Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ky bum mediatik i Mehmet Shehut!?

Ballkan, 25 janar 2006

Vjen një çast dhe dëshiron të pyetësh seriozisht vetveten: Përse një pjesë e rendësishme dhe shumë e ndjekur e medias sonë vazhdon pa u bjerrë të merret me temën e Mehmet Shehut? Ka pesëmbëdhjetë vite që nuk i ndahet asaj duke arritur mpikun e parë në vitin 1994 në Televizionin Shqiptar me një cikël të tërë disajavor e duke kulmuar sërish në televizionin Klan një muaj më parë me një “speciale” aspak të shkurtër. Kurse gazetat e përditshme kanë rinisur faqe të tëra për ish-kryeministrin komunist. Mbase e gjitha kjo nuk është një mister dhe vetëpyetjen mund ta mbyllësh me autopërgjigjen se joshja e madhe pas Mehmet Shehut nuk është gjë tjetër përveç se pjesë e atij interesimi mediatik që akoma vijon për periudhën e diktaturës. Kjo e fundit duke qënë deri dje për opinionin një e fshehtë e madhe tashmë ka zënë rradhën për t’u hapur e bërë e ditur. Mirëpo do të ishte shumë e kushtueshme për vetë zhvillimin tonë në rast se në këtë rivendosje të së vërtetës për ç’ka ishte realisht regjimi komunist do të na duhen po aq vite sa edhe rezistoi diktatura. Dyzetë e gjashtë vite të tjera me çfarë u ndodhi shqiptarëve atëhere duken si tepër.
Po ashtu këtë pasion të dukshëm për Mehmet Shehun mund ta interpretosh edhe si një mënyrë të zakonshme të trajtimit komerçial të kësaj teme. Televizionet kërkojnë audiencë dhe gazetat lexuesë. Në vrapimin e përditshëm për konsumatorin nuk është se gjendet vetëm media shqiptare, gjithkund nëpër botë rendin në gjueti të lexuesit apo shikuesit. Madje pothuaj të gjitha mediat synojnë deri edhe një konsumator pasiv të scoop-eve.
Në shpjegim të kësaj dukurie mund të arsyetosh edhe se jeta e ish-kryeministrit komunist ndryn në vetvete edhe çështjen e “vrasje apo vetvrasjes” së tij. Ka pesëmbëdhjetë vite që emri dhe bëma e Mehmet Shehut po ushqehet fare mirë me këtë të veçantë të fatit të tij. Një përpjekje për të gjetur enigmën e këtij tejinteresimi mund të shtrihet edhe deri tek dëshira për të hetuar mënyrën e vendi se si u gjend varri i tij. Tema Shehu mund të përmbajë brenda vetes akoma joshje edhe me faktin se zotëron një nga pamjet më kulmore të luftës së brendshme mes krerëve komunistë për të mbajtur nën kontroll regjimin dhe vendin e të parit të tij. Tema e Mehmet Shehut mund të ketë ende elizir edhe sepse një nga udhëheqësit kryesorë të atij sistemi, i cili u bë realisht pasuesi i Enver Hoxhës, është akoma gjallë dhe i dukshëm. Qarqe apo njerëz të veçantë që synojnë ta akuzojnë këtë të fundit se ishte arkitekti i këtij konkurimi nëpërmjet likuidimit fizik ka të ngjarë që e mbajnë kinse përvëluese këtë temë. Mundet që tërheqja pas ish-kryeministrit komunist të furnizohet edhe nga kureshtja e përgjithshme për të kuptuar temperamentin e tij dhe gjetur një përgjigje nëse pas vdekjes së diktatorit me Mehmet Shehun Shqipëria do të binte në një fat më të mirë se me Enver Hoxhën apo do të ngjante e kundërta.
E çuditshme! Mehmet Shehu nuk u sqarua as me një libër të plotë e të qartë të birit të tij, shkrimtarit Bashkim Shehu, këtu e trembëdhjetë vite më parë. Ajo nuk u ndal edhe duke kulmuar me një nga kryeveprat e Ismail Kadaresë, librin “Pasardhësi”, roman që u jepet në shkolla për lexim letrar të gjithë nxënësve. Kjo temë nuk u tulat edhe pas një prej blofeve mediatike më të mëdha të dekadës së fundit, kur një avokate nga Selenica e Vlorës, prej vitesh me banim dhe punë në krahinën italiane të Pulias, kembënguli se ishte e bija e vërtetë e Mehmet Shehut.
Po të duash të gjithë kësaj katrahure mund t’i japësh përgjigjen se ish-kryeministri Shehu u lidh me lëvizjen komuniste shqiptare për t’u bërë një njeri pushteti dhe se pikërisht për shkak të këtij synimi dhe lakmie ai u likujdua në luftën e zakonshme për pushtet. Mund ta qetësosh veten edhe me vetëpërgjigjen se një Shqipëri me Mehmet Shehun në krye sërish do të ishte flakadan bolshevik dhe se po ashtu nuk do të kishte hequr dorë nga marrëzitë ideologjike, turpet dhe krimet e saj. Çështjes së vetëvrasjes apo vrasjes së tij po ashtu mund t’i japësh përgjigjen fashitëse se çfarë rëndësie në fund të fundit ka. Më të fuqishëm se ai donin ta hiqnin qafe dhe këtë gjë e realizuan. Atëhere, në diktaturë, kostot e kësaj lufte brenda klasës së lartë politike e kishin me jetë. Nuk ishte Mehmet Shehu as i pari dhe as i fundit i këtij fati.
