Të tëra shumat ishin afrofe e megjithatë që të gjitha ajo i kishte paguar. Për të shlyer afrofenë e një ndërmarrjeje publike që furnizon me elementin më minimal jetik shqiptarin ajo çdo muaj harrxhonte tre të katërtat e pensionit. A nuk ka gjë më çnjerëzore që akoma mes nesh, mes popullit dhe administratës sonë të shërbimit, funksionon kjo çudi bastarde e vetëm e anëve tona? Afrofeja duhet të thirret Turp.
Ylli Polovina
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|