E megjithatë, ke apo nuk ke vullnet ta mbyllësh kaq shpejt dhe pa shpenzuar tepër kohë këtë temë, mes shqiptarëve rezulton se gëlon interesimi për Mehmet Shehun. Prej këtij realiteti, që personalisht mund të të pëlqejë ose jo, je i shtrenguar të kërkosh një shpjegim më të thellë nga ai që të rekomandon dëshira vetiake.
Me sa duket në mentalitetin e përgjithshëm ne priremi nga ata që na imponohen dhe jo prej atyre që na duhen. Bjemë viktimë e atij që na rri mbi krye dhe na e raskapit jetën dhe jo e atij që rri para nesh për të na prirë drejt një jete më të mirë. Në rast se do të kishim një mirorientim mbase do të dinim të kërkonim informacion dhe mesazhe në jetë të tjera të përfaqësuesve tanë të kohës së diktaturës. Mbi të gjitha mbi të mohuarit e saj, të cilët përbëjnë jo vetëm një thesar idesh dhe mesazhesh liberale. Këtu borxhi që ka shoqëria ende vazhdon. Por një mirorientim mund ta kemi edhe me vetë përfaqësuesit e komunizmit. Ose me periudha e stina të tjera të historisë së tij në viset tona. Përshembëll në rast se bëjmë një vëzhgim të shpejtë se për pesë vitet e para të pasluftës i kemi hapur më shumë faqe gazetash apo cikle radio e teleemisionesh Koçi Xoxes apo Sejfulla Malëshovës, do të përfundojmë në konkluzionin se i pari ka qënë “i përkëdheluri” i një pjese të medias dhe jo i dyti. Sigurisht Xoxe ka shumë krime dhe mjaft intriga në jetën e tij pushtetare. Sejfulla Malëshova nuk ka asnjë të tillë, të paktën si të kolegëve të tij komunistë. I pari kishte një arsim të çalë, kurse i dyti ishte një njeri shumë i ditur. Si figurë, personalitet dhe mesazh mes Koçi Xoxes dhe Sejfulla Malëshovës ekziston një det i tërë. Pothuaj të gjithë e dinë se i pari ka një rrugë me emrin e tij në Beograd dhe shumë pak kanë njohuri se i dyti, Sejfulla Malëshova, ishte një shkrimtar e përkthyes të cilit i kendonte fjala për Shqipërinë. Ka libër “Pasardhësi” për Mehmet Shehun, por nuk ka një inisiativë qoftë edhe modeste për të analizuar se si do ta kishte fatin vendi ynë nën drejtimin e ideve liberale të eurokomunistit Malëshova. Nuk do të mungojnë serialet e emisioneve televizive e vrau apo nuk e vrau veten ish-kryeministri Shehu, por sa duhet të presim që të ndjekim në ekranet tona jetën personale tronditëse dhe projektin politik të Sejfulla Malëshovës.
Në gjysmëshekullin realkomunist ne kemi periudha të vërteta obskurantizmi, por përse në duart e lexuesve apo para shikuesve tundim dhe shkundim vetëm pjesët tona më të errëta dhe më të leckosura. Diktatura ka patur disa periudha “pranverash”, siç në terminologjinë e politikës moderne quhen çastet e zbutjes së përkohshme të një rregjimi të ashpër e të dhunshëm. Por cili shkrimtar, publicist, politikan apo historian, cila media i ka hapur posaçërisht vend këtyre çasteve, prej të cilave jo vetëm ne, por edhe bota do të kuptojë se nuk ishim një kope e egër dhe primitive njerëzish të zbritur nga pyjet e ku na mjaftoi vetëm një grup i vogël njerëzish për të na vënë në rradhë. Po të ndodhte kjo mbase disa faqe nga qindra “specialet” për Mehmet Shehun apo Enver Hoxhën do të blatoheshin për liberalin e burrin e ditur, për të dhembshurin Todi Lubonja. Ai ishte një nga arkitektët e “pranverës së Tiranës”, asaj të viteve 1971-73. Mirëpo gjithkund në kontinent njohin për periudhën e diktaturave realkomuniste pranvera të Budapestit dhe të Pragës, por të Tiranës jo. Kemi kontribuar vetë për këtë vetënxirje totale.
Ja përse Mehmet Shehu dhe jeta e tij e ashpër dhe e drunjtë na merr me vete. Ja përse shumë prej nesh akoma jetojnë dramën e tij të luftës për pushtet. E shfletojnë, kuriozohen pas saj, e komentojnë njëherë, dy herë, tre, katër, pambarimisht. Mirëpo ish-kryeministri Shehu është totalisht e shkuara. Ai nuk i sjell të ardhmes tonë asnjë mesazh udhërrëfyes dhe nuk na shkakton asnjë emocion pozitiv.


Ylli Polovina



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com